Rritja e taksave solli evazionin fiskal

0
140

Ervin Kaduku

 

Kanë harruar shqiptarët të pinë duhan? Përkundrazi! Por, në arkën e shtetit hyjnë gjithnjë e më pak para në zërin fiskal të akcizës, ndonëse kjo e fundit është rritur

Ulja e taksave, rruga e vetme për zhvillim; ja përvoja e së majtës italiane, që qeveria jonë e shpërfill

Çfarë propozon biznesi për një paketë të dytë fiskale

 

fabrike-kepuce-2143Nuk ka vonuar shumë për të marrë shuplakën e radhës politika e re fiskale e qeverisë “Rama”, e shprehur në paketën e re fiskale, të miratuar me nxitim të madh në fund të vitit të kaluar dhe për të cilën nuk u mor për bazë asnjë nga mendimet, opinionet dhe amendamentet e propozuara nga opozita parlamentare. Importet e cigareve kanë shënuar minimum historik gjatë muajit janar të këtij viti. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, importet kanë zbritur në vetëm 66 tonë, duke shënuar një rënie prej… 62% kundrejt së njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Ky është edhe ndër nivelet më të ulëta të shënuar gjatë viteve të fundit.

Shkak për këtë nuk është ulja “surprizë” e konsumit të cigareve, por ndryshimi i taksimit që hyri në fuqi në fillim të këtij viti. Vetëm në dhjetor, tregtarët blenë nga jashtë 567 tonë apo 74% më shumë cigare në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, një rekord mujor ky.

Akciza për cigaren është rritur dhe ka ndryshuar duke nxitur operatorët të importojnë “vrullshëm” gjatë fundvitit të kaluar.

Në total, për gjithë vitin 2013, importet e këtij produkti u rritën me gati 2% me bazë vjetore në rreth 3700 ton, me tendencën rënëse që u kthye në tre muajt e fundit. Në dhjetor 2013, importet e cigareve ishin 87% më të larta se mesatarja mujore e 2012-ës (prej rreth 300 ton), duke qenë hapur në linjë të kundërt me ligjin për akcizat, i cili parashikon në pikën 2 të nenit 5 se “në rast të iniciativave për ndryshime ligjore, që kanë për qëllim rritjen e nivelit të taksimit të akcizës, sasia e importimit të mallrave të akcizës nga çasti i dekretimit të ligjit të ri, të miratuar, deri në hyrjen e tij në fuqi, nuk mund të jetë më e lartë se 20% më shumë se mesatarja mujore e vitit paraardhës”. Akciza e cigareve tashmë është rritur në 90 lekë/paketë nga 70 lekë/paketë që ishte vitin e mëparshëm.

 

Ulja e taksave, ja si dilet nga kriza!

Të dhënat e tremujorit të katërt nga anketa e forcave të punës së publikuara nga INSTAT-i nxirrnin në dritë disa të dhëna alarmante. Së pari, papunësia tek të rinjtë është në nivele të larta dhe po vjen vazhdimisht në rritje, duke arritur në 28.1% në fund të 2013-ës. Së dyti, duke analizuar papunësinë e të rinjve sipas nivelit arsimor të tyre, INSTAT vlerëson që 29% e të rinjve të papunë ishin me arsim të lartë.

Është e vërtetë që nuk është qeveria ajo që hap vende pune, por është pikërisht ajo që ka në dorë të krijojë një ambient sa më të përshtatshëm për bizneset, që janë gjeneratori kryesor i punësimit në një ekonomi. Forma se si ndikohet punësimi në një ekonomi të tregut është duke i dhënë mundësi biznesit të zhvillohet.

Leksioni më i madh për hapjen e vendeve të punës për qeverinë shqiptare vjen pikërisht nga e majta italiane. Kryeministri i sapozgjedhur Matteo Renzi vetë pak ditë më parë ka zbuluar një plan masash për t’i dhënë një shtysë ekonomisë italiane të dobësuar nga recesioni dhe për të nxitur punësimin. Në thelb të planit për të rritur vendet e punës është ulja e kostos së punës, përmes reduktimit të taksave mbi pagën që paguhen nga kompanitë e mëdha me 10 për qind.

Janë pikërisht reformat që tentojnë të bëjnë ulje taksash dhe ulje të kostos së punës, ato që pritet të jenë realisht frytdhënëse, dhe jo krijimi i zyrave artificiale të punës, që përuron përditë tashmë kryeministri Rama, që nuk pritet të ketë veçse një efekt minimal në ekonomi.

Shqipëria dihet tashmë që ka të ardhurat më të ulëta në rajon nga taksa e punës (4% të Prodhimit të brendshëm bruto, nga 8-10% që është mesatarja e rajonit) dhe në planet e saj afatmesme nuk është parë asnjë përpjekje për të luftuar këtë informalitet apo për të nxitur bizneset të hapin më shumë vende pune përmes lehtësimit të taksës së punës, një politikë që po e ndjekin shumë vende në botë.

 

Propozimet e biznesit

Tashmë, edhe vetë qeveritarët kanë pranuar se paketa fiskale e dhjetorit u bë me nxitim dhe, në përputhje me këtë, biznesi ndodhet përballë një mundësie të dytë. Përmes ndryshimeve që do të miratohen deri në fund të qershorit, bizneset presin të realizojnë kërkesat që nuk u dëgjuan vitin e kaluar.

Ka qenë vetë ministri i Financave, Shkëlqim Cani, që kërkoi falje në forumin e Shoqatës së Investitorëve të Huaj për konsultimet e vakëta me sipërmarrjet para miratimit të paketës në dhjetor. E ndërsa do të paguanin më tepër, për fitimet e tyre, sipërmarrësit e mëdhenj iu gëzuan kësaj deklarate që iu vinte për herë të parë nga një drejtues financash.

Dy janë drejtimet ku synojnë propozimet e shoqatave kryesore të bhiznesit aktualisht. Së pari, në uljen e ngarkesës fiskale për sektorë dhe industri që kanë nevojë për t’u stimuluar dhe së dyti në përmirësimin e procedurave tatimore dhe doganore, për të ulur nivelin e burokracisë dhe të korrupsionit të administratës së shërbimit.
Kështu, sipas “Biznes Albania”-s, “do të kërkojmë, që të stimulohet sektori i turizmit, duke propozuar Tatim mbi Vlerën e Shtuar në masën 10%, duke ditur që vendet e rajonit e kanë deri në 8%”. Ndërkohë, variantet e propozuara nga fasoni janë disa, përfshirë edhe tatim fitim zero për qind.

Sipas përfaqësuesve të biznesit, sektori fason ndihmohet shumë me një ulje të barrës fiskale ndërsa efekti (negativ) në buxhetin e shtetit është i vogël. Politika e taksave të ulëta për fasonin pritet të rrisë interesin për investime të tjera në këtë sektor, dhe do të rrisë më shumë punësimin.

Pjesë e kërkesave nga biznesi do të jetë edhe sektori më në vështirësi prej disa vitesh tashmë. Ndërtimi, i cili u përball me një maturim të tregut rreth 5 vjet më parë, po haset njëkohësisht edhe me ulje të kërkesës për blerje për shkak të efekteve të krizës financiare e njëkohësisht, edhe me rritje të kostot së ndërtimit. Sipas të dhënave të Institutit Shqiptar të Statistikave, në dhjetor të vitit 2013 kostot e ndërtimit u rritën 1.2% krahasuar me një vit më parë. Dyfishimi i taksës së banesës në muajin dhjetor, (e cila matet për sipërfaqe katror) vlerësohet të rëndojë më së shumti te ndërtesat e bizneseve, pasi janë më të mëdha, e tek ndërtesat ende të pashitura.
Biznesi pritet të kërkojë uljen e taksave për ndërtesat e biznesit, të cilat janë shumë të larta dhe heqjen e taksave për banesat e ndërtimit të hipotekuara dhe të pashitura.

Së fundi, shqetësim i përhershëm për sipërmarrjet mbetet çmimi i referencave, që doganat vazhdojnë të përdorin në përllogaritjen për efekt taksimi. Administrata doganore penalizon me gjoba të paarsyeshme bizneset me fasonë në industrinë ushqimore për diferencat në peshë të lëndës së parë të importuar. Këtë shqetësim e ngriti dy ditë më parë “Albanian Food Industry”, e cila kërkon zgjidhjen e këtij problemi. “Albanian Food Industri” është një shoqatë që bashkon rreth vetes biznese të shumta të industrisë ushqimore në vend, ndër të cilat një pjesë e konsiderueshme e tyre përpunojnë mallrat nën regjimin doganor të “përpunimit aktiv” fason.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency