Duhen edhe 100 vjet

0
179

Brikena Bogdo

 

Në fillesat e demokracisë, u cilësua pesimiste ideja se do të duhen 30 vjet që gjyqësori të futet në hullitë e duhura, për të fituar pavarësinë ndaj politikës, por edhe profesionalizmin. Sot, mbas më shumë se 20 vitesh, juristët, ata me flokë të bardha, shprehen me nota edhe më pesimiste; duhen edhe 100 vjet. Me sa duket, do të mbetet rebus shekullor e ardhmja jonë ligjore.

Kthehemi në retrospektivë, shtatë shekuj më parë. Rreth 1300-ës, nën ndikimin venedikase, qyteti antik i Shkodrës njohu një zhvillim të mëtejshëm institucional. Në këtë periudhë, u hartua i ashtuquajturi “Statut i Shkodrës” (një tipologji e njëjtë me kushtetutën), i cili rregullonte, jo vetëm marrëdhëniet shoqërore, por edhe ato të pronësisë, tregtare dhe të urbanistikës. Ajo që e diferencon këtë statut, me ligjet e sotme shqiptare apo kodet tona, është se ai ishte funksional dhe i zbatueshëm. Ky statut p.sh., ndalonte kategorikisht ndërtimet pa leje, sanksion ky që u zbatua rigorozikisht në atë periudhë, duke mos njohur ai qytet kurrë ndërtime pa leje. Ndërtimet pa leje, sot, pas shtatë shekujsh, rezultojnë thelbi i konfliktualitetit shoqëror, institucional dhe ligjor. Statuti i Shkodrës ishte rigoroz, për sa i përket pronës private, e drejtë e shkelur mizorisht, sot, nga ligjet tona.

Përse ndërtimet pa leje dhe prona private mbeten pika më nevralgjike e korrupsionit? Për një arsye të thjeshtë: asnjë forcë politike, qoftë e djathtë apo e majtë, nuk iu referua juristëve, duke i anashkaluar ata. Rezultati? Ligje jofunksionale, të pazbatueshme apo të zbatuara keq. Ndeshim ligje të hartuara keq, me pasaktësi, me vakum ligjor, ku i hapen mundësi multi-interpretimeve, multi-korrupsioneve apo “mega-mashtrimeve”. Ky është problemi kryesor, që në progresion, u hap rrugë gjyqtarëve që të fshihen pas këtyre ligjeve të paqarta apo të paplotësuara për t’u hapur, më pas, rrugë progresivisht vendimeve korruptive apo që lejojnë korrupsionin.

Kthehemi përsëri në retrospektivë, shekuj më parë. Një mbret ndërton kështjellën e tij në pyll. Natën e parë, mbreti nuk mundi të flinte, si pasojë e një zhurme. Rezultoi, shumë pranë, një mulli, pronë e një fshatari të thjeshtë. Lakenjtë e mbretit i kërkojnë fshatarit ta heqë menjëherë, pasi bezdiset mbreti. Ai i përgjigjet se nuk mund t’ia hiqnin pronën, pasi në të kundërt do t’i drejtohej gjykatës. Lakenjtë ia përcjellin mbretit fjalën e fshatarit. Mbreti tërhiqet nga pretendimi i tij dhe deklaron se fshatari ka të drejtë. Ngjarja ka ndodhur në Gjermani, sot superfuqi e Evropës. Kjo histori, që në Shqipëri shkakton ilaritet, është thelbi i forcës së një Evrope të gjermanizuar. Arsyeja është shumë e thjeshtë, forcuan shtetin ligjor, progresion pozitiv në shekuj.

Të kthehemi në realitetin shqiptar. Kushtetuta, së fundi, me përplasjen e palëve politike për statusin e nëpunësit civil tregoi problematikat serioze të saj. Atëherë kuptojmë se përse i gjithë sistemi gjyqësore është një aleat apo një deriçkë për t’iu fshehur korrupsioni apo në disa raste për t’u mbrojtur korrupsioni dhe i korruptuari. Ne e kemi në thelb problematikën, në sistemin gjyqësor, që në hartimin e kushtetutës, nga ku derivojnë të gjitha kodet e tjera.

Amerika, superfuqi e botës, i detyrohet forcës së kushtetutës për suksesin e saj. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e popullarizuan atë me të gjitha format, por edhe me të gjitha pushtetet, duke nisur nga media, deri tek presidentët (gjithpërfshirja është thelbi i Amerikës, i mendësisë dhe suksesit të saj).

Ajo që na diferencon me sistemet e forta gjyqësore, është ndryshimi i vlerave dhe antivlerave, në vende dhe kohë të ndryshme. P.sh., vendimi gjyqësor derisa zbardhet është një sekret profesional. Në Gjermani, ruajtja e sekretit të vendimit gjyqësor, derisa ai zbardhet, është taksative, duke vënë sanksione deri në largimin e gjyqtarit nga sistemi. Sot, ajo është një vlerë për atë sistem. Të njohësh vendimin, përpara se të zbardhet, do të thotë t’i hapësh rrugë abuzimit. Në Shqipëri, nxjerrja e sekretit të vendimit gjyqësor (si në rastin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për nëpunësin civil), i cili u përfol hapur në media, konsiderohet një normalitet. Juristët, në media, deklaronin pa iu dridhur qerpiku se vendimi dihej përpara se të zbardhej. Tek diferenca e asaj çfarë përbën shkelje dhe çfarë është normalitet, fillon antikoncepti apo shtrembërimi i së drejtës. Shkelja shndërrohet në normalitet.

Një vlerë të padiskutueshme, në vendet me gjyqësor të fortë, është sedra profesionale, e cila sigurisht kërkon një ndërgjegjësim individual, por edhe si komb. Çfarë do të thotë sedër profesionale, që e paskan kaq të rëndësishme, këta profesionistë në vende shumë të zhvilluara? Këta individë vendosin profesionin dhe emrin e tyre si profesionistë mbi interesin material, sikur miliona lekë t’u ofrohen. Dikush apo shumëkush do të tallet me këta rreshta, “epo jemi Shqipëri dhe ky është një moralitet i tepërt për fëlliqësinë e këtij mjedisi”.

Me shumë bindje dhe me shumë siguri, them që ky lloj profesionistësh, me këtë sedër profesionale, ka ekzistuar në sistemin gjyqësor, përpara kohës së Zogut apo edhe përgjatë kohës së Zogut, deri në shpërbërjen e shtetit. Edhe përgjatë sistemit të egër hoxhian ka pasur juristë, vërtet shumë të rrallë, të cilët, në një antisistem juridik diktatorial, e ruajtën vlerën profesionale. Ata, me gjithë presionin e regjimit diktatorial, nuk e kanë dhënë dënimin me vdekje, sepse sedra profesionale nuk ua lejonte, duke u penalizuar, me internim familjarisht. Juristët përpara diktaturës nuk pranonin çfarëdo çështjeje, nëse nuk ishte në thelb e drejtë, edhe morale.

“Të mos ndysh fytyrën”, dikur ka ekzistuar në sistemin tonë gjyqësor. “Është një profesion shumë i lehtë për t’u mësuar, por shumë i vështirë për t’u ushtruar”, – më thoshte, një ditë, një jurist me flokë të bardha dhe me një barrë mend në kokë. Kërkon atë integritetin, ndershmërinë, që është pjesë e zhvillimeve të kahershme, të mbështetura në traditë.

Dy janë arsyet e këtij moraliteti profesional të juristëve të epokës parakomuniste. E para arsimimi, ata të gjithë kishin marrë arsimim në shkolla perëndimore, pasi nuk ekzistonin ende shkollat e larta në Shqipëri dhe e dyta kishte shtet të konsoliduar. Sot, një pjesë e konsiderueshme arsimohet në shkollat shqiptare, ku ndeshen detyrimisht që në banka me korrupsionin. Ne ende vuajmë një sistem arsimor tejet të korruptuar. Paguan nën dorë një përqindje e stafit pedagogjik për t’u punësuar, paguajnë një përqindje e nxënësve dhe studentëve, nën dorë, që të marrin provimet (kjo, e thënë me përgjegjësi, pasi kam realizuar me dhjetëra dokumentarë televizivë, ku njerëz të ndryshëm deklarojnë, që kanë paguar si për t’u punësuar, si për të kaluar klasën). Korrupsioni ndjek në zinxhir korrupsionin. Hyn në sistemin arsimor i korruptuari, merr diplomën i paafti, merr magjistraturën ai që korrupton. Kjo do të jetë figura e gjyqtarit, në të ardhmen, të paktën në një përqindje të konsiderueshme.

Elementi i dytë është shpërbërja e shtetit, element i cili po vonon, më shumë se kurrë, për të realizuar një sistem gjyqësor, të pavarur dhe të pakorruptuar. Gjithsesi, këto janë probleme që përfshijnë të gjithë Evropën Lindore, që doli nga një regjim totalitar, ku drejtësia ishte një vegël e pushtetit.

Por, ende politika kërkon me dhunë supremaci mbi ligjin. Politika, në Shqipëri, ndodhet në një konkurrencë pushteti dhe dominimi me ligjin. Politika vs. ligjit apo ligji vs. politikës është lufta, që do të na lërë gjatë në tranzicion dhe shumë gjatë jashtë Evropës. Që politika gjithmonë i fut shkopinjtë nën rrotë jurisprudencës, kjo tashmë është e ditur. Të gjithë e dimë se, sa shumë e pengoi politika krijimin e Gjykatës Administrative, një nismë e iniciuar dhe e mbështetur, shumë fuqishëm, nga qeveria amerikane, pikërisht për të ulur korrupsionin në gjykata, si dhe vonesat e zvarritjet me vite të çështjeve gjyqësore.

Në fakt, koha po e tregon se sa e nevojshme ishte për sistemin tonë gjyqësor ajo gjykatë, ku vendimet zbardhen brenda 5 ditëve, duke lehtësuar dhe përshpejtuar shumë çështje civile. Krijimi i kësaj Gjykate është një sigurisht, një hap i rëndësishëm për të ulur abuzimin.

Por, të forcosh shtetin ligjor, të realizosh pavarësinë e pushteteve po tingëllon donkishoteske, sidomos në Shqipëri. Në një studim të Mehdi Frashërit, botuar këto ditë, në media, më tërhoqi vëmendjen analiza e tij, ku mbi çdo sistem ai vinte ndershmërinë e individëve, që drejtonin shtetin. “Nuk ka rëndësi, në është sistem demokratik, republikan apo diçka tjetër, rëndësi ka ndershmëria. Amerika e Veriut apo e Jugut kanë të njëjtin sistem demokratik, pra republikën, por jo të njëjtin zhvillim të institucioneve shtetërore”, – shkruante ai.

Ishin këta pushtetarë të ndershëm, por edhe shtetarë vizionarë që kuptuan rëndësinë e prevalimit të ligjit mbi politikën dhe mbi ata vetë, larg kultit të individit. Bota, përtej oqeanit apo vendet e Evropës Perëndimore njohën kultin e ligjit mbi kultin e individit, vizion që i hapi rrugën e zhvillimit dhe prosperitetit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency