Atentati ndaj kryekomunarit/ Motivi, detyra, dosja transferohet te Krimet e Rënda

0

Anxhela Tato

Loading...

 

Ndryshon kualifikimi i veprës penale nga Prokuroria e Tiranës, shpall moskompetencën

 Një ditë pas krimit, me urdhër të Prokurorisë, u sekuestruan nga policia pamjet e kamerave të sigurisë

 

video shperrthimi Atentati ndaj kryekomunarit Fatbardh Plaku i kalon Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Vendimi është marrë nga organi i akuzës së kryeqytetit, i cili ka shpallur moskompetencën, duke ndryshuar kualifikimin e veprës penale. Sipas burimeve nga Prokuroria e Tiranës, krimi ndaj kryekomunarit lidhet me detyrën e tij, çka bën që për këtë vepër penale të shpallet moskompetenca lëndore dhe hetimet t’u transferohen Krimeve të Rënda. Mësohet se dosja është depozituar ditën e djeshme së bashku me provat materiale të mbledhura nga grupi hetimor. Fillimisht kjo çështje iu ngarkua për hetim Prokurorisë së Tiranës, e cila konstatoi se atentati është i lidhur me detyrën e Fatbardh Plakut. Në këtë mënyrë akuza ka ndryshuar cilësimin e veprës penale, duke e transferuar atë. Dosja është referuar në organin e akuzës së Tiranës për veprën penale të vrasjes me paramendim e mbetur në tentativë, duke përjashtuar pistën e konfliktit për shkak të detyrës. Por nga provat e administruara nga Prokuroria ka rezultuar e kundërta, duke u marrë vendimi i ndryshimit të cilësimit të veprës penale dhe transferimit të dosjes te Krimet e Rënda. Ndërkohë, vetëm një ditë pas krimit policia ka marrë në dorëzim pamjet filmike të kamerave të sigurisë, me urdhër të organit të akuzës. Vetë Fatbardh Plaku i pyetur ditën e ngjarjes ka deklaruar se blutë nuk kishin sekuestruar kamerat që ndodhen të montuara në vilën e tij.

 

Ngjarja

Krimi ndodhi mëngjesin e 25 marsit, kur banesa e kryekomunarit u godit me antitank. Predha nuk arriti të shpërthente për shkak të barutit të skaduar, ndërsa ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë. Sipas Prokurorisë, goditja është bërë me antitank. Është gjetur predha e ngulur në mur, pasi ka çarë dy faqe muri dhe ka ngelur mes murit të jashtëm dhe korridorit, pa hyrë në brendësi të banesës. “Goditja është bërë në fushëpamje të pjerrët nga krahu i xhamisë që ndodhet në afërsi të shtëpisë. Mendohet se është përdorur ky vend për sulmin, pasi muri rrethues i vilës nuk e lejonte goditjen e banesës me predhë në fushëpamje horizontale sepse fuqia e predhës do ndalonte në murin e avllisë”, – pjesë e hetimeve të policisë. Sipas ekspertëve të policisë shkencore, predha është aktivizuar vetëm me ndezësin dhe nuk ka kryer shpërthimin e fazës së dytë. Këto lloj predhash kanë dy dhoma baruti, njëra më e vogël që ka të bëjë me ndezësin dhe që vendos në lëvizje predhën, dhe e dyta, që ka 400 gramë eksploziv dhe është programuar për t’u aktivizuar në momentin që predha godet objektivin. Pikërisht ky shpërthim i dytë nuk ka ndodhur. Sipas ekspertëve depozita e dytë me 400 gramë eksploziv është e lidhur edhe me një bombol oksigjeni, e cila në momentin e shpërthimit të plotë të predhës krijon një nxehtësi të larte, pasi predha të tilla janë prodhuar me qëllim goditjen dhe shkrirjen e tankeve.

 

 

Prokuroria

Tregtim tritoli pa licencë, procedim penal administratorit të një kompanie

Prokuroria e Krujës ka nisur procedim penal për Pëllumb Babasin, administrator i firmës “Babasi COO sh.p.k”, pasi akuzohet se ka shkelur rregullat mbi tregtimin e lëndëve plasëse, djegëse dhe radioaktive. Fillimisht policia ndaloi një fugon, i cili po transportonte një sasi lënde plasëse të firmës “Babasi” nga Fushë-Kruja drejt Pukës. Fugoni që po transportonte një sasi prej 24 kg amonit dhe 100 kapsollë detonatorë u ndalua në Kryebushat të Shkodrës. Më pas iu bë kontrolli në depot e firmës “Babasi”, në Fushë-Krujë ku janë gjetur dhe një tjetër sasi lëndësh plasëse, dhe kapsolla detonatorë. Për këtë ka nisur procedim penal për Pëllumb Babasin, i cili është administrator i firmës dhe Liman Babasin, 62 vjeç, në pozicionin magazinier, si dhe Martin Marvataj, 32 vjeç, drejtuesi i fugonit, i cili transportonte lëndën plasëse. Mësohet se dje firma i ka shitur një sasi lënde plasëse shoqërisë “Oskeola sh.p.k” në Pukë si dhe disa shoqërive të tjera në mënyrë të kundërligjshme. Sipas të dhënave nga policia e Durrësit, firma disa vite më parë ka pasur licencë për blerje dhe shitje të lëndëve plasëse për qëllime industriale, që shërbenin për hapje rrugësh, tunelesh etj. Më vonë, këtij subjekti iu hoq licenca, megjithatë firma vijoi ta ushtronte normalisht aktivitetin e saj në mënyrë të paligjshme.

 

 

Kukës

Përplaset kamionçina me makinën, vdes drejtuesi

 Një i vdekur dhe një i plagosur është bilanci i një aksidenti automobilistik mbrëmjen e djeshme në periferi të qytetit të Kukësit. Automjeti tip “Opel Corsa” që drejtohej nga shtetasi, Kujtim Omuri, 46 vjeç, është përplasur me një kamionçinë në afërsi të lagjes Gostil. Si pasojë e përplasjes ka gjetur vdekjen drejtuesi i mjetit tip “Opel”, ndërsa ka mbetur e plagosur e bija e tij, Fetije Omuri. Kjo e fundit është dërguar në Spitalin Rajonal të Kukësit, ku ndodhet nën kujdesin e bluzave te bardha. Shkak i këtij aksidenti të rëndë është lagështira në rrugë dhe mosrespektimi i rregullave të qarkullimit. Blutë e Kukësit kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë nisur punën për zbardhjen e rrethanave të plota të aksidentit.

 

 

Tiranë

Plagoset me thikë në shpinë 27-vjeçari, shkak konflikti për një femër

 Një 27-vjeçar ka mbetur i plagosur me thikë rreth orës 20:30 të mbrëmjes së djeshme në zonën pranë parkut të autobusëve. I plagosuri sipas policisë është Gramoz Fusha. Blutë e kryeqytetit kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjeve dhe kanë nisur hetimet. Sipas policisë mësohet se 27-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe ka marrë një plagë në shpinë. Ndërsa është bërë e mundur identifikimi i njërit prej autorëve të krimit, po vijon puna për zbulimin e bashkëpunëtorit. Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se tre të rinj janë konfliktuar për një femër.

Loading...