Atentati/ Sulm me antitank banesës së kryekomunarit të Farkës

0
135

Anxhela Tato

 

 

Policia: Baruti i skaduar shmangu shpërthimin, kamerat e sigurisë fiksojnë momentin e goditjes nga predha

 Fatbardh Plaku: Mandati i 5-të si kryetar komune, nuk kam pasur kurrë konflikte dhe as dyshime konkrete

 

video shperrthimiQëllohet me antitank banesa e kryekomunarit të Farkës, Fatbardh Plaku, ndërsa policia hedh dyshime se kjo ngjarje mund të jetë e lidhur me detyrën ose probleme pronësi të kryekomunarit. Në një bisedë telefonike, Fatbardh Plaku rrëfen me detaje se çfarë ka ndodhur në banesën e tij, duke mos ditur se kujt t’ia drejtojë gishtin për këtë ngjarje. I pyetur në lidhje me konfliktet, Fatbardh Plaku tregon se prej 18 vjetësh ndodhet në këtë detyrë dhe kurrë në jetën e tij nuk ka pasur debate apo probleme me ndonjë person. Kryekomunari rrëfen se nga ana e policisë nuk janë gjetur gjurmë në vendngjarje dhe është ende i paqartë në lidhje me motivin e këtij akti të rëndë. Ai tregon më tutje se nuk ka asnjë dëshmitar për këtë ngjarje dhe vetë nuk ka arritur të dallojë personin që ka qëlluar me antitank, për shkak të orës së vonë dhe errësirës. Ngjarja është regjistruar në orës 02:00 të mëngjesit të djeshëm, kur është dëgjuar një shpërthim në murin rrethues të banesës së kryekomunarit. Burimet policore bëjnë me dije se ka qenë baruti i skaduar, që i ka shpëtuar jetën e familjes Plaku nga një shpërthim i mundshëm, ndërsa kryekomunari mohon të ketë konflikte personale. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentet e goditjes së predhës, e cila ka shpuar tejpërtej murin e banesës së kryekomunarit. Fatmirësisht, predha nuk shpërtheu, kjo për shkak se një pjesë e barutit ishte i skaduar, sipas hetuesve. Ndërkohë, vetë kryekomunari tha se nuk ka konflikte me persona të tjerë, ndërsa goditja me antitank mund të jetë edhe një formë presioni. Për ngjarjen e rëndë policia po hetohet lidhur me detyrën e kreut të Komunës, ndërsa janë shoqëruar edhe disa persona në polici. Fatbardh Plaku është i zgjedhur i Partisë Demokratike si kreu i Komunës së Farkës.

 

Dëshmia e Fatbardh Plakut

 “Shpërthimi ka ndodhur në banesën time rreth orës 02:00 të mëngjesit. Kemi dëgjuar zhurmë. Dola për të parë se çfarë kishte ngjarë dhe vura re se muri rrethues ishte dëmtuar nga shpërthimi. Banesa ime është qëlluar me predhë nga një distancë rreth 100 metra, përballë xhamisë. Në lidhje me autorët e ngjarjes nuk kam arritur që të shikoj asgjë. Ishte ora 02:00 e natës dhe errësira më pengonte që të dalloja gjë. Pastaj banesa ime është qëlluar nga distanca. Në ato momente qëllimi im nuk ishte që të identifikoja autorët. Dola me kujdes, sepse kisha frikë. Nuk kam parë gjë dhe nuk di se përse banesa ime u sulmua. Nuk di se çfarë të them për këtë që ndodhi. Unë personalisht nuk kam asnjë dyshim konkret. Nuk kam asnjë problem pune, asgjë personale. Kam 18 vjet kryetar Komune dhe ky është mandati i 5-të. Nuk kam pasur as konflikte, as gjë. Është hera e parë që unë sulmohem dhe policia duhet të bëjë punën e saj për të zbardhur ngjarjen. Unë ia kam lënë në dorë policisë çështjen. Policia erdhi dhe ne lëvizëm nëpër zonë, por nuk u gjet asnjë provë”.

 

 

Prokuroria

Predha çau 2 faqe muri, dyshime për konflikte lejesh ndërtimi ose çështje pronësie

 Sipas Prokurorisë, goditja është bërë me antitank. Është gjetur predha e ngulur në mur, pasi ka çarë dy faqe muri dhe ka ngelur mes murit të jashtëm dhe korridorit, pa hyrë në brendësi të banesës. “Goditja është bërë në fushëpamje të pjerrët nga krahu i xhamisë që ndodhet në afërsi të shtëpisë. Mendohet se është përdorur ky vend për sulmin, pasi muri rrethues i vilës nuk e lejonte goditjen e banesës me predhë në fushëpamje horizontale, sepse fuqia e predhës do të ndalonte në murin e avllisë”, – pjesë e hetimeve të policisë. Sipas ekspertëve të Policisë Shkencore, predha është aktivizuar vetëm me ndezësin dhe nuk ka kryer shpërthimin e fazës së dytë. Këto lloj predhash kanë dy dhoma baruti, njëra më e vogël që ka të bëjë me ndezësin dhe që vendos në lëvizje predhën, dhe e dyta, që ka 400 gramë eksploziv dhe është programuar për t’u aktivizuar në momentin që predha godet objektivin. Pikërisht ky shpërthim i dytë nuk ka ndodhur. Sipas ekspertëve, depozita e dytë me 400 gramë eksploziv është e lidhur edhe me një bombol oksigjeni, e cila në momentin e shpërthimit të plotë të predhës krijon një nxehtësi të larte, pasi predha të tilla janë prodhuar me qëllim goditjen dhe shkrirjen e tankeve. Nëse shpërthimi i predhës do të ishte i plotë, mund ta rrafshonte thuajse gjithë ndërtesën. Zyrtarisht, Fatbardh Plaku mohon të ketë dijeni për ndonjë shkak apo autor, apo të ketë pasur konflikte personale, apo për punën, megjithëse pista kryesore është për detyrën për leje ndërtimi, çështje pronësie ose ndonjë shkarkim nga puna të punonjësve në varësi të komunës.

 

 

Sali Berisha

“Sulm terrorist i shëmtuar ndaj opozitës dhe drejtuesve të saj”

 Ish-kryeministri Sali Berisha ka dënuar sulmin ndaj banesës së kryetarit të Komunës së Farkës, Fatbardh Plaku, duke e cilësuar si një akt të shëmtuar terrorist. Përmes faqes së tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Berisha i bën thirrje Prokurorisë të hetojë ngjarjen. “Të dashur miq, mbrëmë u krye një akt i shëmtuar terrorist kundër kryetarit të Komunës së Farkës, z. Fatbardh Plaku. Kriminelët kanë qëlluar me antitank në orën 2:00 të mëngjesit shtëpinë ku banonte z. Plaku dhe familja e tij. Familja Plaku shpëtoi, sepse pjesa kryesore e predhës nuk eksplodoi. Ky është një sulm terrorist i shëmtuar, i inkurajuar nga qëndrimi armiqësor i Edi Ramës ndaj opozitës dhe drejtuesve të saj. Prapa tij qëndrojnë grupet kriminale me mbështetje të fuqishme politike qeveritare, të cilat nuk e mundën dot z. Plaku me votë në zgjedhjet lokale dhe tani duan eliminimin fizik të tij me çdo çmim. Prokuroria e shtetit të hetojë me seriozitetin më të madh për të vendosur para ligjit autorët, organizatorët, ekzekutorët e zinj të këtij akti terrorist të stampës politike”, – shkruan Berisha.

 

 

PD dënon ashpër atentatin ndaj kryetarit të Komunës së Farkës

 Pas ngjarjes së rëndë të goditjes me antitank të Fatbardh Plakut dhe familjes së tij, deputeti Kruja bën përgjegjëse qeverinë që nuk siguron rendin dhe qetësinë në vend. “Partia Demokratike e konsideron këtë ngjarje si një sulm burracak ndaj një të zgjedhuri vendor, ndaj një zyrtari demokrat të votuar nga qytetarët, që është njëkohësisht kryetar i Shoqatës së Komunave të Shqipërisë. Partia Demokratike është e shqetësuar se prej 7 muajsh, qysh se kjo qeveri ka ardhur në pushtet, të zgjedhurit dhe zyrtarët demokratë kanë qenë vazhdimisht objekt i sulmeve të rënda, që kanë kërcënuar jetën e tyre dhe të familjeve të tyre”, – u shpreh deputeti i PD-së, Keltis Kruja.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency