Steinberg: Fenomeni i rekrutëve për në Siri, i njohur në Evropë

0
108

Intervistë me Guido Steinberg, ekspert i fesë islame, punonjës shkencor në fondacionin “Shkenca dhe Politika”.

 

 

Guido SteinbergDW: Organet e rendit në Shqipëri kanë arrestuar 8 persona (ndër ta dy imamë), që akuzohen për rekrutime të të rinjve shqiptarë, të cilët shkojnë në Siri përmes Turqisë. Çfarë ndodh në kufirin turko-sirian me luftëtarët, që vijnë nga vendet e huaja për të luftuar në Siri?

Steinberg: Vajtja e shqiptarëve në Turqi dhe më pas në Siri nuk është një surprizë e madhe. Ka një fluks të madh edhe nga Bosnja, nga Kosova, Austria, Belgjika në drejtim të Turqisë. Ka ndërkohë qytete, ku këta rekrutë mund të shkojnë, ku mund të gjejnë pa probleme persona kontaktues, që i nxjerrin shpejt në Siri përmes kufirit. Atje të porsaardhurit stërviten dhe shpërndahen sipas dëshirës në grupime të ndryshme. Është një fenomen, që e njohim tashmë prej gati 2 vjetësh.

Stërvitjet kryhen në Turqi apo Siri?

Stërvitja kryhet në Siri. Turqia është më shumë një zonë hyrjeje dhe tërheqjeje. Problemi i madh është se Turqia i ka toleruar në masë të madhe këto aktivitete në vitet e fundit. Prej disa muajsh përpiqet të paktën të kufizojë disi lirinë e veprimit të grupimeve më të ashpra, por në përgjithësi Turqia është pjesë e problemit atje dhe jo pjesë e zgjidhjes.

Sa të ndjeshme janë shoqëritë e vendeve të Ballkanit ndaj këtij fenomeni?

Nuk është befasi ndoshta që Ballkani të jetë një qendër e aktiviteteve për shkuarje në Siri. Duhen parë jo fort shifrat absolute. Po të shohësh shifrat absolute në Evropë, dominojnë vajtjet në Siri nga Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania. Por kur merr numrin e të ikurve në raport me popullsinë, atëherë udhëheqin shumë shtete të vogla dhe këto janë në rradhë të parë Belgjika, Austria dhe Danimarka, por edhe Bosnja kryeson këtu. Dhe po të kujtojmë se misionarët dhe predikuesit salafistë janë të pranishëm në Bosnjë prej dy dhjetëvjeçarësh, nuk është ndonjë befasi. Kjo pak a shumë mund të thuhet edhe për Kosovën dhe më pak për Shqipërinë, kështu që nuk është një surprizë e madhe që një numër i konsiderueshëm i luftëtarëve sirianë shkojnë sot në Siri nga këto zona.

Si funksionon rekrutimi, në çfarë mënyrash bëhet ai?

Ka mënyra të ndryshme. Së pari ka njerëz, të cilët kanë kontakt me rrjetet terroriste, që rekrutojnë me pikësynim dhe kjo ndodh zakonisht në qendrat kulturore salafiste apo në xhami. Ky është një fenomen, që nuk është studiuar shumë, për shkak se këta njerëz veprojnë në mënyrë shumë të zgjuar. Por ajo që është mjaft e qartë, është se të rinjtë rekrutojnë njëri-tjetrin. Shokët sjellin shokët dhe të njohurit e tyre në xhami në skenën salafiste dhe pastaj ndodh zakonisht edhe vajtja drejt Sirisë. Është më shumë një proces dinamik në grup, se sa një rekrutim i qëllimshëm. Nuk duhet ta imagjinojmë, që organizatat siriane në Evropë kanë rekrutuesit, që mund të jenë në raste të veçanta, por zakonisht kjo është nismë e vullnetarëve evropiane.

Janë njerëz, që rrezikojnë ndoshta jetën duke vajtur në Siri. Çfarë motivesh i shtyjnë të vënë kaq shumë në rrezik?

Ka shumë, shumë motive të ndryshme, që ndryshojnë në varësi të vendit. Në përgjithësi mund të thuhet se shumë myslimanë, sidomos salafistë besojnë se ata duhet t’u shkojnë në ndihmë vëllezërve të fesë në Siri dhe dallimi nga Pakistani, Afganistani ose Somalia është se udhëtimi për në Siri është shumë i lehtë. Nga shumë vende evropiane, të paktën nga ata, që bëjnë pjesë në BE, mund të udhëtojnë vetëm me një kartë identiteti për në Turqi. Për në Pakistan, në Somali ka qenë gjithmonë ndryshe, ishte shumë më e vështirë për të arritur atje. Pra një arsye që kaq shumë të rinj, që tani vijnë nga pothuajse të gjitha vendet evropiane, është se është shumë e lehtë për të vajtur atje. Ka edhe motive të tjera, të tilla si dëshira për aventurë, që sigurisht luajnë një rol, por arsyeja më e rëndësishme janë ndoshta fotografitë shumë të tmerrshme, që kemi nga lufta Siri në një numër, që kurrë nuk i kemi njohur nga konfliktet e tjera.

Sipas njoftimeve, në Siri ata shkojnë shpesh së bashku me gratë dhe fëmijët. Ku vendosen familjet? Çfarë sigurie gjejnë gratë dhe fëmijët në një vend, ku bëhet luftë?

Po, kjo është në të vërtetë një dukuri, që prek jo vetëm shqiptarët. Shumë xhihadistë evropianë udhëtojnë me gratë dhe fëmijët e tyre. Në Gjermani për shembull flitet për 20 deri në 40 gra, që kanë shkuar atje, disa qëndrojnë në Turqi, ku janë të sigurta, por shumica me sa duket kalojnë kufirin dhe ka një infrastrukturë në kuptimin e vërtetë të fjalës, ka zona, në të cilat grupimet xhihadiste në Siri janë mjaft të sigurta. Atje pastaj qëndrojnë gratë, atje ngrihet edhe një infrastrukturë e vogël, që fëmijët, për shembull, të mësojnë, por në fund të fundit situata për gratë atje është shumë, shumë e rrezikshme, sidomos sepse tani që nga janari ka luftime shumë të ashpra edhe midis grupeve kryengritëse dhe në to ka pasur shumë viktima në mesin e luftëtarëve evropianë, por unë nuk di që gratë të jenë dëmtuar.

Komuniteti Mysliman në Shqipëri distancohet prerë nga këto fenomene dhe nuk i njeh imamët e arrestuar si pjesë të institucionit. Cila është veçoria kryesore botëkuptimore e grupimeve të reja?

Shumica i përkasin skenës salafiste. Ata kanë shkuar në xhami e qendra kulturore salafiste apo në shkollat përkatëse. Ky është një interpretim i fesë islame, që mbështetet kryesisht nga Arabia Saudite dhe vendet e tjera të Gjirit Persik. Karakteristikë e këtij interpretimi është se i veçon fort nga myslimanët e tjerë, thekson se vetëm ata mund të ofrojnë interpretimin e vërtetë të Islamit, duke zhvilluar njëfarë agresiviteti ndaj botës së jashtme. Dhe në një rrymë disi më radikale, nga ky agresivitet kalohet me të vërtetë në dhunë, që e quajnë pastaj luftë të shenjtë apo xhihad. Shumica e emigrantëve evropianë janë salafstë dhe dëshirojnë të krijojnë një shtet islamik atje. Duhet imagjinuar në atë mënyrë si shteti islamik i talebanëve në Afganistan, që ka ekzistuar deri në vitin 2001, por ju mund të shikoni edhe Arabinë Saudite për të imagjinuar pak se çfarë këta njerëz kanë ndërmend këta njerëz dhe duhet vëzhguar me vëmendje ajo që ndodh në Siri. Në disa qytete në veri dhe lindje të Sirisë, xhihadistët praktikojnë si të thuash dhunë shtetërore dhe ata kanë krijuar një regjiment terrori.

Parlamenti i Kosovës ka parashtruar një projektligj, që ndalon pjesëmarrjen në luftërat jashtë vendit. Cili është mendimi juaj për këtë?

Në shumicën e vendeve është gjithsesi ligj. Në Gjermani ekziston një gjë e tillë. Është e ndaluar të kryesh shërbimin ushtarak në një vend të huaj dhe kjo përdoret tani me të vërtetë si mjet kundër të kthyerve nga Siria dhe mbështetësve të tyre. Kjo quhet propagandë për një shërbim të huaj ushtarak. Ky është një mjet, me anë të të cilit mund t’u dalin përballë të kthyerve.

Sakrifica si të thuash për një qëllim më të largët, më abstrakt sesa sakrifikimi për atdheun.

Ata sakrifikojnë veten e tyre për një ideologji, që ata përfaqësojnë. Kjo mund të krahasohet edhe me vajtjen e shumë komunistëve evropianë në vitet ‘30 drejt Spanjës. Edhe atje ekzistonte ndjenja se duhej treguar solidaritet me të majtët në Spanjë, shumë të ngjashme janë zhvillimet e tanishme në Evropë. Nëse kjo luan një rol për Shqipërinë, nuk mund ta them, por shumë nga ata, që shkojnë në Siri, besojnë se duhet të tregojnë solidaritet me myslimanët në mbarë botën.

*Guido Steinberg, ekspert i fesë islame, është punonjës shkencor në fondacionin “Shkenca dhe Politika”, që këshillon qeverinë gjermane.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency