14 Marsi/ Dita e Verës, festë në Tiranë dhe Elbasan, përplasje në kryeqytet mes dy policive

0
149

Basha feston në Elbasan dhe në Tiranë. Kryeministri, ndeshje basketbolli të lulishtja “Vëllezërit Frashëri”. Përplasja mes dy policive shkon deri në kërcënime nga Policia e Shtetit

 

bashaIku dimri dhe erdhi vera! Ishte kjo simbolika e 14 Marsit, Ditës së Verës, që u festua në Tiranë dhe Elbasan. Që në orët e para të mëngjesit të djeshëm, kanë qenë të shumtë qytetarët të cilët kishin dalë në bulevardin e Tiranës apo në rrugët kryesore të Elbasanit për të festuar. Dhe si çdo vit “ballokumja”, ishte edhe specialiteti i ditës, ku të gjithë kërkonin të provonin “më të mirën”. Në Tiranë kanë qenë të shumta pikat apo karrocat që tregtonin ballokume, por shija e tyre linte për të dëshiruar, nëse krahasohet me ballokumen e vërtetë të Elbasanit. Bulevardi kryesor i Tiranës ka qenë i tejmbushur deri në mesditë, ndërsa zona të tjera, si Pedonalja, ishin mbipopulluar nga qytetarë të shumtë, kjo falë edhe veprimtarive të shumta që kishte organizuar Bashkia e Tiranës. Elbasani që në 14 Mars njihet dhe si “kryeqytet”, ka pritur me mijëra qytetarë. Por orë të tëra rrugët që të çonin në Elbasan, kanë qenë të bllokuara, trafiku nuk ka shpëtuar as autostradën e re.

 

Politika i bashkohet festës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zgjodhi qytetin e Elbasanit për të festuar Ditën e Verës. Ai vizitoi panairin tradicional që mban edhe emrin e kësaj feste. “Më vjen mirë që distanca fizike mes Elbasanit dhe Tiranës nuk ka qenë kurrë më e shkurtër, sepse në fakt distanca shpirtërore mes Tiranës dhe Elbasanit thuajse nuk ekziston. Këtë e them si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe si ish-deputet i Elbasanit për Partinë Demokratike. E them në emër të qytetarisë së Elbasanit, e them në emër të qytetarisë së Tiranës dhe sot, në emër të qytetarisë së Tiranës, por besoj edhe në emër të çdo shqiptari, dua të falënderoj qytetarinë elbasanase, të gjithë elbasanasit, për këtë traditë kaq të bukur që ia kanë dalë ta mbajnë gjallë dhe që Ditën e Verës rrezaton dhe përhapet nga Elbasani, zemra gjeografike e Shqipërisë, anembanë qyteteve e fshatrave tona”, – u shpreh kreu i Partisë Demokratike. Pas vizitës në Elbasan, Basha iu bashkua veprimtarive që zhvilloheshin në Tiranë. Pjesë e veprimtarive të organizuara nga Bashkia e Tiranës ishte dhe panairi i produkteve shqiptare. Në këtë panair merrnin pjesë mbi 40 biznese, të cilët promovuan produktet e tyre agroushqimore, nga trevat shqiptare: Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva. “Është një rast për të gjithë politikëbërësit, të kthejnë sytë dhe vëmendjen e të gjejnë mënyra për të bashkëpunuar e për t’u dhënë mbështetje promovuesve shqiptarë, ndërmarrjeve shqiptare, iniciativës së lirë shqiptare e cila është po kështu edhe gjenerator i punësimit dhe mirëqenies, gjenerator i punës që kaq shumë duhet, për të garantuar një jetë më të mirë dhe cilësi më të mirë jete, jo vetëm në Ditën e Verës por në çdo ditë të vitit dhe për çdo gjeneratë”, – përmendi Basha gjatë vizitës në panair.

 

Kryeministri

Për të festuar Ditën e Verës, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një ndeshje basketbolli në minifushën e ngritur në lulishten “Vëllezërit Frashëri” përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Ndeshja u fitua nga skuadra e Kryeministrit. Rama uroi që energjia që dhuron Dita e Verës të jetë një shtysë e mirë për të gjithë shqiptarët. “Edhe loja e basketbollit e fituar nga kombëtarja e 30 viteve më parë ndaj dy skuadrave të reja ishte një ngushëllim fantastik i brezave që po ikin, por ajo që u vu re dhe që duhet theksuar është ndërthurja e energjisë së të rinjve dhe eksperiencës së të vjetërve, që është një shembull i mirë për t’u ndjekur”, – tha Rama. Më pas, Kryeministri vizitoi Elbasanin, ku u kërkoi qytetarëve të shikojnë më shumë tek talenti dhe zotësia e tyre për të filluar një biznes të ri. “Elbasani është graviteti i Ditës së Verës dhe është kënaqësi të jesh në këtë qytet në këtë ditë feste. Ajo që mësova me kënaqësi, është se shumë emigrantë shqiptarë të kthyer kanë filluar të bëjnë sipërmarrje të suksesshme. Janë të kënaqur dhe të motivuar dhe përbëjnë një shembull të shkëlqyer, qoftë për të tjerë që dëshirojnë të kthehen e të investojnë kursimet e veta këtu, qoftë për ata që në Shqipëri janë në kërkim të një pune dhe së ardhmes”, – përmendi Kryeministri Rama. Gëzim dhe paqe ka uruar Presidenti Bujar Nishani për Ditën e Verës. Ai e ka cilësuar festën si kremtim të optimizmit dhe shpresës. “Secili prej nesh ka nevojë për ngjyrat e tingujt pranverorë. Dita e Verës sjelltë në çdo vatër gëzim e paqe sot e përherë”, – ka uruar Nishani në rrjetin social “Facebook”. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, vizitoi panairin në Elbasan, prej ku uroi të gjithë shqiptarët për Ditën e Verës. “Është një ditë për të qenë shumë optimistë. Panairi dhe angazhimi i subjekteve për të demonstruar mallrat dhe shërbimet e tyre. Tregon se kemi hyrë në një moment pozitiv të rritjes së besimit në të ardhmen e ekonomisë sonë dhe kapaciteteve tona, në mënyrë që të kemi më shumë mundësi për punësimin dhe mirëqënien e qytetarëve tanë”, – deklaroi Meta.

 

 Përplaset Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit

Bashkia e Tiranës kishte planifikuar ngritjen e një piste vallëzimi te lulishtja “Vëllezërit Frashëri”. Nga ana tjetër, Ministria e Mirëqenies Sociale kishte improvizuar një fushë basketbolli, ku do të luante edhe Kryeministri Edi Rama. Sipas Policisë Bashkiake, nuk ishte marrë leje nga Bashkia për organizimin e një piste të tillë dhe aty duhet të ishte pista ku do të kërcenin fëmijët. Policia Bashkiake kërkoi të hiqej fusha e basketbollit, por ka ndërhyrë Policia e Shtetit, ku shpeshherë kërcënoi bashkiakët se nëse nuk largoheshin, do të merrnin masa të rënda. Florenc Hoxha, kreu i Policisë Bashkiake, tha se ndodhej aty për të parë fëmijën e tij, i cili merrte pjesë në këtë vallëzim dhe po terrorizohej nga policia. “Po ndodh një terror policor. Mua po më privojnë të shoh fëmijën tim dhe fëmijët e vegjël po i terrorizojnë. Po i terrorizojnë për një kosh”, – tha Hoxha. Bashkia e Tiranës, përmes drejtorit të Artit dhe Kulturës, Arben Skënderi, tha se janë krijuar situata të tensionuara dhe platforma që ishte vendosur nga qeveria është e paligjshme. “Janë krijuar situata të tensionuara të kota gjithë natën. Madje është thirrur dhe FNSH-ja. Kemi leje për të ngritur një pistë kërcimi, në vendin ku kryeministri paska vendosur të bëjë dy-tre kosha. Instilacioni është totalisht i paligjshëm”, – tha Skënderi. Pas disa momenteve tensioni, Policia Bashkiake vendosi të tërhiqej nga konflikti për të mos prishur festën në Tiranë.

 

 

 

Bozdo: Për të bërë një kosh, Rama dhunoi dhe penalizoi fëmijët e kryeqytetit në Ditën e Verës

 Për nënkryetarin e Bashkisë, Enno Bozdo, improvizimi i një fushe basketbolli, pa marrë lejen e Bashkisë dhe kur aty do të organizohej një aktivitet për fëmijët, është një dhunim ndaj tyre.

“Dua të sqaroj se çdo aktivitet që ndodh në territorin e Bashkisë Tiranë duhet të pajiset me leje nga autoriteti i Bashkisë së Tiranës. Kjo është tradita dhe kështu ka ndodhur gjithmonë, pavarësisht kush ka qenë kryetar bashkie dhe kush ka qenë kryetar i qeverisë. Deri dje, nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga z. Veliaj, i cili praktikisht duhej të na tregonte ku kishte ndërmend qeveria të organizonte dhe cilat do ishin vendet për organizimin e aktiviteteve. Dje (të enjten) teksa tentonim të instalonim disa pajisje tonat për performancën e të rinjve në qendër të kryeqytetit, morëm vesh se aty kryeministri duhej të ndërtonte një fushë basketbolli, duhej të luante dhe të shënonte patjetër një kosh. Kërkesës sonë nëse ishte pajisur me leje nga Bashkia, iu përgjigj vetëm me kërcënime. U dhunua Policia Bashkiake, e cila bënte detyrën e saj, për fat të keq, u kërcënua me jetë shefja e Kabinetit të kryetarit të Bashkisë, ndërsa sot në mëngjes konflikti vazhdoi, fëmijët nuk u lejuan dhe jo vetëm. Në praninë e forcave të shumta policore, edhe të ndërhyrjes së shpejtë u krijua një situatë absolutisht e panevojshme për këtë ditë, nga frika dhe terrori. Më vjen shumë keq ta them që me gjithë përpjekjet tona për të arritur një koordinim për këtë ditë, ne patëm vetëm mospërfillje dhe kërcënime nga ana e qeverisë dhe kjo është pjesa tjetër që nuk duhej të ndodhte kurrsesi në këtë ditë të bukur. Konflikti politik nuk mund të zgjatet deri në këtë nivel, veçanërisht në këtë ditë por me sa duket secili e feston Ditën e Verës në mënyrën e tij. Qytetarët e festojnë me hare e gëzim, disa të tjerë duke nxitur konfliktin. Kjo nuk është më çështja jonë por është çështje e mungesës së qytetarisë, mungesës së një dëshire të mirë, për të festuar të gjithë së bashku”, – u shpreh Bozdo.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency