“Paketa fiskale” / Basha: Të rishikohen masat ndaj ekonomisë, janë humbur mbi 40 mijë vende pune

0
115

Florenc Drizari

Kreu i PD-së: Kriza ekonomike dhe papunësia, pasojë e politikave qeveritare

 

lulzim-basha-2-720x340Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, njëkohësisht edhe kryebashkiaku i Tiranës, kritikoi ashpër politikat e qeverisë në fushën ekonomike dhe kërkoi rishikimin e paketës fiskale të miratuar në fund të dhjetorit të kaluar. Deklarata e Bashës u bë gjatë vizitës që ai pati pasditen e së shtunës në panairin e mobilierisë të hapur në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Ndërsa vizitoi njësi të ndryshme prodhimi nga Shqipëria, Kosova, Dibra e Madhe etj., Basha vlerësoi se nga viti në vit cilësia e prodhimit po vjen në rritje. Përtej këtij qëndrimi Basha theksoi se mbi 40 mijë vende pune janë humbur nga ekonomia në muajt e fundit, duke e cilësuar këtë një sinjal të keq që jep tregu paketës së re fiskale.

“Gjendja aktuale është jo e dëshirueshme, ekonomia është nën presionin e shumëllojshëm, por në veçanti nën presionin e një pakete fiskale të paarsyeshme. Mendoj se politikëbërësve, qeverisë i takon përgjegjësia të rishikojë me shpejtësi mënyrat dhe masat për t’i ardhur në ndihmë këtij sektori dhe çdo sektori tjetër të ekonomisë, dhe veçanërisht të prodhimit”, – theksoi Basha.

Gjatë një prononcimi të shkurtër për mediat, kryetari i Partisë Demokratike deklaroi mbështetjen e plotë të opozitës për çdo masë që do të çojë në lehtësimin e kushteve dhe lehtësirave fiskale për këtë sektor dhe sektorët e tjerë të prodhimit.

“Dua të shpreh edhe njëherë qëndrimin tim dhe të opozitës, që në këto kohë duhet të ulim dhe jo të rrisim taksat, në këto kohë duhet të kthejmë vëmendjen tonë jo në mënyrë klienteliste dhe propagandistike por në mënyrë tërësore drejt sektorit të prodhimit. Shpreh po kështu, gatishmërinë tonë për të përmbushur dhe për të mbështetur me çdo masë të mundshme për këtë sektor dhe të gjithë sektorët e tjerë të prodhimit në Shqipëri. Situata e punësimit, situata e humbjeve të vendeve të punës dhe jo krijimit të vendeve të reja është një këmbanë e madhe alarmi. Kjo situatë, vjen si rezultat i drejtpërdrejtë i presionit të taksave të larta, ndaj i bëj thirrje qeverisë të shqyrtojë me përparësi dhe urgjencë këtë situatë dhe të propozojë menjëherë masat për daljen nga kjo situatë e krijuar, e vetë krijuar nga një paketë fiskale që nuk stimulon as investimet, as prodhimin, as konsumin dhe as punësimet. Shqipëria sot ka nevojë për stimulim të investimeve, stimulim të kreditit i cili ka rënë në nivele kritike, stimulim të konsumit, stimulim të punësimit për të dalë nga kjo situatë aspak e favorshme, por një situatë e rëndë ekonomike”, – deklaroi zoti Basha.

Reagimi i kreut të PD-së, Lulzim Basha, vjen në kohën kur Kryeministri Edi Rama zhvilloi një mbledhje të Këshillit të Ministrave në qytetin e Vlorës, ku pritej një bilanc i gjashtë muajve të parë qeverisjeje. Më herët opozita ka kritikuar ashpër lëvizjet e qeverinë në fushën ekonomike, sidomos miratimin e paketës së re fiskale. Para miratimit paketës fiskle, opozita organizoi disa takime konsultative me grupe të ndryshme të biznesit në Shqipëri, duke i paraqitur qeverisë edhe disa amendamente se çfarë kërkon biznesi nga qeverisja aktuale. Këto propozime u rrëzuan me shumicën e votave në Kuvend dhe debati për paketën fiskale vazhdoi për disa javë mes pozitës dhe opozitës. Me rikthimin që Basha i bëri akuzave ndaj qeverisë, duket se kjo çështje vazhdon të jetë në fokus të monitorimit nga ana e opozitës në raport me qeverinë.

 

 

Raporti i DASH: Shqipëria, vendburim i hashashit

Sipas një raporti të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për luftën kundër narkotikëve, Shqipëria cilësohet si vendburimi për marijuanën me destinacion tregjet evropiane, por edhe për konsumin e brendshëm.

DASH thotë se në vitin e kaluar, volumi i prodhimit të drogave si dhe ai i kapjes së trafikuesve të tyre e arrestimeve ka vazhduar të jetë në nivele të larta. Megjithatë, përmirësimi i trajnimit të forcave policore dhe teknikave të përdorura prej tyre, përfshirë shtimin e kontrolleve në pikat e kalimit kufitar apo përdorimit më efikas të pajisjeve të kërkimit, kanë çuar në rritjen e sasisë së bllokuar të lëndëve narkotike dhe prangosjeve.

Mbështetur në volumin e sekuestrimeve, prodhimi lokal i marijuanës mbetet i lartë për të tretin vit radhazi, vlerëson DASH, ndonëse nuk ka një përllogaritje zyrtare mbi totalin e kultivimeve. Me përjashtim të kanabisit, Shqipëria nuk konsiderohet prodhues i qenësishëm i drogave të paligjshme, përbërësve kimike apo drogave sintetike. Qeveria shqiptare nuk ka një bazë të saktë të dhënash sa është përdorimi i drogës në vend, theksohet në raport, por përpos hashashit, ai i narkotikëve të tjerë nuk është një dukuri e zakonshme.

Nga statistikat e Policisë së Shtetit rezulton se sasia e drogave të kapura gjatë 2013-ës dhe numri i personave të ndaluar e kalon nivelin e 2012-ës. Në total, gjatë vitit të kaluar u kapën 33 tonë kanabis, ndërsa në 2012-ën kjo shifër ishte 21,2 tonë. Përveç marijuanës, policia ka sekuestruar 47,3 kilogramë heroinë dhe 16,1 kg kokainë. Të ndaluarit për trafik droge janë 803, ndërsa në 2012-ën, ishin 729. Dokumenti përmend 63 çështje të dërguara për gjykim dhe Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë 83 vendime fajësie, ku përfshihen edhe raste të bartura nga vitet e mëparshme.

 

MPJ: Rasti i Krimesë s’ka ngjashmëri me Kosovën

Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë u është bashkuar shqetësimeve të ndërkombëtarëve për mbajtjen e referendumit në Krime. MPJ e cilëson të paligjshëm dhe në kundërshtim me Kushtetutën ukrainase këtë referendum, ndërsa dënon çdo lloj deklarate që e cilëson rastin e Krimesë të ngjashëm me Kosovën.

“Ministria e Punëve të Jashtme së Republikës së Shqipërisë i bashkohet shqetësimit të shprehur nga komuniteti ndërkombëtar mbi paligjshmërinë dhe rrezikshmërinë e referendumit të deklaruar për t’u zhvilluar në Krime në datën 16 mars. MPJ vlerëson se ky referendum është i paligjshëm dhe në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Ukrainës dhe të drejtën ndërkombëtare dhe nuk mund të shërbejë si bazë për asnjë ndryshim të statusit të Krimesë”, – thuhet në deklaratë.

Ndër të tjera, MPJ i bën thirrje Rusisë “që të ndalojë veprimet në mbështetje të kësaj iniciative të rrezikshme, destabilizuese që cenon sovranitetin, integritetin territorial dhe unitetin e Ukrainës”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency