Dhimbjet e shpinës, si mund t’i shmangim

0
325

fakte_lidhur_me_dhimbjet_e_shpDhimbjet e shpinës nisin që në rini, por te më të vjetrit dhimbja është më intensive. Shkaktarët më të shpeshtë janë ngritjet e peshave dhe pozitat jo të përshtatshme në vendin e punës. Meqë kjo sëmundje prek shumë njerëz, në tregun mjekësor dhe farmaceutik ka shumë preparate dhe metoda shëruese të ndryshme, për çdo rast kërkohet trajtim i veçantë. Te disa përdoren pushimi dhe regjim shtrati, te disa trakcioni, te të tjerët terapia me nxehtësi apo masazhi, por përdoren edhe gel dhe kremra të ndryshëm. Duhet ditur se 90% të rasteve dhembjet e shpinës kalojnë vetvetiu pas 4 javësh, e vetëm 5% e rasteve kanë dhembje me shumë se 3 muaj.

Shkaqet

Dhembjet e shpinës mund të kenë shkaktarë që u përkasin dy kategorive: Sëmundjet e sistemit muskulo-skeletor dhe sëmundjet e boshtit kurrizor. Në kategorinë e parë bëjnë pjesë dhembjet e shkaktuar nga lëndimet e muskujve, ligamenteve apo nyjeve të shpinës. Dhembjet nga kjo kategori i shton edhe pozita jo e mirë e qëndrimit, muskulatura dobët e zhvilluar, mosfurnizimi i mirë i kësaj pjese me oksigjen si pasojë e pirjes së duhanit, e stresit. Dhembjet muskulo-skeletore nuk kanë lokalizim të qartë dhe janë të shprehura me shtangim dhe kufizim të lëvizjeve. Shpesh këto dhembje dinë të shtohen gjatë qëndrimit ulur dhe aktiviteteve sforcuese. Dhembjet e këmbëve dhe mpirjet zakonisht në popull njihen si “ishias”. Këto simptoma lajmërohen për shkak të shtangimit muskulor, inflamimit të mbështjellësve të nyjeve (bursitis). Kështu që, shpesh, dhembjet e shkaktuara nga sëmundjet muskulo-skeletore dhe hernive diskale kanë ngjashmëri simptomatike.

Sëmundjet e boshtit kurrizor – kemi disa çrregullime spinale që mund të shkaktojnë dhembje të shpinës dhe këmbëve si p.sh.: hernia diskale, spondilolisteza, stenoza spinale, kemi edhe gjendje më të rralla, siç janë, infeksionet, tumoret, spina bifida apo frakturat. Këto sëmundje janë më të rralla se ato muskulo-skeletore.

Spondilolisteza (spondylolisthesis) ndodh kur një unazë rrëshqet përpara nga vendi i vet. Kjo ndodh si pasojë e dëmtimeve të vogla të shumta nga lëndimet. Kjo gjendje diagnostikohet me një rëntgen të thjeshtë. Një prej shkaktarëve të shpeshtë të dhembjeve të shpinës është hernia diskale. Po çka është hernia diskale? Hernite diskale lumbale më së shumti ndodhin në nivelet L4/L5 dhe L5/S1 për shkak se këto dy nivele janë vendet ku disku i nënshtrohet presionit për shkak të lëvizshmërisë të boshtit kurrizor. Simptomat më të shpeshta të hernies diskale lumbale mund të jenë dhimbja përgjatë këmbës si dhe humbje të ndjeshmërisë përgjatë këmbës; varësisht prej nivelit ku ka ndodhë hernia vjen deri te ndryshimi senzitiv i zonës nga nervi i komprimuar. Po ashtu, ndrydhja e rrënjës nervore mund të shkaktoj rënie të forcës muskulore duke shkaktuar edhe dobësim të forcës muskulore të shputës dhe tërë këmbës. Secila unazë është lidhur me njëra-tjetrën me diskun ndërunazor. Disku intervertebral është një pllakë kërcore e cila anash ka ligamentet të cilat e mbajnë diskun mes unazave. Roli i diskut është t’i mundësoj boshtit kurrizor të njeriut lëvizje në gjitha drejtimet. Si pasojë lëvizjeve të ndryshme që bën njeriu gjatë punës dhe aktiviteteve të veta jetësore, vjen deri te degjenerimi i diskut duke kaluar nga një masë e butë në një masë më të fortë.

Po ashtu, si pasojë e këtyre degjenerimeve, por edhe e ndonjë ngritjeje peshe apo ndonjë lëndimi, vie deri te rrëshqitja e diskut që në gjuhën mjekësore quhet herni diskale. Disku i hernizuar lëviz në drejtim të strukturave nervore përreth ku mund të bëj dëmtim direkt apo indirekt të elementeve nervore apo edhe palcës kurrizore. Shkalla e dëmtimit të shkaktuar nga disku varet nga niveli i unazës, por edhe nga drejtimi i daljes së diskut. Ky disk ndonjëherë shkon në drejtim lateral ku gjenden rrënjët nervore duke shkaktuar dhembje të fortë të mesit dhe këmbeve. Kur disku del në drejtim medial kah palca kurrizore, atëherë përveç dhembjeve, mund të shkaktoj edhe çrregullime të ndjeshmërisë dhe të sfinktereve. Në këtë rast pacienti ka pengesa në urinim dhe kjo quhet Sindroma e kaudes ekuine. Në këto raste indikacioni për intervenim kirurgjik është urgjent. Stenoza spinale lumbare paraqitet kur kemi të bëjmë me ngushtim të kanalit spinal në mes të unazave. Ky ngushtim vie për shkak të inflamimeve të disqeve ndërunazore dhe paraqitet më shpesh te pleqtë. Këto dhembje paraqiten në këmbë dhe shoqërohen me mpirje dhe dobësim të forcës muskulore. Më intensive këto dhembje janë gjatë ecjes dhe qëndrimit ulur. Kjo gjendje shpesh quhet edhe si klaudikacion neurogjen.

Diagnoza 


Shesh herë është vështirë për të gjetur shkakun e vërtetë të këtyre dhembjeve. Meqenëse shumë dhembje kalojnë vetvetiu, nuk kërkohet mjekim nga ana mjekut. Kur këto dhembje janë të stërzgjatura dhe nuk kalojnë as me përdorimin e barnave, atëherë rekomandohet evaluimi i mëtutjeshëm. Dhimbja e tejzgjatur mund të jetë edhe pasojë e tretmanit joadekuat, depresioni, somatizimit – kalimi i vuajtjeve shpirtërore në shenja fizike. Shpesh pacientët ankohen edhe për të përfituar materialisht apo për pushime mjekësore apo sigurim invalidor. Kur ndrydhja e rrënjës nervore shkakton rënie të forcës muskulore dhe dobësim të forcës muskulore të shputës dhe tërë këmbës, atëherë kërkohet evaluim më i kujdesshëm. Kur disku prekë strukturat e palcës kurrizore, mund të dëmtojë inervimin simpatik duke shkaktuar çrregullim të urinimit dhe defekimit. Po ashtu, mund të paraqiten çrregullime të ereksionit dhe ejakulimit. Kjo gjendje njihet si sindromë e bishtit të kalit – sindroma kauda equina dhe kërkon intervenim urgjent kirurgjik.

Shërimi

Trajtimi mjekësor kërkohet vetëm kur kemi të bëjmë me një dëmtim serioz sepse shumë simptome kalojnë edhe vetvetiu. Është mirë të gjendet një pozitë e përshtatshme ashtu që ua liron dhembjet. Dikujt i konvenon qëndrimi në shpinë, dikujt anash. Nëse në vendin e punës nuk ka mundësi që kurrizi të gjej qetësi për shkak të pozitave jo të përshtatshme, atëherë rekomandohet pushimi në shtëpi derisa të qetësohen dhembjet duhet ikur ngritjeve të peshave, lëvizjet e papritura dhe pozitat e papërshtatshme. Nëse ka nevojë mund të përdoren edhe barna kundër dhembjeve të cilat janë të shumta në treg. Zakonisht rekomandohet analgjetiket antiiflamator josteroid që përveç efektit kundër dhembjes kanë edhe efekt të qetësimit të pezmatimit. Barnat për relaksimin e muskujve preferohen vetëm për një javë dhe shkojnë bashkë me analgjetikët. Në ditët e para rekomandohet mbajtja e leckave të ftohta apo akullit në kohëzgjatje prej 15 minuta çdo 1-2 orë. Qëndrimi në shtrat më shumë se tre ditë nuk sjell dobi përveç në raste kur kemi të bëjmë me hernie diskale të rëndë. Lëvizja në fillim është e vështirë, por është më se e nevojshme. Lëvizja ndihmon në shtendosjen e muskujve dhe forcimin e muskulaturës. Edhe nëse u është rekomanduar qëndrimi i shtrirë gradualisht mund ta shtoni aktivitetin me kusht që nëse shtohen dhembjet të pushoni edhe më shumë. Duhet ikur qëndrimit ulur. Ndërsa, pas një jave preferohet ecje 20 min. çdo 3 orë qëndrimi shtrirë. Ushtrimet rekomandohen për pacientët që nuk kanë dhembje akute dhe këto ushtrime duhet bërë në konsultim me specialistin e fiziatrisë. Për dhembjet e lehta preferohen të gjitha aktivitetet si ecje, not, aerobi e intensitetit të ulët. Për dhembjet e intensitetit të ulët por të stërzgjatura rekomandohen masazhet e ndryshme, në shumë vende aplikohet edhe akupunktura – terapi kineze me gjilpëra të vogla. Ka pacientë që flasin për dobi nga ajo, por veprimi i saj nuk ka një bazë shkencore mirë të vërtetuar. Edhe nëse nuk sjell ndonjë dobi të madhe, akupunktura së paku nuk dëmton diku tjetër, përveç xhepin e pacientit.

Nëse dhimbja nuk kalon?

Nëse dhembjet nuk qetësohen as me përdorimin e analgjetikëve, atëherë duhet drejtuar mjekut të specializuar për këtë. Kur vërtetohet se kemi të bëjmë me herni diskale, atëherë shërimi dhe rehabilitimi i pacientit është proces i ndërlikuar. Qëllimet e trajtimit janë zvogëlimi i dhembjeve dhe parandalimi i pasojave neurologjike. Pas fillimit të dhembjeve rekomandohet regjim shtrati dhe fillimi i terapisë medikamentoze kundër dhembjes. Terapia fizikale në fazën akute nuk sjell beneficione. Ndërsa në fazat e qetësimit të dhembjeve akute rehabilitimi fizikal e ka rëndësinë e saj dobiprurëse. Shpeshtësia e dhembjeve të shpinës ka bërë që të rritet edhe interesi për aplikimin e mjekësisë alternative ku shpesh përmendet edhe kiropraktika. Dobitë potenciale nga manipulimet me duar janë më shumë si pasojë shtypjes në pjesë e muskujve. Studimet kanë treguar se këto manipulime sjellin dobi vetëm të përkohshme për pacientin dhe kanë një kosto të lartë. Këto përmirësime janë edhe si pasojë e qëndrimit dhe kujdesit më të gjatë për pacientin, pra një efekt, placebo. Poashtu, është e ditur se këto manipulime janë të dëmshme për rastet me simptoma të ishiasit, sepse mund të shkaktojnë dëmtime të mëtutjeshme të diskut dhe të nervave. Ka pas raste kur kanë shkaktuar lëndim edhe të enëve të gjakut dhe fraktura, por edhe dëmtime të rënda të qafës dhe trurit. Kur kësaj i shtohen edhe aplikimi i kësaj praktike të ngjeshjes nga njerëz joprofesionist, atëherë rreziku është edhe më i madh. Përveç trajtimit medikamentoz dhe fizikal, në shumicën e rasteve kur kemi tumore apo hernia diskale të vërtetuar me CT apo rezonancë magnetike e cila përputhet me gjendjen e pacientit, atëherë mënyra më e sigurt e trajtimit është kirurgjike. Kur kemi të bëjmë me herni diskale e cila ka migruar medialisht, duke shkaktuar çrregullime sfinkteriale, të ashtuquajturën sindromën e kaudes ekuine, atëherë indikacioni për intervenim kirurgjik është edhe më urgjent, sepse çdo vonesë mund të lë çrregullim të pakthyeshëm në urinim apo defekim. Qëllimi i intervenimit është largimi i diskut të prolabuar dhe lirimi i rrënjës nervore apo palcës nga dëmtimi komprimues. Të 5-10%, në studimet mbarëbotërore mund të vijë deri te përsëritja e hernies në të njëjtin nivel apo nivele tjera vertebrale

Si të pengohet përsëritja e dhembjeve të shpinës

Është e rëndësishme mbajtja e kondicionit të mirë të muskujve me aktivitete të rregullta fizike dhe ushtrime. U duhet ikur pozitave të papëlqyeshme për kurrizin, siç janë përkuljet apo ngritjet e peshave. Me programin e ushtrimeve duhet filluar para se të fillojnë dhembjet e forta. Shpesh këto dhembje janë pasoje e punës dhe këtu ka rol edhe stresi në punë dhe depresioni. Ecja e drejtë dhe ulja në ulëse më të përshtatshme në vendin e punës mund të sjellë përmirësime edhe në dhembjet e shpinës. Mbajtja e peshës normale të trupit e shoqëruar me ecje të përditshme dhe aktivitete të lehta sportive janë parandalimi më mirë.  Haxhi Avdyli, neurokirurg

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency