“El Clasico” / Galaktikët e frikshëm kërkojnë hakmarrje ndaj katalanasve dhe Mesit

0
185

Jurges Veizaj

Kryeqytetasit kërkojnë që të marrin një fitore të rëndësishme kundër blaugranasve që u duhen tri pikë, pasi janë shumë të rëndësishme në luftën për titull

Ançeloti është shprehur se kjo ndeshje është mjaft e rëndësishme dhe se tashmë ka ardhur edhe momenti për të që të fitojë kundër Martinos

 

El-Clasico-di-Final-Copa-Del-rey-2014Një formacion yjesh për një klasike që vlen shumë më tepër se inati dhjetëravjeçar mes dy skuadrave që kanë bërë historinë e futbollit në Spanjë. Karlo Ançeloti nuk rezervon surpriza për sekondën e fundit, duke konfirmuar 11-shen galaktike që do të presë Barçën në “Bernabeu”. Me Diego Lopezin në portë, Karvahal, Pepe, Ramos dhe Marselon në mbrojtje, Ksavi Alonso, Modriç dhe Di Maria në mesfushë, si dhe Ronaldo, Bale e Benzema në sulm. Ky është formacioni më potent që mund t’i plotësojë dëshirën për hakmarrje italianit, pas humbjes në fazën e parë të sezonit. “Do të zbresim në fushë lojtarët më të mirë për një futboll tepër ofensiv. Do të sulmojmë të gjithë bashkë dhe po kështu si skuadër do të mbrohemi. Është një ndeshje shumë e rëndësishme me presionin që bie njëlloj mbi të dyja skuadrat. As që e çojmë ndërmend të dalim në fushë për barazim, duam patjetër vetëm fitoren”, – është shprehur në konferencën për shtyp Ançeloti. Ai foli për mediat duke thënë: “Filozofia e Barçës është e njohur dhe s’besoj se do të ndryshojë për “El Clasico”-n. Po kështu edhe ne do të përpiqemi të imponojmë filozofinë tonë. Se çfarë zgjedh Martino nuk më intereson shumë. E dimë se kundër kujt luajmë. Me Mesin e Nejmarin nuk duhet të kemi probleme individuale. Mbrojtja dhe mesfusha duhet të jenë kompakte”, – ka thënë ish-tekniku i PSG-së.

 Prestigji i sfidës

Ora e “El Clasico”-s po afron, nuk mbart presionin e epokës Murinjo kundër Guardiolës, por gjithsesi mbetet sfida madhore, nuk ka ndeshje në botë si Real Madrid-Barça edhe në aspektin ekonomik. Në fushën e “Santiago Bernabeut” mbrëmjen e kësaj të shtune për klasiken që vendos La Ligan, do të zbresin plot 1 miliardë e 159 milionë e 500 mijë euro. Konkluzion ky i nxjerrë në bazë të të dhënave të portalit më prestigjioz të vlerësimit të çmimit të futbollistëve në treg “Transfermarkt.de”. Barcelona ka një organikë prej plot 588 milionë eurosh dhe Reali i Madridit në fakt me një grup lojtarësh që vlerësohet në total 571.4 milionë euro udhëheqin klasifikimin special në rang botëror e madje me një diferencë të konsiderueshme nga ndjekësit. Bajern i Mynihut, kampion i Evropës, është i treti në pod me një grup lojtarësh kartonët e mbledhur të të cilëve në total kapin çmimin 522.5 milionë euro, ndërsa shumë më pas renditen skuadra si Mançester Siti organikë prej 451 milionë eurosh, Çelsi me 388.7 milionë eurosh dhe Paris Sent Zhërmen që disponon një grup që vlen 371.2 milionë euro. Pjesa e luanit e kësaj vlere të merkatos përqendrohet në 11 titullarë të Realit dhe Barcelonës. 11-shja e zakonshme titullare e Ançelotit me modulin e tij 4-3-3 si dhe ajo e Tata Martinos që preferon Fabregasin dhe Nejmarin ndaj Pedros e Aleksis së bashku vlejnë 847 milionë euro, 401 milionë vlejnë titullarët e Madridit, 446 ata të Barcelonës. Sipas “Transfermarkt.de” futbollisti me vlerën më të madhe sipas tregut aktual që do të zbresë në tapetin e “Bernabeut” është Lionel Mesi që vlen 120 milionë euro, ndërsa Ronaldo kap vlerën e 100 milionë eurove. Diferenca e moshës mes dy më të mirëve të botës, argjentinasi është 2 vjet e 4 muaj më i ri se portugezi justifikon dhe diferencën e kostos mes yjeve të rekordeve. Ndërkohë pas tyre renditen blerjet e verës së kaluar Bejl dhe Nejmar që vlejnë respektivisht 80 dhe 60 milionë euro. Mes futbollistëve spanjollë më i shtrenjti është Iniesta me një çmim që vlerësohet rreth 55 milionë euro, i ndjekur nga Çesk Fabregas me kartonin që vlen 45 milionë ndërsa ai Ramos 40 milionë euro. interesant është fakti se pavarësisht se Reali i Madridit është lider i La Ligas dhe favorit për ta mbyllur sezonin si kampion, Barcelona dominon për sa i përket vlertës monetare edhe në krahasimin e reparteve përveç atij të mbrojtjes, me prapavijën e Realit që kushton 95 milionë euro ndërsa ajo e katalanasve 94. Viktor Valdes vlen 12 milionë euro ndërsa Diego Lopez 10, mesfusha e Barcelonës me Ksavi-Buskets e Fabregas vlen 105 milionë ndërsa ajo e Madridit me Ksavi Alonson, Modriç e Di marian vlen 82 milionë euro. Për sa i përket sulmit tredhëmbëshi blaugrana Mesi, Ineista e Nejmar vlen plot 235 milionë euro, ndërsa ai “Los Blancos” me Kristianon, Benzemanë e Bejlin kushton 214 milionë euro, është kjo sfida e milionave për dy nga klubet më të fuqishëm të planetit, ajo e fushës është e gjitha për t’u luajtur në një mbrëmje spektakli.

 

 

Teuta i rrëmben fitoren Besës, Kukësi tri pikë ndaj Flamurtarit

Java e 25 e Superiores nisi me derbin e fqinjëve Teuta-Besa 1-0, e fituar nga durrsakët me golin e mbrojtësit Idrizaj, ndërsa vijoi me sfidën e “Zeqir Ymerit”. Ndërsa Kukësi i trajnerit Sulejamn Starova, që një javë më parë mundi Tiranën në “Qemal Stafa”, mposhti bindshëm 4-2 Flamurtarin. Dy gola të Sokol Cikalleshit në minutat 12, 58, goli i Boya në minutën e 59 si dhe goli i Smajlit në minutën e 86 zbehën golin e Liçaj në minutën e 25 dhe të Gilman Likës në minutën e 88. Fundi ka qenë i acaruar, sepse Gilman Lika ka shënuar një eurogol nga goditja e dënimit dhe ka festuar në mënyrë provokuese karshi tifozëve verilindorë. Kjo ka sjellë irritimin e skajshëm të mbështetësve të Kukësit, por edhe njëfarë përleshjeje të lojtarëve në fushë. Hoxha dhe Dushku përplasen edhe fizikisht, ndaj kryesori Meta i ndëshkon të dy me karton të kuq. E verdha s’mund të mungonte as për shkodranin e Flamurtarit, që i hodhi “benzinë zjarrit” në mënyrë të çuditshme një ndeshjeje korrekte dhe pa probleme. Me këtë fitore skuadra verilindore ngjitet në kuotën e 40 pikëve në vend të dytë po aq sa ka edhe Laçi, ndërsa vlonjatët ndalen në kuotën e 31 pikëve në vend të shtatë.

 

Çelsi i tregon të fortin Arsenalit

Një derbi për t’u harruar për Vengerin. Kjo, pasi skuadra e tij u mposht nga skuadra e Murinjos me shumë lehtësi. Një fitore e bluve që zhyt në krizë topçinjtë që tashmë do të duhet që ta shikojnë veten tyre larg Ligës së Kampioneve dhe objektivave për titull. Çelsi e ka kthyer në një ndeshje tenisi derbin e djersëm ndaj Arsenalit. Skuadra e Hoze Murinjos shpartalloi 6-0 “topçinjtë” e Arsen Vengerit, duke i zbehur festën e ndeshjes së 1000-të në stolin e londinezëve. Seria e golave nisi me Samuel Etonë që në minutën e 5-të, për të vijuar pas 2 minutash me Shurlen, Hazardin në minutën e 17-të me penallti, dy golat e brazilianit Oskar në minutat 42 dhe 66 dhe goli i Salah në minutën e 71. Ndërkohë që në minutën e 15 Arsenali mbeti me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të mbrojtësit Gibs. Me këtë fitore, Çelsi qëndron në krye me 69 pikë pas 31 javësh, por me katër ndeshje më shumë se Mançester Siti dhe dy më shumë se Liverpuli, ndërsa Arsenali ndalet në kuotën e 62 pikëve, duke i dhënë mundësinë “The Reds” dhe “Citiziens” ta kalojnë në renditje. Një episod shumë interesant gjatë ndeshjes së djeshme. Kur rezultati ishte 2-0 Okslad-Çambërlen preku me dorë një top të goditur nga Hazard dhe arbitri dha menjëherë penallti. Deri këtu asgjë për tu çuditur.  Drejtuesi i garës Andre Marriner i tregoi kartonin e kuq jo mesfushorit por mbrojtësit Kieran Gibs. Çambërlen iu afrua duke i thënë haptazi se isha unë ai që preku topin me dorë, por arbitri nuk ndryshoi vendim duke nxjerrë jashtë loje që në minutën e 15 Gibsin.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency