Zbardhet raporti i SHISH/ Mbi 90 shqiptarë janë dërguar në Siri, gjashtë prej tyre janë vrarë

0
128

“Shtetasi Genci Balla së bashku me elementë të tjerë, përgjegjësit kryesorë për dërgimin e shtetasve shqiptarë në Siri”

 

LUFTETAR-300x164 Një raport i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) zbardh të dhëna për përfshirjen e disa prej personave të arrestuar së fundmi në Shqipëri në veprimtari terroriste. Rreth një javë më parë u arrestuan 7 persona nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në kryeqytet, me akuzën e “Rekrutimit të personave me qëllim kryerjen e veprimeve terroriste” dhe atë të “Nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste” etj. Sipas raportit të SHISH-it për të arrestuarit për terrorizëm, që tashmë ndodhet në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, thuhet se kreu i celulës terroriste ishte imami i vetëshpallur i xhamisë së Unazës së Re, Genci Balla. Edhe në vendimin e Gjykatës për caktimin e masës së sigurisë ndaj imamit Balla, citohet raporti i detajuar i Shërbimit Informativ për këtë person. “Shtetasi Genci Balla së bashku me elementë të tjerë të sektit Selafi, drejtues të grupeve lokale, evidentohen në mënyrë të vazhduar nga ana jonë si përgjegjësit kryesorë për dërgimin shtetasve shqiptarë (burra, gra e fëmijë) për në Siri, ku shumë prej tyre janë trajnuar për luftë dhe indoktrinuar me ideologji radikale, për t’u angazhuar më pas në luftime në përbërje të grupeve xhihadiste që janë nën sanksione nga Organizata e Kombeve të Bashkuara”, – citohet në raportin e SHISH-it. Gjithashtu, Shërbimi Informativ Shtetëror evidenton faktin se ka pasur informacion për vite me radhë për këtë person që është mbajtur në mbikëqyrje të vazhdueshme. “Prej disa vitesh (6 vjet) ushtron aktivitet fetar ilegal, të palegalizuar/ligjëruar nga institucioni fetar i KMSH-së (Komuniteti Mysliman Shqiptar). Nëpërmjet nxitjes së tij, një numër i konsiderueshëm besimtarësh shqiptarë u janë bashkuar formacioneve luftarake terroriste në Siri”, – thuhet në vendimin e Gjykatës. Një raport i ngjashëm me detaje e të dhëna citohet edhe në vendimin e gjykatës për masën arrest me burg ndaj imamit të xhamisë së Mëzezit, Bujar Hysa, i cili ashtu si Balla, cilësohet organizator i veprimtarisë. Mësohet se raporti thekson më tej se në luftën në Siri janë dërguar 90 shqiptarë, 6 prej të cilëve kanë humbur jetën dhe 12 të tjerë janë plagosur. Sipas të dhënave të SHISH-it, personat që kanë humbur jetën janë Anri Maliqaj, E. Xhelo, D. Rasha, D. Jangulli, H. Muslija, H. Korvalaj. Sipas raportit, besimtarët dërgoheshin në Siri përmes Aeroportit të Rinasit, kufirit tokësor ose duke ndjekur itinerarin Pogradec-Maqedoni-Bullgari. Pak ditë më parë, Prokuroria për Krime të Rënda bëri të ditur se pas dhjetë muaj hetimesh goditi një të ashtuquajtur “celulë terroriste”, që rekrutonte dhe dërgonte besimtarë myslimanë për xhihad luftarak në Siri. Në pranga përfunduan Genci (Abdurrahim) Balla, i vetëshpallur imam i xhamisë te Unaza e Re, Bujar Hysa, i vetëshpallur imam i xhamisë së Mëzezit, i dyshuar gjithashtu si organizator. Besimtarët Edmond Balla, i dyshuar si organizator, Zeqir Imeri, i dyshuar si organizator, pjesëmarrës, Verdi Morava si financues, dhe Fadil Muslimani (Dervishi), Astrit Tola dhe Orion Reci, të dyshuar si ndihmës, ndodhen prapa hekurave.

 

 

Përplasjet pozitë – opozitë për SHISH-in/  PS: Ajazi, në pamundësi për të kryer detyrën. 

PD: Qeveria po rrezikon sigurinë kombëtare

 Mazhoranca deklaron se kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) ndodhet në pamundësi të kryerjes së detyrës, për shkak të mospasjes së certifikatës së sigurisë për informacionet e klasifikuara, ndërsa vazhdon t’i qëndrojë nismës për mbikëqyrje brenda këtij institucioni lidhur me akuzat e fundit të dala në media ndaj punës së këtij shërbimi. Përpos qëndrimeve të mazhorancës vijnë reagimet e përfaqësuesve të opozitës, të cilët vënë theksin tek cenimi i sigurisë kombëtare me “sulmet” drejtuar kreut të SHISH-it dhe institucionit që ai drejton. Një ditë më parë deputeti i Partisë Socialiste, Arben Çuko, njëkohësisht edhe anëtar i Komisionit të Sigurisë, deklaroi se Drejtori i SHISH-it është në kushtet e pavlefshmërisë së kryerjes së detyrës, edhe pse theksoi se mazhoranca është në pritje të certifikatës së sigurisë.  Nga ana e tij, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka, tha se akuzat e mazhorancës tentojnë kapjen politike të këtij institucioni dhe asgjë nga çfarë kërkohet në shkresën e tyre për mbikëqyrje parlamentare, nuk është e bazuar në ligj. Sipas deputetit të opozitës, qëndrimet e fundit ndaj këtij institucioni rrezikojnë sigurinë kombëtare. Gjithashtu Noka hodhi poshtë pretendimet se kreu i SHISH-it nuk ka raportuar para krerëve të institucioneve lidhur me situatën e fundit të rendit dhe sigurisë publike. Madje, sipas Nokës, puna e këtij shërbimi kohët e fundit është përmirësuar dhe sipas raporteve që Shërbimi Informativ u ka dorëzuar krerëve të qeverisë, rreth 90 për qind e arrestimeve ndaj narkotikëve kanë ardhur nga informatat e SHISH-it.

 

Flamur Noka

 “Në këtë zyrë shërbimi ka sjellë një informacion për punën e tij vjetore ku e gjithë korrespondenca e shërbimit është e pasqyruar dhe mazhoranca meqë pa se pasqyrohet në mënyrë të detajuar puna e këtij shërbimi dhe me një ngritje cilësore nga viti në vit, e shohin të pamundur të kapen ndryshe. Kjo, sepse lakrat u kanë dalë në shesh dhe përpiqen të sajojnë informacione”, – deklaroi Noka para Komisionit të Sigurisë Kombëtare.

 

Arben Çuko

 Pas deklaratës së nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë, reagoi edhe deputeti i Partisë Socialiste, Arben Çuko, pjesë e këtij Komisioni. “Në deklaratat e Nokës kishte devijime dhe mungesë të theksuar të fakteve konkrete kur tha se drejtori i SHISH-it me caktimin në detyrë merr automatikisht certifikatën, ose nuk e ka lexuar ligjin, ose nuk e di, ose edhe nëse e di, e thotë për tullumbace mediatike. Drejtori i sotëm i SHISH-it, bazuar në ligjin për informacionin e certifikuar edhe në vendimin e 2007-ës të nxjerrë të ish-kryeministrit Berisha, ky drejtor nuk e ka certifikatën e sigurisë. Në opinionin tim edhe tani është në kushtet e pavlefshmërisë së kryerjes së detyrës”, – tha Çuko. Me herët, mes përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës ka pasur akuza të ndërsjella lidhur me punën e SHISH-it si dhe me qëndrimin e mazhorancës për të ngritur një grup prej 5 deputetësh nga Komisioni i Sigurisë, për të shkuar dhe mbikëqyrur nga afër punën e këtij shërbimi.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency