Gjykatë/ Polakja akuzon burrin shqiptar për dhunë, kërkon urdhër mbrojtjeje

0
299

Sonja Caka

 

Padia: Më përzuri nga shtëpia, nuk më lë të takoj fëmijët, është i dhunshëm. Kërkoj që të rrijë larg meje dhe fëmijëve

 Reagimi: Është nënë e dhunshme ndaj fëmijëve, ata nuk duan ta takojnë, iku në Poloni dhe vonë e mësuam se ku ishte

 

 

dhuna ndaj graveNjë 30-vjeçare polake, nënë e dy fëmijëve dhe e martuar me një shqiptar, i është drejtuar Gjykatës së Tiranës për të kërkuar mbrojtje nga i shoqi. “Më dhunon, më ka përzënë nga shtëpia ai dhe nëna e tij, nuk më lënë të shoh fëmijët”, – ka qenë thirrja e gruas para policisë dhe Gjykatës, duke kërkuar mbrojtje dhe orare për të takuar fëmijët e saj. Para Gjykatës, 30-vjeçarja Magdalena Karolina Krawczyk (Kasa) ka deklaruar se gjithë problemet kanë nisur kur ajo ka shkuar në Poloni për të bërë dokumentet dhe bashkëshorti me dy fëmijët do të vinin pas saj. Por, duke qenë se kjo nuk po ndodhte, ajo është kthyer në Shqipëri dhe mes saj dhe bashkëshortit Elton Kasa kanë filluar zënkat derisa ky i fundit me nënën e kanë përzënë nga shtëpia. E strehuar në një banesë e ndihmuar nga kisha katolike, gruaja kërkon fëmijët dhe që bashkëshorti t’i qëndrojë në distancë, pasi tashmë janë edhe në proces divorci. Gjykata pranoi kërkesën e 30-vjeçares polake për lëshimin e urdhërit të mbrojtjes, duke urdhëruar Elton Kasën të mos i afrohet, ndërsa përcaktoi edhe oraret se kur gruaja duhet të takojë dy fëmijët e saj.

 

Akuzat e gruas

Para gjykatës, 30-vjeçarja nga Polonia deklaroi: “Eltoni është bashkëshorti im me të cilin kam 2 fëmijë, 6 dhe 8 vjeç. Për shkak të problemeve që kemi pasur në marrëdhënien tonë bashkëshortore, jemi në proces gjyqësor për zgjidhjen e martesës. Në vitin 2013 mua më është dashur të largohem në Poloni për të bërë dokumentet dhe kam ndenjur atje për një periudhë 6-mujore larg bashkëshortit dhe fëmijëve, por kam mbajtur kontakt të vazhdueshëm me ta. Gjatë kësaj periudhe kam pasur presion të vazhdueshëm psikologjik nga bashkëshorti, i cili më bënte të ndihesha e pavlerë. Marrëveshja midis nesh ishte që ai do të vinte bashkë me fëmijët në Poloni, prandaj unë shkova më përpara për të krijuar mundësitë që të fillonim jetën në Poloni. Duke pare që ai nuk po merrte masat për të ardhur në Poloni me fëmijët, në shtator të vitit 2013 u ktheva në Shqipëri. Edhe gjatë kësaj kohe kemi pasur konflikte me njëri-tjetrin. Në nëntor 2013, bashkëshorti së bashku me nënën e tij më përzunë nga shtëpia. Kam qëndruar tek shkallët e shtëpisë duke qarë për 9 orë me radhë dhe ata ndien keqardhje për mua dhe më morën përsëri në shtëpi. Përsëri kanë vazhduar konfliktet midis nesh dhe në dhjetor të vitit 2013 më përzunë nga shtëpia dhe që prej asaj kohe jam strehuar me ndihmën e kishës katolike tek një shtëpi në Laprakë. Kontakti me fëmijët më është vështirësuar, pasi bashkëshorti ndikon tek fëmijët dhe nuk më lë që t`i takoj. Bashkëshorti im gjatë gjithë bashkëjetesës ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj meje. Ka momente që ai është shumë agresiv, pa shkak dhe pa arsye”, – ka rrëfyer shtetasja polake, duke rrëfyer disa momente konfliktesh të ashpra dhe drejtimi për në polici për të kërkuar lëshim të urdhrit të mbrojtjes. Sipas saj, gjatë përballjes në polici, i padituri ka thënë: “Askush nuk e ndalon të takojë fëmijët, vetëm të mos bëhet pengesë e mëtejshme. Të mos bëjë presion duke më dalë para makinës. Të mos stresojë fëmijët. Të merret parasysh dhe gjendja e tyre shpirtërore”.

 

Reagimi i të paditurit

Para Gjykatës ka reaguar edhe pala e paditur, përmes avokatit të tij, duke mohuar faktet e paraqitura nga polakja. “Palët janë martuar dhe kanë jetuar për një kohë në Amerikë. Janë kthyer në Shqipëri për arsye dokumentacioni. Pala paditëse ishte e depresuar, ushtronte dhunë ndaj vajzës dhe fëmijët nuk e afronin. Në qershor të vitit 2012, pala paditëse është larguar nga shtëpia, pa asnjë lajmërim, pas një episodi të dhunës së saj ndaj vajzës. Gjatë kohës që ka qëndruar në Poloni, nuk ka pasur kontakt me të paditurin dhe me fëmijët. I vetmi kontakt ka qenë dy muaj para se të kthehej në Shqipëri ku më ka kërkuar divorcin. Pala e paditur ka ngritur padi për zgjidhjen e martesës dhe ajo është kthyer në Shqipëri rreth muajit tetor 2013, pa lajmëruar njeri se ishte kthyer në Shqipëri dhe qëllimin e saj ndaj të paditurit dhe fëmijëve. Pas kthimit të saj në Shqipëri, ajo ka jetuar më vete dhe ka kërkuar që të ketë kontakt me fëmijët. Pala e paditur i ka dhënë gjithmonë mundësinë palës paditëse që të takojë fëmijët, pothuajse çdo ditë pas shkolle, jashtë shtëpisë. Gjatë këtyre takimeve, pala paditëse ushtronte dhunë psikologjike ndaj fëmijëve, duke i ushtuar presion se ju jeni polakë, duhet të vini të jetoni me mua dhe fëmijët filluan të trembeshin dhe te krijonin distancë ndaj saj, duke refuzuar që të takojnë nënën e tyre”, – ka reaguar i padituri Elton Kasa, duke akuzuar bashkëshorten për ushtrim dhune ndaj fëmijëve të tyre dhe se ka qenë gati duke kërkuar edhe urdhër mbrojtje për fëmijët. “Fëmijët nuk kanë dashur të takojnë nënën e tyre, madje edhe kur ka ardhur te shtëpia, kanë shtyrë derën për të mos e takuar atë”, – u shpreh për gjykatën Kasa, duke kërkuar rrëzimin e kërkesës për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes. Madje, kërkoi nga gjykata që t’i caktohen ditët dhe oraret Magdalenës kur duhet të takojë fëmijët.

 

Gjyqi

Çifti prej 6 muajsh në proces divorci në Gjykatë

Çifti Elton Kasa dhe Magdalena Krawczyk ndodhen prej 6 muajsh në proces divorci. Më 2 tetor të vitit të kaluar, ka qenë burri i polakes që ka depozituar në Gjykatë kërkesën për prishje të martesës. Janë zhvilluar të paktën 6 seanca, ku më e fundit ka qenë dy ditë më parë. Paditësi kërkon prishjen e lidhjes martesore me gruan e tij, me të cilën ka disa vite martesë dhe kërkon që dy fëmijët 6 dhe 8 vjeç t’i lihen atij për rritje. Ai akuzon gruan për ushtrim dhune ndaj fëmijëve, si dhe për kontradikta që kanë cenuar thellë lidhjen e tyre, çka e bën të pamundur qëndrimin si të martuar. Gjyqtarja Brundila Kasmi kia zhvilluar disa seanca, ndërsa mes çiftit nuk është arritur asnjë pajtim gjatë seancave paraprake.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency