Standard.al

Fronti i ri/ Zyrtarizon largimin nga aleanca me PS, Ngjela lidh marrëveshje me Spahiun e AK-së

Gëzim Saliu

 

Ngjela: Tre pikat e marrëveshjes me Spahiun. Kreu i AK-së: Pranojmë aleancë me çdokënd

 

Ngjela me SpahiunPartia Ligj dhe Drejtësi e kryesuar nga Spartak Ngjela zyrtarizon largimin përfundimtar nga koalicioni i së majtës i drejtuar nga Partia Socialiste, duke nënshkruar një marrëveshje politike me Aleancën Kuq e Zi. Ngjela dhe Kreshnik Spahiu bënë të ditur dje se të dy subjektet politike kanë rënë dakort  për të lidhur një marrëveshje bashkëpunimi, e cila përqëndrohet në 3 pika të përbashkëta si; patriotizmi, lufta kundër korrupsionit dhe politika e jashtme.  Pas takimit që patën, Ngjela deklaroi se fillimisht mes dy partive u ra dakort për tre cështje, ndërsa më pas do të shpalosen më qartë programet e dy partive. Ndërsa Spahiu pohoi se Aleanca Kuq e Zi është e hapur për bashkëpunim me cdo parti për zgjedhjet lokale, ku shtoi se këto të fundit janë ende larg për të konkretizuar nëse forca që ai drejton do shkojë në to bashkë me PLD-në.

 

Reagimet

Sipas kreut të PLiDr-së, marrëveshja e djeshme lidhej më shumë me pikat e përbashkëta mes dy partive, ndërsa diskutimet e tjera, theksoi ai, do ti takojnë së ardhmes.  “Tre pikat që ramë dakort që ramë dakort se janë të përbashkëta, është patriotizmi, që ata e kanë ngritur. Jashtë një fryme arkaike, nacionanaliste, por një patriotizëm elokuent, modern.  E dyta është, korrupsioni. Është një plagë e politikës dhe shoqërisë shqiptare.  Dhe e treta është rënia dakort me njëri-tjetrin për të parë cështjen e interesit shqiptarë në politikën e jashtme brenda interesit amerikan në Ballkan. Ne do mbrojmë interesat e botës shqiptare, por e shohim se interesi shqiptar dhe ai amerikan koocidojnë saktësisht në këtë kohë për ekuilibrat në Ballkan. Ne diskutuam vetëm për pikat që na bashkojnë dhe për të tjerat duan diskutim”, tha Ngjela. Ndërkohë kreu i AK-së pohoi se mes forcës që ai drejton dhe PLiDr-së ka një sërë objektivash të përbashkëta dhe në ketë kontekst Spahiu theksoi se Aleanca Kuq e Zi është e hapur për të lidhur marrëveshje bashkëpunimi me cdo parti politike të interesuar. “Objektivat kanë përqasje dhe përafrim për shkak të specifikës së përbashkët që kanë dy subjektet. 3 prioritetet na bashkojnë dhe kjo si nevojë.  Aleanca e ka emrin vetë kuqezi dhe pranon bashkëpunim me cdo parim dhe pikërisht në parimet që ne shohim të ardhmen e Shqipërisë dhe Partia Ligj dhe Drejtësi përafron me programin e Aleancës Kuqezi. Sa për zgjedhjet lokale e lemë në të ardhmen cdo axhendë të këtij lloji. Aleanca e ka emrin aleancë dhe si e tillë pranon aleanca me cdo parti të interesuar, por zgjedhjet janë ende larg për të përcaktuar cilat do jenë aleancat e AK”, u shpreh ai. Përpara zgjedhjeve elektorale të 23 qershorit, kreu i PLiDr-së ka bërë të ditur se kishte një marrëveshje individuale me kryeministrin Rama, ku u përfol se në bazë të saj, posti i ministrit të Drejtësisëdo ti takonte Ngjelës në rast fitore të koalicionit të majtë. Por krejt ndryshe nga kjo, kreu i qeverisë kur pohoi emrat e kabinetit qeveritar thuajse 7 muaj më parë, deklaroi se ekzekutivi do të përbëhet vetëm nga dy forcat kryesore të koalicionit, PS dhe LSI , duke mënjanuar përfshirjen e aleatëve në nivelin e parë të qeverisjes. Që prej asaj kohe është vënë re një distancim i hapur mes Ngjelës e Ramës, ku nuk kanë munguar akuzat edhe replikat në mënyrë indirekte mes tyre. Po ashtu edhe AK ka qenë e përfshirë në negociata me PS-në para zgjedhjeve të përgjithshme, negociata të cilët dështuan plotësisht, duke u mbyllur me fyerje e akuza mes dy krerëve të partive, Rama e Spahiu.  Kjo marrëdhënie kundërshtuese është shtuar edhe më shumë nga ana e AK-së në 6 muajt e qeverisjes, ku sipas forcës së drejtuar nga Kreshnik Spahiu, qeveria “Rama” ka dështuar në të gjitha objektivat e saj.

 

 

Aleatët

Gjinushi: PS na do vetëm për zgjedhje. Milo: Rishikojmë qëndrimin tonë

Kryetari i Partisë SocialDemokrate Skënder Gjinushi i është përgjigur me ironi pyetjes për mungesën e partisë së tij në bashkëqeverisjen e majtë duke u shprehur me ironi se janë në stol rezervash dhe thirren vetëm për luftë. I ftuar dy ditë më parë në një intervistë televizive, aleati tradicional i PS-së theksoi se nuk ka pasur asnjë takim me kryeministrin Rama gjatë kësaj kohe, ndërsa me kryetarin e LSI pohoi se ka pasur takim vetëm personal. “Meqë PSD-ja ka qenë më luftarakja e së majtës, por pas zgjedhjeve nuk është në qeveri, neve na duan si ushtri për kohë lufte; tani jemi forcat rezervë, për t’u grasatuar. Po qe për betejë, të vë vetë përpara, po qe për fitore, del mbrapa.  Ne, ndaj nuk rendëm të bëjmë kërkesa. Kohë ka, nuk ka rëndësi, 6 muaj para, 6 muaj prapa. Sigurisht, zhgënjim ka, sidomos nga baza. PSD-ja është e vetmja që ka dalë nga qeveria për të mbrojtur parimet, edhe në 1994-ën, dhe në 2002-shin. Fituam betejën në 2002-shin dhe hymë prapë. Të tërë bënë pazare me mandate, ne s’bëmë. Dhe menduam se pas 8 vjetësh do vlerësohemi. Me sa duket, konsekuenca ka dalë nga moda”. Ndërkohë dy javë më parë, një tjetër aleat tradicional i PS-së, si Paskal Milo, bëri thirrje që PS të zbatojë marrëveshjen pasi sipas tij në formë të kundërt do të rishihet qëndrimi i forcës që ai drejton në të ardhmen në kuadër të bashkëpunimit elektoral. “Kur kanë kaluar dy muaj që nga nisja e negociatave me PS, asgjë nuk ka ndryshuar përvec premtimeve se një ditë do të realizohet kjo marrëveshje. Koha ka qenë e mjaftueshme, por me sa duket nuk ka vullnet për ta përfshirë PDS-së dhe jo vetëm atë, në qeverisje. Që nga moment që mund të thyhen urat politike atëherë vështirë se mund të ketë nesër një bashkëpunim më të suksesshëm”, ka deklaruar Milo.

 

Pas 1 viti nga nënshkrimi

Aleatët e PS-së kërkojnë zbatimin e marrëveshjes

Pas thuajse një viti nga nëshkrimi i marrëveshjes mes Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj, këta të fundit mbeten ende të papërfaqësuar me poste në nivel qëndror e lokal. Presioneve të shumta të bazave të këtyre partive, kryesisht të forcave që kanë arritur të fitojnë votat e duhura për tu përfaqësuar në poste të ndryshme, krerët e partive të vogla nuk mund t’i japin më shpjegim. Në deklarimet e tyre, ata kanë bërë të ditur rritjen e këtij presionin e ndërkohë kanë theksuar domosdoshmërinë e zbatueshmërisë së marrëveshje paraelektorale të lidhur me PS-së dhe 34 forcave aleate. Deri më tani, krahas Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila ka marrë pjesën më të madhe të pushtetit pas PS-së, vetëm PBDNJ dhe G99 janë bërë pjesë e bashkëqeverisjes. Ndërkohë Kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, ai i PDS-së, Paskal Milo, kryetari i PSV’91, Petro Koçi, kreu i Aleancës Popullore, Artur Dojaka, dhe kreu i PKDSH-së, Mark Frroku, të cilët përfaqësojnë edhe partitë që kanë marrë një numër të konsiderueshëm votash në zgjedhje, presin prej muajsh zbatimin e marrëveshjes të lidhur me PS-në. Në bazë të marrëveshjes parazgjedhore mes PS-së dhe aleatëve të koalicionit me siglën “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, për bashkëqeverisje do të përfshihej çdo forcë që në nivel qarku merr nga 500 deri 1000 vota dhe në nivel kombëtar 5000 deri 10.000 vota, ndërsa për të gjitha subjektet politike që do të arrinin të merrnin mbi 10.000 vota bashkëqeverisja do të shtrihej në nivel lokal dhe qendror.

 

 

 

 

Comments are closed.