TAKIMI/ Reforma territoriale, Meta: Rama e Basha të takohen

0
124

Florenc Drizari

 

Meta: Nëse arrihet konsensusi, qytetarët do të kenë që në zgjedhjet e ardhshme vendore të votojnë në një proces vendor të mirorganizuar

 

metaKryetari i Kuvendit, Ilir Meta, inkurajon një takim mes Ramës dhe Bashës për zgjidhjen e ngërçit të krijuar për reformën administrativo-territoriale. Gjatë një konference që Kryeparlamentari Meta mbajti dje në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë, ai tha se vlerëson ftesën që Kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka bërë kryetarit të opozitës dhe të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për t’u takuar dhe për të diskutuar lidhur me përmbushjen e një prej reformave të rëndësishme siç është ndarja e re administrative e vendit.

“Prandaj shpresoj dhe do të uroja që ky takim të realizohet sa më shpejt dhe të jetë produktiv në mënyrë që komisioni i posaçëm parlamentar për reformën administrative dhe territoriale të vihet plotësisht në punë. Në mënyrë që të arrijmë së bashku edhe me partnerët ndërkombëtarë që po e mbështesin këtë reformë, që shumë shpejt të kemi një produkt konsensual në kohën e duhur, në mënyrë që qytetarët tanë në zgjedhjet e ardhshme vendore të kenë mundësinë të votojnë për një pushtet vendor të riorganizuar, që u përgjigjet shumë më mirë dhe shumë më cilësisht nevojave dhe kërkesave që ata kanë në mënyrë të vazhdueshme”, – deklaroi Meta.

Sipas tij, nuk do të ishte normale që konsensusi i garantuar publikisht nga mazhoranca përmes barazisë së plotë të këtij komisioni të posaçëm parlamentar, i cili përbëhet me 8 anëtarë nga mazhoranca, 8 anëtarë nga opozita dhe dy bashkëkryetarë, të kushtëzohej me qëndrime të tjera politike. Dy ditë më parë Kryeministri Edi Rama deklaroi në një intervistë televizive se ka ndërmend t’i drejtohet kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës, me një letër, duke i kërkuar konsensus për reformën administrativo-territoriale dhe në të njëjtën kohë, duke i garantuar pakicës parlamentare siguri për mosvotim të njëanshëm të një produkti të dalë pa konsensus në komisionin e posaçëm. Më herët kreu i opozitës, Basha, ka kërkuar konsensus të plotë deri në votimin e kësaj reforme në Kuvend.

 

SHISH

 Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, i pyetur në lidhje me debatet mes opozitës dhe përfaqësuesve të qeverisë për kreun e SHISH-it, Visho Ajazi, tha se nuk dëshironte të bëhej pjesë e këtij debati, duke theksuar se palët duhet të tregohen të vetëpërmbajtur. “Shpresoj dhe inkurajoj të gjithë aktorët që të sillen në mënyrë sa më të përmbajtur dhe institucionale kur bëhet fjalë për një shërbim të tillë të një rëndësie të veçantë dhe delikate”, – ka thënë Meta. Në lidhje me AMA-n, Meta sqaroi se dhe ky institucion ka informuar Kuvendin se janë tre vende vakante për anëtarë, gjë që është reflektuar në memon e parë që është bërë publike të Shërbimit të Monitorimit të Institucioneve të Pavarura Kushtetuese. Kryetari i Kuvendit theksoi se ligji i mëparshëm e trajton anëtarin dhe kryetarin në mënyrë të barabartë, duke e kushtëzuar mandatin si kryetar me qenien si anëtar i KKRT-së.

 

 

Ristani: Meta, bashkëpërgjegjës për kapjen e institucioneve

 “Kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, është bashkëpërgjegjës për degradimin e demokracisë, për sulmin dhe shkatërrimin e institucioneve të pavarura, për reduktimin e hapësirës së debatit në Kuvend për opozitën, për kthimin e seancave plenare në vula noteriale, si dhe iniciatori dhe garant i sulmeve kundër institucioneve të pavarura, si ILDKP, AMA, SHISH”. Këto janë disa nga akuzat që deputeti i Partisë Demokratike, Arben Ristani, drejtori ndaj Metës. Sipas tij, “Ilir Meta është drejtpërdrejt bashkëpërgjegjës me Ramën, për shkeljen e konsensusit me opozitën, është përgjegjës për mijëra të larguar nga puna, për shkak të shtyrjes së ligjit të nëpunësit civil, ndërsa nga ana tjetër drejtoi dhe dirigjoi së bashku me Edi Ramën, terrorin ndaj administratës, ndaj mijëra burrave e grave, të rinjve e të rejave që u flakën në rrugë padrejtësisht”. “Ilir Meta, njësoj si Edi Rama, është përgjegjës për mosdhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë nga Bashkimi Evropian në dhjetor dhe i sugjerojmë Kryetarit të Kuvendit të reflektojë thellë për përgjegjësitë e tij”, – tha deputeti i PD-së, Ristani.

 

 

“FMN”, Bode: Ja pse qeveria fshehu marrëveshjen

 Partia Demokratike akuzoi dje qeverinë për fshehjen e detajeve të marrëveshjes më Fondin Monetar Ndërkombëtare. Opozita e ka cilësuar si fshehje të termave marrëveshjen dhe që parashikon futjen e taksave të reja dhe performancës së keqe të qeverisë dhe përkeqësim të shpejtë të ekonomisë. “Dje, mbarë opinioni publik përcolli me shqetësim deklaratën e bordit të drejtorëve të FMN lidhur me konsideratat dhe propozimet për marrëveshjen aq shumë të reklamuar si sukses nga ana e qeverisë Shqiptare”, – kështu ka deklaruar për mediat Ridvan Bode. Sipas Bodes, qeveria, që kishte mbajtur në fshehtësi termat e kësaj marrëveshjeje, në të cilën ishte folur vetëm për përfitimin e 330 mln eurove në 3 vjet dhe jo termat dhe shqetësimet e FMN për zhvillimet në vend. “E vërteta është se Bordi i Drejtorëve të FMN shpreh me të drejtë shqetësimin alarmues të përkeqësimit të shpejtë dhe futjes në recesion, të ekonomisë që po sipas Bordit në 2009-2012 u arrit “të mënjanohet me sukses rënia në recesion në kulmin e krizës globale dhe që pati një rënie të ritmit të saj më të lehtin në rajon””-është shprehur më tej Bode. Sipas Ridvan Bodes, FMN është i alarmuar për risqet e mëdha që paraqet borxhi i rritur me aq lehtësi nga qeveria Rama vetëm në harkun e pak muajve duke qenë “më i larti ndër vendet e Evropës Qendrore, Lindore e Juglindore”. “Performanca e dobët e qeverisë, mungesa e reformave dhe amullia që ka sjellë në ekonomi qeveria Rama, për shkak të paaftësisë dhe klientelizmit, do sjellë rritje të reja taksash pasi rritja e taksave, bërë ne dhjetor të vitit të shkuar për vitin 2014 ka dhënë rezultate të pamjaftueshme. Ecuria e dy muajve të parë të këtij viti dëshmon dështimin e plotë dhe korrupsionin në zgjerim të qeverisë Rama. Rritja e madhe e akcizave sipas qeverisë pritet të sjellë 120 milion USD më shumë në buxhet, në fakt për dy muajt e parë ka sjellë 10 milion USD më pak, ndërkohë që rritja e të ardhurave është në më pak e 1/5 e asaj që është programuar”, – shton më tej Bode.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency