Presidenti i Bundesbank: S’ka rrezik deflacioni në Eurozonë

0
127

eurozone-mapPresidenti i Bankës Qendrore të Gjermanisë, Bundesbank, Jens Wiedmann ka deklaruar dje se Eurozona nuk gjendet në një cikël deflacioni. Sipas tij, Banka Qendrore Europiane nuk duhet të reagojë ndaj një rënieje të inflacionit. Kreu i institutit financiar qendror të Gjermanisë ka nënvizuar gjithashtu se ulja e kurbës së inflacionit ka ndodhur kryesisht për shkak të faktorëve ciklikë, të cilët ka shumë gjasa të jenë të përkohshëm.

Wiedmann, i cili është edhe anëtar i Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore Europiane, është shprehur se rreth dy të tretat e rënies së inflacionit në eurozonë mund t’u dedikohen çmimeve të energjisë dhe lëndëve të para. Numri një i Bankës Qendrore të Gjermanisë ka pohuar se politika monetare duhet t’u përgjigjet faktorëve të tillë vetëm në rastin e efekteve të dorës së dytë.

Disa ditë më parë, Wiedmann ka hedhur idenë se Banka Qendrore Europiane mund të blerë borxhet ose asetet e tjera të bankave, në mbështetje të ekonomisë së eurozonës. Me këtë deklaratë, ai i ka zbutur qendrimet radikale ndaj këtij plani. Weidmann nga ana tjetër, ka deklaruar se Banka Qendrore Europiane mund të marrë në konsideratë edhe blerjen e bonove të qeverive anëtare të bllokut të monedhës së përbashkët, ose asetet e sektorit privat.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency