Prokuroria/ Dy dëshmitarë okularë për të provuar fajësinë e Arben Frrokut

0
135

Sonja Caka

 

Nis gjyqi, lexohet kërkesa për gjykim. Provat e akuzës, filmime nga 80 kamera sigurie dhe 70 dëshmitarë që kanë dijeni për konfliktet

 Avokati Gjokutaj kërkon vënien në dispozicion të filmimeve. Frroku: Procesi, i montuar nga Prokuroria, nuk jam unë autori i vrasjes së Lamajt

 

arben frroku ne gjyqMë në fund dje ka nisur gjyqi për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, për vrasjen e të cilit akuzohet biznesmeni Arben Frroku, ku prokurorët patën mundësinë të lexonin kërkesën për gjykim dhe të paraqitnin provat me të cilat pretendojnë të provojnë fajësinë e të pandehurit. Do të jenë dy dhe jo një dëshmitarët okularë që Prokuroria thotë se ka për të dëshmuar për këtë krim të rëndë, ndërsa do të jenë 70 dëshmitarët që kanë dijeni për rrethanat e çështjes. Ndërkohë, Prokuroria ka deklaruar se do të jenë 80 filmimet e 80 kamerave të sigurisë që janë marrë si provë dhe do të përdoren në interes të këtij gjykimi, ndërkohë që në 2 prill, kur u la edhe seanca e radhës, u është bërë fletëthirrje nga Gjykata 20 dëshmitarëve për t’u paraqitur për të dëshmuar. Pas leximit të kërkesës për gjykim, e kanë marrë fjalën avokatët e të pandehurit. Njëri prej tyre, avokati Genc Gjokutaj, deklaroi se Gjykata mund ta nisë shqyrtimin gjyqësor, por kërkoi që të njihej me pamjet e kamerave të sigurisë ditën e vrasjes, të cilat, sipas akuzës, e implikojnë klientin e tij. “Pamjet filmike të të gjitha bizneseve në autostradën Tiranë-Korçë”, – u shpreh avokati Gjokutaj në kërkesën verbale drejtuar trupës gjyqësore.

 

Reagimi i Frrokut

Gjithashtu, pas avokatit ka reaguar edhe vetë i pandehuri Arben Frroku, i cili bëri me dije se të gjitha provat e mbledhura nga Prokuroria janë të sajuara dhe ai nuk ka lidhje me vrasjen e oficerit të policisë Dritan Lamaj. “Jam i pafajshëm, Prokuroria ka sajuar dhe manipuluar provat ndaj meje”, – reagoi i pandehuri, duke shtuar: “Institucionet e dinë mirë që nuk kam lidhje me krimin”. Frroku deklaroi se ky është një proces i montuar dhe Prokuroria duhet të gjejë vrasësin e Lamajt dhe jo ta mbajë atë në burg padrejtësisht. Salla e gjyqit ishte e tejmbushur ditën e djeshme, jo vetëm nga numri i madh i mediave të interesuara, por edhe nga numri i madh i familjarëve të të pandehurit. Mes familjarëve të pranishëm ishte edhe vëllai i tij, Mark Frroku, aktualisht deputet në Parlamentin shqiptar, i cili ka qenë mbështetja më e madhe e të pandehurit që nga momenti i parë i ngritjes së dyshimeve për përfshirjen në këtë krim.

 

Ngjarja

Në kërkesën për gjykim lexuar dje në sallën e gjyqit, prokurorët renditën dinamikën e ngjarjes ku mbeti i vrarë kryekomisari Lamaj. “Në datën 24.2.2013, rreth orës 18:30, në rrugën “Ibrahim Dervishi”, blloku i banesave “Vasil Shanto”, është qëlluar me armë automatike, brenda në mjetin e tij, tip “Lancia”, me targa TR 2564 N, shtetasi Dritan Lamaj, me detyrë specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. I dëmtuari është transportuar nga personat e pranishëm për në Spitalin Ushtarak, ku më pas ka ndërruar jetë. Nga hetimet ka rezultuar se viktima është ndjekur nga autorët me një mjet tip “BMW”, ngjyrë gri, me targa DR 1944 F dhe në momentin që po parkonte, është qëlluar nga brenda mjetit. Autorët më pas janë larguar nga vendngjarja. Menjëherë Policia Gjyqësore ka vajtur në vendngjarje, duke proceduar me këqyrjen ku janë gjetur dhe sekuestruar 4 gëzhoja automatiku model 56 dhe 1 trup predhe, të cilat janë dërguar për ekspertim. Nga këqyrja e kufomës rezulton se viktima ka marrë 12 plagë armë zjarri me drejtim qitjeje nga prapa-para, goditje të cilat i kanë shkaktuar vdekjen. Mjeti me targa DR 1944 F është gjetur i djegur pjesërisht nga brenda mbrëmjen e datës 24.2.2013, në vendin e quajtur Rruga e Dorbës në fshatin Domje, pa targa, në të cilën janë gjetur 4 gëzhoja automatiku mod. 56. Mjeti tip “BMW” me targa DR 1944 F rezulton se i është vjedhur në datë 23.2.2013, ora 19:00, shtetasit Fatmir Lila në qytetin e Durrësit. Viktima ka ushtruar disa funksione në Policinë e Shtetit, ku ka qenë edhe në detyrën e shefit të komisariatit të policisë nr. 6 Tiranë”, – ka deklaruar lidhur me momentin e krimit dhe gjetjen e makinës me të cilën u krye krimi prokurori.

 

Hetimi

Më pas, përfaqësuesi i akuzës ka renditur hapat hetimorë të ndërmarrë dhe pse u akuzua i pandehuri Arben Frroku. “Nga hetimet ka rezultuar se viktima ka pasur një konflikt serioz me të pandehurin Arben Frroku, i cili ka një biznes në zonën që mbulon ky komisariat. Konflikti ka filluar në muajin mars të vitit 2012. Ky konflikt është acaruar më shumë në muajin shtator, kur shtetasi Arben Frroku është shoqëruar në komisariatin e policisë nr. 6 dhe ka mbetur ende i pazgjidhur. Nga veprimet hetimore, ka rezultuar se ky i fundit menjëherë pas ngjarjes ka udhëtuar nga Tirana në drejtim të qytetit të Korçës dhe rreth orës 21:27, ka kaluar pikën e kalimit Kufitar Kapshticë për në Greqi dhe aktualisht ndodhet atje. Nga hetimet rezultoi se i pandehuri Arben është treguar entuziast duke krijuar përshtypjen se kishte përfunduar ndonjë «punë» dhe duhej të festonte. Po ashtu, nga hetimet e kryera rezulton se persona të afërt me shtetasin nën hetim janë treguar të frikësuar për Arbenin lidhur me faktin se tashmë policia ka prova për ngatërrimin e tij në këtë ngjarje. Nga pyetja e personave që kanë të dhëna për hetimin, rezulton se ikja e të pandehurit Arben Frroku në drejtim të Greqisë, pasditen e datës 24.2.2013, ka qenë e papritur. Po ashtu, konfirmohet edhe konflikti midis të pandehurit dhe viktimës Dritan Lamaj. Nga hetimi rezulton se deklarimet e një dëshmitari në vendngjarje…… provohen dhe me prova të tjera të administruara gjatë hetimit ku nga analiza e tyre përfundimtare rezulton se i pandehuri Arben Frroku ka kryer veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, në bashkëpunim, si dhe “Mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit”, përfundon prokurori akuzën dhe më pas shton se “i pyetur rreth akuzës, ky e pandehur e nuk pranon atë”. Më pas, u renditën provat shkresore dhe materiale me të cilat prokurorët do provojnë akuzën dhe fajësinë e të pandehurit Arben Frroku. Lidhur me të pandehurin Arben Frroku, akuza në ngarkim të tij pritet të provohet me materialet bashkëlidhur fashikullit, të cilat janë pamje filmike, të marra në pika të ndryshme në segmentin kombëtar Tiranë – Kapshticë; akte të tjera procedurale në kuadër të këtij hetimi, dy dëshmitarë okularë dhe 70 dëshmitarë të tjerë.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency