Pak shpresa për Shumakerin

0
154

shumaket “Mikael Shumaker u dërgua në spitalin e gabuar, pas aksidentit me ski, duke humbur kështu disa orë shumë të rëndësishme, që mund ta kishin shpëtuar atë”. Kështu është shprehur Gari Hartstein, ish-shefi i doktorëve të Formulës 1. Sipas tij, gjermani u dërgua në një klinikë lokale, në vend që të dërgohej tek specialistë të trurit. Hartstein beson se një vendim i tillë do të ketë ndikim shumë të madh te shanset e Shumakerit për t’u shëruar. “Nuk mund të dërgosh pacientët me plagë në kokë te një spital që nuk ka kapacitete neurokirurgjikale”, – tha ai. Pas kësaj deklarate ka reaguar dhe menaxherja e gjermanit, Sabin Kehm, e cila është shprehur se Shumaker ka përmirësime për sa i përket gjendjes.

 

Çfarë foli Mesi me Pepen

 Jo vetëm futboll, por edhe “gossip”. Kjo është fuqia e “El Klasikos”. Të gjithë u bënë kureshtarë gjatë sfidës historike të së dielës në lidhje me bisedën e shkurtër që bënë Pepe dhe Lionel Mesi. Mbrojtësi i Realit të Madridit iu afrua yllit të Barcelonës, duke i ledhatuar kokën, por ku nuk munguan as fjalët. “Pse gjithmonë merresh me mua m.. E kanë pasur golat tuaj, tani vetëm bëj foto”, – i ka thënë Pepe argjentinasit. “Gjithmonë je qesharak. Ndoshta nuk je kështu, por portretizohesh i tillë”, – i është përgjigjur Mesi. Pas kësaj bisede Mesi shënoi edhe 2 gola të tjerë për të arritur tripletën e tij të dytë në “Santiago Bernabeu”.

 

 Luiz Suarez, një familjar shembullor

Gus Pojet bëri shaka kur tha se shpresonte që Luis Suarez të sëmurej para ndeshjes Liverpul-Sanderlend, por urimi i tij duket se ka rënë në veshë të shurdhët. Ylli uruguajan i “The Reds” ka postuar një foto në “Instagram” teksa relaksohet në krevat me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij. Suarez, kryegolashënues në Premier League me 28 gola, e shoqëroi fotografinë me komentin: “Mirëmëngjesi të gjithëve! Sa mirë kur zgjohem me njerëzit më të rëndësishëm të jetës sime… JU DUA SHUMË!!” Një urim që tregon dashurinë që ka për fëmijët dhe gruan e tij. Përveçse një futbollist i mirë, uruguajani është dhe një baba shembullor.

 

 

Futbollisti i bekuar, shpëton nga aksidenti

Futbollisti i kombëtares së futbollit të Afrikës së Jugut, Roi Mahamutsa, është bërë protagonist i një aksidenti rrugor të frikshëm dhe aspak të besueshëm për mënyrën se si ndodhi dhe si përfundoi. Makina tip “BMW” e mbrojtësit të skuadrës Orlando Pirates në shtetin afrikano-jugor doli nga rruga dhe u nda më dysh nga mbrojtëset anësore të rrugës duke lënë përshtypjen se kushdo që do të ishte brenda do të kishte vdekur. Por nuk ndodhi kështu, futbollisti në fjalë është shëndoshë e mirë dhe e quajti një mrekulli faktin që është gjallë. Ngjarja raportohet se ka ndodhur në javën e parë të marsit.

 

 

Mojesi dhe Fergusoni kontestohen nga tifozët

Probleme te Junajtidi. Përveç rezultateve tani shtohen edhe tifozët, pasi ekipi nuk po reagon siç duhet dhe nuk ka as forcën për t’i ndryshuar gjërat. Humbja ndaj Mançester Sitit 3 me 0 duket se e ka mbushur kupën. Skuadra e Devid Mojesit e kishte të pamundur të ndalte Edin Dzekon me shokë, duke i ndërlikuar akoma më shumë punët në tabelën e renditjes. Por as tekniku Devid Mojes nuk i ka punët mirë. Skocezi, që u zgjodh nga vetë Ser Aleks Ferguson si trashëgimtarin e tij në stolin e “djajve të kuq”, u kontestua ashpër nga tifozët që ndodheshin pranë pankinës së Junajtidit dhe u desh ndërhyrja e rojave të sigurisë për të qetësuar situatën. Jashtë kritikave nuk mbeti as tekniku legjendar Sër Aleks Ferguson, i cili akuzohet pikërisht për zgjedhjen që bëri me ish-teknikun e Evertonit.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency