10 fakte: Përse dhemb refuzimi?

0
272

refuzimiNjë “jo” mund të shkaktojë më shumë dhembje emocionale sesa goditja nga një objekt i jashtëm, pasi truri i percepton njëlloj dhimbjet fizike dhe ato emocionale

 

Refuzimi vërtet dhemb, por shumica e mospranimeve shkaktojnë dëme psikologjike në mirëqenien tonë që shkojnë përtej dhimbjes emocionale. Mësoni dhjetë fakte të panjohura për mënyrën sesi refuzimi ndikon tek emocionet, mendimet dhe sjellja e njeriut.

1. Refuzimi si dhimbja fizike

Studimet kanë treguar se kur dikush refuzohet, në trurin e tij aktivizohen të njëjtat zona, si në rastin e përjetimit të dhimbjes fizike. Kjo është arsyeja përse refuzimi dhemb aq shumë edhe nga aspekti neurologjik. Në fakt, truri ynë i përgjigjet njëlloj, si refuzimit ashtu edhe dhimbjes që mund të shkaktohet nga objektet e jashtme.

2. Ilaçi për refuzimin

Për të testuar hipotezat se refuzimi imiton dhimbjen fizike, shkencëtarët u dhanë disa njerëzve Tylenol (një ilaç për pakësimin e dhimbjes) përpara se t’i kërkonin të kujtonin një eksperiencë të dhimbshme mospranimi. Pjesëmarrësit që kishin marrë ilaçin, shfaqën më pak dhimbje kur kujtonin ngjarjen sesa ata që nuk kishin pirë asgjë.

3. Refuzimi ka luajtur rol jetësor në evolucion

Në të shkuarën, kur njerëzit ishin shoqëri gjuetarësh, dëbimi nga fisi ishte njëlloj me dënimin e sotëm me vdekje, për shkak se gjasat e mbijetesës në vetmi ishin shumë të pakta. Psikologët evolucionarë mendojnë se truri zhvilloi një sistem të hershëm paralajmërimi për të na bërë më vigjilentë kur ishim në rrezik izolimi. Kështu, njerëzit e korrigjonin sjelljen e gabuar nga frika se mos refuzoheshin prej familjarëve të tyre.

4. Dhimbja sociale, më e madhe se ajo fizike

Bëni një eksperiment të vogël. Përpiquni të kujtoni një ngjarje të së shkuarës kur jeni vrarë keqazi në trup. Kushtojini vëmendje dhimbjes që do t’ju ringjallet tani. Përsëriteni eksperimentin duke kujtuar një rast kur nuk jeni pranuar në një situatë të caktuar shoqërore apo kur dikush që e keni dashur ju ka refuzuar. Cila ju dhemb më shumë? Shumica e njerëzve që e bëjnë testin janë përgjigjur se rasti i dytë i bën të përjetojnë dhimbje më të gjallë.

5. Refuzimi lëkund nevojën e të përkiturit dikujt

Të gjitha qeniet njerëzore kanë nevojën themelore të përkatësisë ndaj një grupi. Kur refuzohemi, kjo lëkund dhe na largon ndjesinë e mirë të pranimit duke na çuar drejt dhimbjes. Rilidhja me personat që na duan, komunikimi i vazhdueshëm me grupin e atyre që na pranojnë, na bën të ndiejmë një ndjesi të fortë vlerësimi dhe miratimi. Kur një njeri ndihet vetëm, ai është tepër i lëkundur mbi mënyrën sesi po jeton dhe mbi dëshirën për ta vazhduar ekzistencën e tij.

6. Refuzimi shkakton zemërim dhe agresion

Në një raport të përgjithshëm në SHBA, u vu re se refuzimi ishte një rrezik i madh që i çonte adoleshentët drejt dhunës, drogës, mjerimit dhe bandave me gangsterë. Shumë studime kanë provuar se mënyra sesi dikush i përgjigjet refuzimit është zemërimi dhe agresioni në një shkallë të lartë.

7. Refuzimi shkatërron vetëvlerësimin

Njeriu i përgjigjet shpesh refuzimit romantik duke dashur të gjejë gabimet që ka, duke kërkuar në skuta të errëta dhe duke nxjerrë prej nënvetëdijes shkaqe të vogla e të pabaza për refuzimin që i është bërë. Shumica e mospranimeve dashurore vijnë për shkak të përshtatjes së vogël, mungesës së tërheqjes kimike, dëshirës për diçka tjetër apo edhe prej stilit të ndryshëm të jetesës. Hedhja e fajit te vetvetja nuk është gjëja më e mençur që mund të bëhet në këto raste. Më e mira është të vazhdohet kërkimi për gjetjen e personit me të cilin ngjashmëria është më e madhe.

8. Refuzimi ul përkohësisht inteligjencën

Kur pjesëmarrësve të një studimi iu kërkua që të kujtojnë një eksperiencë të dhimbshme emocionale në të shkuarën dhe më pas iu dha të plotësonin një test inteligjence, ata dolën më keq sesa në testin e përsëritur kur ishin në gjendje normale. Kjo tregon se mospranimi ose të qenët i refuzuar e ul përkohësisht inteligjencën dhe qartësinë te dikush.

9. Arsyeja e refuzimit nuk ka rëndësi

Në një studim, një grup personash u refuzua nga disa të tjerë që ishin plotësisht të huaj për ta. Dhimbja emocionale që përjetuan pjesëmarrësit e studimit, nuk u pakësua edhe kur e morën vesh që personat e huaj kishin si mision t’i refuzonin. Pra, ata që refuzohen nuk duan t’ia dinë për arsyen, vetëm ideja e refuzimit mjafton t’i bëjë të ndihen keq.

10. Ka rrugë psikologjike për të ngushëlluar refuzimin

Është e mundur që dhimbja emocionale të trajtohet dhe të parandalohet psikologjikisht, duke ulur mundësinë e shkatërrimit të vetëvlerësimit, emocioneve, inteligjencës dhe marrëdhënieve.

 

 

 

 

Çudia e kohës

Dashuri me kohë të pjesshme?!

 

Tepër të frikësuar nga lidhjet që hanë shumë kohë, energji dhe kthehen shpejt në monotone? Britanikët po eksperimentojnë me dashuritë part-time

 

CNN

Një këngë e vitit 1992, e titulluar “E premte, jam e dashuruar”, i ka paraprirë trendit më të ri të të dashuruarve me kohë të pjesshme. “Kam gjetur një të dashur të mrekullueshëm në fundjave”, – ka shkruar një 38-vjeçare në një faqe të re takimesh online, “parttimelove.co.uk”. “Ai nuk kërkon shumë dhe koha që kalojmë bashkë është magjike”, – sqaron ajo.

Faqja që filloi punën në janar është ideja e një autoreje dhe blogere që shkruan për çiftet, Helen Croydon. Ajo sqaron se faqen e frekuentojnë persona që duan të jenë të pavarur, por që gjithashtu kërkojnë të bien në dashuri.

Disa mund të hamendësojnë se uebsajti “Part Time Love” mund të jetë një faqe takimesh online, ku përdoruesit luajnë me njëri-tjetrin vetëm për një natë.

“Ne nuk jemi një faqe ku njerëzit nuk i detyrohen njëri-tjetrit. Faqja është shtëpia e beqarëve që po kërkojnë për partnerë të rregullt me interesa të njëjta, për lidhje të mira, ku baza është respekti dhe tërheqja e përbashkët, por çiftet tona nuk janë persona që pretendojnë të jetojnë bashkë brenda tre muajve, sepse ata e vlerësojnë pavarësinë dhe kohën e lirë”, – argumenton krijuesja e faqes.

Croydon pohon se një marrëdhënie me frekuencë të ulët ose me kohë të pjesshme, është më e mirë sesa një takim i rastësishëm me persona të panjohur, pasi në rastin e parë, qëllimi është krijimi i një lidhjeje afatgjatë, por pa shtrëngime.

Megjithatë, sajti nuk është për këdo. Përdoruesit e “Part Time Love” janë persona në të 30-at e vona ose në të 40-at e hershme, të cilët jetojnë sipas mënyrës së tyre dhe e kanë të vështirë të përshtaten me një partner të përhershëm me të cilin të bashkëjetojnë.

Në vitin 2011, shkrimtarja Laura Tennant shkroi në një gazetë britanike rreth lidhjes së saj me kohë të pjesshme, ku argumentonte se ishte tepër e lumtur me këtë risi marrëdhënieje.

Shkrimtarja sapo kishte mbaruar procedurat e një divorci të gjatë, ndaj nuk ishte e sigurt nëse donte të martohej përsëri. Ajo që ishte e sigurt, ishte fakti që lidhja e saj me të dashurin e ri funksionoi në atë mënyrë për rreth tre vjet. Aktualisht Tennant është e fejuar dhe pret të martohet me të dashurin me kohë të pjesshme.

“Ne jetonim veç e veç bashkë. Me kalimin e kohës u bëmë të dy gjithnjë e më të sigurt që ishim shpirtra binjakë dhe partnerët e duhur të jetës”, – tha shkrimtarja.

“Tani kemi arritur ngadalë, por të sigurt, në pikën ku jemi të gatshëm t’i premtojmë njëri-tjetrit dashuri afatgjatë”, – tregon ajo.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë që çifti s’do të ketë shkëputje për të kaluar kohë vetëm. Bashkëshorti i ardhshëm do të ketë një apartament të vogël vetjak, por jo në kuptimin e Ernest Heminguejit.

Lidhja e këtij çifti shkrimtarësh është funksionale, por njëkohësisht edhe e pazakontë. “Për momentin po punojmë me konceptimin e marrëdhënies sonë dhe mënyrën se si do ta organizojmë kohën së bashku dhe të ndarë. Ndonëse do të jetojmë së bashku, do të marrim një apartament, ku secili mund të punojë i qetë dhe të kalojë ca kohë më vete”, – rrëfen shkrimtarja.

Në librin e saj të ri, Tennant shpjegon marrëdhëniet me “mirëmbajtje të ulët”, ku ajo thyen tabunë e të dashurit me kohë të plotë, duke e zëvendësuar me një lidhje me kohë të pjesshme, ku secili ka kohën e lirë dhe të veçantë për të përmbushur nevojat e tij.

“Në lidhjen tonë ka shumë dashuri dhe plotësim, por individualizmi dhe pavarësia për ne është e shenjtë dhe ka arritur në një shkallë të lartë”, – tregon Laura Tennant për CNN.

Për sa i përket dashurisë dhe lidhjes së ngushtë, kjo ekziston, por nuk ka detyrimin e shpenzimit të vazhdueshëm të kohës së bashku, gjë që mund ta çojë lidhjen në monotoni.

Jill Ueber, një psikologe klinike nga Virxhinia dhe autore librash, tha se ky stil i ri takimi mund t’i lejojë partnerët të jetojnë më lirshëm.

“Është një lloj mbrojtjeje dhe mungon cenimi nga të gjitha këndvështrimet”, – tha ajo. Herët ose vonë, një nga partnerët mund të ketë ndjenja më të forta dhe mund të kërkojë diçka më konkrete, por është një fillim i mbarë për personat që nuk janë mësuar të jenë çift me kohë të plotë.

Duke qenë se jeta është një koncept abstrakt mes individualizmit dhe shoqërimit, kjo mënyrë e re takimi është një e mesme e artë. Ndërkohë, faqja online po frekuentohet gjithnjë e më shumë nga përdorues që kërkojnë të eksperimentojnë me marrëdhëniet e tyre.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency