Nëna e Denis Jangullit/ “Telefonatë anonime, më njoftuan vdekjen e djalit nga një predhë”

0
115

Anxhela Tato

 

Rrëfimi i Naile Jangullit: Djali më tha që do ikte për Haxh në Mekë, nuk do ta lija të shkonte në Siri

 E moshuara, thirrje shtetit që t’i dënojë të gjithë kriminelët që i dërguan djalin në Siri

 

 

-Xhamia-TiraneNaile Jangulli, nëna e Denis Jangullit të vrarë në Siri, rrëfen se një person i ka telefonuar, duke e vënë në dijeni për vdekjen e të birit. Por e moshuara shpreson që djali i saj të jetë ende gjallë, duke mos e besuar se ai ka humbur jetën në Siri. Ajo tregon se telefonuesi ka mbetur anonim duke mos i treguar identitetin e tij. Të vetmet fjalë kanë qenë që Denisi ishte goditur nga një predhë kur po lëvizte me automjet. Por për të moshuarën këto mbeten thjesht fjalë dhe pa prova konkrete ajo nuk mund të besojë lajmin e hidhur të vdekjes. Naile Jangulli është e vendosur që të kërkojë në çdo lloj forme djalin e saj, ndonëse vështirësisë dhe pengesës së moshës. Ajo është e gatshme që të provojë çdo mënyrë për të gjetur të birin e saj. Naileja rrëfen se djali i saj ishte besimtar i fesë islame dhe i shkolluar për infermieri. Ajo tregon se Denisi kishte vendosur që të shkonte në Arabinë Saudite për Haxh. “Denisi më tha se do të shkonte në Mekë për Haxh dhe unë isha dakord me këtë vendim të tij. Nuk e dija që djali im donte të shkonte në Siri për luftë”, – vijon tregimi i Nailes. Ajo sqaron se më datë 17 nëntor të vitit 2012, Denisi është nisur në drejtim të Arabisë Saudite dhe ka komunikuar disa herë me djalin e saj. Më datë 1 shkurt të vitit 2013 e moshuara ka marrë një telefonatë anonime nga një person, i cili e njoftonte për lajmin e vdekjes së Denisit. Personi anonimi i ka thënë së moshuarës se Denisi është goditur nga një predhë dhe ka vdekur. Por e moshuar nuk ka mundur të besojë këtë lajm dhe vetëm nëse do shikoj kufomën e djalit do të mund të besojë. Ndërkohë që sipas telefonuesit nga goditja e predhës është dëmtuar kufoma e Denisit duke qenë e pamundur që të sillet trupi. Ndonëse ka kaluar një vit nga ku lajm i hidhur e moshuar vazhdon përpjekjet e saj në gjetje të djalit me shpresën se Denisi ndodhet diku në Siri ende gjallë.

 

Rrëfimi

“Denisi ka mbaruar për infermieri dhe ka qenë besimtarë i fesë islame. Ai vendosi të shkonte në Mekë në Arabinë Saudite për Haxh. Më tha këtë vendim që kishte marrë dhe unë isha dakord. I thashë: Në rregull or bir, shko. Mbaj mend që Denisi është nisur me datë 17 nëntor të vitit 2012 dhe që nga ajo ditë ai nuk ka ardhur më në Shqipëri. Kam komunikuar disa herë me djalin tim dhe ai ishte mirë me shëndet. Më pas nuk kam pasur më lidhje me të. Nuk e dija dhe djali nuk më ka thënë në asnjë moment që donte të shkonte në Siri për të luftuar. Nëse do më kishte thënë nuk do e kisha lënë djalin tim që të ikte në Siri. Mbaj mend që më datë 1 shkurt të vitit 2013 kam marrë një telefonatë nga një person që mbeti anonim. Ai më tha se donte të më njoftonte lajmin e keq të vdekjes së djalit ti. Më tha ky zëri në telefon se Denisi ishte duke udhëtuar me një makinë në Siri kur në këto momente ka rënë një predhë dhe ai ka gjetur vdekjen. Më tha që trupi i djalit tim ishte dëmtuar dhe nuk kishte mbetur gjë. Por unë nuk e besoj këtë gjë dhe shpresoj që djali im të jetë ende gjallë. Kam shpresa dhe mendoj se Denisi është ende diku në Siri. Jam e gatshme që të bëj çdo lloj gjëje për të gjetur djalin tim. Dua t’i bëj një thirrje shtetit që t’i dënoj këta persona që çojnë njerëz në Siri për të luftuar. Shteti të fus në burg personat që më çuan djalin mua në Siri”.

 

 

Elbasan

Vetëvritet 24-vjeçari, shkak depresioni

Një 24-vjeçar babai i një fëmije është vetëvrarë, pasi vuante nga depresioni. Burime të Policisë bëjnë të ditur se 24-vjeçari Saimir Luli (Plaku) kishte shkuar një natë më parë bashkë me gruan dhe fëmijën e tij tek vjehrri i tij në fshatin Cacabez të rrethit të Peqinit. Saimir Luli ka dalë jashtë në oborrin e banesës dhe jo larg saj ka vrarë veten duke u qëlluar në kokë me armën çifte të vjehrrit të tij, të cilën ai e kishte me leje. Policia shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes dhe pasi mori në pyetje bashkëshorten e tij si edhe të afërm të familjes së saj, konstatoi se 24-vjeçari kishte vite që vuante nga depresioni, madje edhe kurohej. Burime jo zyrtare bënë të ditur se herë pas here 24-vjeçari deklaronte se donte ta vriste veten. Policia nga ana e saj pasi mori në pyetje të afërmit e familjes së bashkëshortes së viktimës, mori në pyetje dhe familjarët e tij që jetojnë në lagjen “Skënderbej” të qytetit të Elbasanit, ku edhe konkludoi se shkak i vetëvrasjes ka qenë depresioni. Hetimet vazhdojnë për të zbardhur të plotë rrethanat e kësaj vetëvrasje.

 

 

Kavajë

Kapet me arsenal armësh, në pranga 41-vjeçari

 Një 41-vjeçar është arrestuar dje në qytetin e Kavajës, pasi u kap me një arsenal armësh. Burime nga policia e këtij qyteti konfirmojnë se në kuadër të operacionit të koduar “Rrethimi” në bashkëpunim me krimet e rënda dhe me FSHN-në u krye kapja e shtetasit Kujtim Proshka, të cilit iu sekuestruan 7 armë zjarri të ndryshme. Të njëjtat burime bënë të ditur për mediat se në cilësinë e provës janë sekuestruar 2 armë gjahu teke, 2 kallashnikovë, 2 automatikë, njëri prej të cilëve ishte kinez dhe një pushkë italiane. Po kështu të arrestuarit iu sekuestruan edhe 1574 fishekë të kalibrit të ndryshëm, 8 karikatorë kallashnikovi dhe 4 krëhëra pistolete. Policia gjithashtu ka bllokuar makinën e këtij shtetasi.

 

 

Gjirokastër

Vjedhjet në Dropull, arrestohet një nga autorët

 Policia e Gjirokastrës në kuadër të zbardhjes së vjedhjeve të ndodhura më parë në fshatrat e Dropullit, ka arrestuar mbrëmjen e djeshme, Malti Senin, 20 vjeç, nga Elbasani. I arrestuari dyshohet si autor i një serie vjedhjesh, për 8 banesa në fshatrat e Dropullit, vjedhje këto te ndodhura gjatë vitit 2013. Kapja e tij është bërë në bashkëpunim me policinë e Elbasanit, ndërkaq janë intensifikuar masat për parandalimin e të tilla rasteve të ngjashme.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency