Standard.al

OPOZITA/ Halimi: S’ka deklaratë të miratuar në Strasburg, mazhoranca bllokoi procesin, kemi ecur pas

Florenc Drizari

 

“Në rast se Kryeministri institucionet e pavarura, që janë për ta kontrolluar Kryeministrin, i merr nën sqetull, atëherë kjo është një rrugë jo drejt BE-së”

 

 

eduard_halimi_24_nentor_20130008 Opozita përgënjeshtron deklaratat e qeverisë për miratimin e pjesshëm të projektrezolutës në takimin ndërparlamentar Shqipëri-BE që u mbajt në Strasburg, mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe pakicës shqiptare. Deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi, pjesë e delegacionit në emër të opozitës, tha se shkak për mosmiratimin e një projekti të përbashkët u bënë qëndrimet e përfaqësuesve të qeverisë, të cilët, sipas tij, bllokuan amendamentet e propozuara. Sipas Halimit, propozimet e opozitës u bënë për pavarësinë e institucioneve të pavarura, administratën dhe çështje të tjera rëndësishme për vendin.

 

 HALIMI

 “Nuk është nënshkruar asnjë deklaratë, nuk është miratuar asnjë rezolutë, për faktin se draftrezoluta u bllokua nga mazhoranca. Këto amendamente u kundërshtuan dhe u bllokuan nga ana e mazhorancës, gjë që edhe solli që mbas tri orësh tej afatit, pra diskutimi vijoi gati 5 orë, por 3 orë tej afatit mazhoranca nuk hapi rrugë. Mazhoranca kërkonte që të bënte deklarime të përgjithshme, kërkonte të bënte klishe, të njëjta me ato që u bënë në tetor, pra: Ne garantojmë institucionet e pavarura, qeveria merr përsipër të garantojë institucionet e pavarura, merr përsipër të zbatojë kushtetutën, pra këto janë klishe dhe nuk kanë të bëjnë me realitetin. Në rast se ne nuk jemi të vërtetë, atëherë ne rrezikojmë të mos jemi të besueshëm”, – u shpreh Halimi.

Sipas deputetit të Partisë Demokratike, opozita kërkoi që shqetësimet e saj lidhur me situatën në vend mbi krimin, korrupsionin, trafikun duhet të përfshiheshin në draftin përfundimtar. “Ne i morëm në tetor këto angazhime, para Parlamentit Evropian dhe sot në vend që të kishim ecur përpara ne kemi ecur pas. Në rast se Kryeministri merr institucionet e pavarura, që janë për ta kontrolluar Kryeministrin, i merr nën sqetull, atëherë kjo është një rrugë jo drejt BE-së”, – deklaroi Halimi.

 

TAKIMI

 Komiteti i Stabilizim-Asocimit BE-Shqipëri që u mbajt në Strasburg, përfundoi punimet e takimit pa një konsensus të gjerë mes përfaqësuesve shqiptarë të pozitës dhe opozitës, por edhe pa mirëkuptim mes vetë eurodeputetëve dhe pjesë së delegacionit nga BE-ja. Pas diskutimeve të gjata nuk u arrit të miratohet një projekt i përbashkët. Për propozimet e opozitës u ra dakord të vazhdojë diskutimi në Tiranë, sepse propozimet e deputetëve demokratë u vlerësuan si të paarsyeshme në formën e paraqitur, në disa raste ato ishin edhe me emra konkretë apo që kërkonin anulim të vendimeve të Kuvendit.

Në pikën gjashtë të deklaratës së Komitetit të Asocim-Stabilizimit, e cila nuk gjeti një konsensus të gjerë, flitet me keqardhje për vonesat e publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga ana e qeverisë dhe detyrimin që ka kjo e fundit për të zbatuar vendimin për nëpunësit civilë.

 

 

Propozimet e opozitës që u bllokuan nga PS-ja në Komitetin e Stabilizim-Asocimit

 4. Shpreh keqardhje për skemën e blerjes së votave gjatë zgjedhjeve të pjesshme lokale në Korçë dhe bëjmë thirrje për një hetim të plotë dhe të shpejtë lidhur me këtë çështje. Dënojmë blerjen e votave, duke e cilësuar si formën më të shëmtuar të korrupsionit politik dhe një kërcënim të vërtetë ndaj demokracisë.

5. I referohemi deklaratës në tetor 2013 dhe në rezolutat e Parlamenteve shqiptare dhe evropiane që bëri i thirrje parlamentit dhe qeverisë për të ruajtur dhe për të nxitur integritetin dhe pavarësinë e institucioneve kryesore të tilla si Instituti Kombëtar i Statistikave, Autoriteti Audio-vizual i Medias, Inspektori i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurisë së Zyrtarëve etj; dënon shkarkimin e paligjshëm të znj. Ines Nurja, drejtore e Përgjithshme e Institutit Kombëtar të Statistikave si dhe vë në dukje vendimin e gjykatës që anulon vendimin për të shkarkuar znj. Nurja dhe i kërkon qeverisë të zbatojë vendimin e gjykatës dhe ta rivendosur atë në zyrë;

6. Shpreh keqardhje për shkarkimin e paligjshëm të kreut të Inspektoratit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurisë së Zyrtarëve; shprehim shqetësim të thellë në lidhje me faktin që pushteti ekskluziv i Presidentit për të propozuar kreun e ILDKP-së në përputhje me ligjin është uzurpuar në mënyrë arbitrare nga mazhoranca në Parlament duke çuar kështu në shkeljen e parimeve të Kushtetutës për ndarjen e pushteteve dhe kontrollit dhe duke sjellë një situatë të paqëndrueshme në Parlamentin e Shqipërisë. Bëjmë thirrje për hapa të menjëhershëm për përmirësimin e situatës në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.

7. Kërkojmë që të tërhiqet amendamenti i mbështetur nga mazhoranca për të shkarkuar këshillin e AMA-s dhe rithemelimin e saj, si dhe i bën thirrje mazhorancës të plotësojë vendet e lira në këshillin e AMA-s pa u vonuar.

8. Thirrje mazhorancës për të plotësuar vendet e lira në KQZ në përputhje me ligjin, për të ruajtur dhe nxitur integritetin e saj për të funksionuar normalisht.

9. Thirrje Parlamentit për të zhbllokuar emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

10. Ndihet e alarmuar nga përdorimi i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar për të shkatërruar pronat e ligjshme të qytetarëve shqiptarë dhe të BE-së në kundërshtim me ligjin dhe vendimet e gjykatës dhe i bën thirrje qeverisë të ndalojë menjëherë praktika të tilla dhe të sigurojë dëmshpërblimin e duhur për palët e dëmtuara.

11. Shpreh keqardhje për incidentin në lidhje me shkeljen e paligjshme dhe kopjimin e dyshuar të të dhënave digjitale të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe bën thirrje për një hetim të plotë dhe gjithëpërfshirës të kësaj çështjeje.

 

Comments are closed.