LETRA SEKERETE PËR POPOVIÇIN/ Enver Hoxha rrëfen “humbjen” me fjalë të pista

0
161

4. (nga e djathta) Miladin Popoviçi, Enver H oxha, Dushan MugoshaGjendja skandaloze e formacioneve partizane dhe realiteti i marrëdhënieve të Partisë Komuniste Shqiptare me Ballin Kombëtar, Legalitetin, anglezët dhe jugosllavët, në nëntor 1943

 Dosier/ 20 nëntor 1943 – Letra e Enver Hoxhës për Miladin Popoviçin

 

 

Nga Veli HAKLAJ*

Në Arkivin Qendror të PPSH, Fondi 14 – Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Shqiptare (1941 – 1944), Viti 1943, Dosja 23/1, gjendet një nga letrat që udhëheqësi i PKSH dhe i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, Enver Hoxha, i dërgon Aliut (pseudonimi i Miladin Popoviçit, njeriut të Titos, që kontrollonte partizanët shqiptarë), ku e informon për gjendjen skandaloze të formacioneve partizane, duke fajësuar edhe disa prej drejtuesve të tyre; për bisedimet e Enver Hoxhës me anglezët për qëndrimin e Partisë Komuniste Shqiptare kundrejt Ballit Kombëtar, Legalitetit etj. Informacioni që pasqyrohet në pesë faqet e kësaj letre, që do ta japim të plotë për lexuesin e gazetës “Standard” në vijim të këtij dosieri, të krijon njohje për gjendjen reale, aspak të mirë, të formacioneve partizane në nëntorin e vitit 1943; pakënaqësitë dhe dyshimet e shumta të Enver Hoxhës për pjesën dërmuese të bashkëpunëtorëve të tij, si Mustafa Gjinishi, Nako Spiru, çka paralajmëronte edhe fatin e tyre në të ardhmen e afërt; qëndrimet e kundërta të Enver Hoxhës me ato të përfaqësuesve të misioneve angleze në Shqipëri dhe mosmirënjohjen e tij për kontributin e anglezëve në Luftën e Dytë Botërore; konsolidimin e qëndrimit politik dhe ushtarak të Enver Hoxhës për një luftë civile në Shqipëri duke përjashtuar çdo lloj mundësie bashkëpunimi me Ballin Kombëtar, por edhe Legalitetin; ndjenjat e servilizmit të dukshëm të Enver Hoxhës për udhëheqësit jugosllavë dhe rusë dhe mbivlerësimi i faktorit të tyre etj.

I kërkojmë ndjesë lexuesit për fjalorin e përdorur nga Enver Hoxha në ndonjë pjesë të letrës, por vlerësuam se është më i drejtë publikimi i plotë i këtij dokumenti arkivor.

 

 

Letra e plotë Enver Hoxhës për Miladin Popoviçin

 

Më 20 nëndor 1943

 

I dashur shok Ali,

 

E dinja fare mirë që të 7 ditët e tu do të bëheshin 37 ditë. Kjo gjë duhet të jetë një mësim për ty që më bëje kritika mua që s’u ktheva në kohën e duhur nga Tirana. Punët s’mbarohen në praktikë ashtu si kujtonje ti. Tash besoj se vure mend. Me gjithë këtë kjo s’do të thotë që ti duhet ta zgjaç muhabetin më shumë, por duhet të mbaroç shpejt dhe të ktheheç. Ç’them unë për të kthyer. Këtu brenda po të dërgoj një letër që vjen nga Titua nga kanali i Veliut dhe kush e di se ç’të thotë brenda. Në rast se të thotë të shkoç në Kosovë, e lajmëro që je shumë i nevojshëm të rrish tek ne pse situatat sa venë po bëhen të vështira. E ke merak vetë besoj. Tash ti u bëre i joni, të të martojmë dhe një Shqiptare. Po t’i lëmë shakatë se s’kemi kohë.

Topin (pseudonimi i Tomorr Sinanit-V.H.) e Elbasanit e kapën Gjermanët. Moskujdesja e tij dhe mënyra e punës që bënin si në një Demokraci të lirë dhe popullore janë shkaqet e kapjes së tij. E këshillova ashpër edhe herën e fundit që u poqa më të të ruhesh, të kish mendjen, por ai i binte fyellit njësoj; jo vetëm që e zunë po i zunë edhe gjithë dokumentet që nga qarkoret e K.C. e deri te lista e anëtarëve të partisë. Me kapjen e listës së anëtarëve të Partisë u detyrova që një pjesë të mirë të kuadrove t’i heq në mal si kuadro të Partisë ashtu edhe të rinisë. Një pjesë të tyre i dërgova në çeta për t’i forcuar dhe një pjesë të mirë e çova në brigadën e II ku mungon krejt kuadri i Partisë. Kuadri i brigadës së II i gjithë është me batalionin e Çermenikës në Dibër. Qëndrimi i këtij batalioni në Dibër na pengon formimin e Brigadës.

Shokët e Elbasanit tentuan ta shpëtojë Topin nga burgu, ku hynë me armë automatike dhe vranë e plagosën mjaft gjermanë, por tentativa ishte pa frut. Asnjë nga tonët nuk humbi po Topin na thonë se e hoqën për në Strugë dhe andej për në Bullgari. Gjë e sigurtë s’është, por sidoqoftë shokët maqedonas dhe të interesohen një herë andej nga Struga.

Brigada e III që ishte në Pezë e ka qelbur punën. Ajo s’doli kur i kishim dhënë urdhër por u muar atje me Myslimin dhe me Shulen dhe kur e vendosi të dilte, në një kohë shumë të keqe, ajo u godit prej Gjermanëve. Humbjet tona ishin të shumta, 5 të vrarë e 6 të plagosur, të njëqind mushkat të humbura tok me mitralozat e rëndë dhe mortajat e rënda. Komandanti miku im më duket s’e s’ka qenë në naltësin e duhur të detyrës. Ay s’ka ditur të manovrojë dhe ka rënë në pozitat e Myslimit dhe të Shules duke mos zbatuar urdhërin që i kishim dhënë të dilte nga ay pellg. Përveç humbjes materiale kemi pasë dhe humbje morale. Afro 30 partizanë të asaj brigade janë shkëputur kush i sëmurë, kush i lodhur, kush dezertuar; dhe në mes të të dezertuarve është dhe miku tënd dhe i Mustafa Gjinishit, shoku i famshëm TOMI. Ky jo vetëm që ka dezertuar, por është treguar shumë defetist në Tiranë. Tash brigadën pa mitraloza të rëndë dhe pa mortaja e pa mushka e kemi këtu dhe po përpiqemi t’i gjejmë diçka për ta armatosë dhe ta nisim për Dibër, për të ndihmuar Haxhinë dhe më shumë që të na kthehet që andej batalioni i Çermenikës pse na mbeti brigada e II në llucë.

Këtu kemi disa ditë që jemi në alarm. Forca Gjermane janë grumbulluar në Elbasan, Gjermanët po armatosin Ballistat, njerëzit e Beut dhe të Pashës dhe kemi lajme se do të bëjnë një operacion në këtë zonë. Në pikëpamje ushtarake këtu jemi për të qarë hallin. Baca s’ka punuar aspak mirë; s’ka as komandë as mut; batalionet të gjitha të shkatrruara. Lila po fle me gjithë kuptimin e fjalës, ay s’bën përveçse një komandant kompanije jo një drejtues ushtarak i gjithë krahinës.

Kemi mbetur këtu vetëm me ato elementat e Brigadës që më në fund na i dërgoj Gjin Marku pas një letre kërcënuese që i bëra dhe na ka çuar gjithë plehrat që s’kanë qenë kurrë në çetë dhe në mes të tyre, afro 200 veta, asnjë anëtar partie. Zoti na nxjerrtë faqe bardhë me shokë të tillë që s’janë aspak koshientë dhe s’e kuptojnë fare rëndësinë e detyrës dhe të kërkesave që ju bëhen. Ne jemi larguar nga Shmili, jemi në bazën e Brigadës së Dytë, pse gjithë pozitat e Labinotit, Godoleshit dhe Xibrakës janë hapët. Gjithashtu dhe ana e Librazhdit. Pse s’kemi me se i mbrojmë. Batalioni i Çermenikës është në Dibër, tjetër forcë s’ka. Kemi mobilizue çetat e vendit dhe ato i ruajnë pozitat tok me bashibozukët e brigadës. Asnjë parashikim s’kish bërë Baca, për të grumbulluar ushqime sipas porosisë që i kishim dhënë. Tash s’kemi aspak se ç’hanë brigadat dhe batalionet, sidomos tash që u pre edhe rruga e Elbasanit. Nga Baca dhe nga Lila, i dashur Ali, unë s’jam aspak i kënaqur.

Inglizët i kam merak vetë. Gjenerali (Gjenerali Dejvis –V.H.) kërkoi të na lonte një lodër por s’i shkoj. Nuk mund të ta them dot me hollësira se si i rashë kresë por vetëm do të të tregoj manovrën e tij. Kur erdhi dhe u poq me ne e merr me mend që na tha fjalë të bukura e premtime, e plot të tjera pordhë që na ja pritmë ashtu si e di ti. Kur zumë t’u thoshim të palarat e tyre, ai tha t’i harrojmë këto, pse oficerët tonë kanë qenë të rinj, kanë bërë gabime etj. etj.

Ay na kërkoj mendim për mi Ballin dhe ne ja thamë copë. Na tha se unë do të piqem me ata të Ballit që t’i shof vetë me sytë e mi dhe të bindem vetë se ç’njerëz janë. Ai kërkoj mendimin tonë. Dhe ne i thamë që s’duhesh të piqesh por ay ishte i lirë të bënte ç’të donte por duhet të kishte parasysh që në rast se na delte në rrugëkryq ne do të luftonim pa mëshirë këdo që të ishte (këto natyrisht ia thashë me gjakftohtësi dhe me diplomaci, mos ki frikë, por ja thaçë aq mirë sa edhe vetë jam i kënaqur). Më vonë u takua me Lumo Skendon dhe na thirri edhe ne që të na komunikonte rezultatet. Dhe ja lodra që kërkonte të na bënte. Ay na thotë që u fjalosa pesë orë me Lumo Skendon, ku ishte dhe Bazi dhe s’jam aspak i kënaqur me ta (jo nga Bazi për të cilin flet me admirim) e konstatoj dhe vetë që Balli Kombëtar është në rrugë të gabuar dhe që bashkëpunon me gjermanët, por unë do të bëj tentativën e fundit që Ballin Kombëtar ta hedh në luftë kundër Gjermanëve. I kërkova tha Lumo Skendos një deklaratë në emër të Ballit Kombëtar i cili të deklarojë se është kundër Gjermanëve dhe do të luftojë Gjermanët dhe Lumo Skendua ma refuzoj, por nesër në mëngjes, tha Gjenerali, Lumo Skendua ma dërgoj këtë deklaratë dhe unë e dhashë menjëherë në Londër që ta proklamojë BBC. Kjo deklaratë thosh kështu: Balli Kombëtar është një organizatë patriotike që ka luftuar katër vjet me radhë Italinë fashiste dhe tashti është e vendosur të luftojë okupatorin gjerman. E merr me mend i dashur Ali se si ja prita. I thaçë hapët se s’jemi dakord me këtë punë që keni bërë dhe në rast se Londra e prokllamon këtë ne do të demaskojmë Londrën pa mëshirë dhe marrëdhëniet me ju do të jenë jo të mira. Dhe masandej ja lëshova të tëra ç’kisha në bark. Edhe këtu, nuk dua të mburrem por jam i kënaqur pse dy orë të tëra i kam rënë rëndë kokës sa s’kishte hiç se ç’të thoshte, përveç se keni të drejtë. Në fund pasi mbarova unë ay tha: Mejtoja të ndalonja gjakderdhjen e popullit Shqiptar por nuk reussisova dhe tash këndej e tutje unë nuk do të përzihem në vëllavrasjen e juaj. Ne i thamë se kjo s’është vëllavrasje pse Balli dhe Lumo Skendua me shokë janë tradhëtorë dhe ju në rast se nuk merrni qëndrim kundër tyre, meqë ju e pohoni vetë se ata bashkëpunojnë me Gjermanët, natyrisht nuk jeni në rrugë të drejtë dhe ne po ju lajmërojmë se kemi dalë për të luftuar okupatorin, tradhëtarët dhe të gjithë ata që bashkëpunojë me ta. Nuk dëshirojmë që ju t’ju gjejmë të ngatrruar me tradhtarët e vendit tonë, por në rast se konstatojmë një gjë të tillë s’do hezitojmë as një minutë të godasim këdo që të na pengojë në rrugën tonë të drejtë, qofshin këta shumë të fuqishëm. Ja mbushëm Gjeneralit gojën me nder me mut. Me sa fole ti që s’ishe atje, aq foli dhe Xhenerali.

Këtu jemi me ta. Të gjithë shokëve ju kam shkruar qëndrimin që duhet të kenë me ta, por shumë shokë s’hanë shqip dhe bien brenda në grackat e tyre, gënjehen nga fjalët dhe premtimet e tyre. Për çështjen e Dibrës, jam duke i bërë Gjeneralit një protestë të mirë.

Në Berat ata thonë se puna vete mirë, “Ballin e kanë shpartalluar, Abaz Ermenji ka mbetë vetëm në Lushnje tok me gjermanët, në krahinat e Abazit kanë hyrë tonët dhe shumë njerëz të Abazit janë bashkuar me ne”. Berati vazhdon të jetë një Shqipëri e Lirë, ku kapërceu brigada e I-rë e pritur me lule. Xhelal Staravecka u martua në Berat me ligjin e Këshillit Nacionalçlirimtar. Kompromisi me Gjermanët po ishte i vërtetë si buka që ha ti dhe Gjin Marku fjalë të mëdha sa të duash. Kjo ishte situata atje. Tash gjykoje vetë.

Harrova të të them një gjë interesante me inglezët. Pasi na bënë vizitën e parë ku ishte dhe Mustafa Gjinishi, ne vamë i kthyem vizitën Gjeneralit. Në këtë pjekje biseduam vetëm gjëra në përgjithësi, sepse ishte vizitë kortezije. Asgjë s’u bisedua serioze. Kur u kthyem në otomobil, Mustafa Gjinishi më bën mua një pyetje dhe më thotë pse nuk dërgojmë një delegacion në Londër të na përfaqësojë. Si e mendon ti më thotë, a duhet a s’duhet. Unë i thaçë se nuk mund të dërgojmë ne një delegacion deri sa s’ka dërguar as Jugosllavija, as Greqija. Pastaj delegacioni i jonë në Londër do të jetë vetëm një vegël e Inglizëve sikundër që është ajo e Karl Petrit dhe e Jorgos të Greqisë. Një delegacion i jonë duhet të ketë aprovimin e Urssit (Rusit-V.H.) në radhë të parë dhe ne duhet të kemi aprovimin nga nalt. Mos harro që ne jemi Parti Komuniste etj. etj. S’mund të veproja dot ndryshe me Tafarin, se po të mbaja anën e tij ai do të kuptonte lodrën teme. Kur u poqëm të tretën herë me Gjeneralin për çështjen e Ballit, Xhenerali na tha në mes të të tjerave që Lumo Skendua i tha që Balli Kombëtar si përfaqësues jashtë pranonte Ahmet Zogun. Pastaj Xhenerali më pyeti se a mund të dërgonim dhe ne një delegacion në Londër. Unë ju përgjegja që kjo çështje më vjen papritur, është një propozim i ri, për të cilin duhet vendimi i gjithë Këshillit të Përgjithshëm dhe nuk është punë e lehtë me e mbledhë tërë këshillin; pastaj një delegacion do dhe konditat e veta dhe njohjen e të tre shteteve aleate. Si do qoftë, i thashë unë, s’mund të të përgjigjem pse është me rëndësi, po duhet vendimi i Këshillit dhe kur të kemi rastin që të mbledhim Këshillin do ta bisedojmë këtë çështje. Propozimi i Xheneralit s’më çudit, por puna e Tafarit më intrigon dita ditës më shumë. Prandaj Ali, duhet të vish me informata për të.

Reaksioni po grumbullohet rreth Zogut. Të gjithë lozin letrën e tij. Qeverija e tradhëtarëve dhe ajo lot letrën e tij. Bazin e Canes e kemi thirrur të vijë të piqet, por hala s’po vjen.

Për delegatë te Titua unë kam lajmëruar Trashin. Nakua propozon dhe ay të shkoj me Trashin. Unë ja refuzova. Në këto momente kaq kritike të tërë kërkojë të shkojnë. Se gjej aspak të mirë këtë punë. Unë qëndroj kurdoherë të vejë vetëm Trashi. Puna atje ka rëndësi të madhe, por edhe terreni këtu ka më shumë rëndësi. Momentet i shof të kritikshme. Shokët s’janë në naltësinë e situatës. Kemi në kurriz Gjermanin që po na atakon, reaksionin të tërë që po armatos Gjermani dhe që haptazi po na lufton me forca Gjermane. Duhet bythë e fortë që të dalim matanë. Do t’i dalim por jo shokët të kërkojnë të largohen. Kush nuk do të vejë te Titua. Kush është ai qorr që s’i do sytë. Por duhet të mendojmë edhe për punën e këtushme.

Greqinë e lajmërova që kur mora letrën nga Tempua. Tash varet nga Grekërit për ta çuar. Koçi hala po vjen, asnjë përgjigje s’kam nga ay. Shtëpija tënde as që është filluar të bëhet. Pse? Ata e dinë Shyqyriu me Saminë, unë u kam thënë dy-tre herë. Radiot nga Tirana as që na i kanë dërguar. Ti e di sa herë u kam shkruar. Po ju shkruaj përsëri.

Kam shumë shumë gjëra për të thënë, po hajde sa ma parë. Mos u vono me Tempon se ay i ka punët në rregull, po na duhet t’i rregullojmë dhe ca më mirë. Po i thuaj Tempos që nuk do të turpërohemi edhe ne. Do të bëjmë ç’mos që ta ndjekim në mos afër, por ç’ka edhe ca më larg Partinë Heroike Jugosllave.

Mices i thuaj shumë të fala nga unë dhe nga shokët dhe e falendero për fjalët dhe mendimet e mira që ka për ne dhe për partinë tonë.

I urojmë të gjithë shëndet të mirë dhe suksese të shkëlqyera për ushtrinë lavdiplotë të Titos.

Eja sa më parë.

Shumë të fala.

 

*Studiues

 

Burimet

 

1. AQPPSH, F.14/APL Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Shqiptare (1941 – 1944), V.1943, D.23/1.

2. David Smajli, Vitet shqiptare ’43-’45, “UET Press”, Tiranë, 2012.

3. Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, V. I, Botimi i dytë, “8 Nëntori”, Tiranë, 1976.

4. Epopeja e luftës antifashiste nacionalçlirimtare e popullit shqiptar 1939-1944, “8 Nëntori”, Tiranë, 1981.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency