Kodi Penal/ Ashpërsimi i dënimit, 20 vjet burg për trafik eksplozivësh

0
137

Anxhela Tato

 

 Ministri Saimir Tahiri: Për mbajtje lëndësh plasëse, dënimi nga 5-8 vjet heqje lirie

 Shkelja e rregullave teknike për mbajtjen, tregtimin dhe përdorimin e eksplozivit rrezikon 5 vjet burgim

 

 

Ministri-i-Brendshem-Saimir-Tahiri-Foto-Agim-Dobi-ATSH-51Ndryshime në Kodin Penal në ashpërsimin e masës së dënimit për trafikun e lëndëve eksplozive, e cila është forma e re e zgjedhur nga bota e krimit për realizimin e atentateve. Paketa e re është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe është publikuar në një konferencë për shtyp nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. “Personat që mbajnë, transportojnë apo trafikojnë lëndë plasëse për qëllime kriminale do të dënohen me 15-20 vite burg; personat që vjedhin energjinë elektrike do të dënohen deri në 5 vite burg; ndërsa drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur, nën efektin e lëndëve narkotike apo pa leje drejtimi, të dënohet nga 10 ditë deri në 3 vjet heqje lirie”, – risitë e Kodit Penal, të cilat do t’i kalojnë për miratim Kuvendit.

 

Deklarata

 “Objektivi kryesor i qeverisë është për të garantuar më shumë siguri, inovacion dhe progres. Sot qeveria me kërkesën e ministrit të Energjisë dhe ministrit të Brendshëm ka miratuar disa ndryshime në Kodin Penal, që do t’i shkojnë për miratim Kuvendit dhe lidhen me çështjen e vjedhjes së energjisë elektrike, ashpërsimin e masave që kanë të bëjnë me përdorimin e lëndëve plasëse, shitjen e kartave SIM në mënyrë të paautorizuar dhe shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Synojmë parandalimin e këtyre fenomeneve dhe rritjen e ndëshkueshmërisë për shkelësit. Për ndryshimet në Kodin Penal për vjedhjen e energjisë synon të adresohet ky problem dhe parashikohen masa për shkelësit. Lidhur me lëndët plasëse, vjen si analizë e ekspertëve të Ministrisë së Brendshme, që ka marrë në shqyrtim përdorim e lëndëve plasëse për qëllim civil; ndryshim në nenet 278 dhe 282 të Kodit Penal 5-8 vjet burg për mbajtje të eksplozivit dhe në rrethana cilësuese nga 15-20 vjet, pra në rastet kur lëndët eksplozive mbahen, transportohen trafikohen për qëllime kriminale. Sot u miratua kërkesa për amendimin e nenit 291 të Kodit Penal për sigurinë rrugore. Kjo është një nga pikat e masave të prezantuara bashkë me Ministrinë e Transportit për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur, nën efektin e lëndëve narkotike apo pa leje drejtimi, të dënohet nga 10 ditë deri në 3 vjet”, – tha ministri Tahiri.

 

Eksplozivi

 Kush kapet me lëndë eksplozive, rrezikon dënimin deri në 8 vjet burg dhe në rrethana cilësuese deri në 20 vjet heqje lirie. Kjo është rrethana kur eksplozivi ose lëndët plasëse mbahen, transportohen, trafikohen për qëllime kriminale. Ndërkohë, është propozuar ndryshimi i nenit 282, që është shkelja e rregullave të përdorimit të eksplozivit për qëllime civile. Bëhet fjalë kryesisht për përdorimin në fushën minerare, një sërë aktivitetesh të tjera industriale ku kërkohet përdorimi i eksplozivit. Pas një kontrolli në të gjitha magazinat e mbajtjes së eksplozivit dhe në të gjitha subjektet e licencuara për import dhe për përdorim për qëllime civile të eksplozivit, pas shkeljeve të vërejtura, por edhe pas konstatimit që në Kodin Penal, shkelja e rregullave teknike për mbajtjen, tregtimin dhe përdorimin për qëllime civile të eksplozivit njeh sanksione fare minimale, ne kemi propozuar që sanksionet të bëhen me burg nga 2 deri në 5 vjet dhe në rrethana cilësuese deri në 10 vjet burim.

 

 

Lëndët plasëse/Rritet maksimumi i dënimit për mbajtje eksplozivësh dhe shkelje rregullash teknike

 Ligji aktual dhe ndryshimi i paketës së miratuar nga Këshilli i Ministrave

Rritet maksimumi i dënimit për veprën penale të mbajtjes së lëndëve plasëse, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal. Kushdo që akuzohet për këtë krim rrezikon dënimin deri në 8 vjet heqje lirie, pra 6 vjet më tepër referuar nenit aktual. “Mbajtja e municionit luftarak pa leje të organeve kompetente shtetërore përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet”, – citon neni 278, pika 2. Rritja e rasteve të përdorimit të eksplozivëve si një formë e re e atentateve ka detyruar ashpërsimin e politikës së dënimin me qëllim rritjen e sigurisë dhe të ndëshkueshmërisë së kriminelëve. Kushdo që zbulohet me lëndë plasëse mund të dënohet deri në 8 vjet heqje lirie, duke ndryshuar në këtë mënyrë maksimumi i dënimit, i cili aktualisht njeh si masë dënimin me gjobë ose deri në 2 vjet burgim. Një pikë tjetër e ndryshuar nga neni 278 është rrethana cilësuese, e cila i shton edhe 5 vjet të tjera masës së dënimit. Aktualisht ligji njeh masën e dënimit deri në 15 vjet burgim, por zbulimi i bazave të eksplozivë çon dënimin deri në 20 vjet. “Kur vepra kryhet në sasi të mëdha në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet”, – neni 278, pika 4. Është parë e nevojshme edhe ashpërsimi i dënimit për shkeljet e rregullave në rastet kur është e lejuar përdorimi ose mbajtja e lëndëve plasëse. “Shkelja e rregullave të caktuara për mbajtjen, prodhimin, përdorimin, ruajtjen, transportimin dhe shitjen e lëndëve plasëse, djegëse apo radioaktive, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet”, – neni 282. Me ndryshimet e propozuara nga ana e Ministrisë së Brendshme masa e dënimit ndryshon nga 2-5 vjet burg. Pra kushdo që shkel rregullat e përcaktuara nga neni 282 rrezikon që të qëndrojë në qeli për 5 vjet. Të gjitha këto masa u ndërmorën në kuadër të rritjes së sigurisë dhe rendit, kur krimi i rrugës është në shpërthim dhe çdo ditë regjistrohen raste të reja atentatesh të telekomanduara.

 

 

“Njeriu bombë”

 Atentate të telekomanduara, shpërthim automjetesh janë ngjarje të përditshme të kronikës, të cilat në pjesën më të madhe të rasteve mbeten pa autor. Ndërsa çdo gjë nisi me mega-operacionin, i cili çoi pas hekurave “njeriun bombë”, Julian Sinanajn, dhe bandën e vrasësve me pagesë, asnjë të arrestuar nuk ka ende për dy rastet e shpërthimit në komisariatin e Fushë-Krujës apo sulmeve ndaj automjeteve ose banesave të kryekomunarëve, biznesmenëve, punonjësve të policisë ose qytetarëve. Julian Sinanaj rezultoi se ishte autori i atentatit të telekomanduar ndaj prefektit të Vlorës Besnik Dervishi, kreut të PD-së për Vlorën, Ardian Kollozi si dhe tentativa për vrasjen e biznesit Piro Bare. Ndërsa dosja vijon të jetë në hetim, është identifikuar personi, i cili i siguronte “njeriut bombë” bazën materiale për realizimeve e krimeve, vijojnë hetimet për zbulimin e mënyrës dhe tregut sesi gjendej lënda plasëse.

 

 

Bazat e eksplozivëve

 Vetëm brenda muajit mars janë zbuluar dy baza prodhimi dhe tregtimi lëndësh plasëse. Në Komunën Gruemirë të Malësisë së Madhe u evidentua njëra nga pikat ku lënda plasëse përgatitej për t’u shitur në treg. Policia bëri të ditur se në banesën e Tafë Balilajt janë sekuestruar edhe 238 kallëpe tritoli, 200 metra fitil, 150 kapsolla detonatorë si dhe 100 copë granata, 3 automatikë. Policia po verifikon nëse kjo bazë ka shërbyer për të furnizuar me lëndë eksplozive në atentatet e ndodhura së fundmi në disa qytete të vendit. Ndërkohë që në 7 mars në Lezhë u evidentua pika e dytë ku prodhohej lëndë plasëse. Gjatë kontrollit në banesë nga ana e bluve janë gjetur fishekë, detonatorë, armë zjarri si dhe granata.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency