Guardiola: Xhin tonik me lojtarët

0
167

guardiola-birrePep Guardiola tregoi disa prej metodave më të habitshme psikologjike që ai përdor për të motivuar futbollistët e tij. Spanjolli pranoi se jo gjithmonë bëjnë punë fjalimet dhe se disa herë duhet vepruar në një mënyrë jo fort të zakonshme. Duke iu referuar sjelljes së David Alabas, i cili humbi një penallti në ndeshjen e parë me Arsenalin në Ligën e Kampioneve, Guardiola tha: “Pa dyshim, humbja e një penalltie gjithmonë të ndikon psikologjikisht, edhe pse shumë varet nga personaliteti i lojtarit. Me disa lojtarë duhet të flasësh, me të tjerë nuk ka nevojë e me disa duhet të pish ndonjë xhin tonik”. Ish-tekniku i Barcelonës komentoi edhe situatën e Toni Krosit, një prej yjeve të skuadrës, që për momentin ende nuk po rinovon kontratën e tij. “Kros ka luajtur në mënyrë fantastike, jo vetëm në ndeshjet e fundit, por gjatë gjithë kampionatit. Hasëm shumë vështirësi në mesfushë në fillim, por unë shpresoj që ai të mbajë këtë nivel deri në fund”, – komentoi Guardiola.

 

 

Ueah përgënjeshtron Twitterin

“Profili i Ueahas në “Twitter” është fals”. Këto janë fjalët e Fabio Parisit, agjent i FIFA-s dhe një person shumë afër Milanit. Në “Twitter” Parisi shpjegon: “Fola pak më parë me Ueah dhe më konfirmoi se profili në “Twitter” nuk është i tiji”. Ditën e djeshme u përhap një lajm me disa deklarata të ish-sulmuesit të Milanit, i cili sulmonte rëndë skuadrën pas eliminimit të djeshëm ndaj Atletiko Madridit, por kujdes! Situata duhet qartësuar. Profili në fjalë ndiqet nga profilet zyrtare të shumë milanistëve si: Abate, Montolivo, Nesta, Baresi etj., nga Luis Figo dhe nga profili zyrtar i FIFA-s.

 

 

Usain Bolt eksperimenton me futbollin

Është atleti më i shpejtë në botë, por kjo nuk mjafton për Usain Boltin. Sprinteri xhamajkan, sipas të gjitha gjasave, do të provojë aftësitë e tij edhe në sportin më popullor në botë, në futboll. Këtë e ka konfirmuar vetë trajneri i kombëtares së Xhamajkës, Uinfrid Shafer. “Kemi biseduar me Usainin dhe sipas të gjitha gjasave ai do të marrë ftesën në përfaqësuesen e Xhamajkës. Ne e dimë që ai e do futbollin, është i shpejtë dhe i zgjuar. Ne mund ta bëjmë atë një futbollist të mirë, pas disa seancave stërvitëse. Ne shpresojmë se Bolt do të ndihmojë përfaqësuesen tonë në eliminatoret e radhës”, – ka thënë Shafer.

 

 

 

Biletat e Championsit, nga 70-390 euro

UEFA publikoi çmimet e biletave për finalen e Ligës së Kampioneve, e cila do të zhvillohet në 24 maj në “Estadio la Luz” të Lisbonës. Çmimet variojnë nga 70 euro bileta më e lirë, në 390 euro bileta më e shtrenjtë, ndërsa biletat me çmime të ndërmjetme kushtojnë 160 dhe 280 euro. Ashtu si çdo vit, UEFA rezervon një pjesë të madhe të biletave vetë, ndërsa ato që do të dalin në shitje do të shpërndahen në bazë të një shorteu elektronik, në të cilin kushdo mund të regjistrojnë emrin e tij nga dita e sotme në faqen e internetit “UEFA.com”. Të interesuarit do të kenë kohë të regjistrojnë kërkesën e tyre për biletë deri të premten, 21 mars. Të gjitha kërkesat do të kenë të njëjtin probabilitet për të fituar, me UEFA-n që nuk do të gjykojë shpërndarjen e biletave në bazë të ndonjë kriteri gjeografik. Ndryshe nga finalja e vjetshme e zhvilluar në “Wembley” me 90 mijë spektatorë, ajo e sivjetshme do të ketë më pak bileta, pasi stadiumi i Benfikës ka një kapacitet prej 65 mijë spektatorësh.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency