Legjitimiteti dhe diskutimet kundërthënëse rreth ndërhyrjes së NATO-s për çlirimin e Kosovës

0
199

Dr. Enver Bytyçi

 

enver-bytyci-6451358375438Prej vitit 1999 e deri në ditët e sotme vazhdon debati lidhur me sulmet ajrore kundër Jugosllavisë (Serbisë) për çlirimin e Kosovës. Ndërsa para 15 vitesh diskutimi kontravers u soll rreth legjitimitetit të ndërhyrjes ushtarake për zgjidhjen e krizës në Kosovë, sot ky debat nxitet më së shumti në rastin e krizave të ndryshme në botë. Dilema lidhet me dy çeshtje, nëse NATO veproi në Kosovë në përshtatje me ligjet ndërkombëtare të së drejtës ose jo. Dhe çeshtja e dytë, nëse Kosova po përdoret ose keqpërdoret si precedent nga kundërshtarët e ndërhyrjes së NATO-s për çlirimin e saj. Kundërshtarët e NATO-s dhe të sulmeve ajtrore kanë arësyetuar se më 24 mars të vitit 1999 Aleanca e Atlantikut nuk respektoi të drejtën ndërkombëtare. Sipas tyre, kjo ndodhi për shkak të mungesës së një vendimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, vendim i cili mungoi pasiqë Kremlini vuri veton e tij kundër këtyre sulmeve.  Sigurisht që mungesa e vendimit të Këshillit të Sigurimit krijoi një vacuum ligjor, e dobësoi legjitimitetin e ndërhyrjes ushtarake në këtë vend. Por kundërshtarët e ndërhyrjes në Kosovë e shfrytëzuan këtë fakt për t’u konfrontuar me gjithë procesin e vendosjes së paqes në Kosovë dhe në rajonin e Europës Juglindore. Ata synuan në radhë të parë të kundërshtojnë politikat paqebërëse të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nëse reagimet kritike i vështrojmë nga pikëpamja politike, atëherë vemë re se kundërshtarët e luftës së NATO-s në Kosovë ishin të gjithë ekstremistët e majtë e të djathtë, të cilët gjithnjë kundërshtojnë praninë amerikane në Europë. Nisur nga kjo pati jo pak studiues, të cilët këto sulme i quajtën si “Luftë imperialiste për vendosjen e një rregulli të ri në botë”.  Pati nga ata që sulmet e NATO-s kundër makinerisë ushtarake serbe i konsideruan “të parin agresion të NATO-s kundër një vendi Sovran”. Disa të tjerë angazhimin ushtarak në Kosovë e konsideruan si konkretizim të doktrinës Clinton të shpallur në vitin 1993, sipas së cilës “Interesat dhe ideali ynë na detyron jo vetëm të veprojmë, por edhe të udhqëheqim.

Ne duhet që demokracinë dhe ekonominë e tregut ta përhapim në të gjithë botën, sepse kështu mbrojmë interest dhe sigurinë tonë dhe njëkohësisht respektojmë vlerat amerikane, të cilat janë universale”.

Shumë studiues të së drejtës ndërkombëtare gjatë përpjekjeve të tyre për të dënuar ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë u nisën nga përceptimi i raporteve midis respektimit të së drejtës së shtetti sovran dhe të së drejtës së popujve për vetëvendosje. Sipas tyre, e drejta e sovranitetit ka përparësi në raport me të drejtën për vetëvendosje, prandaj dhe ndërhyrja në Kosovë shihet nga ata si shkelje e të drejtës së sovranitetit shtetëror, në rastin konkret të së drejtës së sovranitetit të Serbisë në Kosovë. Në përgjithësi kjo kategori shpreh mendimin se “demokracia dhe të drejtat e njeriut nuk mund të rrënojnë të drejtën shtetërore dhe sovranitetin e shteteve”. Në të gjitha këto raste kemi të bëjmë më shumë me një reagim antiamerikan dhe anti-NATO, ndërkohë që në kritikën përkatëse shohim pak arësyetim në nëse u respektua ose jo Karta e OKB-së. Madje antiamerikanizmi i disa ekspertëve shkon deri te instrumentalizimi i qëllimeve të SHBA-ve, duke e lidh veprimin në Kosovë me përpjekjet për të zotëruar e kontrolluar burimet e gazit e të naftës në Kaspik. Dhe në të gjithë këtë diskurs bie në sy fakti se në kritikën anti-NATO të sulmeve ajrore kundër Jugosllavisë (Serbisë), nuk gjen në asnjë rast një qëndrim kritik sa i përket dhunës e terrorit serb në Kosovë. Përkundrazi, kritikët e luftës në Kosovë e shohin atë si manipulim propagandistik me qëllim justifikimin e ndërhyrjes ushtarake për zgjidhjen e konfliktit. Për këtë kategori kritikësh masakra e Reçakut dhe terrori e dhuna serbe në Kosovë ishin një sajesë për të justifikuar ndërhyrjen ushtarake. Gjithashtu vihet re se kritikët e ndërhyrjes së Aleancës së Atlantikut në Kosovë përdorën si arësyetim të kritikës së tyre disa tregues që nuk kanë lidhje me të drejtën ndërkombëtare, si psh llogaritë e shpenzimeve të luftës, dëmet në shëndetin e njerëzve e të mjedisit e deri te konstatimet e paprovuara për përdorimin e armëve të ndaluara. Të tjerë kritikë përdorën si argument “dobësimin e opozitës serbe përballë Milosheviçit”. Dhe shumica prej tyre thanë se ndërhyrja ushtarake në Kosovë do të ishte shkak i zgjerimit të konfliktit në rajon, madje pati prej tyre që valën e refugjatëve shqiptarë e shpjeguan me bombardimet e NATO-s. Ndërkaq thuajse të gjithë iu referuan faktit që mungoi një mandat nga ana e Këshillit të Sigurimit për të autorizuar veprimin ushtarak. Në të vërtetë mungesa e mandatit nga ana e Këshillit të Sigurimit e dobësoi nga pikëpamja e argumentit të së drejtës ndërkombëtare ndërhyrjen ushtarake në Kosovë. Por unë mendoj se ky fakt nuk e delegjitimoi atë. Sipas nenit 51 e 52 të Kartës së OKB-së, Këshilli i Sigurimit është organi kompetent, i cili autorizon ndërhyrjen ushtarake kundër një vendi sovran. Karta e OKB-së, e ratifikuar në vtin 1945 në Konferencën e San Françiskos, ia dha këtë të drejtë Këshillit të Sigurimit, duke i garantuar anëtarëve të përhershëm të këtij këshilli të drejtën e vetos. Sipas Kartës, vetoja e njërit prej këtyre pesë vendeve e çon në null vendimmarrjen. Kur KS mori këto atribute besohej se vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit qenë të të njëjtit mendim e të vendosura njësoj për ruajtjen e paqes e të stabilitetit në botë. Por ndërsa pas tri vitesh bota u nda në dy kampe armiqësore,  karta e OKB-së nuk ndryshoi, ajo është ende në fuqi, pasiqë këto pesë vende nuk pajtohen për ndryshimet e saj. Ndonëse bota ndryshoi me shpejtësi në këto shtatë dekada, Karta e OKB-së mbeti e njëjta, paqyrim e një kohe historike të shkuar e tejkaluar. Gjatë Luftës së Ftohtë Këshilli iSigurimit nuk funksionoi asnjëherë pikërisht për shkak të të drejtës së vetos të Fuqive të Mëdha. Dhe vetoja u përdor gjithnjë në funksion të interesave për ruajtjen e sferave të influencës së tyre. E njëjta gjë ndodhi edhe në rastin e Kosovës. Rusia përdori veton e saj kundër ndërhyrjes ushtarake për shkak të lidhjeve të ngushta me Serbinë dhe regjimin e Milosheviçit dhe në përpjekje që ta mbante këtë vend nën vartësinë e saj, si trampolinë për t’iu kundërvënë interesave dhe demokracisë euroamerikane. Kështu Rusia dëshmoi mentalitetin e kohës së Luftës së Ftohtë, ndonëse ishin bërë përpjekje që ajo të integrohej në botën demokratike të Perendimit. Ndërkohë Kapitulli VII i Kartës së OKB-së shpreh thelbin e vendimmarrjes, është pjesa ligjore, që përcakton se kur e në cilat rrethana Këshilli i Sigurimit mund e duhet të përdor forcën për zgjidhjen e konflikteve. Ky kapitull i referohet dy rasteve: Kur një konflikt i brendshëm ose midis dy shteteve kërcënon paqen e sigurinë rajonale ose botërore dhe në rastin tjetër kur kemi të bëjmë me një katastrofë humanitare. Pikërisht kjo pjesë thelbësore e Kartës së OKB-së anashkalohet nga ana e kritikëve të luftës në Kosovë. Ndërkaq konflikti në Kosovë evidentoi faktin, se të dy këto komponentë ishin realisht kërcënues. Nëse NATO nuk do të ndërhynte, konflikti do të përhapej në të gjithë Ballkanin Pëerendimor dhe në luftë do të përfshiheshin Shqipëria, Maqedonia e vende të tjera. Nëse në këtë konflikt do të përfshihej Shqipëria dhe Maqedonia, atëherë do të tërhiqej edhe Turqia e Greqia, Turqia në mbështetje të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës, Greqia në mbështetje të Serbisë. Përfshirja në konflikt e këtyre dy vendeve të NATO-s do të shkaktonte krizën euroatlantike, çka do të thotë se konflikti do të zgjerohej në kontinentin euripoan. Kështu vihej në pikëpyetje vetë ekzistenca e Bashkimit Europian dhe e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Kjo sa i përket argumentit të ruajtjes së paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon dhe në kontinentin europian. Por ishte evident fakti se në Kosovë kishim të bënim me një katastrofë humanitare, me të cilën lidhej ndërhyrja ushtarake bazuar Kapitullin VII të Kartës së OKB-së. Në momentin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, statistikat zbulojnë faktin se brenda dhe jashtë saj ishin tashmë rreth 400 mijë refugjatë e ndërkohë më shumë se 2000 viktima të terrorit serb, kryesisht njerëz të pafajshëm. Nëse NATO nuk do të vepronte, Milosheviçi kishte vendosur që numrin e viktimave ta çonte së paku te numri i viktimave të Bosnjë-Hercegovinës, ku në konfliktin me serbët humbën jetën mbi 150 mijë muslimanë. Një plan i tillë u zbulua që në atë kohë nga shërbimi sekret bullgar, plan i cili përmes ministres së Jashtme të Bullgarisë shkoi në dorë të ministrit gjerman të Punëve të Jashtme, Joschka Fischer. Sipas këtij programi të hartuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë serbe, pra nga Milosheviçi dhe me urdhër të tij, Kosova duhej të spastrohej nga dy të tretat e shqiptarëve dhe të popullohej nga serbë të Krajinës së Kroacisë dhe serbë të tjerë, të cilët do të dëshironin e stimuloheshin për të jetuar në këtë vend. Kështu struktura e popullsisë do të ndryshonte më dhunë, me terror e duke ushtruar genocid masiv kundër shqiptarëve. Përsëritej kështu skenari dhe program i 7 marsit të vitit 1936 të akademikut serb, Vasa Çubrilloviç, sipas të cilit, shqiptarët duheshin shpërngulur me dhunë nga Kosova dhe Kosova duhej serbizuar. Për këtë arësye shumë media të Perendimit gjatë ditëve të luftës botuan memorandumin e Çubrilloviçit kundër shqiptarëve, me qëllim që të përkujtonin publikun se plani ishte i njëjtë në periudhën e bombardimeve të NATO-s në Kosovë. Pra, situata në Kosovë kërkoi me çdo kusht ndërhyrjen me forcë ,sepse bota e qytetëruar nuk mund të pranonte aneksimin e territoreve në formën e spastrimit etnik të tyre, si në kohët primitive, sipas parimit gebelsjan që Milosheviçi e pati shpallur në Fushë-Kosovë më 28 qershor 1989, „Serbia ose do të jetë e madhe ose nuk do të ekzistojë fare“. Sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, James Rubin, se në Kosovë kishte një situatë dramatike humanitare dhe se Milosheviçi synonte zgjerimin e konfliktit, për këtë realitet ishin të vetëdijshëm edhe udhëheqësit e Moskës. Sekretarja e Shtetit Amerikan, Ollbright, para fillimit të Konferencës së Rambujesë ishte pajtuar me ministrin e Jashtëm rus, Ivanov, se “Milosheviçi nuk njeh tjetër, veçse gjuhën e forcës, për t’u tërhequr nga kursi I dhunës në Kosovë”. Por se situata në Kosovë kërcënonte paqen e sigurinë si dhe do të shkaktonte një katastrofë humanitare, kjo është pranuar zyrtarisht në Rezolutën 1190 të 30 shtatorit 1998. Aty thuhet se konflikti në Kosovë rrezikon të përhapet në vendet e rajonit dhe më gjerë si dhe theksohet gjendja e rëndë e refugjatëve, e cila do të vështirësohej edhe më shumë në kushtet e motit të ftohtë gjatë dimrit që po vinte. Kështu, Rusia vetë pranoi në këtë rezolutë, se situate në Kosovë ishte dramatike dhe ajo u pajtua që të vihej gishti te fajtori, te Milosheviçi. Megjithatë Kremlini në marsin e vitit 1999 nuk pranoi të përdorej forca për ta ndalur këtë situate katastrofike. Kjo do të thotë se në përmbajtje veprimi i NATO-s ishte i justifikuar, derisa vetë Këshilli i Sigurimit kishte pranuar faktin se kishte arësye objektive për veprim.

Ndërkaq le të supozojmë se Këshilli i Sigurimit do të autorizonte përdorimin e forcës në Kosovë e ndërkohë NATO nuk do të donte ta zbatonte këtë vendim. Cili do të ishte instrumenti që do të realizonte ndërhyrjen, nëse jo NATO-ja?! Këshilli i Sigurimit ka të drejtën e vendimmarrjes, por nuk ka forcë urdhëruese mbi një instrument të caktuar për të vepruar. Kështu që ky vendim i supozuar në rastin e dhënë do të ishte shndërruar gjithashtu në null. Atëherë a do të fajësohej këshilli i Sigurimit për pafuqi në zgjidhjen e krizës?! Sigurisht që po. Por fatkeqësisht nuk fajësohet në rastin kur bllokon vendimmarrjen, edhe pse Kapitulli VII I Kartës së OKB-së parashikon marrjen e vendimit përkatës. Kjo është njësoj sikur në një gjykatë të mos dënohet krimineli, për shkak se nga tre, pesë apo shtatë gjyqtarë, njëri prej tyre është kundër këtij dënimi!!!, edhe pse vetë ky gjyqtari e pranon faktin se i pandehuri ka bërë krim. Kështu ndodhi me Rusinë e marsit të vitit 1999. Ndërkaq legjitimiteti i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë konfirmohet edhe nga disa faktorë të tjerë të kohës. Së pari, në përfundim të luftës Kosova u vu nën protektoratin ndërkombëtar. Kjo ndodhi përmes rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Rusia u pajtua të legjitimojë veprimet ushtarake të NATO-s, derisa ajo dha votën e saj që Kosova të mos administrohej qoftë dhe përkohësisht nga Serbia. Rusia u pajtua që “agresori”, pra NATO të ishte përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve të Kosovës. Ndërkohë në atë rezolutë thuhet qartë se statusi i Kosovës do të vendosej përmes një dialogu midis palëve në prani të faktorit ndërkombëtar , çka do të thoshte se pozita e Kosovës do të ishte e tillë, që nuk do të varej nga Serbia. Me këtë rezolutë Ushtria Çlirimtare e Kosovës u integrua në jetën politike e ushtarake të Kosovës, sepse krahu i UÇK-së formoi partitë politike si dhe ushtarët e saj u inkuadruan në Forcën Mbrojtëse të Kosovës. Kjo i dha legjitimitet ndërkombëtar luftës së armatosur të shqiptarëve në Kosovë. Edhe kjo ndodhi gjithashtu me votën e Rusisë pro rezolutës 1244.

Prej këtej buron një matës tjetër i legjitimitetit të ndërhyrjeve ushtarake në Kosovë. Ky kriter ka të bëjë me përcaktimin klasik të luftrave sit ë drejta ose të padrejta. As vetë kritikët e luftës në Kosovë nuk vunë asnjëhërë theksin te padrejtësia e ndërhyrjes, ndërkohë që rezoluta 1244 konsideron se ndërhyrja ushtarake e NATO-s ishte e drejtë, derisa ajo rezolutë autorizon NATO/n dhe forcën e saj ushtarake KFOR-n të kujdeset për sigurinë e saj. Kjo do të thotë se aksionet ushtarake të NATO-s në fund morën pëlqimin e Rusisë për t´u trajtuar si aksione të drejta, por nuk e morën bekimin e saj për të filluar si të tilla. Në këtë kuptim nuk ka asnjë dyshim se këto aksione qenë legjitime, të drejta dhe të bazuara në të drejtën ndërkombëtare.

Vendimi i 22 korrikut 2010 i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dha gjithashtu definicionin e legjitimitetit të pavarësisë e për pasojë të aksioneve ushtarake kundër Serbisë. Kjo gjykatë, e cila jep verdiktitin e proceseve të tilla si ai që ndodhi me Kosovën, shkoi në përfundimin se jo vetëm pavarësia e Kosovës është e mbështetur në ligjet e të drejtës ndërkombëtare, por se ajo është edhe në përputhje me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Kjo provon se Rusia, pavarësisht vetos së fillimit të bombardimeve, me votimin e rezolutës 1244 i kishte hapur rrugën statusit të pavarësisë së Kosovës. Dhe dihet tashmë se pavarësia e Kosovës është produkt i 24 marsti 1999, pra e intervenimit të NATO-s për çlirimin e saj nga pushtimi, dhuna e terrori serb i spastrimit etnik të saj.

Legjitimitetin e veprimeve të NATO-s në Kosovë e përforcon gjithashtu vendimmarrja me konsensus të plotë e Aleancës së Atlantikut. Ndonëse kishte segmente politike të Francës, Italisë dhe Greqisë, të cilat punuan për të sabotuar unitetin e vendeve anëtare për marrjen e vendimit të sulmeve ajrore, në fund të fundit të 19 –ta këto vende qenë në një mendje: I thanë po aksioneve ushtarake kundër Jugosllavisë (Serbisë). Por kjo nuk ndodhi më vonë në luftën e Irakut. Nuk ndodhi as në vendimmarrjen e fundit të presidentit Obama në rastin e Sirisë. Kështu që realizimi i aksioneve ushtarake në Kosovë me konsensus të plotë të vendeve anëtare të NATO-s e përforcon idenë e legjitimitetit të këtyre aksioneve.

Siç thamë, NATO në Kosovë veproi me dy objektiva: Të parandalojë përhapjen e konfliktit dhe katastrofën humanitare e njëkohësisht të rijojë më shumë stabilitet dhe siguri në rajon. Të dy këto objektiva madhore shohim se janë realizuar tashmë në praktikë.  Rajoni ynë sot është shumë herë më i sigurt sesa para 15 viteve, i ashtuquajturi Ballkan Perendimor ka kapërcyer disa sfida dhe është shumë më afër integrimit euro-atlantik. Shqipëria, Kroacia dhe së shpejti Mali i Zi, janë bërë pjesë e NATO-s, realitet që më 1999 dukej si një ëndërr gati e parealizueshme. Të gjitha  vendet e rajonit kanë përparuar drejt integrimit europian, duke hedh hapa të njëpasnjëshëm gjithashtu në integrimin rajonal. Duket se periudha e armiqësive dhe grindjeve, konflikteve dhe luftrave po lihet pas. Edhe Serbia, autorja kryesore e konflikteve në rajon e në Kosovë, ka marrë drejtimin euro-atlantik.

Në rrethana të disfavorshme legjitimitetin e aksioneve ushtarake të NATO-s në Kosovë dhe të pavarësisë së saj ka filluar ta përdorë edhe kundërshtari kryesor i tyre, Kremlini, pra Rusia. Presidenti rus, Vladimir Putin e përdori këtë më 2008 kur aneksoi dy krahina të rëndësishme të Gjeorgjisë, Abkhasinë dhe Osetinë e Jugut, megjithëse rasti i Kosovës me të dy këto rajonë përgjithësisht rusishtfolëse nuk ka asgjë të përbashkët, si në pikëpamje gjeopolitike, edhe në pikëpamje të marrëdhënieve etnike, të shkeljes së normave demokratike e të të drejtave të njeriut. Ndërsa këto kohë jemi mësuar thuajse vazhdimisht të dëgjojmë të krahasohet ndërhyrja ruse në Krime me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë si dhe të legjitimohet aneksimi me dhunë i Krimesë me pavarësimin e Kosovës. Vladimir Putin, nga njëra anë ve shenjën e barazimit midis veprimeve të tij arrogante ndaj shteteve fqinjë, duke u thirrur në veprimet ushtarake të Perendimit në Kosovë dhe nga ana tjetër nuk e njeh shtetin e Kosovës. Ky veprim duket qartë të jetë një spekullim dhe veprim i bazuar në urrejtje dhe hakmarrje primitive në sjelljet e shteteve ndaj të drejtës ndërkombëtare. Kjo sjellje shfaqet e pabazuar në ngjarjet e marsit 1999, sepse Kosova dhe Krimeja nuk mund të krahasohen midis tyre.

Për të mbërritur te pavarësia e Kosovës, shqiptarëve iu desh që të humbisnin rreth 20 mijë njerëz, shumica prej të cilëve të masakruar e pa mbrojtje. U përdhunuan rreth 15 mijë gra e vajza. U shkatërruan dhe u dogjën 120 mijë shtëpi banimi dhe objekte, nga 200 mijë që kishte gjithsej Kosova. Kosova u krahasua nga reporterët perendimorë në mbarim të luftës si „Hiroshima e Europës“. Në Krime nuk u shënua gjatë ndryshimeve të shkurt-marsit të këtij viti asnjë viktimë dhe nuk u dëmtua asnjë banesë ose objekt. Shqiptarët në Kosovë ishin viktimë e pushtimit serb, e aneksimit të saj me një dekret të mbretit të Serbisë në shtatorin e vitit 1913, pasi që Serbia shkaktoi aso kohe 25 mijë viktima, nëse i referohemi raporteve të gazetarit austriak, Aleksandër Leo Freundlich, ose historianit gjerman Peter Bartl. Krimeja iu dha Ukrainës më 1964 pa ndërhyrje ushtarake, pa viktima. Më 1994 Ukraina u çarmatos nga armët bërthamore në këmbim të njohjes prej Rusisë të integritetit territorial të saj. U nënshkrua një marrëveshje midis Rusisë, SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe, me të cilën palët u angazhuan për të respektuar sovranitetin e Kievit në të gjithë territorin.

Por presidenti rus, Putin, duke u justifikuar në këtë pikë, thotë se „Ne nuk do të prisnim që në Krime të ndodhnin masakra si në Kosovë e më pas të ndërhynim“. Ndërkohë është e palogjikë të mendosh se Perendimi i bazuar në ndërtimin e shoqërive të lira në respekt të të drejtave të njeriut të lejonte dhunën e shtetit ukrainas ndaj pakicave. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë së paku pas Luftës së Dytë Botërore në asnjë vend që ka aderuar në BE, e theksoj, pasi këto vende janë pranuar në komunitetin europian.

Nëse shqiptarët e Kosovës u kërcënuan pandërprerje me likuidimin fizik të tyre për gati një shekull, në Krime nuk u shfaq asnjë kërcënim i tillë, asnjë ditë të vetme. Në analizën krahasuese të ngjarjeve dhe ndodhive në Kosovë dhe në Krime apo rajone të tjera ku ka ndërhyrë Moska, nuk gjen asnjë përqasje midis asaj që ka ndodhur në Kosovë dhe në ato rajone. Legjitimitetin e një vendimmarrje në dëm të sovranitetit të një vendi të caktuar e justifikon gjithashtu diplomacia prevenuese. Kjo diplomaci u përdor në mënyrë permanente në Kosovë e për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb. U ngrit Grupi i Kontaktit, ku bënte pjesë Rusia. U mblodh pesë herë Këshilli i Sigurimit dhe miratoi po kaq rezoluta me thirrje dhe paralajmërime për armëpushim dhe ndërprerje të konfliktit, duke fajësuar Milosheviçin dhe aparatin e tij shtypës. Kosova ishte për 16 vjet pjesë konstituive e Federatës Jugosllave. Kosovës iu grabit me forcë autonomia më 1989 nga Miloshevii në shkelje të kushtetutës jugosllave. Kosova themeloi një shtet të pavarur paralel, i cili funksionoi nën udhëheqjen e presidentit Rugova gati për një dhjetëvjeçar. Kosova u bë objekt i dhjetra rezolutave të Bashkimit Europian, Këshillit të Europës, OSBE-së dhe organizmave të tjera ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Kosova u shndërrua në një problem ndërkombëtar dhe fitoi në Rambuje statusin e subjektit ndërkombëtar. Asgjë prej këtyre aspekteve dhe ndodhive nuk u shfaq në Krime, ose në Osetinë e Jugut e në Abkhasie.

Të gjitha këto e bejnë Kosovën një rast unikal, të papërsëritshëm dhe për të gjitha këto arësye ajo u arësyetua në vendimin e saj për shpalljen e pavarësisë nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të Hagës. Prandaj dhe deri më sot 106 shtete anëtare të OKB-së e kanë njohur shtetin e Kosovës. Ndërkohë që më 19 prill 2013 Prishtina dhe Beogradi nënshkruan në Bruksel marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve midis tyre, duke i hapur rrugën njohjes së ndërsjelltë të të dy shteteve si dhe integrimit të tyre në Bashkimin Europian e në NATO. Serbia, edhe pse viktimë e bombardimeve të NATO-s, sot është bërë anëtare e Partnetitetit për Paqe të NATO-s dhe ka filluar bisedimet për pranimin e saj në Bashkimin Europian. Madje këto bisedime kanë filluar më 21 janar të këtij viti me kapitullin për Kosovën dhe në përfundim të diskutimit të këtij kapitulli, mendoj se Serbia do të pranojë që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së. Ky kusht e njohja direkte e pavarësisë së Kosovës nga ana e Beogradit do të jetë epilogu e rrugës europiane të Serbisë.

Në këto rrethana bëhet ende më e qartë se cili është rezultati i sulmeve ajrore të NATO-s kundër Jugoslllavisë (Serbisë) për çlirimin e Kosovës, rezultat i cili çliroi njëkohësisht rajonin nga konfliktet disa shekullore dhe vendosi bazat e pajtimit dhe integrimit rajonal e europian. E vështruar edhe nga ky këndvështrim, këto sulme mund të konsiderohen si legjitime. Në fund të fundit kritikët e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, patën parashikuar se veprimet ushtarake nga jashtë do ta destabilizonin rajonin dhe do të shkaktonin viktima të panumërta. Në fakt ndodhi e kundërta. Sipas vlerësimeve të ekspertëve aksionet ushtarake të Aleancës në ish-Jugosllavi shkaktuan gjithsej 556 viktima dhe 878 të plagosur, një numër ky minimal në një luftë të armatosur.

Përfundimisht mund të konkludojmë se aksionet ushtarake të NATO-s në Kosovë, të cilat ne i përkujtojmë sot në 15 vjetorin e tyre, ishin e vetmja mënyrë e zgjidhjes së konfliktit në Kosovë midis shqiptarëve shumicë dërmuese dhe shtetit të Serbisë e serbëve në përgjithësi. Ato aksione sollën ndryshimin epokal të Kosovës e të të gjithë rajonit, madje mund të konsiderohen edhe si ilaçi i vetëm për çlirimin e vetë Serbisë nga ëndërrat shekullore të miteve dhe obsesioneve të saj për epërsi mbi popujt e tjerë të rajonit. Këto aksione nuk i dhanë lirinë vetëm shqiptarëve në Kosovë, por çliruan nga ndjenja e padrejtësiëë të gjithë shqiptarët në rajon. Çliruan gjithashtu ndjenja e supozuar e viktimizimit vetë serbët si dhe lehtësuan plagët e vjetra e të reja që Serbia shkaktoi në luftrat e fundit të shekullit të XX në Kroaci, Bosnjë, Kosovë, e Slloveni.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency