Viti 2013, prodhimi i energjisë elektrike, rritje 47%, por rriten humbjet në tremujorin e katërt

0
109

Ervin Kaduku

 

Hidrocentrali-fierzeProdhimi i energjisë nga impiantet private e me koncesion përbën 16,4 për qind të energjisë në vend. Rritje prej 64,5 për qind pati edhe energjia elektrike e prodhuar nga impiantet private e me koncesion krahasuar me një vit më parë

Vazhdon që të humbasë më se një e treta e energjisë. Në krahasim me vitin 2012, humbjet në rrjet janë rritur 1,7 për qind, nga 3.25 miliardë në 3.3 miliardë kilovat-orë. Ato përbëjnë 35,5 për qind të sasisë së energjisë për përdorim. Në tremujorin e tretë humbjet ishin ulur

 

Dy ditë më parë, kryeministri Edi Rama u ankua se ka gjetur një situatë shumë negative lidhur me sektorin e energjisë elektrike në vend. Sipas tij, janë 1.1 miliardë dollarë detyrimet e ndërsjella që kompanitë e ndryshme – kryesisht me pronësi shtetërore – i kanë njëra-tjetrës. Me këtë, në mënyrë të duksh,e kreu i Ekzekutivit mendohet se kërkon të justifikojë një rritje të tarifave të energjisë elektrike, që Enti Rregullator është bërë gati të miratojë duke filluar nga muaji korrik i këtij viti.

Por, ndryshe nga sa pohon kryeministri, duket se strategjia e zhvillimit të burimeve të prodhimit të energjisë elektrike ka dhënë frytet e saj pozitive për ekonominë shqiptare. Këtë e tregon bilanci, i publikuar dje nga Instituti i Statistikave, sipas të cilit prodhimi i brendshëm u rrit me një shifër të jashtëzakonshme, me mbi 47 për qind. Vetëm se e gjithë përpjekja e qeverisë së mëparshme rezulton të dështojë, pot ë nisesh nga fakti që në tre muajt e fundit të 2013-ës janë rritur humbjet në rrjet. Kjo, kur qeveria Rama ka marrë frenat e pushtetit.

 

Prodhimi

Energjia elektrike e përftuar nga të gjitha burimet, në vitin 2013 u rrit me 16,7 për qind, krahasuar me vitin 2012, njoftoi dje INSTAT-i. Sasia e energjisë së prodhuar dhe asaj të importuar rezultoi 9.3 miliardë kilovat-orë. Prodhimi total i energjisë elektrike përbën 75,1 për qind të sasisë gjithsej të energjisë, e cila u rrit me 47,2 për qind. Sasia totale e prodhuar në vitin 2013 është afro 7 miliardë kilovat-orë, nga vetëm 4.8 miliardë e prodhuar në vitin 2012.

Burimi kryesor i prodhimit të energjisë elektrike është prodhimi nga hidrocentralet. Sasia e energjisë së prodhuar prej tyre është rritur 44,3 për qind krahasuar me vitin paraardhës. Prodhimi nga HEC-et përfaqëson 83,6 për qind të prodhimit gjithsej të energjisë, ndërsa prodhimi i energjisë nga impiantet private e me koncesion përbën 16,4 për qind të energjisë në vend. Rritje prej 64,5 për qind pati edhe energjia elektrike e prodhuar nga impiantet private e me koncesion krahasuar me një vit më parë. Termocentralet nuk kanë prodhuar energji elektrike gjatë vitit 2013.

 

Importet

Importi (përfshirë këmbimet) i energjisë pati ulje prej 28,1 për qind krahasuar me vitin 2012. Importi në vitin 2013 arriti 2.3 miliardë kilovat-orë dhe përbën 25 për qind të sasisë së energjisë elektrike të përftuar gjithsej, nga 40,5 për qind që përbënte një vit më parë.

 

Eksporti

Eksporti (përfshirë këmbimet) në vitin 2013 përfaqësoi 15,3 për qind të energjisë elektrike të konsumuar, sasia e të cilës rezultoi 1.4 miliardë kilovat-orë.

 

Humbjet

Por, ende vazhdon që të humbasë (vidhet, zhduket, të mos paguhet) më se një e treta e energjisë. Në krahasim me vitin 2012, humbjet në rrjet janë rritur 1,7 për qind, nga 3.25 miliardë në 3.3 miliardë kilovat-orë. Ato përbëjnë 35,5 për qind të sasisë së energjisë për përdorim. Humbjet në shpërndarje përbëjnë 96,7 për qind të sasisë së energjisë së humbur në rrjet, të cilat rezultuan me rritje 3,8 për qind. Në tremujorin e katërt u shënua një rritje e mëtejshme e humbjeve, pas uljes së tyre në tremujorin e tretë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency