Standard.al

Vrasja në Shkodër/ Viktima dhe autori konfliktoheshin për çdo gjë, nuk e pëlqenin njëri-tjetrin

Anxhela Tato

 

 

Dëshmia e familjarëve në polici: Armiqësi e hershme e të dyja palëve, nuk e mendonim se do të arrinin deri në vrasje

 Policia mban nën vëzhgim banesën e familjes së autorit të krimit, frikë nga hakmarrja

 

vrasja shkoderArmiqësia dhe konfliktet e vjetra janë shkaku i krimit ku mbeti i vrarë Çesk Pjetri. Sipas dëshmive të familjarëve, autori dhe viktima konfliktoheshin shpesh edhe për shkaqe banale. Një armiqësi e hershme, pa shkak, por thjesht se nuk e pëlqenin njëri-tjetrin, çoi në vrasjen e 47-vjeçarit në Ashtë të Shkodres. Dy fqinjët Ndoja dhe Pjetri konfliktoheshin sapo t’u jepej rasti. Kështu ndodhi edhe të enjten. Mark Ndoja, 69 vjeç, tashme në pranga, qëlloi me çifte Çesk Pjetrin pas debatit për degët e krasitura. Autori pretendoi që komshiu i tij i kishte hedhur ato para derës së shtëpisë dhe për këtë arsye e ekzekutoi në mes të arës. Dëshmitë e familjarëve zbuluan që mes të dyve nuk kishte pasur miqësi asnjëherë, por nuk besonin që kjo t’i çonte deri në vrasje. Me banesa afër, autori i kishte kërkuar viktimës, të mos i hidhte më degët e pemëve, pasi toka i përkiste atij, mirëpo ishte injoruar. 69-vjeçari është kthyer në banesë vetëm 30 metra larg, ka marrë armën e gjahut dhe pa paralajmëruar ka qëlluar dy herë në drejtim të Pjetrit. Policia e Shkodrës po vëzhgon banesën e Mark Ndojës nga frika e ndonjë hakmarrjeje të të afërmve të Çesk Pjetrit.

 

Ngjarja

 Nga burimet policore lokale mësohet se 47-vjeçari kishte krasitur hardhitë dhe degët e prera i kishte hedhur në tokën përpara banesës së tij. Fqinji i tij, 69-vjeçari Jaku i ka kërkuar Pjetrit që të mos i hidhte më degët e pemëve, pasi toka i përkiste atij, mirëpo 47-vjeçari e kishte injoruar kërkesën e tij. Pas një debati mes Pjetrit dhe Jakut, ky i fundit është kthyer në banesë, vetëm 30 metra larg, ka marrë armën e gjahut dhe i është drejtuar 47-vjeçarit, i cili në ato momente sapo kishte hedhur disa degë të tjera. Pa e paralajmëruar, 69-vjeçari ka qëlluar dy herë në drejtim të fqinjit, i cili ka mbetur i vdekur në vend, pasi saçmat e çiftes i kanë prekur organet jetike. Në vendin e ngjarjes, policia ka arrestuar të dyshuar dhe ka sekuestruar armën e zjarrit, ndërkohë që në të njëjtën kohë janë shoqëruar në polici pjesëtarët e dy familjeve. Grupi hetimor i ka intervistuar ata për të mësuar më shumë në lidhje me konfliktin, por ka rezultuar se ata nuk kanë pasur konflikte të mëparshme. Pas hetimeve të kryera, policia e Shkodrës ka arritur në përfundimin se kemi të bëjmë me një vrasje të ndodhur për motive banale pas një grindje të çastit. Ndërkohë, shërbimet e policisë janë duke mbajtur nën vëzhgim banesat e dy familjeve të përfshira në këtë ngjarje nga frika e ndonjë hakmarrje. Nga ana tjetër mësohet se edhe për banorët e zonës, kjo vrasje ka qenë krejt e papritur. Ata shpjegojnë se mes këtyre dy familjeve nuk ka pasur konflikte të mëparshme dhe kanë mbetur të shtangur nga reagimi i djeshëm i 69-vjeçarit.

 

 

 Greqi

Vrau dhe murosi biznesmenin grek, burg i përjetshëm për “vejushën e zezë”

Burgimi i përjetshëm është dënimi për “vejushën e zezë”, e cila masakroi shtatë burra. Eva Zhanga, 52-vjeçarja nga Thiva e Sarandës, u dënua për vrasjen e biznesmenit 42-vjeçar grek Tasos Tsagaropoulos, të cilin me ndihmën e një tjetër greku dhe një shqiptari e kishte çimentuar. Eva Zhanga, gruaja nga Shqipëria, akuzohet se vrasjen e ka kryer më 24 maj 2009, duke pasur si bashkëpunëtor partnerin A. P., që vdiq disa muaj më vonë nga “kanceri” dhe një bashkëpatriot nga Shqipëria, me inicialet N. K., i akuzuar për ndihmë në aktin makabër. Sipas aktakuzës, 52-vjeçarja fillimisht i hodhi qetësues biznesmenit grek në lëngun e portokallit dhe bashkë me partnerin e saj e goditi Tason tre ose katër herë në kokë me një çekiç dhe më pas në qafë. Më pas, Eva, A. P. dhe shqiptari N. K. e kanë murosur në vaskë. Në regjistrat e Gjendjes Civile të Komunës së Dhivrit, ajo figuron me emrin Panago. Më tej është transformuar në Evangjelia, për të pësuar shndërrimin e fundit në Greqi, ku më së shumti njihet thjesht Eva. Është person në kërkim nga policia shqiptare dhe Interpol Tirana. Pasi vrau të shoqin në Sarandë dhe iku në Greqi, shkoi në Amerikë, ku gjeti një burrë të pasur, me të cilin u martua e fitoi shumë para. E bindi burrin e radhës që të ktheheshin në Greqi, ku e braktisi në një azil pleqsh. Mbi të rëndojnë denoncime për rrëmbim pasurie nga familjarë të 13 burrave pleq në Kretë, Volos, Selanik dhe Peloponez. Bëmat e Eva Zhangës vërtiten sa në instinktin e vrasëses, aq edhe në vesin e mashtrimit. Ndërkohë, ajo kishte aftësinë të “ngjiste” shkallët e shoqërisë, duke ofruar trupin për njerëz të moshuar dhe të pasur.

 

Antidroga

Greqi-Itali, sekuestrohet heroinë dhe hashash, pranga 4 shqiptarëve

Dy aksione antidroge janë zhvilluar në Itali dhe Greqi, ku është sekuestruar heroinë, ndërsa janë zbuluar shtetas shqiptar të implikuar. Në krye të trafikut të drogës një i dënuar shqiptar, i cili drejtonte aktivitetin e jashtëligjshëm nga qelia e tij. Polica ka arritur që të sekuestrojë një sasi prej 1 kilogramësh heroinë, e cila ishte destinuar për t’u shitur në tregu e zi. Dyshohet që prejardhja e drogës është nga Turqia, por nga ana e policisë nuk jepen detaje shtesë për këtë operacion. Njëkohësisht në Korint është zbuluar një kamion me 600 kg hashash dhe në pranga kanë përfunduar pesë persona, shqiptarë dhe grek, të cilët e kishin përgatitur drogën për tregun e Evropës Qendrorë. Sipas vlerësimeve të policisë, nëse trafikantët shqiptarë në Greqi dhe Evropë do ta kishin shitur drogë, do fitonin të paktën 1.500.000 euro. Paralelisht me këtë operacion në Itali është arritur të gjendet 2.6 kg heroinë në një makinë të tipit “Ford”, ndërsa në pranga kanë rënë dy shtetas shqiptar.

 

 

Tiranë

I vidhet automjeti dhe 50 mijë lekë, shkak konflikti familjar

 Merret me forcë një makinë në Tiranë, ndërsa drejtuesit të saj i janë marrë edhe 50 mijë lekë që i kishte me vete. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20 minuta, kur drejtuesi i makinës “Fiat Punto”, është përleshur me personat që i kanë marrë makinën, por nuk ka mundur që t’i ndalojë. Nga të dhënat e policisë dyshohet se ngjarja ka për bazë një konflikt familjar mes drejtuesit të makinës dhe personave që ia kanë marrë atë. Dyshohet se shoferi i makinës kishte disa para borxh dhe kjo ka sjellë edhe marrjen e mjetit dhe të parave. Ka qenë telefonata e shoferit të makinës që ka njoftuar policinë e cila ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur menjëherë hetimet. Është marrë në pyetje i dëmtuari, ndërsa ende vazhdojnë hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Comments are closed.