Lufta ekonomike, nga Parisi në Berlin dhe Uashington

0
146

Claus Hecking

 

lufta-e-monedhave-320x180Shërbimet e fshehta nuk vënë në shënjestër vetëm politikanët, por edhe kompanitë. Në Francë ekziston prej vitesh një institut që formon ekspertë të spiunazhit industrial. Kjo zgjedhje pasqyron një ekonomi globale që në vitin 1998 Presidenti François Mitterrand e përshkruante si një “fushëbetejë” në të cilën “sipërmarrjet dhe kompanitë luftojnë në një luftë të pamëshirshme”. Një luftë në të cilën Mitterrand mori pjesë me vrull, duke dërguar disa agjentë të DGSE në kompani amerikane si IBM dhe Texas Instruments. Më vonë u zbulua se shërbimet e fshehta kishin mbushur me “çimka” sediljet e klasit të parë të Air France “Shtetet e Bashkuara janë një makinë lufte”, – thotë Peer de Jong, në ajrin mbytës të një salle të “École de guerre économique” (Ege). “Janë kundërshtarët kryesorë të ekonomisë sonë”. Ish-gjenerali i marinës franceze bën rrathë në ajër me duar, ndërkohë që u drejtohet 50 studentëve të tij.

“Që nga vitet nëntëdhjetë, SHBA investon miliarda dollarë në survejimin e internetit dhe tani kontrollon gjithë sistemin. Prioriteti i tyre është ekonomia”. Dhe mes objektivave kryesorë mendohet të jenë grupet e mëdhenj industrialë francezë. Simoni pohon me kokë i kënaqur. Duket se për këtë djalë 23-vjeçar ia ka vlejtur pagesa e dhjetë mijë eurove për kursin nëntëmujor që do ta transformojë në një luftëtar të ekonomisë. Pas çdo zbulimi të ish-bashkëpunëtorit të shërbimeve të fshehta të SHBA-së, Edward Snowden, vlera e tregut e Simonit rritet. Qoftë kur bëhet fjalë për siguri informatike, të mbledhjes sistematike të informacioneve apo të mbrojtjes së të dhënave delikate, sot në kompanitë evropiane, aftësitë që po fiton Simoni tek EGE janë shumë të kërkuara. Në fakt, është gjithmonë e më e qartë se shërbimet e fshehtë amerikanë dhe britanikë nuk spiunojnë vetëm armiqtë e shtetit.

“Qeveria amerikane bën gjithçka për të furnizuar kompanitë amerikane me informacione strategjikë mbi konkurrencën e huaj, – thotë Simoni. – Nëse nuk mbrohemi, do të na shkatërrojnë. Shërbimet tanë të fshehtë duhet të mbrojnë atdheun”. Reagimet e Francës dhe Gjermanisë ndaj skandalit “Snowden” kanë qenë shumë të ndryshëm. Ndërkohë që Berlini preferon ta shmangë argumentin e mprehtë të spiunazhit industrial, Parisi flet hapur dhe me një shpirt luftarak. “Është në interes të kombit mbrojtja e kompanive tona”, – ka thënë për të përditshmen “Le Figaro” Bernard Squarcini, drejtori i shërbimit të fshehtë të brendshëm. Dhe Nicole Bricq, ministrja e Tregtisë, ka deklaruar në televizion se “qarravitjet” për survejimin e përgjithësuar janë pa vend: e rëndësishme është që t’i përballim SHBA-të me “armë të barabarta”. Më tej ka shtuar: “Duhet të jemi më të mirë sesa anglezët, amerikanët dhe gjermanët”. Fraza të tilla të risjellin në mendje idenë e kombit të madh. Po a janë shërbimet e fshehta franceze vërtet kaq të fuqishme, sa duan të shfaqen para mbështetësve të tyre?

 

Fushëbeteja

Ndryshe nga fqinjët gjermanë, francezët nuk e kanë dënuar asnjëherë anën e errët të ekonomisë. Pak vjet më parë, “Direction Générale de la Sécurité Extérieure” (DGSE), shërbimi i fshehtë i jashtëm, ka krijuar madje një departament të dedikuar spiunazhit industrial. Kjo zgjedhje pasqyron një ekonomi globale që, në vitin 1998 Presidenti François Mitterrand e përshkruante si një “fushëbetejë” në të cilën “sipërmarrjet dhe kompanitë luftojnë në një luftë të pamëshirshme”. Një luftë në të cilën Mitterrand mori pjesë me vrull, duke dërguar disa agjentë të DGSE në kompani amerikane si IBM dhe Texas Instruments. Më vonë u zbulua se shërbimet e fshehta kishin mbushur me “çimka” sediljet e klasit të parë të Air France. “Nuk do të ishte normale nëse do të spiunonim SHBA-të për çështje politike, – thoshte në vitin 1991 ish-drejtori i Shërbimit të Fshehtë, Pierre Marion. – Por në ekonomi jemi kundërshtarë, jo aleatë”. Në këtë kontekst futet një raport i Bashkimit Evropian, që në vitin 2001 zgjoi vëmendje të madhe në Berlin. Në këtë tekst pohohej që DGSE mund të kishte survejuar, për llogari të grupit Alstom, kompaninë gjermane Siemens në kuadrin e një gare për kontratën e një hekurudhe të shpejtësisë së lartë në Korenë e Jugut.

Këto dyshime nuk u konfirmuan asnjëherë, por si kompensim, në fund të vitit 2010 disa agjentë të fshehtë francezë u kapën në flagrancë në Tuluzë, teksa zhbironin në dhomën e hotelit të drejtorit të kompanisë ajrore, China Eastern. Edhe vitin që kaloi, DGSE përfundoi në faqet e para të gazetave. Sipas “Le Monde”, kishte mbledhur të dhëna mbi miliona lidhje telefonike dhe dixhitale si në Francë, edhe jashtë saj. Thuhet se një funksionar i DGSE-së është mburrur duke thënë që serverët e shërbimit janë kaq të mëdhenj, saqë ata ngrohin ndërtesat e zyrave qendrore në Paris. Disa dokumente të publikuara në Wikileaks tregojnë se sa shumë vendet e tjera ndihen të kërcënuar prej spiunëve francezë. Për shembull, në një shënim të Ambasadës së SHBA-së në Berlin thuhej: “Spiunazhi i Francës është kaq i degëzuar, saqë shkakton më shumë dëme për ekonominë gjermane, sesa kinezët apo rusët”.

Më shumë sesa nga fama e keqe e shërbimeve të fshehta franceze, Chirstian Harbulot, drejtori i EGE, shqetësohet për rezultatet e tyre të dobët. “DGSE intercepton shumë komunikime, por, me sa duket, nuk gërmon sa duhet për ekonominë tonë”. Harbulot e ka themeluar shkollën në vitin 1997, bashkë me gjeneralin Jean Pichot-Duclos, ish-drejtor i Akademisë së Shërbimeve të Fshehta. Selia ndodhet në një rrugë dytësore, prapa një porte anonime ku gjithsesi shihet sigla e EGE-së. Sallat hapen në një labirint korridoresh pa dritare. Salla e konferencave ndodhet poshtë shkallëve. Nëpër mure ka citime të dy mijë viteve më parë. Për shembull, frazat e Sun Tzu-së, strategu i madh ushtarak kinez: “Nëse njeh armikun dhe njeh vetveten, atëherë nuk ka asnjë dyshim për fitoren tënde”, – është shkruar në germa me sfond të florinjtë. Një portë e rëndë çeliku ngjyrë e zezë, të çon tek komanda ose zyra e drejtorit. “Amerikanët kanë vënë në shënjestër të dhënat e rezervuara të kompanive tona”, – thotë Harbulot. Në industrinë aerohapësinore, në sektorin e energjisë dhe atë të armatimeve, francezët janë ndër konkurrentët më agresivë të SHBA-së dhe kjo situatë nuk konsiderohet e tolerueshme. Harbulot është i bindur se veprimtaria e DSGE-së nuk mjafton. Mbi të gjitha në fushën e teknologjive të përparuara të survejimit, shërbimet e fshehta franceze janë shumë larg atyre amerikane. “Mendoni se sa prokurime të rëndësishme janë humbur në dhjetë vitet e fundit nga industria luftarake dhe bërthamore franceze”, – thotë drejtori.

“Nëse shërbimet tona të fshehta do të shkëlqenin vërtet në spiunazhin industrial, rezultatet do të ishin më të mirë”. Për Eric Denece, shërbimet e informacionit të jashtëm në Francë janë një Big Brother “i vockël”. NSA-ja amerikane ka 50 mijë të punësuar në shërbimet e interceptimit, DGSE jo më shumë se 2500, thotë drejtori i Qendrës së kërkimeve mbi shërbimet e fshehtë në Paris. Dhe nga këta, vetëm një pjesë e vogël merret me spiunazh industrial. “Në këtë sektor, shërbimet tona janë më aktive se ato të vendeve të tjera të Evropës, – thotë Denece, – por arsyeja është se kompanitë franceze nuk merren shumë dhe preferojnë t’i besojnë shtetit”. Edhe kompanitë e mëdha gjermane, vazhdon Denece, merren sistematikisht me informacione për konkurrencën “por ato merren vetë ose pajtojnë shërbime privatë të sigurisë”, që shpeshherë drejtohen nga ish agjentë të fshehtë. Deri tani, kjo zgjedhje ka rezultuar më efikase, se sa ajo, ku i kërkohet aparateve të ngathët shtetërorë që të vihen në lëvizje. “Sidoqoftë, me rastin Snowden disa kompani janë vetëdijesuar se duhet të angazhohen më shumë”, – thotë Denece.

Pra, në të ardhmen diplomatët e EGE-së mund të jenë edhe më të kërkuar për aftësitë e fituara në kurse me titull “Konflikti dhe fuqia ekonomike”, “Teknika investigimi” apo “Manipulim psikologjik”. Gjatë seminareve, luftëtarët modernë të ekonomisë mësojnë edhe si të organizojnë fushata kundër organizatave jofitimprurëse apo kundër zinxhirëve të huaj të prodhimit të fast food-eve. Një manifest i varur në murin pranë sallës së konferencave është dëshmi e një ushtrimi të kryer më herët: në fotografi duken disa fëmijë aziatikë me maska dhe me këmishë të bardhë, që prekin sisët e një lope. Mu ngjitur duket slogani: “Të mos lejojmë kinezët që të mjelin ekonominë franceze”. EGE thotë se u mëson studentëve të vet teknika për mbledhjen e informacioneve në mënyrë të ligjshme. “Profesorët tanë pohojnë se 90 për qind e informacioneve që lidhen me kompanitë gjendet gjithsesi në internet. Duhet vetëm të dish ku të kërkosh”, – thotë Simoni. Se si merret 10-përqindëshi tjetër, këtë studentët e mësojnë pasi marrin diplomën. Në fund, shërbimet e fshehta franceze rekrutojnë vazhdimisht studentë që kanë studiuar në EGE. Dhe kjo është arsyeja përse Simoni nuk do që ta zbulojë mbiemrin: edhe atij do t’i pëlqente të bëhej një mbrojtës i atdheut.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency