Shpronësimet/ Qeveria ofron zgjidhje afatshkurtër për problemin e varrezave në Tiranë

0
154

Tahiri: Dosja ishte me problem, prandaj u vonua vendimi

 Bashkia e Tiranës: Ministri po justifikohet për bllokimin që u bëri shpronësimeve deri dje

 

 

Varreza_dielli_alZgjidhet problemi i varrezave në Sharrë dhe Tufinë. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, qeveria miratoi vendimin për shpronësimin e banorëve, por duket se ky vendim i qeverisë do të japë një zgjidhje jo për një kohë të gjatë, por vetëm për 2-3. “Kjo zgjidhje do shërbejë për një hark kohor jo më shumë se 2-3 vjet. Kemi kërkuar vazhdimisht nga Bashkia Tiranë t’i përmbahet angazhimit publik dhe të ofrojë zgjidhje permanente në çështjen e varrezave. Çështja e varrezave në Shqipëri meriton zgjidhje definitive që mos të na çojnë në zvarritje shpronësimesh pafund dhe të çojmë në hartën e Shqipërisë varreza pafund. Por të japim zgjidhje cilësore dhe siguri”, – u shpreh Tahiri gjatë një konference për shtyp në Kryeministri. Edhe gjatë ditës së djeshme, ministri i Brendshëm kërkoi të fajësonte Bashkinë e Tiranës për vonesën e shpronësimeve. “Ishte papërgjegjshmëri e pushtetit vendor. Dosja për shpronësim është dorëzuar në qershor të 2013-ës në kohën kur Ministria e Punëve të Brendshme drejtohej nga qeveria e kaluar. Kjo dosje mbeti në harresë, pasi qeveria e shkuar, sot në opozitë, kishte prioritar publicitetin mediatik dhe jo punën për qytetarin. Ne, me të ardhur në detyrë, shqyrtuam dosjen dhe në dhjetor i kthyem përgjigje Bashkisë për disa parregullsi që shqyrtuam më 27 shkurt të 2014-ës. Bashkia na solli dosjen e plotë të cilën ne menjëherë e shqyrtuam dhe sot (dje) e sollëm projektvendimin për miratim në Këshillin e Ministrave”, – përmendi Tahiri.

 

Reagimi

Për Bashkinë e Tiranës deklarata e ministrit të Brendshëm ishte një justifikim që kërkonte të shfajësohej për bllokimin e shpronësimeve të varrezave të Tiranës. Bashkia e Tiranës shpreh keqardhjen për justifikimin e pavërtetë dhe të paturp të ministrit Tahiri, për bllokimin e shpronësimit për varrezat publike të kryeqytetit. Nga shtatori deri në dhjetor, ministri heshti ndaj kërkesave të vazhdueshme zyrtare dhe mediatike të Bashkisë. Në dhjetor, përgjigjja e Ministrisë dëshmoi paaftësinë dhe panjohurinë e tyre për procesin. Bashkia e Tiranës i sqaroi zyrtarisht edhe në takime të posaçme zyrtarët e rinj, që kërkesat e tyre ishin joligjore. Pasi e kuptuan se kërkesat e tyre ishin absurde, u tërhoqën dhe na kërkuan të procedojmë. Sërish korrigjuam paaftësinë dhe paditurinë e tyre, duke u kujtuar procedurat ligjore që duhet të ndiqnin, të cilën e bënë vetëm sot me vendimin e qeverisë. Sot (dje), paaftësinë, papërgjegjshmërinë dhe bllokimin absurd, ministri u mundua ta fshehë, duke sulmuar Bashkinë e Tiranës.

 

 

Vendimi i qeverisë

 Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga rehabilitimi dhe zgjerimi i varrezave publike, Sharrë, faza IV, dhe Tufinë, fazat III dhe e IV, në bashkinë e Tiranës. Shpronësimi bëhet në favor të bashkisë së Tiranës. 

-Sharrë, faza IV, për sipërfaqen 10 604 (dhjetë mijë e gjashtëqind e katër) m² truall, 4 851 798 (katër milionë e tetëqind e pesëdhjetë e një mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë e tetë) lekë.

– Tufinë, faza III, për sipërfaqen 5 729 (pesë mijë e shtatëqind e njëzet e nëntë) m², truall, 2 236 416 (dy milionë e dyqind e tridhjetë e gjashtë mijë e katërqind e gjashtëmbëdhjetë) lekë.

– Tufinë, faza IV, për sipërfaqen 15 688 (pesëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e tetë) m², truall, 5 187 840 (pesë milionë e njëqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e tetëqind e dyzet) lekë. 

– Vlerat e përcaktuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të kësaj pike, të përballohen nga të ardhurat e bashkisë së Tiranës, miratuar në buxhetin e vitit 2014.

– Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga bashkia e Tiranës.

– Afati i përfundimit të projektit të jetë tre muaj pas miratimit të projektit.

– Regjistrimi i ri i pasurisë prej 10 604 m², truall, Sharrë, faza IV, 5 729 m², truall, Tufinë, faza III, si dhe 15 688 m², truall, Tufinë, faza IV, të bëhet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

– Afati i përfundimit të punimeve të objektit “Rehabilitimi dhe zgjerimi i varrezave publike, Sharrë, faza IV, dhe Tufinë, fazat III dhe IV”, në bashkinë e Tiranës, të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.

 

 

Bozdo: Rama kërkon të bllokojë sërish ndërtimin e bulevardit të Tiranës

Kur dukej se vendimi i Gjykatës Administrative i dha zgjidhje çështjes së ndërtimit të bulevardit, sipas Bashkisë së Tiranës, Kryeministri po tenton sërish ta bllokojë. Gjatë një konference për shtyp, nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo, u shpreh se “Edi Rama ka urdhëruar përsëri bllokimin e kësaj vepre strategjike”. “Bllokimi”, sipas Bashkisë, po bëhet nëpërmjet ngrirjes së fondit për shpronësimet. “Edhe kësaj radhe, në mënyrë absurde dhe të paligjshme ka urdhëruar shkeljen e ligjit për pushtetin vendor, duke imponuar në mënyrë të paligjshme “ngrirjen” e fondit për shpronësimet në bulevardin e ri. Edi Rama nuk i duron dot veprat. Paaftësia e tij si Kryeministër dhe xhelozia për këtë kantier të madh të kryeqytetit, i vetmi ku punohet sot në Shqipëri, e shtyjnë atë drejt këtyre veprimeve antiligjore. Nën këtë kllapi xhelozie dhe revanshi, Edi Rama ka një dhe vetëm një objektiv: bllokimin e projekteve të Bashkisë së Tiranës me çdo çmim. Bllokoi buxhetin, bllokoi shpronësimin për varrezat publike, bllokoi kreditë për të pastrehët, bllokoi bulevardin, uli në mënyrë të jashtëligjshme të ardhurat e Bashkisë së Tiranës dhe po bën gjithçka për të penguar mbarëvajtjen e punëve në kryeqytet. Bashkia e Tiranës e ka informuar zyrtarisht prefektin se “ngrirja” e fondit për shpronësimet në bulevardin e ri është në kundërshtim të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”. Urdhëruesi i këtij veprimi antiligjor dhe konfliktual, Edi Rama po skalit çdo ditë e më fort emrin e tij si kryeministri i bllokimit, paaftësisë dhe dufit ndaj qytetarëve të Tiranës”, – deklaroi nënkryetari i Bashkisë.

 

Prefekti

Prefekti i Tiranës, gjatë një njoftimi për shtyp, pranoi se ka bllokuar fondin e shpronësimit të pronarëve që do të preken nga ndërtimi i bulevardit. “Pjesa e përcaktuar në program – buxhet në fq 129 të tij tek shpronësimet në interes publik (kompensimi i pronarëve që përdoren për interes publik si për ndërtimin e rrugëve, shkollave etj) me vlerë (580,955,290 lekë për vitin 2014), në të cilën nuk është pasqyruar saktë vlera e dëmshpërblimit për shpronësimet e qytetarëve sipas VKM nr. 752 dt. 5.9.2013 “Për shpronësimin në interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme,pronë private,që preken nga zbatimi i projektit të bulevardit verior dhe rehabilitimi të lumit të Tiranës, faza e parë, në Bashkinë e Tiranës” nuk konfirmohet. Në këtë VKM përcaktohet qartë vlera e plotë e shpronësimit prej 1,757,476,521 (një miliard e shtatëqind e pesëdhjetë e shtatë milionë e katërqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e pesëqind e njëzet e një lekë) që do të përballohet nga Bashkia Tiranë, detyrim ky i cili duhet të ishte parashikuar i plotë dhe jo i copëzuar nga ana e Këshillit Bashkiak, në detajimin e buxhetit për vitin 2014. Prefekti i Qarkut Tiranë përmes bazës ligjore të sipërpërmendur, i është drejtuar me një shkresë për “Konfirmimin e ligjshmërisë”, Këshillit Bashkiak, konform kompetencave dhe detyrimeve që i ngarkon ligji. Prefekti i Qarkut Tiranë distancohet nga akuzat me karakter politik, që e cilësojnë këtë veprim ligjor si një “bllokim” dhe kërkon t’ju vërë në dijeni se “Konfirmimi i ligjshmërisë” i është dërguar Këshillit Bashkiak më datë 17.03.2014, më nr Prot. 1028, përpara zbardhjes së vendimit të Gjykatës Administrative në lidhje me procesin INUK – Bashkia e Tiranës”, – përfundoi reagimin Prefektura e Tiranës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency