Standard.al

Terrorizmi/ Gjykata lë në burg 4 të arrestuarit, shtohen denoncimet ndaj grupit

Sonja Caka

 

 

Të akuzuarit mohojnë akuzat dhe refuzojnë mbrojtjen. Mbështetësit e të arrestuarve dhe specialët e policisë “rrethojnë” Gjykatën

 

 

 policia ne gjykate xhihad terrorizemNjë ditë pas caktimit të masës ndaj dy imamëve dhe mbështetësve të tyre në rekrutimin e njerëzve për t’i dërguar në luftë në Siri, dolën para Gjykatës edhe katër të arrestuarit e tjerë. Sërish Gjykata në nivel të lartë sigurie, pasi mbështetësit e të arrestuarve gjendeshin kudo, në çdo cep të Gjykatës së Krimeve të Rënda, ashtu si dhe specialët e RENEA-s dhe FNSH-së. Mbërritja e grupit të dytë të të akuzuarve, ndryshe nga një ditë më parë, u prit me ovacione dhe përshëndetje fetare, me gishtin lart drejtuar nga qielli që simbolizon se mbrojtja e tyre është Allahu. Më pas, u mbyll gjithçka, si dyert e Gjykatës, ashtu edhe komunikimi për mediat. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa mediat dhe familjarët prisnin jashtë rrethimit. Burime nga brenda Gjykatës bënë me dije se si katër të akuzuarit e tjerë, edhe ata që u njohën me masën dje, kanë refuzuar avokatët mbrojtës, si ata të dërguar nga familjet përkatëse, ashtu dhe ata të caktuar nga shteti. Para Gjykatës kanë deklaruar se i mbron Allahu dhe rruga që ndjekin është e drejtë, si dhe nuk kanë nevojë për mbrojtje ligjore. Madje, mësohet se kanë refuzuar të ngrihen në këmbë në respekt të Gjykatës, me argumentin se nuk e njohin këtë lloj drejtësie.

 

Masa

Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi dje masën e sigurisë “Arrest me burg” për katër të arrestuarit e tjerë, të cilët akuzohen për terrorizëm. Gjykata u komunikoi masën e sigurisë “Arrest me burg” të pandehurve Astrit Tola, Verdi Morava, Orion Reçi dhe Edmond Balla. Dy ditë më parë, po kjo Gjykatë la në “Arrest me burg” 4 të arrestuarit Bajram Hysa, Genc Balla, Zeqir Imeri dhe Fadil Muslimani. Asnjë prej tyre nuk e pranoi akuzën se rekrutimi i luftëtarëve për në Siri është një vepër penale, e aq më shumë terrorizëm, siç shkruhet në akuzë. Madje, ata kanë arsyetuar se mbi atë që ndodh në Siri, veprimet e tyre janë të drejta, madje një detyrim i çdo besimtari mysliman. Refuzuan mbrojtjen ligjore nga avokatë të caktuar nga familja apo Gjykata. Sipas burimeve, 42-vjeçari Tola ka kundërshtuar që ta mbrojë i vëllai i vet, me profesion avokat në Dhomën e Avokatisë Elbasan, Ndriçim Tola, çka solli edhe përfaqësimin e tij nga avokatë të caktuar nga shteti, sikurse edhe rasti i 24-vjeçarit Edmond Balla.

 

Akuza

Gjatë seancës së djeshme, ashtu si dhe dy ditë më parë, prokurorja e çështjes, Elisabeta Imeraj, ka deklaruar para Gjykatës se ka dyshime të forta se 8 të arrestuarit në Shqipëri dhe 5 të tjerët që janë në kërkim dhe që janë të përfshirë në dërgimin e gati 80 shqiptarëve në Siri, janë pjesë e Al-Nusras, e cila është e përfshirë në listën e OKB-së si organizatë terroriste. Prokuroria mendon qe personi më i rëndësishëm brenda vendit dhe që është tashmë i arrestuar, është imami i vetëshpallur Genci Balla, i cili rezulton të ketë qenë po ashtu në Siri. Ndërkohë, të tjerët janë më shumë besimtarë të manipuluar, të cilët përdoreshin për propagandë dhe për të bindur shtetas të këtij besimi që të bëheshin pjesë e luftimeve në Siri.

 

 

Babai i Edmond Ballës: Nuk më lejojnë t’i jap ushqime djalit

Në derën e paraburgimit 313, babai i Edmond Ballës, Shaban Balla, protestoi përpara policisë. Madje, situata u acarua edhe më tepër kur i moshuari kërkoi të fuste ushqim për të birin, veprim që u ndalua prej Policisë së Burgjeve. “Ka një javë djali pa ngrënë fare. Ushqimin e burgut nuk e ha. Çdo gjë këtu është haram dhe nuk e ha. Dua thjesht t’i çoj një ushqim djalit tim. Gjithë këtë debat e bëjnë për t’i dhënë një byrek djalit. Në qoftë se djali im ka çuar qoftë edhe një person në Siri, atëherë unë i them shtetit që të mos e nxjerrë kurrë nga burgu”, – tha babai.

 

Denoncimi: Genci Balla më ka çuar djalin dhe ish-gruan në Siri

Një tjetër denoncim iu shtua dosjes së akuzave ndaj tetë të akuzuarve për rekrutim të shqiptarëve për në Siri, në mënyrë të veçantë kundër imamit të vetëshpallur Genci Balla. Zamir Mani, një qytetar nga Shkodra, është paraqitur te Krimet e Rënda, te prokurorja Elisabeta Imeraj, për të denoncuar të arrestuarin Genci Balla. Ai e akuzon se i ka çuar djalin 4-vjeçar dhe ish-gruan Almira Kastrati në Siri. Sipas tij, gjithçka nisi kur Almira filloi punë në një organizatë islamike dhe fitonte kënaqshëm, por indoktrinimi i Almirës bëri që martesa me Zamirin të mos zgjaste shumë. Ajo u largua nga Shkodra dhe u martua me imamin Genci Balla dhe ka edhe me të një fëmijë. Zamir Mani mësohet të jetë shprehur se ka dyshime të forta se djali i tij është dërguar në Siri dhe ka kërkuar gjetjen e fëmijës. Ky është kallëzimi i parë, të tjera priten t’i shtohen dosjes së tetë të arrestuarve. Jo zyrtarisht, thuhet se edhe në Prokurorinë e Pogradecit, familjarët e njërit prej viktimave që kanë humbur jetën në Siri, kanë kallëzuar penalisht dy imamët e vetëshpallur, për dërgim të djalit në luftë, ku edhe gjeti vdekjen. Pritet që ky kallëzim t’i bashkohet dosjes që po hetohet nga prokurorja Imeraj.

 

Austri

Naço-Brandstetter, diskutime për krijimin e një sistemi të ri vlerësimi për gjyqtarët

Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Republikën Federale të Austrisë, gjatë së cilës është takuar me homologun e tij austriak, z. Wolfgang Brandstetter. Kontributi i Ministrisë austriake të Drejtësisë në reformën e sistemit të drejtësisë, veçanërisht në krijimin e një sistemi të ri për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ishin temë e takimit midis dy ministrave. Gjithashtu, z. Naço dhe z. Brandstetter kanë diskutuar edhe për mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje dypalëshe bashkëpunimi në fushën e drejtësisë, për të cilën ekspertët e të dyja vendeve do të nisin punën në nivel teknik. Ndërkohë, gjatë takimit, ministri vlerësoi bashkëpunimin me Prokurorinë e Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në Vjenë si dhe shfaqi interes për mundësinë e instalimit të Sistemit Informativ të Drejtësisë (RIS) në Shqipëri. Ndërsa është ndalur në nevojën e asistencës në drejtim të reformimit të sistemit gjyqësor, z. Naço theksoi rëndësinë e konsolidimit të bashkëpunimit të mëtejshëm për të mundësuar forcimin e shtetit të së drejtës. Gjithashtu, ministri vlerësoi si shumë të rëndësishme përfshirjen e të gjithë aktorëve në rritjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për përmbushjen e të gjitha ndryshimeve reformuese për arritjen e këtij qëllimi. Ministri Brandstetter është shprehur i gatshëm për nisjen e një bashkëpunimi në nivel teknik, që do të krijonte mundësinë e trajnimeve dhe shkëmbimit të përvojës, duke garantuar rritjen e standardeve në sistemin e drejtësisë. Z. Brandstetter e ka vlerësuar integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian si përmbushjen e një aspirate që ka mbështetjen maksimale të Republikës Federale të Austrisë. Në vijim të takimeve zyrtare, gjatë vizitës së tij në Austri, ministri Naço është pritur edhe nga presidenti i Gjykatës Kushtetuese, z. Gerhart Holzinger. Ministri Naço e ka njohur z. Holzinger me nismat te cilat janë planifikuar në kuadër të reformimit të sistemit gjyqësor në vendin tonë, pjesë e të cilave është edhe reformimi i Gjykatës Kushtetuese. Z. Naço e informoi z. Holzinger se për realizimin e të gjitha reformave është kërkuar edhe ndihma e Komisionit të Venecias, ndërsa ka vlerësuar si mjaft të rëndësishme ngritjen e grupit këshillimor, i cili pritet të japë ekspertizën e tij mbi të gjitha zhvillimet e mëtejshme të sistemit të drejtësisë.

Comments are closed.