Aksidenti/ Rrëzohen dy të rinj në kanionet e Erzenit, një shpëton, tjetri në kërkim

0

Sonja Caka

Loading...

 

 

Të rinjtë në eskursion për të vizituar shpellën e Pëllumbasit dhe kanionet e Erzenit. Dëshmitari: Zgjodhën rrugën e gabuar, i vura në dijeni

 

erjon alizotiNjë eskursion i organizuar përmes rrjetit social Facebook në Shpellën e Pëllumbasit dhe nëpër kanionet e Erzenit ka përfunduar në mënyrë tragjike për një grup të rinjsh. Dy djem të rinj janë rrëzuar në kanionin e lumit Erzen, pas malit të Dajtit. Të rinjtë kanë qenë duke kaluar në një zonë mjaft të thyer dhe të vështirë kur kanë shkarë dhe janë rrëzuar në kanion dhe kanë përfunduar në ujërat e lumit Erzen. Menjëherë në lumë është hedhur njëri prej djemve dhe ka shpëtuar një nga dy djemtë, duke e nxjerrë nga uji dhe ka tentuar të gjejë shokun tjetër, i identifikuar si Erjon Alizoti, 18 vjeç. Paralelisht me kërkimet e shokëve të 18-vjeçarit, nga njëra prej vajzave është lajmëruar edhe policia, e cila e shoqëruar edhe nga polumbarë të RENEA-s ka mbërritur në vendngjarje. Deri në orët e vona të mbrëmjes, polumbarët kanë kërkuar në një perimetër të gjerë të vendit ku kanë rënë dy djemtë e rinj, por kërkimet janë ndërprerë për shkak të errësirës dhe pritet të rifillojnë mëngjesin e sotëm. Ndërkohë që bëhet me dije se djali që u nxorr nga uji, pas marrjes së mjekimit, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja

Ngjarja është shënuar rreth orës 14:00, ndërkohë që në vendngjarje ka mbërritur policia dhe ka nisur kërkimet për gjetjen e te riut. Ka qenë një vajzë e re pjesë e grupeve të ekskursionit që ka njoftuar në media duke apeluar për ndihmë. Sipas dëshmive të të rinjve, dy prej 8 adoleshentëve janë afruar në tentativë për të prekur ujin e lumit Erzen, dhe kanë rrëshkitur në të. Vendi i saktë ku ka ndodhur ngjarja quhet “Skurran” dhe ndodhet 30 metra poshtë “Shpellës së Pëllumbasit”. Një prej të rinjve ka arritur të dalë në sipërfaqe, 30 m larg nga vendi ku rrëshkiti me shokun e tij dhe është shpëtuar nga shokët, ndërsa për shokun tjetër ishte e pamundur. Kërkimet për 18- vjeçarin Erjon Alizoti kanë vijuar nga polumbarët e RENEA-s në një rreze 3 kilometra deri në orët e vona të mbrëmjes. Por, këto kërkime u ndërprerë rreth orës 20:00 për shkak të errësirës, e cila e bënte të pamundur kërkimin. Ndërkohë, policia ka marrë në pyetje të gjithë shokët e të riut Alizoti, për momentin e rënies, mbi organizimin e këtij ekskursioni, është marrë në pyetje personi që e organizonte, si dhe mbi masat e sigurisë së ndërmerren nga organizatorët në këto raste.

Dëshmia

“Zgjodhën rrugën e gabuar”. Ky është deklarimi që një prej dëshmitarëve të ngjarjes ka bërë, i pyetur mbi itinerarin e ndjekur nga të rinjtë. Një nga dëshmitarët e ngjarjes në kanionet e Erzenit, Sabri Duçi shprehet se i ka paralajmëruar dy djemtë e rinj për rrezikshmërinë e rrugës ku po kalonin. “Grupi që ishin 2 djemtë kaloi nga një rrugë e rrezikshme. Më pyetën për rrugën dhe u thashë se kishte rrezik, por, pavarësisht kësaj grupi kaloi nga rruga që nuk duhet të kalonte. Në atë rrugë kanë ndodhur shumë ngjarje të rënda në 10 vitet e fundit. Në këtë zonë kanë ndodhur 4 raste të ngjashme”- ka rrëfyer Duçi. Ndërkohë që dëshmitarët tregojnë se rrjedha e lumit Erzen është e furishme dhe përllogaritet nga 1500-200 m kub ujë në sekondë.

Organizatorët

Sipas organizatorëve të ekskursionit, aktiviteti ishte organizuar në rrjetin social “Facebook”, nga Rrjeti i vullnetarëve shqiptarë. Sipas organizatorëve, në këtë ekskursion merrnin pjesë mbi 50 të rinj, dhe nisja drejt “Shpellës së Pëllumbasit” është bërë rreth orës 09:00 të mëngjesit të djeshëm nga Rruga e Elbasanit. Deri në një pjesë të rrugës të rinjtë kanë udhëtuar me autobus, ndërsa më pas u është dashur të ecin në këmbë. Njëri nga organizatorët ka zbritur në kanionin e lumit Erzen, duke i njoftuar të tjerët të mos zbresin për shkak të terrenit të vështirë. Rreth 30 të rinj i janë drejtuar autobusit për t’u kthyer në qytet, ndërsa 20 të tjerët kanë zgjedhur të zbresin në kanion. Por kjo ka rezultuar e rrezikshme për 2 të rinjtë, të cilët në tentativë për të prekur ujin, u rrëzuan në kanion. Njëri prej tyre u arrit të shpëtohej nga shokët, ndërsa ende nuk dihet ende fati i të riut Erjon Alizoti, 18 vjeç.

 

Tiranë

Kërkohej për trafik dhe prostitucion, pranga Hamza Karoshit

Arrestohet nga policia e kryeqytetit i dënuari me 17 vite burgim për trafik të qënieve njerëzore dhe prostitucion. Bëhet fjalë për 37-vjeçarin Hamza Karoshi, kapja e të cilit u bë e mundur mesditën e djeshme në periferi të kryeqytetit, pranë kryqëzimit të Bathores, ndërsa blutë bëjnë me dije se në momentin e ndalimit ky i fundit nuk ka bërë rezistencë. Sipas burimeve policore, Karoshi ishte shpallur në kërkim pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, vendim i cili është dhënë në mungesë dhe tashmë ai pritet të shlyejë dënimin për aktivitetin e tij kriminal. Në operacion kanë marrë pjesë forcat e komisariatit të Kamzës dhe njësia speciale e drejtorisë së kryeqytetit, ndërsa lokalizimi i të kërkuarit është bërë falë informacioneve në rrugë operative të siguruara nga policia e kryeqytetit.

 

Vjedhjet në Gjermani

Krimet e Rënda vendosin gjykimin në Shqipëri të Klaudjo Dervishit

Pas vendosjes së masës së arrestit me burg, Krimet e Rënda kanë vendosur të mos e ekstradojnë drejt Gjermanisë Klaudjo Dervishin, 35 vjeç, i akuzuar për grabitje me vlerë 3.1 milionë euro në Gjermani. Nga prokurorët është vendosur gjykimi i 35-vjeçarit në vendin tonë, ku do përgjigjet për të gjitha vjedhjet e realizuara në shtetin gjerman. Në përfundim të gjykimit, i riu do të vuajë dënimin po në vendin tonë. Burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda konfirmojnë faktin dhe bëjnë me dije se kanë në dispozicion gjithë provat materiale në ngarkim të Dervishit, si një sërë pamjesh filmike dhe përgjime të telefonave të 6 anëtarëve të grupit të grabitjeve, i cili më së shumti operonte në qytetin e Mynihut. Vendimi për mos ekstradimin në Gjermani është marrë nga Gjykata e Krimeve të Rënda pas letërporosisë së ardhur nga hetuesit gjermanë, të cilët kanë listuar të gjithë aktivitetin kriminal të grupit të strukturuar të vjedhjeve të kryesuar nga Dervishi. Sipas policisë, 35-vjeçari u arrestua tri ditë më parë nga policia e Gjirokastrës, ndërsa u transferua menjëherë në kryeqytet për llogari të prokurorisë së krimeve të rënda. Gjithashtu, sipas burimeve nga akuza, ndaj Dervisht ka nisur procedimi edhe për pastrim të produkteve të veprës penale, ndërsa super hajduti rrezikon 9 vite burg. Ndërkohë që për sa i përket pasurive të sekuestruara, si hotel Picolino në Sarandë, automjetet luksoze, si dhe punishtja e vajit në pronësi të Dervishit, pas gjykimit, këto prona nëse nuk u vërtetohet burimi i të ardhurave, do të kalojnë për llogari të shtetit.

 

 

Loading...