Strategjia e qeverisë/ Bashkë me reformën territoriale, model i ri për decentralizimin. Arvizu: Duhet dialog

0
133

Gëzim Saliu

Çuçi: Vetëm 0.2% e komunave mbahen nga të ardhurat e veta. Arvizu: Përparësi kombëtare

cuci dhe arvizuNga 385 komuna në vend vetëm 0.2% arrijnë të mbahen nga taksat e të ardhurave vendore dhe pjesa më e madhe e tyre mbahen nga paratë e shtetit. Kështu u bë e ditur dje nga ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, i cili theksoi se 25 milionë dollarë në vit paguajnë taksapaguesit shqiptarë për rroga të punonjësve të komunave dhe bashkive. Në bazë të këtyre konkluzioneve, qeveria shqiptare ka parashikuar që paralelisht me reformën territoriale, të nisë hartimin e strategjisë së decentralizimit. Lidhur me këtë, ambasadori i SHBA-së në vend, Alexander Arvizu, deklaroi dje se reforma administrative territoriale është një mundësi e madhe për konsensus politik në Shqipëri. Sipas kryediplomatit amerikan, me rëndësi parësore në këtë reformë është dialogu i hapur dhe konstruktiv mes palëve. “Reforma territoriale është e rëndësishme për qeverinë e SHBA-së. Më lejoni ta përsëris, është e rëndësishme për qeverinë e SHBA-së dhe për Shqipërinë. Qeveria e SHBA-së dhe Ambasada e saj e sheh dialogun e hapur dhe konstruktiv si një element jetik të qeverisjes së efektshme në një shoqëri demokratike. Ne kemi nevojë për më shumë dialog konstruktiv. I nxis të gjithë në këtë sallë dhe kolegët tuaj me të cilët bashkëpunoni “të rrokni këtë mundësi për të ndërtuar konsensusin e nevojshëm”. Reforma territoriale dhe decentralizimi të shihen si përparësi kombëtare. Ne do t’ju vëzhgojmë”, – tha ai. Për ambasadorin amerikan është e domosdoshme që, si reforma territoriale, ashtu edhe decentralizimi i vendit, të jenë procese bashkërenduese.

 

Qeveria

Me takimin e djeshëm u hap zyrtarisht procesi për hartimin e Strategjisë së re Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore, e cila do të zbatohet paralelisht dhe do të jetë komplementare me reformën administrativo-territoriale. Kjo strategji, e cila do të shërbejë për shtatë vitet e ardhshme, do të hartohet në bashkëpunim me Programin e USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore dhe synon të thellojë më tej decentralizimin. Lidhur me këtë strategji, ministri Çuçi theksoi se zbatimi i saj së bashku me reformën territoriale do të transformojë raportin mes qeverisjes vendore dhe qytetarit. “Do të rrisë eficencën e do t’i hapë rrugë inovacionit në administrimin e aseteve publike, në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarit dhe në kryerjen e investimeve publike; si dhe do të rrisë interesin e qytetarëve për t’u angazhuar në qeverisjen vendore, pra, do të rrisë shkallën e asaj që quhet demokracia vendore”, – tha ai. Me ngritjen e grupit të punës për hartimin e Strategjisë së re Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore, sipas kësaj ministrie, zbatohet urdhri i Kryeministrit nr. 69, datë 13.2.2014. Grupi i punës do të përbëhet nga përfaqësues të qeverisjes vendore, shoqatat vendore, përfaqësues të biznesit, shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare dhe donatorëve. Përparësitë kryesore që do të përfshijë strategjia e decentralizimit do të jenë rishikimi i funksioneve të qeverisjes vendore, decentralizimi fiskal, strukturat dhe marrëdhëniet ndërinstitucionale, administrata vendore dhe mirëqeverisja si edhe qeverisja vendore dhe integrimi në BE.

 

 

Legalizimet

Flet kreu i ALUIZNI-t: Ndarja në dy kategori e aplikuesve, pagesat më të ulëta

Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, bëri të ditura dje hollësi nga projektligji që u miratua në mesjavë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, duke theksuar se legalizimet falas do të jenë vetëm për ata që kanë ndërtuar në tokën e tyre e ndërsa për të tjerët do të ketë tarifa që, sipas tij, do të jenë shumë herë më të vogla sesa ato të paguara deri më tani. “Dje u tha se tarifat tona janë më të larta se ajo e Sali Berishës. I doni tarifat e Saliut, jua them unë: 200 deri në 500 lekë rojës te dera për të hyrë në drejtori, 5-10 mijë lekë ishte që dikush ta hapte dosjen, 5 mijë lekë ishte dhënia e deklaratës dhe vërtetimeve që kërkon KESH-i, 10 mijë lekë kushtonin matjet në terren”, – tha ai. Lame tha se qeveria “Berisha” dështoi në procesin e legalizimeve, dhe jo vetëm ai, por edhe paraardhësi i tij, Fatos Nano. Sipas kreut të ALUIZNI-t, legalizimet do të ndahen në dy pjesë, së pari ato që i ka quajtur legalizime të lehta e që duan vetëm vullnet për t’u mbyllur dhe pjesa e dytë e atyre që janë të koklavitura edhe për shkak të kohës së gjatë që presin për legalizim e në të cilat hyjnë edhe procedura të ndryshme për shkak pronësie. Nga ana tjetër, Lame tha se abuzimet në këtë sektor kanë qenë të mëdha dhe konkretisht ai ka sjellë para mediave disa nga lejet e dhëna, të cilat, sipas kreut të ALUIZNI-t, janë bërë brenda një muaji dhe me para nën dorë. “Kanë 9 vjet që presin dosjet për legalizim. Ka një dosje që u paraqit që në kohën e Kryeministrit Nano dhe nuk u mor vesh ç’u më me të”. Sipas Lames, bashkë me këtë ligj po përgatiten edhe një sërë aktesh të tjera nënligjore, udhëzime etj., që kanë të bëjnë me procesin, i cili ishte torturues për qytetarin përgjatë një harku kohor prej 10 vitesh. Ndër të tjera, kreu i ALUIZNI-t tha se në zonat informale në ndërtimet pa leje të vetëdeklaruara, shtesat e bëra do të merren parasysh. Ndërsa lidhur me procesin e kompensimit të pronarëve, Lame tha se ata do të vazhdojnë të marrin dëmshpërblimin përmes fondeve që mblidhen nga legalizimet.

 

 

Qeverisja e hapur

Harito: Kompromis me të interesuarit për ligjet

“Kemi arritur në kompromis me palët e interesuara dhe do të kalojë në Parlament për t’u aprovuar shumë shpejt ligji për një qeverisje të hapur”. Kështu deklaroi dje ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, e cila tha: “Nga dy monitorimet e pavarura në planveprimin për periudhën 2012 e 2013, një nga pikat tona të dobëta ishte mungesa e përfshirjes dhe konsultimi me shoqërisë civile dhe me aktoret e tjerë privatë”. Sipas Haritos, qeveria do të bashkëpunojë me palët e interesuara, kemi një ligj për konsultimin publik, ndaj dhe procesi ka marrë disa muaj. “Në Shqipëri kemi shumë ligje, por ne çalojmë në zbatimin e tyre. Kemi arritur në kompromis me palët e interesuara dhe do të kalojë në Parlament për t’u aprovuar shumë shpejt. Sot grupet e punës që janë të përbëra nga përfaqësues të institucioneve publike do të kenë mundësi të punojnë mbi të gjithë angazhimet e përcjella nga ministri te ndryshme për planveprimin 2014-2016, disa dokumente janë shumë të detajuara, disa të tjera në fazën e përpunimit”, – tha ministrja e Inovacionit.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency