Standard.al

Ministria e Shëndetësisë/ Furnizimi i spitaleve me barna, miratohet lista, nuk do të ketë më mungesa

Ankesa në spitale për mungesën e barnave

 QSUT, një person i prekur nga sindroma e lopës së çmendur

 

medikamente-absetzen-1280px-854px0 Pas miratimit të listës së barnave të rimbursueshme, Ministria e Shëndetësisë i ka dhënë “OK” edhe listës për barnat e spitaleve. Në një konferencë për shtyp, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i shoqëruar nga drejtorja e QSUT-së, Ogerta Manastirliu, u shpreh se lista e re barnave spitalore ofron më tepër siguri dhe shënon qartësisht risi dhe progres për popullatën. “Në hartimin e listës kemi pasur inovacion, madje në përdorimin me efektivitet sidomos të barnave citostatike, ne do të përdorim në QSUT, që këtë vit edhe teknologji të reja në përgatitjen e tyre, në mënyrë që të kemi dhe rreth 10% më shumë efektivitet në barnat, por besoj se gjatë javëve të ardhshme në QSUT do të mund t’ju shpjegojmë se kush janë këto elementë inovativë. Në këtë vit përfshijmë për herë të parë dhe këto janë elementë risie, në shërbimin Onko-Hematologjik, barna të reja, barna për hepatitin B, për antibiotikët, por sidomos i kemi dhënë rëndësi që të garantojmë furnizim të vijueshëm në urgjencat e spitaleve. Një element i rëndësishëm është edhe rritja e ndjeshme e burimeve financiare për të furnizuar laboratorët e spitaleve me kite dhe reagent”, – përmendi ministri i Shëndetësisë. Pyetjes nëse spitalet në vend nuk do të kenë më mungesa ilaçesh Beqaj i është përgjigjur: “Kemi më shumë fond në vlerë absolute, por ndërkohë që kemi barna që kushtojnë më pak nga negocimi, alternativa më pak të kushtueshme, përjashtimi nga TVSH-ja, kjo do të thotë se me këto para të shtuara do të blejmë më tepër se sa vitin e kaluar”.

 

Jo më barna në farmaci

Ministri i Shëndetësisë ka premtuar gjithashtu se çdo pacient që do të shkojë në spitalet publike, nuk do t’i blejë më barnat në farmaci për t’u kuruar, por do t’ia ofrojë spitali. “Në radhë ta parë, kemi filluar një proces, që në rastin normal nga mesi apo fundi i majit fillon furnizimin e plotë. Së dyti, QSUT dhe spitalet e tjera janë në proces negocimi, kështu quhet në praktikën tonë administrative dhe në rregullat ligjore, për të bërë furnizimin e këtyre javëve. Ndërkohë, dua të shpjegoj edhe diçka: Ende do të ketë në spitalet tona njerëz që marrin një recetë në dorë dhe t’i kërkohet që këto barna të blihen”, – theksoi Beqaj.

 

Mungesa

Pavarësisht nga premtimi i ministrit të Shëndetësisë dhe drejtores së QSUT-së, përsëri në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” ka pasur mungesë barnash ditën e djeshme. Shumë pacientë u janë drejtuar farmacive për të blerë barnat, të cilat duhet t’i ofronte QSUT-ja. Ende nuk dihet nëse premtimi i ministrit të Shëndetësisë do të jetë një realitet i cili do të prek me mijëra qytetarë apo do të vijohet me premtimet e vazhdueshme dhe pa rezultate. Gjithsesi, të sëmurët dhe familjarët e tyre duhet të presin muajin maj që barnat të mos i blejnë më.

 

 

QSUT, një person i prekur nga sindroma e lopës së çmendur

 Në shërbimin Neurologjik në QSUT po trajtohet një i sëmurë i prekur nga sindroma e lopës së çmendur. Ka qenë ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili, pasi u pyet nga gazetarët, gjatë një konference për median konfirmoi rastin në fjalë. Kreu i Shëndetësisë tha se rasti i vetëm me sindromën e lopës së çmendur rezulton të jetë importuar nga Italia. Pak ditë më parë në Itali, një 69-vjeçare humbi jetën, ndërsa mjekët ngritën dyshime se bëhej fjalë pikërisht për një rast të prekur nga sindroma e lopës së çmendur. Megjithatë, rezultatet e autopsisë nuk janë publikuar ende. Sëmundja godet rëndë neuronet e trurit, duke bërë që njeriu të humbasë gjithmonë e më shumë aftësinë për të koordinuar lëvizjet, aftësinë për të folur, kujtesën dhe eventualisht, sjell vdekjen. 

 

 

 

“Konsumoni ujë”

Sëmundjet e veshkave, 1 në 14 shqiptarë janë të prekur

Sa më shumë konsumoni ujë, aq më pak jeni të rrezikuar të sëmureni nga veshkat. Të dhënat e mjekëve, raportojnë se në vend, 1 në 14 persona vuan nga sëmundjet që prekin ato, ndërkohë që grup-mosha më në risk është ajo pas 40 vjeç, moshë që sipas mjekëve shfaqen edhe patologji të tjera. ”Shqiptarët pinë pak ujë, natyrisht ata duhet të pinë më shumë ujë se të gjitha vendet e Evropës Lindore. Studimi i fundit që ne kemi bërë ka qenë 1 në 14. Studimet botërore janë 1 në 10. Kjo do të thotë që një individ pas 40 vjetësh të ketë 60% shanse të sëmuret nga veshkat, 40% të jenë të sëmurë nga sëmundja koronare dhe 3% shanse të sëmuret nga diabeti”, – tha Muftar Barbullushi, mjek nefrolog. Mjekët përveç ujit rekomandojnë edhe disa hapa të tjera që mund të ndiqni për parandalimin e sëmundjes së veshkave. “Lëvizja gjithkujt i bën mirë, duhet të ushqehemi në mënyrë të shëndetshme. Nuk duhet të konsumojmë duhan, nuk duhet të përdorim ilaçet që janë kundër dhimbjeve siç është ibubufreni. Nuk përdoret pa konsultën e mjekut sepse futet tek ato medikamente që jep dëmtime të veshkave”, – tha Jeta Lakrori, specialiste në ISHP. Fillimi i sëmundjes shpesh mund të jetë i heshtur dhe pa shenja të dukshme për pacientin. Ndër shqetësimet më të shpeshta që paraqesin të sëmurët me sëmundje të veshkave janë urinimi i shpeshtë. Shfaqje e edemave (ënjtjeve) në: këmbë, duar apo fytyrë, lodhja, të përziera, të vjella, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje mesi. Edhe në botë shifrat janë tepër shqetësuese për mjekët, pasi një në dhjetë persona vuan nga sëmundja e veshkave.

 

 

Ndryshohet rektori te Universiteti i Mjekësisë

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, prezantoi dje në mjediset e Universitetit të Mjekësisë rektorin e ri të këtij Universiteti, prof. dr. Ali Refatllarin. Duke falënderuar dhe njëkohësisht vlerësuar punën dhe rolin e rektores së mëparshme të këtij Universiteti, Jera Kruja, ministrja Nikolla shprehu besimin se rektori i ri, z. Refatllari, do të mundësojë një impuls të ri të punës në Universitetin e Mjekësisë. Nikolla theksoi se ky Universitet prej moshës së re shoqërohet me problematikat e rritjes, ndaj në këtë kuadër ministrja garantoi gjithë mbështetjen e MAS ndaj nevojave që ky institucioni i arsimit të lartë ka. Në fjalën e saj, ministrja e Arsimit evidentoi qartazi se sfida më e madhe në arsimin e lartë është cilësia, që sigurisht përfshin dhe Universitetin e Mjekësisë. Nikolla u shpreh e bindur se rekomandimet që do të vinë nga Komisioni i Pavarur për Reformën në Arsimin e Lartë, do të kenë parasysh dhe domosdoshmërinë e përmirësimit cilësor të përgatitjes së kuadrove të shërbimit mjekësor, si një nevojë që vjen nga kërkesa e tregut.

 

 

Comments are closed.