Qeveria ul tri herë investimet në janar-shkurt

0

Ervin Kaduku

Loading...

 

 

qeveria mbledhja Ulet deficiti buxhetor krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, por me koston e ndërprerjes së shpenzimeve kapitale; dështon akciza, në ulje tatimi mbi të ardhurat personale, nuk ndryshon tatimfitimi krahasuar me 2013-ën

 

Ajo që i druheshin ekspertët e menaxhimit të buxhetit, duket se ka ndodhur në dy muajt e parë të këtij viti: Ministria e Financave ka zgjedhur rrugën e ndalimit të shpenzimeve për qëllime investimi për të rregulluar deficitin buxhetor. Ky i fundit, sipas shifrave zyrtare të porsapublikuara nga ana e këtij dikasteri, rezulton vërtet që për dymujorin të ketë shënuar një ulje të ndjeshme, duke kaluar nga 7.4 miliardë lekë në janar-shkurt të vitit të kaluar, në 1.7 miliardë në janar-shkurt 2013. Por shpenzimet kapitale, zëri më i rëndësishëm në buxhetin e një shteti, që sigurojnë rritjen e ekonomisë nëpërmjet hedhjes së fondeve të grumbulluara nga taksat e taksapaguesve në favor të infrastrukturës dhe shërbimeve të tjera jetike, që krijojnë edhe rritje reale të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në fakt kanë kaluar nga 7 miliardë lekë një vit më parë, në vetëm 2.6 miliardë lekë.

Në të njëjtën periudhë të vitit, shpenzimet për paga nuk kanë ndryshuar fare, po kështu edhe ato për interesa të borxhit, përkatësisht 9.8 miliardë dhe 7.9 miliardë lekë në dy muaj, njësoj sa në 2013-ën.

Ndërkohë që administrata fiskale e shtetit ka arritur të ketë një rritje të ndjeshme në mbledhjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, që ka kaluar nga 15.6 miliardë lekë vitin e kaluar, në 18.3 miliardë këtë vit, ajo ka dështuar me akcizën. Në këtë zë janë siguruar gati 22 për qind më pak të ardhura për arkën e shtetit, ndonëse janë vendosur nga 1 janari akciza edhe për mallra që më parë nuk trajtoheshin me këtë taksë, si për shembull rasti i pijeve energjike, që kanë një konsum të konsiderueshëm.

Kontributet e sigurimeve shoqërore kanë shënuar një tjetër shifër negative, duke qenë 2,1 për qind më të ulëta se shifra e mbledhur nga administrata një vit më parë në dy muajt e parë të vitit. Në të njëjtën kohë, për sigurime shoqërore shteti ka qenë i detyruar që të shpenzojë 6.3 për qind më shumë sesa në janar-shkurtin e vitit 2013.

Për buxhetin e pushtetit vendor qeveria qendrore ka shpenzuar gati 12 për qind më pak fonde krahasuar me një vit më parë, kurse numri i familjeve që janë trajtuar me ndihmë ekonomike është rritur ndjeshëm, por të nisesh nga fakti që kuota e trajtimit financiar të tyre nuk është rritur, por në total kemi një rritje në masën afro 10 për qind.

Kjo dëshmon për varfërimin e shqiptarëve, ashtu si edhe zëri tjetër që rezulton deficitar: të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat (që u mbahet të punësuarve nga pagat e tyre) janë 4.6 miliardë lekë në vitin 2014, nga 4.9 miliardë një vit më parë, me një ulje prej më se gjashtë përqindësh.

Këto rezultate, po t’i krahasosh edhe me ato të siguruara gjatë muajit janar 2014, flasin se viti i parë fiskal, i mbuluar nga qeveria “Rama”, nuk ka sjellë shenja pozitive për sistemin e financave publike dhe për ekonominë shqiptare. Edhe në muajin e parë të këtij viti u vu re gjithashtu rënie e investimeve. Në rast se gjatë vitit të kaluar në janar janë shpenzuar nga arka e shtetit 3.5 miliardë lekë apo afro 25 milionë euro, në 31 ditët e para të vitit “Rama-Cani” kanë nxjerrë për këtë qëllim… 5 herë më pak, ose vetëm 678 milionë lekë, ose 4.8 milionë euro!

Nuk kërkohet patjetër që të jesh specialist i financave publike, që të kuptosh se të rritësh shpenzimet korrente, ndërkohë që ul në mënyrë drastike shpenzimet për investime, kjo ka vetëm një përfundim: falimentin e shtetit dhe të ekonomisë!

 

Buxheti 2014 dhe performanca e dymujorit (shifrat janë në MLD lekë)
       
Totali i të ardhurave

52.4

50

 
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar VSH

18.3

15.6

 
Tatim mbi fitimin

2.4

2.4

 
Akcizat

3.7

4.7

 
Tatimi mbi të ardhurat personale

4.6

4.9

 
Të ardhura nga pushteti vendor

1.4

1.4

 
Sigurimet shoqërore

9.2

9.4

 
Shpenzimet në total

54.1

57.1

 
Paga

9.8

9.8

 
Interesat

7.9

7.9

 
Shpenzime për sigurime shoqërore

15.1

14.2

 
Shpenzime për sigurime shëndetësore

4.8

4.4

 
Shpenzime për buxhetin vendor

3.1

3.5

 
Ndihma ekonomike

4.7

4.3

 
Shpenzimet kapitale (Investimet)

2.6

7

 
       

 

Ndryshon procedura e pagesës së rentës minerare

Në bazë të një udhëzimi të publikuar në “Fletoren zyrtare”, kanë ndryshuar procedurat se si do të paguhet renta minerare.

Sipas vendimit të publikuar, në udhëzimin nr. 26, datë 4.9.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar, në pikën II të pikës 2.4.1, paragrafi i tretë dhe i katërt zëvendësohen nga paragrafët me këtë përmbajtje:
“Në momentin kur subjekti eksportues, eksporton mineralin që ka blerë nga zotëruesi i lejes së shfrytëzimit apo nënproduktin mineral, ai paguan rentën minerare vetëm për diferencën ndërmjet vlerës së rentës së përllogaritur në bazë të çmimeve të eksportit, që është çmimi FOB në Shqipëri, dhe vlerës së rentës të paguar nga zotëruesi i lejes së shfrytëzimit në përputhje me pikën 3 të vendimit nr. 7, datë 4.1.2012 “Për përcaktimin e procedurave dhe të dokumentacionit të nevojshëm për arkëtimin e taksës së rentës minerare”.
Në momentin e eksportit në degën doganore, në bazë të deklaratës së eksportit dhe dokumentacionit shoqërues, përllogaritet vlera e plotë dhe shuma e rentës minerare për sasinë e mineralit apo nënproduktit që po eksportohet.
Subjekti deklarues është i detyruar që në momentin e eksportimit, pranë organit doganor të vetëdeklarojë shumën e rentës minerare të paguar (pranë organeve tatimore) për sasinë e mineralit apo nënproduktit që po eksportohet, si dhe të depozitojë dokumentet përkatëse.
Shuma që do të paguhet në doganë, do të jetë diferenca ndërmjet shumës së llogaritur për vlerën e plotë të rentës dhe shumës së rentës së vetëdeklaruar si të paguar pranë organeve tatimore.
Organet tatimore, në bazë të të dhënave që marrin nga organet doganore, verifikojnë saktësinë e vetëdeklarimeve të bëra nga subjektet eksportuese dhe marrin masa për rregullimin e situatës në rast konstatimi të diferencave, si dhe njoftojnë organet doganore”.

 

Të ardhurat nga renta ranë në janar

Të ardhurat nga renta minerare ka shënuar në janar të këtij viti rënie për herë të parë gjatë pesë viteve të fundit. Në fund të muajit janar 2014 u arkëtuan 539 milionë lekë të ardhura nga renta minerare, me një rënie prej 18.2% kundrejt së njëjtës periudhë të një viti më parë.

Gjatë janarit 2013, renta minerare kishte arritur edhe vlerën maksimale të saj, duke shënuar 659 milionë lekë.

Rënia e rentës minerare ka ardhur si pasojë e tkurrjes së eksporteve të karburanteve gjatë këtij muaji, duke regjistruar kështu një performancë negative të një prej zërave më të rëndësishëm të shitjeve tona jashtë vendit.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, eksportet e lëndëve djegëse minerale kanë zbritur në afro 4.9 miliardë lekë, me një rënie prej rreth 16% kundrejt janarit 2013.

Kjo është rënia e parë që eksportet e këtij grupi mallrash shënojnë gjatë 4-5 viteve të fundit.

Por një efekt shumë negativ tek ecuria e të ardhurave nga renta ka ardhur edhe si pasojë e rënies së ndjeshme të eksporteve të mineraleve. Sipas Doganave, eksportet e mineraleve në muajin janar 2014 u tkurrën me 36% kundrejt janarit 2013, duke zbritur në 886 milionë lekë.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, eksportet në total kanë rënë 1.5% në muajin e parë të këtij viti kundrejt janarit 2013, duke frenuar rritjen e shpejtë të shënuar në vitet e mëparshme.

Gjatë muajit janar 2014 është shënuar tkurrje e eksporteve dhe nga ana tjetër, rritje e importeve.

 

 

Komisionerja: Mund të publikohen emrat e kompanive që abuzojnë me cilësinë e naftës

Inspektorati Qendror Teknik ka të drejtë të publikojë emrat e subjekteve të kompanive që abuzojnë me cilësinë e karburanteve. Kështu është shprehur përmes një shkrese zyrtare komisionerja për Mbrojtjen e të Dhënave, Flora Çabej, në përgjigje të kërkesës së Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë. Për komisioneren, publikimi i emrave të kompanive nga Inspektoriati Qendror Teknik, bazohet në ligjin nr. 9887 datë 10.3.2008, në të cilin thuhet se kompanitë janë kontrolluese të të dhënave personale, sepse mbledhin, ruajnë, përhapin apo i transmetojnë këto të dhëna, pra përpunojnë të dhëna personale si dhe kanë detyrimin ligjor të njoftojnë pranë komisionerit për përpunimin e të dhënave personale që ato kryejnë. Sipas institucionit që garanton të drejtën e privatësisë, transparenca për të mbrojtur interesat e subjekteve të të dhënave (në këtë rast të konsumatorit), duhet konsideruar e rëndësishme. Komisioneri shprehet se në këtë rast jemi përpara së drejtës për informimin e publikut që është një e drejtë që buron nga neni 9 i ligjit nr. 10433 datë 16.6.2011 në të cilin thuhet se Inspektorati informon publikon për konstatimet dhe masat gjatë procedimit administrativ të inspektimit nëse kjo është e nevojshme për mbrojtjen e të dhënave dhe të interesave të personave fizikë dhe juridikë.

 

 

Loading...