Standard.al

Nga koha kur Papa përshëndeti botën: Mirëmbrëma!

Speciale/ “13 mars 2013-13 mars 2014”. U mbush një vit nga nisja e Papnisë së Jorge Mario Bergoglios

 

Alba Kepi

Papa-Francesco-piace_h_partbVatikan – “13 mars 2013-13 mars 2014”. U mbush një vit nga nisja e Papnisë së Jorge Mario Bergoglios. Plot 12 muaj nga mbrëmja kur Papa Francesco në ballkonin e katedrales së Shën Pjetrit përshëndeti botën: “Mirëmbrëma!” Për herë të parë në histori brenda mureve të Vatikanit bashkëjetojnë dy Papë, një i ulur në postin më të lartë të Selisë së Shenjtë e një tjetër në karrigen e nderit. Për herë të parë zgjidhet Papë një jezuit e gjithçka nuk do të jetë më si parë.

Kanë kaluar shpejt ditët e një viti mbushur me një strategji të vërtetë reformash, ndryshimesh, një revolucion kristian që synon të bashkojë besimtarët me institucionin e tyre fetar duke çuar kishën pranë njerëzve e jo kundërsjelltas. Janë muaj të një sfide të guximshme ndaj çështjeve të konsideruara tabu, si: Banka e Vatikanit, pedofilia tek priftërinjtë, të divorcuarit, homoseksualët, korrupsioni e luksi i tepruar. Javë e javë të një pune me një objektiv të përkushtuar: komunikimin me njerëzit.

Bilanci i këtij të viti konfirmon këtë revolucion të nisur. Prefektura e Selisë Papnore pohon se në 30 audiencat e përgjithshme të mbajtura nga Papa Francesco kanë marrë pjesë mbi një milion e gjysmë besimtarë, ndërsa gjatë Ditës Botërore të Rinisë zhvilluar gjatë muajit korrik në Brazil, për të dëgjuar fjalët e Papës, plazhi i Kopakabanës u mbush me mbi 3 milionë të rinj.

Papnia e Bergoglios nisi mes një stuhie të vërtetë. Ndërtesat e Vatikanit parfumonin helmin e skandalit të Vatileaks. Figura e mazhordomit që vjedh e spiunon dokumentet private të Papës qe kthyer në një fantazmë me paragjykimin “askush nuk beson askënd”. Papritmas dhe lajmi tronditës: Papa Benedikti XVI jep dorëheqjen. Pleqëria, pafuqishmëria, shantazhe, detyrime, komplote dhe hamendësitë e këtij gjesti gërshetojnë fantazinë njerëzore me historinë apostolike. Kisha Katolike qe tashmë pa guidën e saj, besimtarët ndiheshin të humbur e të frikësuar. Nuk zgjati shumë. Më pak se një muaj u desh që Këshilli i Kardinalëve me anë të një riti mesjetar të zgjidhte pasardhësin e radhës së Shën Pjetrit. Ai qe Arqipeshkopi i Buenos Airesit, latino-amerikani Jorge Mario Bergogio, njeriu më i paparashikuar i atyre ditëve në pritje të tymnajës së bardhë, kaq larg kurisë papale dhe luftës për fuqi e pushtet. Personalitet i paindikueshëm e i pakontrollueshëm si dhe një zgjedhje historike për Vatikanin dhe të ardhmen e besimit të krishterë. Profecia fitoi mbi politikën e argjentinasi Jorgo Mario Bergoglio u zgjodh Papa Francesco, qe ai zëvendësuesi i Papës së dorëhequr e të nderit Ratzinger. Nisi epoka e revolucionit të Kishës Katolike, e shpejtë në kohë dhe objektivitet. Nisi modifikimi i doktrinës, liturgjisë, organizmit e mbi të gjitha i teologjisë së krishterë. Me gjuhën e analistëve përkufizohet si “Pranvera e kishës”, një stil i ri besimi, një shprehësi e re, një udhëheqje shpirtërore në ndihmë të mëkatarëve, dhimbjes, vuajtjes, varfërisë e mjaft pranë besimtarëve të tij.

Në krye të Kishës së Krishterë Papa Francesco shpesh është epitetuar reformues, revolucionar, modern, por ajo çka percepton në gjestet e tij, në fjalët, politikat e ndjekura deri më sot është një dëshirë e madhe për t’u rikthyer në origjinën e lindjes së besimit të tij, në një kishë të thjeshtë e të varfër, në një prift të mëshirshëm e popullor, në një liturgji të drejtpërdrejtë e të kuptueshme në përsiatje me realitetin.

“Duhet të çojmë përpara veprat e Kishës, – është shprehur në një nga 30 meshat e këtij viti, Papa Francesco, – disa prej tyre janë komplekse, por duhet t’i kryejmë me zemrën e varfërisë e jo me shpirtin e investuesit e të sipërmarrësit. Nëse kërkojmë të bëjmë një kishë të pasur, Kisha veç plaket e vdes. Shën Pjetri nuk kishte një llogari bankare!”

 

Revolucioni i Papa Francesco-s

Thirrje e vazhdueshme të Papës kundër luksit të Kishës Katolike, nisur me zëvendësimin nga ai të kryqit të artë me një kryq në një metal të thjeshtë, mospërdorimin e makinës luksoze papale, veshje personale pa ekskluzivitetin e markave të stilistëve me emër qenë epilogu i një reforme në Institutin e veprave fetare, IOR, një aksion konkret drejt transparencës financiare në Selinë e Shenjtë. Personalisht Papa Francesco mori në duar dosierin e Bankës së Vatikanit, me presionin e hetimeve juridike e të negociatave të Bashkimit Evropian në luftën kundër riciklimit. Komisioni i 8 Kardinalëve ngritur enkas për këtë qëllim, ka prezantuar ditët e fundit një raport të gjerë hetimor për situatën aktuale në Bankën e Vatikanit, problemet e së shkuarës me orientimet e mundshme për sa i përket rinovimit e impostimit të këtij Instituti të Veprave Fetare. Katër janë skenarët e parashikuar në të ardhmen e IOR: transformimi në një bankë etike; një transparencë e re në konfirmimin e misionit aktual; bashkimin e IOR, që administron e investon në dimensione të ndryshme fondet e kishës, me APSA, e cila administron e investon fondet e Selisë Apostolike; e së fundmi ndoshta dhe shkrirja e këtij institucioni. Objektivi aktual është kontrolli, transparenca, thjeshtimi me hamendësimin e bashkimit të pesë institucioneve financiare të Kurisë Romane si IOR, APSA, Propaganda Fide, Fondo Pensioni e Governatorato, në një Ministri të ardhshme të Financave të Selisë së Shenjtë. Vendimi final është në duart e Papa Francescos.

Papa Francesco ëndërron një kishë për popullin dhe gjithnjë e më shumë po merret në konsideratë krijimi i një kongregacioni të përbërë nga besimtarë të thjeshtë, të devotshëm, të cilëve u takon një vend nderi, një ministri laikësh që mund të zëvendësojë shumë dikastere sot të pranishme në Vatikan, si: familja, emigracioni, ungjillizimi etj. Të rinjtë janë në zemër të tij, u beson të ardhmen e Kishës dhe pret prej tyre dëshirë për ndryshim. “Bëhuni kurajozë, – shprehet duke iu drejtuar të rinjve, – ndihuni krenarë të ecni kundër rrymës”. Ndërsa gjatë një takimi me përfaqësues të trupit diplomatik rezident në Selinë e Shenjtë, Papa Francesco nxit politikën të investojë tek të rinjtë me politika të përshtatshme për t’i punësuar e garantuar futurën. “Të moshuarit e të rinjtë janë e ardhmja e njerëzimit, – shprehet ai, – të parët sjellin urtësi e përvojë, të dytët na hapin drejt së ardhmes duke na bërë të mos mbyllemi në vetvete”.

Të divorcuarit është një nga çështjet që kisha e djeshme hiqej se nuk shikonte, problematikat e një familjeje tradicionale shmangte t’i merrte në konsideratë. Por nuk qe i këtij mendimi Papa Francesco. Gjatë vitit të Papnisë së tij një pyetësor i rezervuar deri më sot për peshkopë, iu shpërnda të gjithë besimtarëve. qe një sondazh i gjerë i opinionit të krishterë mbi lidhjet civile, të divorcuarit, homoseksualët, kontraceptivët, abortin. Shumica e besimtarëve kërkonte ndryshimin, hapjen e Kishës ndaj gjithkujt, një shans të dytë për të divorcuarit në krijimin e një familjeje me një bekim në vendin e shenjtë. Një sondazh i tillë s’ishte parë kurrë në historinë e Kishës. “Duhet të përballojmë situatën e të divorcuarve – shprehet disa herë radhazi Papa Francesco – familja po kalon një krizë shumë serioze e duhet reflektuar në thellësi. Martesa është mes një burri e një gruaje, por në lidhjet civile duhet të marrim parasysh raste të ndryshme e t’i vlerësojmë në varietetin e tyre”. Rruga për të arritur në zgjidhje të kësaj çështje ende është e gjatë, duhen të paktën dy vjet konsultime e dy Sinode të Peshkopëve.

Pak ditë pasi zgjedhjes së tij Papa Francesco rekomandon tolerancë zero ndaj pedofilëve, masa mbrojtëse ndaj minorenëve e procedura ndëshkuese ndaj fajtorëve. Në dhjetor të 2013-ës nën orientimet personale të tij krijohet komisioni antipedofili, i cili duhet të vigjilojë e të shmangë rastet e fëmijëve viktima të abuzimeve seksuale. Pas një sërë skandalesh pedofilie që përfshinë vitet e fundit Vatikanit, ngrihet më në fund një institucion me detyrën për të referuar mbi gjendjen aktuale të viktimave të këtij fenomeni. Askush nuk harron fjalët e shprehura pak muaj me parë nga Papa Francesco:

“Na vjen turp nga skandalet e shumta të Kishës e nuk dua ti përmend një nga një, të gjithë i njohim se ç’janë. Dimë se ku janë. Skandale, e disa prej të cilëve kanë kërkuar shumë para. Turpi është i Kishës! Por ne a jemi turpëruar nga këto skandale, nga këto eteja të humbura priftërinjsh, peshkopësh, laikësh? Fjala e Zotit në këto skandale qe e rrallë, në këta burra e gra qe e rrallë! Nuk kishin një lidhje me Zotin. Kishin një pozicion në Kishë, një pozitë fuqie e komoditet, por fjalën e Zotit jo! Këtu në Kishë skandali ndodhi; qe një dekadencë e popullit të Zotit, deri në dobësi e korrupsion të priftërinjve!”

Nuk mungoi në këtë vit Papnie politika e Papa Francescos për të reformuar figurën e gruas. Një kishë pa gra është si kolegji Apostolik pa Marien. Roli i femrës në Kishë nuk është vetëm si nënë, si grua e familjes, por është shumë më tepër: është ikona e Virgjëreshës, e Madonës, është ajo që zhvillon Kishën. “Kisha është femërore, – thotë Papa Francesco, – Kisha është nuse, është nënë”. Më shumë hapësirë për gruan brenda Kishës Katolike, më shumë hapësirë në shoqëri.

Falë Jorge Mario Bergoglios, figura e Papës u kthye gjatë këtij viti në një lidership të fortë në komunitetin ndërkombëtar. Papa Francesco e ktheu diplomacinë vatikanase në qendër të politikës botërore. Putin, Hollande, Obama e deri tek të gjithë liderët e tjerë kërkojnë të takohen me Papa Francescon. Sukses i vërtetë diplomatik qe lutja e tij kundër ndërhyrjes ushtarake në Siri, nisma e tij bashkoi më 7 dhjetor 2013 të gjitha fetë, e mbushi sheshin e Shën Pjetrit me mijëra e mijëra besimtarë, gjë që dëshmoi aftësinë e tij për të ndërtuar ura miqësie mes popujsh.

Por Papa Francesco është dhe ikona e botës së komunikimit virtual. 12 milionë janë ata që e ndjekin çdo ditë në faqen zyrtare në “Twitter” në 8 gjuhë të ndryshme. Është personi me numrin më të lartë të kërkimeve mujore në “Google”, pas tij renditen Barack Obama e Edward Snowden. Teknologjitë e reja përfaqësojnë edhe mundësi të madhe për Kishën. Papa Francesco është gjithnjë e më shumë social dhe zyra e shtypit të Vatikanit gjatë orëve të fundit ka bërë të ditur se po përgatitet zbarkimi zyrtar i tij në “Facebook”. Selia e Shenjtë ka ngritur një ekip teknikësh informativë që po studiojnë strategjinë e shmangies së tentativave për të publikuar mesazhe fyese o të papërshtatshme për profilin papal. Aktualisht, “McKinsey” është shoqëria e konsulencës në Vatikan, me detyrën e studimit dhe organizimin e mediave të Selisë së Shenjtë: Radio Vatikanit, Osservatore Romano, Salla e Shtypit, Qendra Televizive, Filmoteka Vatikanase, Libraria Botuese, Tipografia, Këshilli i Komunikimit Social.

Një vit nga nisja e Papatit të tij, Papa Francesco sot është kandidat për çmimin “Nobel” të Paqes. Ai renditet në listën e gjatë të institutit suedez mes 278 kandidaturash, 47 prej të cilëve organizata, ndër emra si ai i Presidentit rus Putin, Edward Snowden, të gjithë kandidatë për të fituar këtë çmim të lartë. Asnjë koment nuk ka dalë nga zyra e shtypit e Vatikanit për këtë fakt, por rastësia e solli që në të njëjtën ditë kur Geir Lundestad, drejtori i Institutit “Nobel” prezantonte në Oslo listën e kandidatëve për ta fituar çmimin “Nobel” për Paqen 2014, Papa Francesco në një intervistë për mediat deklaronte: “Papa nuk është një star! Papa nuk është një statujë! Ta përshkruash Papën si një superman është fyese”.

Comments are closed.