Dëmshpërblimi/ Javën që vjen, 550 ish-të përndjekur marrin këstin e parë. Rama: Masat tek pensioni

0
124

Gëzim Saliu

 

Veliaj: Brenda gushtit përfundojnë të gjitha pagesat, për 6 muaj rishikohen kriteret ligjore. 10 milionë USD për këstin e parë: Përurohet ndërtesa e rikonstruktuar e Institutit të ish-të Përndjekurve

 

takimi i ramesNë fillim të javës së ardhshme do të nisë pagesa e 545 ish-të përndjekurve, të cilët nuk kanë marrë asnjë këst të kompensimit për vitet e burgut që kanë kryer në kohën e komunizmit. Kështu bëri të ditur dje Kryeministri Rama në përurimin e ndërtesës së rikonstruktuar të Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë, duke theksuar se në listën e përfituesve, 180 emra do t’u përkasin të përndjekurve që janë mbi moshën 85 vjeç. “Më shumë se 500 persona, menjëherë përfitojnë këtë muaj, në muajin mars, nga ky fond, këstin e parë të dëmshpërblimit të tyre. Dhe kur imagjinoj që ndër këta 500 persona janë një sërë burrash në një moshë shumë të thyer, që për herë të parë do të ndjejnë që shteti, shoqëria nuk i ka varrosur për së gjalli, ndjehem vërtetë i lehtësuar. Gjithashtu, ne evidentuam rreth 300 dosje problematike, të cilat nuk ishin plotësuar, ishin harruar dhe proceduam për t’i plotësuar, duke bërë publike listën e qytetarëve të programuar”, – tha Rama. Më tej, duke theksuar se përshpejtimi i dëmshpërblimeve është vetëm fillimi i një tërësie hapash që kanë të bëjnë me ndërtimin e një politike duhet të garantojë siguri, progres dhe barazi në trajtim, Rama foli edhe lidhur me çështjen e reformës në pensione. “Ne po bëjmë reformën e pensioneve dhe në lidhje edhe me pensionin duam që të kemi masa specifike për të përndjekurit. Nuk ka kurrë rëndësi “sa”-ja, por ka rëndësi “si”-ja, në një rast si ky kur gjithë floriri i botës nuk e shlyen dot një rini të tërë të lënë nëpër biruca dhe familje të tëra të shkatërruara shpirtërisht”. Ndërkohë, sa i përket rikonstruksionit të ndërtesës së re, Rama tha se me vepra të tilla po i jepet fund hipokrizisë dhe abuzimit me këtë kategori. “Është fatale për një vend si yni dhe për një shoqëri si jona që gjeneratën tjetër ta lërë në errësirë, në raport me atë që gjeneratat e mëparshme vuajtën dhe kaluan përmes diktaturës… Nga ana tjetër, në vendin ku ka qenë biblioteka e Enver Hoxhës do të bëhet një zyrë ku do të ruhen intervistat e 70 të burgosurve politikë. Është një projekt i një shoqate jofitimprurëse amerikane që ka filmuar me zë dhe me figurë, duke dokumentuar në shqip dhe në anglisht kalvarin e dhjetëra të përndjekurve në të gjithë vendin”, – u shpreh Kryeministri.

 

Dëmshpërblimi

Ndërkohë, ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, i pranishëm dje në aktivitet, bëri të ditur se brenda muajit gusht do të përfundojë i gjithë procesi i pagesave për ish-të përndjekurit që nuk kanë marrë këstin e parë. Për këtë kategori janë parashikuar 10 milion dollarë. Ndërkaq, brenda gjashtë mujorit do të rishikohen kriteret ligjore në mënyrë që të dëmshpërblehen edhe të gjithë ata ish të përndjekur që janë ende gjallë. “Ne do të shpenzojmë 10 milion dollarë për të dhënë këstin e parë dhe 8 milion dollarë të tjera për të dëmshpërblyer ata që janë gjallë”, – tha ai. Gjatë vitit 2014 do të jenë 4100 ish-të përndjekur politikë, të cilët do të marrin këstin e radhës e ndërkohë 2100 të tjerë do të marrin këstin e tyre gjatë muajit qershor.

 

 

Integrimi

Gjosha dhe Peleshi: Përmbushim 5 prioritetet, sfidë konkurrueshmëria e ekonomisë

Për qeverinë, integrimi në Bashkimin Evropian përbën një pikësynim strategjik në funksion të demokratizimit dhe transformimit të shoqërisë. Në konferencën “Sfidat e integrimit të Shqipërisë në BE”, ministrja Gjosha theksoi se kjo çdo hap drejt BE-së reflekton më shumë siguri dhe progres për të ardhmen e vendit. Sipas saj, MIE dhe qeveria shqiptare e konsiderojnë anëtarësimin në BE si një proces të bazuar në merita, por që kërkon përpjekje të qëndrueshme dhe reforma tërësore. Më tej, ministrja theksoi se qeveria shqiptare, duke pasur mbështetjen e BE-së do të angazhohet për të përmbushur 5 prioritetet kyçe të vendosura nga Brukseli. “Masat konkrete që do të ndërmerren në këto 5 fusha janë të përfshira në planin që kemi hartuar, ka afate të qarta, pjesa më e madhe e të cilave, duan disa muaj, në mënyrë që dhe rezultatet e para të shkojnë drejt vendeve anëtare për të vendosur dhe për të parë progresin që ka bërë vendi ynë, në mënyrë marrjen e statusit të vendit kandidat në muajin qershor”, – tha ajo, duke shtuar se sfida të mëdha e presin Shqipërinë edhe në procesin e përmirësimit të konkurrueshmërisë dhe ekonomisë së vendit, dhe përgatitjen e saj për të përballuar përafrimin me ekonominë e BE-së”. Nga ana e tij, zv.kryeministri Peleshi theksoi se zbatimi i ligjeve dhe shteti i së drejtës do të bëujnë të mundur anëtarësimin e vendit në BE. “Integrimi evropian është pa dyshim projekti më i rëndësishëm, jo vetëm i qeverisë, por i çdo qytetari shqiptar. Në fakt, ky konsensus do të duhej të ishte përkthyer në një angazhim maksimal të çdo qeverie për të arritur integrimin në një kohë sa më të shkurtër. Por nuk ka ndodhur kështu në fakt. Është bërë një punë e madhe nga të gjithë qeveritë dhe institucionet në këto 23 vjet, por historia e integrimit në këto 23 vite është shndërruar në një histori të ngjashme me “pëlhurën e Penelopës”, ku çdo dy hapa para, janë shoqëruar me një hap mbrapa”.

 

 

Vizita

Debati mazhorancë-opozitë, Jonathan Moore të martën në Tiranë

Në një kohë kur palët politike në Shqipëri janë të përfshira në një debat të gjerë mes tyre jo vetëm sa i përket reformës administrative-territoriale, por edhe për shumë çështje të tjera të aktualitetit, vjen në Tiranë një prej zyrtarëve të angazhuar direkt për Shqipërinë, drejtori për Evropën Qendrore dhe Jugore në DASH, Jonathan Moore. Zyrtari i lartë amerikan pritet të mbërrijë në Tiranë të martën pasdite dhe të mërkurën do të ketë takime me krerët kryesorë të politikës, për të konkluduar më pas në një konferencë për shtyp, që sipas burimeve, do të mbahet në rezidencën e Ambasadës së SHBA-së në vend.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency