Parashikimet për “El Clasico”-n, Reali i Madridit favorit?

0
113

Asgjë nuk dihet në një ndeshje të tillë, por bookmakers-at favorizojnë galaktikët që duken pak më superiorë se blaugranasit

 

mesi ronaldaMediat nxehin “El Clasico”-n dhe sigurisht që ato madrilene i fryjnë erës në favor të velave që të çojnë në kryeqytet. Sipas të përditshmes “AS”, që bazohet në të dhënat e kompanive kryesore të basteve, Reali i Madridit është favorit për të fituar superklasiken e së dielës. Kështu, sipas një përllogaritjeje mesatare, bastvënësit që do tu besojnë “Los Blancos”-ve mund të luajnë me koefiçentin 2.2, ndërsa ata që vendosin të rrezikojnë me Barcelonën, do të kenë në xhepin e tyre trefish më shumë të holla në rast se katalanasit dalin fitimtarë nga “Santiago Bernabeu”. Sipas boomakers-ave, barazimi është një opsion më pak i mundshëm në “El Clasico”, prandaj edhe koefiçenti për asnjë fitues në fushën e lojës është 3.5. Një tablo krejt e ndryshme nga ajo e prag ndeshjes së parë ku Barcelona kuotohej me 1.8, ndërsa Reali 4.25. Por betejat e mëdha udhëhiqen edhe nga gjeneralë të mëdhenj dhe këtu nuk bëhet fjalë për krahasimin që bëri Sep Blater pak kohë më parë sepse në lojë tashmë janë dy të tillë, Cristiano Ronaldo e Lionel Mesi. Një sfidë brenda sfidës që nuk ka se si të qëndrojë jashtë vëmendjes së bastvënësve. Kështu, nëse portugezi shënon golin e parë të ndeshjes, ata që i besojnë do të shpërblehen me 4.5 fish më shumë se paratë që do të vendosin në emrin e tij, ndërsa Mesi shënues i parë kthen mbrapsht 5.75 nëse në bast vendos vetëm 1 euro. Por Reali nuk është favorit vetëm në “El Clasico”, sepse bastet i japin të drejtë skuadrës “Merengues” edhe në garën për titullin kampion ku skuadra e Ançelotit kuotohet me koefiçentin 1.27, Barça 5.1 dhe Atletiko Madrid 9.4. Një diferencë e frikshme mes “Los Blancos” dhe dy ndjekësve, edhe pse në klasifikim mund të ndryshojë gjithçka gjatë javëve të ardhshme.

 

 

Realit i bashkohet Benzema

Karim Benzema vihet nën urdhrat e Karlo Ançelotit dhe mund të luajë titullar në “El Clasico”-n e së dielës. Sulmuesi francez, i cili u dëmtua ndaj Malagës në kampionat, iu bashkua grupit në stërvitje, pasi nuk ka shqetësime fizike. 25-vjeçari mungoi në seancat e para të javës anti-Barcelonë, duke dhënë përshtypjen se nuk do të riaftësohej në kohë për superndeshjen e javës së 29 të Primera Division, por lajmet e fundit që vijnë nga Valdebebas janë shumë premtuese. Përveç se te Benzema, Ançeloti mund të mbështetet edhe tek mbrojtësi portugez Pepe, i cili gjithashtu ka pasur probleme fizike ditët e fundit. Në seancën e fundit stërvitore iu bashkuan grupit edhe titullarët që luajtën në Champions, ndërsa Kristiano Ronaldo dhe Di Maria u stërvitën në palestër. Përveç Jese Rodriguez, i cili u operua në gju pas dëmtimit të rëndë që pësoi ndaj Shalkes, në infermieri ndodhen Sami Kedhira dhe Alvaro Arbeloa, që vijojnë procesin e riaftësimit.

 

 

Iniesta: Tani më të fortë se kurrë

Andres Iniesta kërkon që tifozët të kenë besim tek Barcelona në prag të “klasikes” pasi ekipi e meriton këtë gjë falë sukseseve të viteve të fundit: “Nuk mendoj se ka tifozë tanët që nuk besojnë tek fitorja jonë në “Bernabeu”. Askush të mos mendojë se Reali do na mundë me lehtësi. Jemi shumë të motivuar. Kemi një ndeshje të rëndësishme përpara. Po përgatitemi mirë për të shkuar në formën më të mirë të mundshme. Nuk e di se çfarë mendojnë njerëzit. Unë besoj se tifozët tanë kanë besim tek fitorja jonë pasi ne e meritojmë besimin me atë që kemi treguar gjatë viteve të fundit. Kemi pasur ndeshje të dobëta, por nuk jemi 20 pikë larg Realit, vetëm 4. Nuk e dimë si do të luajë. Ne duhet të luajmë ndeshjen perfekte, të luajmë si Barça sepse nëse nuk e bëjmë këtë, do të kemi probleme të mëdha. Duhet të hyjmë në fushë për të fituar. Kur e shohim në formë, mbushemi me besim. Është shumë e rëndësishme të mbajë një nivel të lartë. Gjatë një sezoni një lojtar mund të ketë ulje-ngritje, por tani që vendosen titujt, ai është mirë”.

 

 

Valdes shumë pranë Sitit

Mançester Siti pritet ta mposhtë Monakon në garën për të nënshkruar me portierin e Barcelonës, Viktor Valdes. Me kontratën që skadon në fund të qershorit, Valdes është në negociata me disa klube që nga Viti i Ri. Megjithatë, “L’Equipe” shkruan se Valdes, 32 vjeç, do të luajë për Mançester Sitin sezonin e ardhshëm. Të dyja palët raportohet se janë afër një marrëveshje pas negociatave intensive ditëve të fundit. Ai ka pranuar një marrëveshje për të luajtur për Monakon, por ajo i lejon atij të nënshkruajë për një klub tjetër, nëse vjen ndonjë ofertë më e mirë.

 

 

Pirlo shënon dhe kualifikon Juventusin

Andrea Pirlo ka shënuar golin e vetëm të ndeshjes, sërish nga goditja e lirë, për të ndihmuar Juventusin të fitojë 1-0 ndaj Fiorentinës dhe të kualifikohet në çerekfinale të Europa League. Ndeshja filloi me një intensitet të lartë, me të dyja skuadrat që kërcënuan portat kundërshtare. Ishin vendasit që patën dy raste në minutat e para të takimit, por Josip Iliçiç dhe Mario Gomez dështuan, në të dy rastet të asistuar nga Borja Valero. Valero vazhdoi të krijojë raste të tjera në ndeshje, por sulmi i “Viola”-s nuk arriti të gjente rrejtën e Bufonit. Bardhezinjtë po ashtu kërcënuan në disa raste në pjesë të parë, kryesisht me anë të Karlos Tevezit, që pati disa goditje në portën kundërshtare. Me mjaft intensitet filloi edhe pjesa e dytë, me raste nga të dyja skuadrat. Por momenti vendimtar i takimit dhe i gjithë sfidës ishte ndërhyrja e Gonzalo Rodriguez në Fernando Lorente, që përjashtoi nga ndeshja mbrojtësin argjentinas. Andrea Pirlo edhe një herë dërgoi një goditje të përkryer në këndin e djathtë lartë të portës së Fiorentinës, dhe që doli të ishte goli i vetëm i takimit (71’). Me një lojtar më shumë në fushë, bardhezinjtë kërkuan edhe golin “e qetësisë”, por nuk e gjetën.

 

 

Valencia dhe Lioni arrijnë kualifikimin për në fazën tjetër

Valencia ka shënuar fitore minimale, 1-0, në ndeshjen e kthimit ndaj skuadrës bullgare Ludogorets Razgrad. Golin e vetëm të takimit e shënoi Francisko Alkaçer, pas gati një ore lojë (59’). Spanjollët kualifikohen në çerekfinale të garës së dytë evropiane, për nga rëndësia, me rezultat të përgjithshëm 4-0, pas fitores 3-0 në takimin e parë si mysafir. Ndryshe nga Valencia, Lion pësoi me rezultat 2-1 në ndeshjen e kthimit si mysafir i Viktoria Plzen. Megjithatë francezët u kualifikuan në çerekfinale të garës evropiane me rezultat 5-3, kjo falë komoditetit të krijuar nga ndeshja e parë si vendas, të cilën e fituan me rezultat 4-1. Në çerekfinale të Europa League më herët gjatë ditës është kualifikuar edhe AZ Alkmar. Skuadra holandeze nxori barazim pa gola ndaj rusëve të Anzhi Makashkala, por u kualifikua falë fitores 1-0 në takimin e parë.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency