Abuzimet/ Prokuroria dërgon për gjykim dy ish-zyrtarë të ALUIZNI-t Vlorë

0
160

Sonja Caka

 

Akuza: Legalizuan në kundërshtim me ligjin ndërtime në hapësira publike në zonën e quajtur Tri Racat. Në këtë vend nuk lejohet kryerja e ndërtimeve, është parashikuar zonë e gjelbër

 

vloraDy ish-zyrtarë të lartë të Drejtorisë së ALUZIZNI-t në Vlorë akuzohen për abuzim me detyrën pasi kanë legalizuar në kundërshtimin me ligjin ndërtime në hapësira të gjelbra. Në këtë vend nuk lejohen ndërtime pasi është parashikuar si zonë e gjelbër. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka përfunduar hetimet për këta dy ish-zyrtarë të lartë dhe ka dërguar për gjykim kërkesën ndaj tyre në gjykatë, si të akuzuar për shpërdorim detyre. Ish-drejtori Roland Tafilaj dhe ish-përgjegjësi i sektorit të Urbanistikës dhe Legalizimit, Besnik Zërra akuzohen nga prokuroria se kanë legalizuar në kundërshtim me ligjin, në favor të disa shtetasve, hapësira publike në zonën e njohur Tri Racat në këtë qytet. Në vendin ku ndodhen këto pasuri të legalizuara, nuk lejohet kryerja e ndërtimeve pasi sipërfaqja e pasurive në fjalë është parashikuar si zonë e gjelbër, që do të thotë se në këtë zonë nuk mundet që të bëhen ndërtime. Kjo, sipas Planit të Përgjithshëm Rregullues të Qytetit, si dhe Rregullores së Planit të Përgjithshëm të Zonës Këndore të Qytetit, i miratuar me vendim të KRRTRSH-së.

 

Akuza

 Nga hetimet e Prokurorisë ka rezultuar se në datën 25.04.2011 është regjistruar në ZRRPP Vlorë pasuria me nr. 23/201, zona kadastrale me nr. 8603, e llojit truall, me sipërfaqe 239 m2, në emër të shtetasit M. Tartari. Regjistrimi i kësaj pasurie është kryer mbi bazën e lejes së legalizimit me nr. 3260, datë 14.7.2010, lëshuar nga Drejtoria e ALUIZNI-t Vlorë. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi M. Tartari në datën 13.11.2006 ka aplikuar për legalizimin e një godinë shërbimi prej një kat, të ndodhur në vendin e quajtur Tri Racat, Vlorë. Shtetasi i mësipërm ka nënshkruar edhe deklaratën për zbatimin e planit rregullues. Në datën 5.5.2009 është mbajtur proces verbali i konstatimit të objektit të deklaruar, sipas të cilit ka rezultuar se ndërtimi ka një sipërfaqe prej 90 m² dhe se sipërfaqja e zënë nga shtetasi M. Tartari është 239 m². Me aktin e kualifikimit datë 2.6.2009 është kualifikuar për legalizim objekti informal prej 90 m² dhe parcela ndërtimore prej 239 m². Në datën 18.4.2011 është regjistruar në ZRRPP Vlorë pasuria me nr. 23/210, zona kadastrale me nr. 8603, e llojit truall, me sipërfaqe 74.2 m2, në emër të të pandehurit A. Ahmataj. Regjistrimi i kësaj pasurie është kryer mbi bazën e lejes së legalizimit, datë 7.1.2011, lëshuar nga Drejtoria e ALUIZNI-t Vlorë. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi A. Ahmataj në datën 6.9.2006 ka aplikuar për legalizimin e një godinë shërbimi prej një kat, të ndodhur në vendin e quajtur Tri Racat, Vlorë. Shtetasi i mësipërm ka nënshkruar edhe deklaratën për zbatimin e planit rregullues. Në datën 1.2.2009 është mbajtur proces verbali i konstatimit të objektit të deklaruar, sipas të cilit ka rezultuar se ndërtimi ka një sipërfaqe prej 74.2 m² dhe se sipërfaqja e zënë nga shtetasi A. Ahmataj është 128.8 m². Me aktin e kualifikimit me nr. 460 datë 2.6.2009 është kualifikuar për legalizim objekti informal prej 74.2 m² dhe parcela ndërtimore prej 128.8 m². Më datë 25.4.2011 është regjistruar në ZRRPP Vlorë pasuria me nr. 23/200, zona kadastrale me nr. 8603, e llojit truall, me sipërfaqe 60.5 m2, në emër të të pandehurit A. Ferati. Regjistrimi i kësaj pasurie është kryer mbi bazën e lejes së legalizimit, datë 24.8.2010, lëshuar nga Drejtoria e ALUIZNI-t Vlorë. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi A. Ferati në datën 6.9.2006 ka aplikuar për legalizimin e një godinë shërbimi prej një kat, të ndodhur në vendin e quajtur Tri Racat, Vlorë. Shtetasi i mësipërm ka nënshkruar edhe deklaratën për zbatimin e planit rregullues. Në datën 1.2.2009 është mbajtur proces verbali i konstatimit të objektit të deklaruar, sipas të cilit ka rezultuar se ndërtimi ka një sipërfaqe prej 74.2 m² dhe se sipërfaqja e zënë nga shtetasi A. Ferati është 128.8 m². Me aktin e kualifikimit datë 6.9.2009 është kualifikuar për legalizim objekti informal prej 60.5 m² dhe parcela ndërtimore prej 143 m². Në këto akte kualifikimi përshkruhet se objekti informal dhe parcela ndërtimore ndodhen brenda vijës së verdhë, në tokë shtetërore dhe se nuk shkel vijën e ndërtimit për rrugët e kategorisë së parë, të dytë dhe të tretë. Akti i kualifikimit për të tri rastet është nënshkruar nga i pandehuri Besnik Zërra, në cilësinë e përgjegjësit të sektorit të Urbanistikës dhe Sektorit të Legalizimit, nga përgjegjësit e sektorit të Hartografisë dhe të Regjistrimit Fillestar, si dhe nga Drejtori i Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Vlorë, i pandehuri Roland Tafilaj. Nga hetimet ka rezultuar se në datën 9.4.2010, nga Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t Vlorë është lidhur kontrata me akt noterial me shtetasin M. Tartari, për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore. Në datën 5.7.2010 nga Drejtoria Rajonale e Aluiznit Vlorë është lidhur kontrata me akt noterial me shtetasin A. Ahmataj, për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore. Në datën 21.6.2010 nga Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t Vlorë është lidhur kontrata me akt noterial me shtetasin A. Ferati, për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore. Mbi bazën e lejes së legalizimit, në data të ndryshme janë lëshuar nga Drejtoria e ALUIZNI-t Vlorë është legalizuar parcela ndërtimore, si dhe godinat 1-katëshe. Rezulton se në dosjen e legalizimit nuk ndodhet vërtetimi lidhur me gjendjen juridike të pronësisë së parcelës ndërtimore para se ajo të legalizohej.

 

Hetimi

 Nga hetimet e kryera ka rezultuar se pasuritë e paluajtshme me nr. 23/200, 23/201 dhe 23/210, ndodhen në vendin e quajtur lulishte Tri Racat, Vlorë, dhe kanë qenë pjesë e pasurisë 23/96, e llojit “lulishte”, me pronar shtet. Me VKM nr. 1643, datë 17.12.2008 “Për miratimin e listës paraprake të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Vlorë”, është vendosur që të miratohet lista bashkëngjitur këtij vendimi, të pronave të paluajtshme publike, duke i bërë ato pjesë të inventarit të pronave të paluajtshme publike të Bashkisë Vlorë. Në këtë listë ndodhet edhe kalimi në pronësi të Bashkisë Vlorë i lulishtes Tri Racat, me sipërfaqe 3500 m². Është kryer ekspertimi teknik në fushën e urbanistikës lidhur me tre sipërfaqet e mësipërme dhe nga akti i ekspertimit ka rezultuar se në vendin ku ndodhen pasuritë e mësipërme sipas Planit të Përgjithshëm Rregullues të Qytetit, si dhe Rregullores së Planit të Përgjithshëm të Zonës Këndore të Qytetit, i miratuar me vendim të KRRTRSH-së, nuk lejohet kryerja e ndërtimeve pasi sipërfaqja e pasurive në fjalë është parashikuar si zonë e gjelbër, që do të thotë se në këtë zonë nuk mundet që të bëhen ndërtime. Pasuria me nr. 28/144 zona kadastrale nr. 8602 është fituar me anë të lejes së legalizimit me nr. 7208, datë 12.7.2011, të lëshuar nga Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t Vlorë. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi G. Feta në datën 15.11.2006 ka aplikuar për legalizimin e një ndërtimi prej një kati, të ndodhur në lagjen Pavarësia, Vlorë. Shtetasi i mësipërm ka nënshkruar edhe deklaratën për zbatimin e planit rregullues. Në datën 18.10.2010 nga Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t Vlorë, e përfaqësuar nga ish-drejtori Roland Tafilaj, është lidhur kontrata me akt noterial me shtetasin G. Feta, për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore. Nga dokumentacioni i ndodhur në dosje nuk rezulton se për objektin informal dhe për parcelën informale të jenë plotësuar procesverbalet e konstatimit dhe të kualifikimit për legalizim, para datës 18.10.2010, por këto akte janë plotësuar më vonë nga punonjësit e ALUIZNI-t Vlorë, pas kësaj date. Duke u nisur nga dokumentacioni i ndodhur në dosje ka rezultuar se lidhur me këtë objekt dhe parcelë ndërtimore është bërë kualifikimi për legalizim si dhe është dërguar për miratim në KM dhe lidhur kontrata për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore, pa u verifikuar më parë nëse objekti në fjalë dhe parcela ndërtimore i plotësonte ose jo kushtet për legalizim. Është kryer ekspertimit teknik urbanistik dhe nga akti i ekspertimit ka rezultuar se në vendin ku ndodhet parcela ndërtimore në fjalë, sipas Planit të Përgjithshëm Rregullues të Qytetit Vlorë, si dhe Rregullores së Planit të Përgjithshëm të Zonës Qendrore të Qytetit, të miratuar me vendim të KRRTRSH-së, ndodhet brenda zonës së Portit Detar Vlorë, që do të thotë se në këtë zonë nuk mundet që të bëhen ndërtime.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency