Ligji i ri/ Zbardhet skema e legalizimeve, kush i merr falas e kush paguan. Rastet e kufizimit hipotekor

0
122

Gëzim Saliu

 

Skema e pagesës për ata që nuk kanë tokën e tyre, çdo tapi me barrë hipotekore prej 10%

 

Familjet me ndihmë ekonomike paguajnë 50% të vlerës së tokës, si funksionin për letrat me vlerë. Për shtëpitë e dyta do të ketë pagesë me vlerë të plotë, çmim të ndryshëm të vlerës së trojeve

 

 

banesaQeveria ka miratuar ndryshimet në ligjin e legalizimeve përmes një skemë të re për këtë proces, duke nisur nga vlerësimi i truallit e deri tek tarifat që do të paguajnë qytetarët në zonat informale të cilët kanë ndërtuar objekte në toka që nuk i kanë në pronësi. Në paketën e re bëhet e qartë se kush ka ndërtuar në tokën që nuk e ka të vetën do të paguajë detyrimin për vlerën e truallit, ku sipas qeverisë, deri në trefishin e banesës do të ketë çmim favorizues e ndërsa mbi këtë masë do të kalohet në çmimin e tregut. Nga ana tjetër, ligji i ri përcakton se legalizimet falas, pra mospagesa e procesit si edhe e truallit, do të zbatohen vetëm për ato familje që kanë ndërtuar objekte në tokën që ata kanë në pronësi. Pra, në këtë formë, legalizimi falas prek vetëm këtë pjesë të qytetarëve shqiptarë, pasi për pjesën tjetër, vetëm procesi do të jetë falas e ndërsa trualli ku ata kanë ndërtuar pa leje, do të paguhet.

 

Paketa

 

Sipas ligjit të ri, do të ndryshojë skema e vlerësimit të trojeve, ku toka do të ketë çmim të ndryshëm në qytetet e vendit. Ndërkohë, për shtëpitë e dyta, ligji parashikon që ato të legalizohen me faturë të plotë e ndërsa përjashton nga procesi taksën e infrastrukturës si edhe fal të gjitha penalitetet që janë krijuar deri më sot dhe që nuk janë paguar akoma nga qytetarët që lidhen me procesin e legalizimeve. Një tjetër pikë e rëndësishme e ligjit është ajo që lidhet me skemën e pagesës për familjet që kanë ndërtuar objekte në tokën që nuk e kanë në pronësi, ku thuhet se pagimi i faturës me letra me vlerë në 30-50% do të ulë vlerën me 20% e ndërsa pagesa e menjëhershme këtij detyrimi ul edhe një tjetër 20% të vlerës. Ndërkohë, parashikohet që familjet me ndihmë ekonomike të përfitojnë përgjysmim të vlerës së detyrimit e për familjet që kanë pjesëtarë para ose tetraplegjikë të mos ketë asnjë detyrim për vlerën e truallit. Nga ana tjetër, në ligj nënvizohet se nëse qytetari nuk ka mundësinë e pagesës së tarifës së truallit, objekti do të legalizohet sërish në hipotekë, por me kufizim hipotekor. Ky i fundit parashikon se qytetari ka një detyrim që e kufizon pronën e tij, pasi ai mund ta shesë atë, por kufizimi hipotekor i kalon më tej atij që e blen. Në rastin kur nuk e paguan menjëherë dhe kalon në kufizim hipotekor, qytetari që aplikon për legalizim të objektit nuk përfiton nga 20% i uljes si edhe nga letrat me vlerë. Po ashtu, paketa e re e legalizimeve ka përfshirë edhe masa që lidhen me pagesat e faturave të energjisë elektrike. Kështu, për çdo tapi të re do të ketë një barrë hipotekore prej 10%, e cila do të hiqet vetëm kur të jenë paguar plotësisht faturat e energjisë elektrike nga ana e aplikuesit për legalizim të objektit. Po ashtu, me këtë ligj ndryshon edhe skema e veprimit, ku do të jenë përkatësisht punonjësit e administratës së ALUIZNI-t, të cilët do të merren me të gjithë dokumentacionin, përllogaritjet e vlerës, certifikatën, noterinë, si edhe me rastet e kalimit të pronësisë. Qeveria ka bërë të ditur se ligji i ri i legalizimeve të hyjë në fuqi brenda muajit prill.

 

Paketa e legalizimeve

 

-Ndryshim i skemës së veprimit ku shteti përmes administratës specifike për procesin e legalizimit që do të zhvillojë shërbimin tek familjet në zonat informale

-Ndryshon skema e vlerësimit të trojeve, ku toka do të ketë çmim të ndryshëm në qytetet e vendit (për shembull çmimi i truallit në Tiranë nuk do të jetë më i njëjtë me atë në Kukës)

-Do të falen të gjitha penalitetet që janë krijuar deri më sot dhe që nuk janë paguar akoma nga qytetarët që lidhen me procesin e legalizimeve

-Kush ka ndërtuar pa leje në tokën që ka në pronësi nuk do të paguajë asnjë tarifë për legalizimin, as atë për tokën

-Kush ka ndërtuar në tokën që nuk e ka të vetën, do të paguajë detyrimin për vlerën e truallit. Sipas qeverisë deri në trefishin e banesës do të ketë çmim të përballueshëm e ndërsa mbi trefish do të kalohet në çmimin e tregut

-Shtëpia e dytë do legalizohet me faturë të plotë

-Taksa e infrastrukturës nuk do të jetë më pjesë e ligjit të legalizimit

 

Skema e pagesës për familjet që kanë ndërtuar objekte jo në tokën e tyre

 

-Pagim i faturës me letra me vlerë në 30-50%, gjë që e ul detyrimin në 20%

-Nëse qytetari do të paguajë detyrimin të gjithë menjëherë ulet 20% e vlerës

-Familjet që janë me ndihmë ekonomike do të përfitojnë përgjysmim të vlerës së detyrimit

-Familjet që kanë pjesëtarë para ose tetraplegjikë nuk do të paguajnë detyrimin

-Nëse qytetari nuk paguan dot tarifën e truallit, objekti do të legalizohet në hipotekë por me kufizim hipotekor

-Në rast se nuk paguan menjëherë detyrimin për vlerën e truallit nuk përfiton uljen me 20%

-Në rast se pas një viti kur e ke futur objektin në hipnotikë dhe sërish nuk ke paguar, nuk përfiton as uljen me 20% dhe as nga letrat me vlerë

-Për çdo tapi do të ketë një barrë hipotekore prej 10% (shembull: Nëse qytetari do paguajë 400 mijë lekë për legalizimin kur toka nuk është e tij, shteti do të marrë 360 mijë lekë dhe 40-mijëlekëshi do të ngelet si barrë hipotekore, që do hiqet pas dy vjetësh kur të jenë paguar faturat e energjisë)

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency