Rrëfimi i trashëgimtares, Manushaqe Halilaj: Nuk gjenden eshtrat e Hoxha Tahsinit

0
163

fot manushaqja“…Ka pasur momente kur ndonjëherë më diktonin rrethanat e më tundonte mendimi të hiqja dorë dhe kjo për disa arsye. Dhe s’kam pse t’i fsheh: ishin pengesat në aspektin fizik, profesional, financiar, mungesa e gjuhës, e sidomos përkthimi nga osmanishtja.

Për mua ishte fat takimi në vitin 1979 me intelektualin e shquar Vexhi Buharaja, i cili bujarisht më tha dhe më dha “çfarë dinte dhe kishte” për Hoxha Tahsinin.

Nga ato që njoh, mund të them se ai është babai i rilindasve. Jo për nga mosha, por për nga dijet e shumta që kishte si dhe për angazhimet për çështjen shqiptare. Mehdi Frashëri shkruan: “Hoxha Tahsini, nga pikëpamja e shqiptarizmës mund të konsiderohet si mjeshtri i Sami Beut, Ismail Qemalit, Vaso Pashës, Daniel Operakut e disa të tjerëve të rinj shqiptarë, të cilët kanë marrë pjesë në fillimin e lëvizjes kulturore shqiptare më 1879 në Stamboll”.

Kam parasysh gjithashtu Sami Frashërin, Ria Teufikun, Sermetin Toptanin, Abedin Dinon dhe shumë të tjerë që flasin me superlativa për të. Ai i dha mësim dhe dije rilindasve të rinj e i trajtoi si të ishin bijtë e tij, por mori nga ata vlerësimet, respektin dhe mirënjohjen.

Ish-nxënësi i tij, poeti turk Abdyl Hak Hamiti, që është quajtur dhe Shekspiri i Turqisë, në elegjinë që i kushtoi mësuesit të tij Hoxha Tahsini ndër të tjera vargëzon:

Ai jo vetëm në varfëri, pro edhe në bujari ishte i vetmi,

Kamja e tij ishte një bibliotekë

Dëshmia më bindëse për të vërtetuar varfërinë e tij

Gjuhë të shumta zotëronte,

Ishte zbukurues i kuvendeve me moral të lartë

Ishte vëzhgues i botës dhe shkencëtar shumë i ditur,

Ishte thesar i njohurive shkencore,

Ndoshta një botë e tërë dijesh

Ishte filozof, letrar e vjershëtar,

I zoti t’i përgjigjej çdo pyetje që i bëhej

Me gjithë këtë përsosmëri, shumë herë kishte ndodhur

Që barkun ta ngopte me bukë thatë.

 

Edhe pse e vetme, në vend të huaj, bëra një aventurë disaherëshe e me shumë emocion për të gjetur varrin e tij, duke kaluar e kërkuar varr më varr dhe nuk munda t’a gjeja. Kjo mund të jetë dhe një apel për organet kompetente, që kësaj figure t’i jepet vendi që meriton.

Hoxha Tahsinit ka shumë për të thënë, por është vështirë për të folur, sepse ende nuk njihet mirë jeta e vërtetë dhe aktiviteti i tij shkencor.

Është e vërtetë se ishte kundra biografive. Ai adhuronte antropologjinë duke nënvizuar: “Në vend që të merremi me gjendjen dhe shqetësimet e pesë apo dhjetëve vetëve, është më mirë të merremi në përgjithësi me hallet dhe shqetësimet e gjithë njerëzimit”.

Veç kësaj ai nuk pati trashëgimtar që të ruanin veprën e tij, por në kohën që ishte i moshuar e në varfëri të plotë, i sëmurë, nga tuberkulozi që atëherë ishte sëmundja e shekullit, në të gjallë dhe pas vdekjes, veprat e tij u rrëmbyen nga të tjerët. Për këtë fakt, Riza Teufiku shkruan: Hoxha Tahsini ishte në radhën e njerëzve të mëdhenj. Ai kishte një shpirt fisnik. Është për të vajtuar se veprat filozofike të shkruara prej tij u shpartalluan, meqenëse ranë në duar të pakujdesshme dhe të paditura”.

Edhe Mehdi Frashëri në vitin 1934 shkruan: “Me qënë se ishte i vetëm në vdekjen e tijë, kush mundi rrëmbeu e grabiti librat dhe dorëshkrimet e tij”.

Në këta tre libra, në të parin janë përfshirë tri vepra të H. Tahsinit:

“Historia e krijimit ose e qënies”; “Sekretet e ajrit dhe të ujit”; si dhe “Psikologjia”.

Nga këta dy libra përmbajnë 7 numra të revistës shkencore që botoi në vitin 1879, kur ishte në moshën 68-vjeçare.

Në numrat e kësaj reviste ka shkrime për dijen, për domosdoshmërinë dhe vlerën e arsimit, alfabetit, gjuhës e të tjera. Ka botuar gjithashtu studimin për “Sekretet e ajrit dhe ujit” si dhe pjesërisht studimin për astronominë.

Ai kishte stil, shkruante shumë bukur, ishte dhe poet, i një natyre tjetër, asaj filozofike.

Kanë qenë emocione të mëdha kur për herë të parë, para 16 vjetëve, hyra në dhomën ku ka jetuar Hoxha Tahsini, dhe ka punuar në dhjetët vjetët e fundit të jetës së tij.

Për këtë mjedis e për bibliotekën, Sami Frashëri shkruan: “Kundrejt shtratit kishte një makinë elektrike, në krye një teleskop, në këmbë një mikroskop, duke mbajtur në dorë një libër e që shumë herë e zinte gjumi në të. Muret dhe tavani ishin të mbushura me figura fizike, histori natyre, gjeologjie, kozmografie dhe astronomije. Ajo shtëpi dukej sikur ish një pasqyrë e vogël e rruzullimit”.

Jani Vreto ka shkruar se në shtëpinë e Hoxha Tahsinit janë bërë mbledhjet e patriotëve rilindas. Ndërsa kur kam takuar në vitin 1998 osmanologun e shquar turk, profesorin e nderuar z. Fark Akuin, më ka folur me pasion e dashuri për Hoxha Tahsinin. Profesori kishte studiuar për të. Kur e takova pas disa vitesh përsëri, arrita të regjistroja zërin e tij, prej kësaj fjale shkëpus:

“Hoxha Tahsini përpiqej të gjente përgjigjen e pyetjeve të tilla si: Madhështia e gjithësisë? E fshehta e krijimit? Vendi i njeriut në gjithësi, thelbi i jetës apo ekzistencës… Hoxha Tahsini mrekullohej pas njohjes së astronomisë”.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency