Gjuetia për skrap / I shpërthen granata, 1 i vdekur dhe 2 të plagosur

0
143

Anxhela Tato

Xhaxhai me nipërit po gërmonin për metale në një ish-repart demontimi të ushtrisë

Shtabi i Forcave të Armatosura: Do bëjmë të pamundur për të shmangur të tilla ngjarje

 

tragjedia librazhdKërkimi për skrap i ka kushtuar jetën 27-vjeçarit, i cili së bashku me vëllanë dhe xhaxhanë kishin nisur gërmimet në një ish-repart demontimi. Gërmimi për të nxjerrë hekurishte ka rezultuar fatal, pasi një granatë ka shpërthyer duke i marrë jetën në vend 27-vjeçarit Dosku. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në malin Zgarë pranë fshatit Tokëz të Librazhdit. Sipas policisë nga shpërthimi ka mbetur i vdekur Arben Dosku, 27 vjeç, ndërsa dy të plagosurit lehtë vëllai i viktimës Alfred Dosku, 21 vjeç dhe xhaxhai Lavdrim Dosku, 45 vjeç. Nga informacionet paraprake mësohet se në atë zonë ku të rinjtë kishin shkuar për të mbledhur skrap dikur ka qenë repart demontimi të municioneve. Megjithatë në këtë zonë nuk ka asnjë tabelë të shënuar që tregon se ky vend mund të ishte i rrezikshëm. Të plagosurit janë transportuar në spital, prej ku mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore viktima, e cila do të ndihmojë blutë në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Nga ana tjetër familjarët janë të tronditur nga kjo ngjarje, duke rrëfyer se janë kushtet e vështira ekonomike që i detyrojnë të dalin për të mbledhur skrap.

Reagim

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura deklaron se do të bëjnë të pamundurën për shmangien e ngjarjeve të tjera tragjike, duke shprehur njëkohësisht ngushëllimet për familjarët e Arben Doskut, i cili humbi jetën dje në fshatin Zgarë të Librazhdit dhe shërim të shpejtë dy të plagosurve të tjerë. Në njoftimin për shtyp, evidentohet puna e Forcave të Armatosura përmes ruajtjes, patrullimit, vëzhgimit, vendosjes së shenjave të domosdoshme, pavarësisht bashkëpunimit të pakët nga pushteti lokal. “Pavarësisht këtyre masave bëjmë me dije se është i pamundur kontrolli fizik i imtësishëm dhe i vazhdueshëm i këtyre zonave të thella që dikur kanë shërbyer si poligone asgjësimi. Shtabi i përgjithshëm i FA siguron opinionin publik se në këtë zonë nuk zhvillohet proces demilitarizimi, pasi ky proces ka përfunduar që në shtator të vitit 2012, megjithatë kujdesi duhet të jetë i vazhdueshëm”, – përfundon deklarata e Shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Taulant Balla

Deputeti i PS-së Taulant Balla i kërkon prokurorisë të zbardhë ngjarjen e ndodhur sot në malin e Zgarë të Librazhdit ku nga shpërthimi i granatës humbi jetën Alfred Dosku ndërsa u plagosën 2 kushërinjtë e tij. Balla bën me faj keqqeverisjen e Berishës shkak për atë që e quan “aksident të rëndë” dhe i kërkon Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë të bëjnë menjëherë pastrimin e pikave të tjera të demontimit që Arben Imami ngriti kudo nëpër Shqipëri. “Si deputet i Librazhdit i kërkoj Policisë dhe Prokurorisë të fillojë një hetim të plotë për këtë ngjarje sepse ky ka qenë një aksident që mund të parandalohej nëse ushtria do ta kishte pastruar zonën. I kërkoj gjithashtu Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë të bëjnë menjëherë pastrimin e pikave të tjera të demontimit që Arben Imami ngriti kudo nëpër Shqipëri. Pavarësisht se Ministria e Mbrojtjes kishte urdhëruar ndalimin e demontimit deri në plotësimin e te gjitha kushteve dhe kritereve të sigurisë këto janë pasojat e keq qeverisjes së Berishës dhe Imamit duke minuar deri edhe jetët e njerëzve te pafajshëm. Deputeti Taulant Balla ndodhet ne vendngjarje.

 

PD: Ngjarja në Librazhd, paaftësi e FA-së dhe ministrisë

Partia Demokratike, në një deklaratë për shtyp ka akuzuar ministrinë dhe Forcat e Armatosura sipas opozitës për paaftësi në lidhje me ngjarjen e Librazhdit, ndërsa i është bashkuar ngushëllimeve të familjes së Arben Doskut. “Ngjarja e sotme është pasojë e shmangies së ushtrisë nga misioni kushtetues dhe shndërrimi i saj në ndërmarrje pastrim-gjelbërimi. Poligonet duhet të jenë në trajtim të vazhdueshëm, derisa të mbarojë procesi final i pastrimit të tyre. Ministria e ka të përgatitur planin për pastrimin e poligoneve, plan i cili nuk është zbatuar nga Ministria e Mbrojtjes. Kjo ngjarje e rëndë vjen për shkak të paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë në drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosur”, – është shprehur zëdhënësi i PD, Alban Zeneli.

 

Shkodër

Atentat me plumb në kokë, vdes pas një jave biznesmeni i duhanit

Ndërron jetë në spital biznesmeni 48-vjeçar Ndue Cini, i cili u qëllua me armë zjarri rreth një javë më parë në Shkodër, në momentin që po i afrohej derës së shtëpisë së tij. Biznesmeni i duhanit në Shkodër dyshohet se është qëlluar nga vrasës me pagesë. Burime nga Policia e Shkodrës bëjnë me dije se lidhur me atentatin ndaj biznesmenit, Ndue Cini, janë shoqëruar në komisariatin e policisë rreth 12 persona, të cilët mendohen se kanë dijeni për ngjarjen, të cilët pas dëshmive që kanë dhënë janë lënë të lirë. Burime konfidenciale të policisë pohojnë se pista kryesore në të cilën po hetohet është ajo për shkak të konkurrencës, pasi tregtari së bashku me vëllezërit zotëronin një punishte në periferi të qytetit, e cila shërbente për përpunimin dhe shitjen e duhanit. Mësohet se Cini kishte lidhje të forta me biznesmen nga shteti fqinj i Malit të Zi me të cilët kishte lidhur biznesin e tij. Po ashtu ai së bashku me vëllezërit kishin në pronësi edhe disa dyqane në qendër të qytetit të Shkodrës. Policia ka marrë edhe dëshminë e një roje objekti, i cili mendohet se ka parë skenën e vrasjes. Sipas dëshmisë, autorët kanë qenë 2 persona me një motoçikletë, të cilët e kanë pritur tregtarin deri në momentin që është afruar në derën e shtëpisë me automjetin e tij Fuoristrade tip ML dhe e kanë qëlluar.

 

Rrogozhinë

Zjarrvënia në burg, arrestohet 2 autorët

Dy persona janë arrestuar ditën e djeshme si autorë të zjarrvënies në burgun e Rrogozhinës. Sipas policisë, bëhet me dije se në pranga kanë përfunduar Ledjon Gjika dhe Jurgen Meçalliu. Ledjon Gjika është 23 vjeç dhe banon në Libofsh në Fier, ndërsa Jurgen Meçalliu është 20 vjeç dhe banon në Fier. Sipas policisë, dy të sipërpërmendurit dyshohet se kanë vënë zjarrin në burgun e Rrogozhinës, ngjarje e ndodhur më 31 janar të këtij viti. Nga zjarri në burg u asfiksuan 21 të dënuar dhe që atëherë policia shpalli në kërkim dy të paraburgosurit Ledion Gjika i akuzuar për vjedhje dhe Jurgen Meçalliu, i cili ndodhej nën masën arrest me burg për armëmbajtje pa leje.

 

Shkodër

Aksident automobilistik, vdes i moshuari

Një i moshuar ka mbetur i vdekur si pasojë e një aksidenti automobilistik mbrëmjen e djeshme në Shkodër. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00 në aksin Stom-Golem. Policia bën me dije se viktima është Ndok Rripa, 70 vjeç i cili ka qenë duke kaluar rrugën kur është përplasur nga një automjet. Blutë e Shkodrës kanë shoqëruar drejtuesin e mjetit që përplasi të moshuarin. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency