Arratisja e Admir Tafilit/ Gjykata jep një pafajësi dhe dënon 18 gardianët e tjerë

0
145

 Sonja Caka

 

Vendimi, i pafajshëm vetëm gardiani Artan Larti, dënohet më rëndë roja e kullës së vrojtimit, Valter Gjalpi, dhe ish-shefi i sigurisë, Altin Sulo

 

 

gardianet ne gjykate Një pafajësi dhe 18 gardianë fajtorë. Ky ka qenë verdikti përfundimtar i Gjykatës së Korçës për gardianët e burgut të sigurisë së lartë të Drenovës, të akuzuar për “Shpërdorim detyre” për shkak të arratisjes spektakolare të shtatë të dënuarve, mes të cilëve Admir Tafili dhe Fran Marashi. Pafajësi ka marrë vetëm gardiani Artan Larti, ndërsa më rëndë nga të tjerët u dënua roja i kullës së vrojtimit Valter Gjalpi dhe ish-shefi i sigurisë Altin Sulo. Nga të gjithë të dënuarit, vetëm për njërin prej tyre gjykata caktoi dënim me 600 orë pune pa shpërblim, përkatësisht për Margel Rushanin. Gjykata e Korçës ka vlerësuar të drejtë akuzën e prokurorisë për 18 nga 19 gardianët e burgut të sigurisë së lartë të Drenovës, të akuzuar se kanë shkelur skemën së sigurisë dhe rregullores, gjë e cila favorizoi arratisjen e shtatë të dënuarve.

 

Vendimi

Gjykata dha pafajësi për gardianin Artan Larti, 1 vit burg për rojën e kullës së vrojtimit Valter Gjalpi, 1 vit burg por të pezulluar në 2 vite dënim me kusht për ish-shefin e sigurisë Altin Sulo. Për dy gratë me detyrë operatore në burg, Suzana Sejdarasi dhe Luljeta Dvorani, u pezullua ekzekutimi i vendimit me 6 muaj burg duke u vënë në provë për 18 muaj. Nga 8 muaj burg janë dhënë për Riza Spahiun, Ardian Lemellari, Edmond Qarrin, Luan Liçkollarin, ndërsa është dënuar me 7 muaj burg e 1 ditë Gjergj Këllezi. Gjykata Korçë ka dënuar edhe Spartak Markon, Shpëtim Peronkën, Arben Potkën, Bledar Kollcinaku, Valdet Brahollin, Sotir Tanushin, Ferdinand Belimanin dhe Bledi Hysollin me 6 muaj burg, ndërsa Margel Rushani nga 6 muaj burg, u dënua me 800 orë punë pa shpërblim.

 

Pretenca

Më herët, në kërkesën e saj, Prokuroria kishte kërkuar 19 vite dhe 6 muaj burgim në total për 19 të pandehurit, ndërsa vendimi i gjykatës llogaritet në total në 8 vite e 6 muaj burg. Seanca është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie për shkak të numrit të madh të familjarëve në sallë dhe jashtë saj, shumë prej të cilëve e kanë pritur me lot vendimin. Sipas konkluzioneve përfundimtare të akuzës tri seanca më parë, gardianët Valdet Brahollari, Ferdinand Belimoni, Margel Rushani dhe Bledi Hysolli të dënoheshin me nga një vit burg. Riza Spahiu të dënohet me 1 vit burg e 6 muaj, Luan Liçkollari me 1 vit e 4 muaj, ndërsa Edmond Spahiu me 2 vite burg. Po kështu, Prokuroria ka kërkuar të pezullohet dënimi me burg për Altin Sulon dhe dy operatoret gra, Suzana Sejdarasi dhe Luljeta Dvorani; të cilët do të jenë në Shërbim Prove.

 

Skema e pozicioneve të punës

Prokuroria e Korçës ka shpjeguar rrethanat e ngjarjes, si dhe shkeljet e secilit prej punonjësve të burgut të sigurisë së lartë të Drenovës. Me një urdhër të vitit 2010, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve ka miratuar në zbatim të ligjit skemën e ruajtjes dhe sigurisë së IEVP Korçë, e organizuar me shërbime me turne, të realizuar nëpërmjet shërbimit të regjimit të jashtëm, shërbimit të regjimit të brendshëm dhe shërbimit të informacionit. Shërbimi i regjimit të jashtëm, i cili përbëhet nga përgjegjësi i shërbimit, gjashtë vendroje (pesë prej të cilëve mbi murrin rrethues dhe një tek porta kryesore e hyrjes së institucioni), si dhe dy operatorë të sistemit të monitorimit të kamerave, ndërrohej çdo tetë orë. Shërbimi i vendrojave kryhej i pajisur me armatim. Shërbimi informacionit, në të cilin përfshihej specialisti i informacionit dhe ndihmësi i tij, si dhe shërbimi i grupit të sigurisë, i përbërë nga pesë efektivë, ndërrohej çdo 12 orë, duke filluar në orën 06:30’ deri në orën 18:30’. Shërbimi i kontrollit fizik dhe portës detektore (tuneli) i përbërë nga kontrollori fizik, shërbimet e regjimit të brendshëm, i cili përfshin edhe Sektorin e Sigurisë së Lartë, ndërrohej çdo tetë orë. Shërbimi i observimit, i cili përbëhej nga një efektiv, ndërrohej gjithashtu çdo tetë orë.

 

 

Tiranë

Kapet me armë në banesë, arrestohet Islam Luca

Një pushkë, një pistoletë dhe një sasi fishekësh janë sekuestruar nga efektivët e komisariatit nr. 6 në një banesë në Komunën e Kasharit. Policia ka arrestuar në flagrancë poseduesin e këtyre armëve, shtetasin Islam Luca. Aksioni i policisë është realizuar në orët e mëngjesit të djeshëm, pasi sipas uniformave blu kishte informacione se Luca ishte bërë problematik në lagje dhe se prezenca e armëve në banesën e tij përbënte rrezik për ndonjë ngjarje të rëndë kriminale. Në fakt, ky është rasti i dytë brenda dy ditëve që policia e Kombinatit sekuestron armë. Të mërkurën në Yzberisht u kap me automatik Muhamet Dorzi, i cili dyshohet se kishte dalë për të vrarë pjesëtarë të familjes së personave që i kanë vrarë të vëllain në vitin 2009.

 

Durrës

Shfrytëzonin fëmijët për të lypur, pranga një çifti bashkëjetuesish

Një çift që bashkëjetonte prej disa vitesh në qytetin bregdetar të Durrësit është vënë në pranga nga uniformat blu, pasi prej një viti shfrytëzonin 5 fëmijët e tyre për qëllime fitimi. Sipas policisë, të arrestuarit janë Besim P., 48 vjeç, dhe Flutura S., 36 vjeçe, ndërsa 5 fëmijët e tyre të mitur janë akomoduar në Shtëpinë e Foshnjës në qytetin bregdetar. Nëpërmjet provave të siguruara gjatë hetimit në fjalë u arrit të dokumentohet se çifti në fjalë, të cilët bashkëjetojnë me njëri-tjetrin dhe gjatë kësaj periudhe bashkëjetese kanë lindur 5 fëmijë, i shfrytëzonin për qëllime fitimi këta të fundit duke i detyruar dhe duke i nxjerrë në rrugë në lagjen numër 1 në Durrës. Sipas policisë, prindërit i shfrytëzonin fëmijët e tyre prej 1 viti. Arrestimi i dy bashkëjetuesve u bë i mundur nga seksioni për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency