Cani: Nuk duam të krijojmë borxhe të reja

0
119

Ervin Kaduku

 

 

Kreu i Financave afirmon sërish se afati i rimbursimit të TVSH-së për kompanitë është deri në 60 ditë. Më pas pagesa do të kryhet nga Thesari, praktikë e re kjo

 

cani-shkelqimMinistri i Financave, Shkëlqim Cani, ishte i ftuar dje në Forumin e CEO-ve, organizuar nga Dhoma e Amerikane e Tregtisë, për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe diskutuar me drejtuesit e disa prej kompanive kryesore në vendin tonë, në lidhje me: 

– çështjet e legjislacionit fiskal dhe paketa për 2015-ën;

– bashkëpunimi dhe transparenca me biznesin;
– paketa fiskale 2014;
– problematika të ngritura nga anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë, etj

Përpara prezantimit të reformave që po ndërmerr aktualisht ministria, Cani përcolli te CEO-t pikëpamjen e tij të bashkëpunimit me biznesin, i cili për ministrin duhet të jetë i dyanshëm. “Ne duam të ndryshojmë sjelljen ndaj jush, sikurse kuptohet, se po ndaj jush kemi pritshmëri të larta për pagesën e detyrimeve ndaj shtetit. Në një farë kuptimi i jemi borxh njëri-tjetrit! Të gjithë bashkarisht duhet të identifikojmë dhe të luftojmë evazionin fiskal. Ne, Qeveria sigurojmë të ardhura për buxhetin, kurse ju, biznesi, operoni në një treg më konkurrues dhe të barabartë përpara ligjit ”.

Më tej, ministri foli për disa procese të nisura nga dikasteri i Financave në lidhje me pagesat e detyrimeve të prapambetura, rimbursimi i TVSH me procedura të reja, apo dhe rishikimi i kuadrit ligjor fiskal, me synim rregullimin/harmonizimin e tij.

“Ne nuk duam të krijojmë borxhe të reja. Afati i rimbursimit të TVSH është deri në 60 ditë. Më pas pagesa do të kryhet nga Thesari, praktikë e re kjo, dhe tepër transparente.

Në lidhje me kuadrin ligjor, jemi angazhuar bashkë me ju (bizneset), që brenda 6-mujorit të parë të kemi matricën e plotësuar me propozimet, udhëzimet dhe rishikimet për veprimtaritë fiskale. Jemi duke diskutuar këto ditë Kodin e ri Doganor, prej muajsh projektligjin e TVSH, si dhe një sërë aktesh të tjera, në bashkëpunim të ngushtë me grupet e interesit.

Po punojmë për të përmirësuar shërbimin ndaj tatimpaguesit, forcimin e Avokatit të Tatimpaguesve si dhe një qasje të re të Drejtorisë së Apelit në DPT.

Kemi ngritur një grup pune për të realizuar përmirësimet dhe reduktuar kostot e evidentuara në raportin e ‘Doing Bussines’”.

Në kuadër të transparencës, ministri garantoi anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë se çdo iniciativë e ministrisë për ndryshim të akteve ligjore dhe nënligjore do të publikohet në faqen e internetit.

“Pres nga ju kritika, sugjerime, të jeni më aktivë dhe ndihmues, sidomos në proceset e rishikimit teknik të akteve ligjore dhe nënligjore”, përfundoi ministri fjalën e tij.

Në lidhje me diskutimet, ankesat e bizneseve konsistonin më së shumti me gjobat e vendosura nga organet e fiskut dhe sjellja e tyre ndaj tatimpaguesve, ekonominë informale dhe ishin të interesuar të mësonin rreth procesit të pagesave të detyrimeve, rimbursimit të TVSH, etj.

Biznesi është në pritje që këto premtime të bëhen realitet. Deri tani, gjithshka ka mbetur në nivelin e fjalëve…!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency