Intervista/ Namik Ajazi: Të kthehesh në Tiranën e ‘85-ës ishte e pamundur

0
269

filmi 2 amaneti  (1) namik ajazi2Pse keni marrë këtë pjesë të historisë në film?

Kemi zgjedhur këtë temë, se është pjesë e historisë sonë. Deri tani mendoj se kolegët tanë kanë pasur interesin për të trajtuar një pjesë tjetër të Shqipërisë, atë të pasviteve ‘90. Ose ajo çfarë ka qenë para viteve ‘90 është parë në termin e baladave, virgjëreshave të betuara, të gjakmarrjes, prostitucionit, kriminalitetit, ndaj mendova se është një boshllëk ndaj të cilit mendoj se e ndiej veten brenda kësaj historie. Kam pasur diçka personale në të shkuarën, të dhimbshme, por unë tregoj këtë pjesë duke shpresuar se do të jetë vetëm rrugëtimi i një fillimi të një udhëtimi shumë të gjatë duke treguar drama dhe shumë histori më interesante se kjo që kanë ndodhur gjatë atyre viteve. Për më tepër është detyrim ndaj brezit të ri që shumë pak e njohin atë periudhë vetëm ndërmjet dosierëve të gazetave, intervistave, kujtimeve që shpeshherë janë edhe të deformuara.

 

Pamë aty konsulent drejtorin e Arkivit në Ministrinë e Brendshme, studiuesin Kastriot Dervishi, a mund të na thoni nëse keni marrë në konsideratë për këtë histori ndonjë dosje apo person konkret?

Ky është një film fiction. Kastriot Dervishi ka qenë konsulent i filmit, i është dhënë skenari dhe jemi konsultuar për të mos dalë jashtë panoramës së përgjithshme që përfaqësonte asokohe Sigurimi i Shtetit. Kastrioti ishte ai që ka parë nëse ne, me historinë tonë, kishim ekzagjeruar, kemi thënë ndonjë gjë jashtë realitetit që nuk kishte ndodhur dhe këto gjëra. Ky është pozicioni i konsulentit. Nuk ka ndonjë histori të një personi. Nëse më pyesni për këtë, ju them sinqerisht se është bashkim i disa historive. Nisur dhe nga dokumentarë të mëparshëm që kam bërë, sigurisht që kam hulumtuar shumë dosje të Ministrisë së Brendshme. Kam njohur persona që kanë pasur histori të ngjashme, besoj se sot në premierë do të ketë shumë të ftuar, të cilët një pjesë të kësaj historie e kanë kaluar mbi supe. Ka pasur njerëz, të cilët, pavarësisht se nuk kishin asnjë gjë, në një moment të caktuar u gjendën kundër diktaturës, po aty ku ishim dhe ne, pra pas telave me gjemba, në internim, një pjesë humbën dhe jetën.

 

Në film ka një qasje, që ndoshta nga ju do të marrim sqarimin si shqetësimin e regjisorit, ku jepet një shtresë që nuk ka lidhje me të persekutuarit politikisht, por është tregimi brenda Bllokut, të cilët i kanë prerë kokat e njëri-tjetrit. A nuk përbën ky film një “himn” ndaj tyre dhe shmangie ndaj persekucionit të vërtetë të diktaturës?

Jo, absolutisht. Kjo është një pjesë e persekucionit. Ajo që unë them, dhe në titrat e fundit është e mirëdetajuar, lidhet me një amanet të papërfunduar për shoqërinë shqiptare: dekomunistizimi i shoqërisë. Pra, ne kemi ende dosje të pahapura, persona të cilët nuk kanë kërkuar falje, as morale. Kemi persona dhe struktura që nuk njihen se kanë qenë pjesë e atij sistemi dhe ajo që mungon është një fjalë, që përtej kësaj faljeje është krejtësisht e pranueshme dhe merr rrjedhën e vet. Dua t’ju them një gjë, që historia ishte e dhimbshme për të gjitha palët. Unë kam qenë pjesë e një familjeje antikomuniste, e persekutuar për tre breza. Unë isha i treti brez në kampin e Qafë-Barit, në vitet ‘87-‘90, dhe bashkë me mua ishin dhe dy djem të ish-anëtarëve të Byrosë Politike, të cilët ishin njohur dhe jashtë, nuk më kishin gjykuar. Por gjendeshim aty për arsye të ndryshme; unë si pasojë e prejardhjes familjare dhe ata si pasojë se baballarët e tyre në një moment të caktuar kishin guxuar ose kishin bërë diçka kundër vijës së Enver Hoxhës. Ne ishim aty në të njëjtin kamp.

 

Si duket ky film na sugjeron të mos shohim realitetin ose është një moral i parealizuar, pasi deri më sot asnjë nga persekutorët nuk ka kërkuar falje, dhe këta të Bllokut?

Këtë sapo e thashë më duket, ky është një apel moral që bën filmi. Pastaj filmi sjell një histori, që siç e thashë është bashkim i historive të personave të cilët kanë qenë pjesë e oborrit, kanë shërbyer me devotshmëri dhe pastaj janë vrarë dhe persekutuar në të njëjtën mënyrë.

 

Filmin duket sikur e shpëtoi fotografia; pamë shumë pak nga atmosfera e kohës, kjo kishte të bënte me estetikën, mungesë financiare apo mungesë ambientesh të kohës? Dhe me çfarë kostoje është përballuar ky produksion?

Të kthehesh në Tiranën e ‘85-ës ishte e pamundur. Për të xhiruar një Tiranë siç duhej, do të kishim mundësinë siç kanë studiot e Hollivudit që ndërtojnë makete të tëra të qyteteve mbi të cilat xhirohet. Janë të gjitha qytetet në mënyrë perfekte në dekor dhe më pas i ndriçojnë dhe popullarizojnë me figurantë. Ne këtë nuk e kishim, nuk kishim luksin për të pasur një Tiranë të atyre viteve, nuk kishim luksin të përdorim materiale arkivi të filmave të atyre viteve, për arsye se mundësia teknike është krejtësisht e ndryshme, pasi ne kemi xhiruar në 4K, me rezulocion shumë të lartë, kurse në atë kohë ka qenë thjesht pelikula më e dobët që prodhonte në atë kohë Gjermania Lindore. Buxheti ka qenë supermodest, QKK ka dhënë vetëm 164 mijë euro për një film, i cili ka kushtuar 800 mijë euro, suportuar nga Mediavizion dhe bashkëprodhues të tjerë.

 

Çfarë rruge do të ndjekë ky produksion pas premierës?

Filmin e kemi çuar, nëse do kemi fatin të selektohet në Kanë. Më pas do vazhdojë rrugën e gjithë distrubucionin në Shqipëri. Filmi është bërë për shqiptarët, nëse u pëlqen jam krejtësisht i plotësuar dhe  motivuar. Nëse do të ketë një akses në festivale mirë se të vijë. Por filmin e kam bërë për të prekur një çast shumë delikat të historisë së asaj kohe. Ligji shqiptar thotë se shteti financon pjesërisht filmin.

 

A mund të rikuperohen shpenzimet?

Absolutisht jo, nuk mund të rikuperohen. Paralel me mua ishin edhe pesë produksione të tjera, të cilat buxhetin më të keq e kishin 2 milionë euro. Megjithatë, ne bëmë një film të mirë, e thënë prej tyre. Njerëz që pak e njihnin historinë shqiptare na thanë se keni aktorë të shkëlqyer, historia funksionon, fotografia është perfekte, shpresojmë që filmi të pëlqehet.

Intervistoi: Violeta Murati

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency