Ushtarët shqiptarë/ U premtohej toka e shenjtë, luftonin për grupe ekstremiste kundër shtetit

0
145

Anxhela Tato

 

Të rekrutuarit, me nivel të dobët arsimor, stërviteshin në Alepo dhe riktheheshin për t’u provuar në Shqipëri

 Imamët e arrestuar, ekstremistë nga shkolla fetare e Cërrikut, u mbyll formalisht në 1999

 

medi manellariImamët e arrestuar janë ekstremistë, të cilët rekrutonin persona me një nivel të ulët arsimor dhe teologjik, duke shfrytëzuar varfërinë i indoktrinonin se do t’u jepej toka e premtuar në Siri, nëse do të shkonin të luftonin. Këto detaje u bënë me dije nga ana e organit të akuzës, sipas së cilës, libri që përdorej në leksionet teologjike quhet “Asgjësimi i teorisë së përzierjes së fesë islame me fetë e tjera” dhe grupet në të cilat rekrutoheshin shqiptarët, janë kundër shtetit ligjor dhe demokracisë, pro Sheriatit dhe shtetit islamik, ku mbizotëron dhuna dhe feja radikale. Nga hetimet ka rezultuar se mjete të forta propagande janë edhe dy website, ku propagandohet lufta në Siri me anë të videove dhe thirrjeve. Disa nga videot janë hedhur në Youtube nga imami i vetëshpallur Gent Balla, i cili kishte hapur edhe shkollën e rekrutimit brenda xhamisë. Sipas burimeve të Prokurorisë, të arrestuarit e kanë prejardhjen teologjike nga shkolla fetare, e cila ka ekzistuar në Cërrik deri në vitin 1999. Edhe pas mbylljes së saj ka vijuar aktiviteti në formë ilegale, duke përhapur mesazhe radikale dhe duke tentuar të rekrutonin sa më shumë të rinj. Po këto burime të akuzës bëjnë me dije se rrënjët e këtij sistemi janë më të thella dhe kjo konfirmohet nga transaksionet bankare të ardhura në llogarinë e financuesit Morava. Këto lekë, të cilat shërbenin për pagimin e çdo lloj shpenzimi nga rekrutët, vinin nga disa grupazhe ekstremiste turke dhe siriane.

 

Hetimet

 Nga të dhënat e para hetimore mësohet se të arrestuarit kujdesin për shpenzimet financiare të “të besuarve” si dhe për familjet e tyre pas largimit. Sipas skemës së zbardhur nga Prokuroria, rekrutët vinin nga familje të varfra, me një nivel arsimor dhe kulturor të ulët. Personat e përzgjedhur nuk ishin njohës të mirë të teologjisë dhe të fesë myslimane, duke mos e ditur që lufta në Siri nuk është xhihad. “Të përzgjedhurit u nënshtroheshin leksioneve fetare në Shqipëri, për t’u dërguar më pas në Stamboll. Me vete u jepeshin lekët për rrugën dhe stërvitja e përgatitja fiziko-ushtarake bëhej në Alepo të Sirisë. Nga Stambolli deri në Siri shkonin me makinë me rekomandim nga Shqipëria për të hyrë në Siri. Pas qëndrimit në Siri i rikthenin sërish në Shqipëri, ku viheshin në provë për të parë nëse ishin ende të gatshëm për të luftuar. Gjatë gjithë kohës personat e kthyer ishin në përgjim për të parë nëse shoqëroheshin sërish me ekstremistët apo ndërronin ideale dhe mendime. Pas provës së dytë vinte faza finale, e ridërgimit në Siri përmes Stambollit, si bazë e mbledhjes dhe e shpërndarjes së të rekrutuarve. Të rekrutuarve u premtohej se një ditë toka e shenjë do të bëhej e tyrja, por kjo vetëm pas largimit të Bashar Al Asadit. Kjo do të arrihej vetëm me anë të luftës për shtetin islam, pra luftës për xhihad. Gjithashtu, imamët e arrestuar i indoktrinonin me fraza të tipit që pas vdekjes në luftë do të vinte parajsa e shumëdëshiruar. Pas dërgimit të ushtarëve shqiptarë drejt Sirisë familjet e tyre ndihmoheshin financiarisht nga këto grupe ekstremistesh”, – detaje nga hetimi i prokurorisë.

 

 

Hetimet

SHISH dhe Antiterrori, referim para 4 vjetësh, u ndërprenë për mungesë ligji

Sipas të dhënave nga hetimi, ka rezultuar se personat e dërguar në Siri nga të arrestuarit dhe të shpallurit në kërkim janë bërë pjesë e opozitës jolegale në Siri (atje luftimet po bëhen mes tri grupeve: forcat qeveritare, forcat opozitare dhe grupi i tretë ku hynin të dërguarit nga Shqipëria dhe vende të tjera, grup ky i vendosur nën sanksione nga OKB-ja dhe me qëllime për ndërtimin e shtetit islamik që nuk njeh demokracinë dhe institucionet dhe që nxit përçarje dhe dhunë). Veç librit për përzierjen e feve, të botuar e shpërndarë nga dy imamët, mjete të forta propagande kanë qenë dy website, “sheriati.com” dhe “thirrjaevertete.com” (kjo, jashtë funksionit pas arrestimeve), ku shpërndaheshin mesazhe të ndryshme. Po kështu, grupi i hetimit ka sekuestruar në cilësinë e provave edhe video të hedhura në Youtube nga Genci Balla. Bëhet fjalë për video të 65-vjeçarit Medi Manellari, që mendohet se është aktualisht në Siri dhe dy personave të tjerë, të cilët bëjnë thirrje për luftime në Siri, deklarojnë se pjesëmarrja në këtë luftë është kontribut dhe vepra më e lartë fetare. Informacionet për këtë veprimtari kanë qenë të vazhdueshme. Ka raporte voluminoze për veprimtarinë e këtyre personave dhe të dhëna që tregojnë se shumë frekuentues të takimeve dhe predikimeve të tyre shkonin në këto aktivitete të pajisur me armë zjarri. Rreth katër vjet më parë, është bërë një referim nga SHISH-i dhe Antiterrori për “Grupin e Elbasanit” që përbëhej nga imamë dhe besimtarë që vazhdonin aktivitetin ilegal të ndërprerë pas mbylljes formale të xhamisë apo shkollës së Cërrikut. Hetimi asokohe nuk filloi, sepse baza ligjore ishte e mangët, thirrjet për terrorizëm dhe aktivitete të tilla janë futur e detajuar në Kodin Penal pas 2011-ës. Një tjetër arsye pse nuk u fillua atëherë hetimi ishte fakti se nga mbikëqyrja që iu bë këtij aktiviteti, rezultoi se gjithçka mbetej në teori, pra predikohej për akte ekstreme, për daljen nga rregullat legale të fesë islame, për mosnjohjen e KMSH-së, por mbetej gjithçka me kaq, nuk kishte veprimeve konkrete në terren, aktiviteti nuk bëhej burim konfliktesh të armatosura, nuk cenoheshin anëtarët e feve të tjera dhe institucioneve. Çështja është bërë serioze rreth një vit më parë, kur është parë se ka pasur fluks të dërguarish nga Shqipëria në Siri.

 

 

Videoja

Medi Manellari, thirrje për luftë, dhuroi truallin ku u ndërtua xhamia në Unazë të Re

 Medi Manellari, 65-vjeçari me origjinë nga Dibra, familja e të cilit jeton në zonën e Unazës së Re në Tiranë, është një ndër personazhet që propagandon në njërën nga videot e sekuestruara nga Prokuroria. Për këto thirrje dhe veprimtari të tjera të ngjashme, ai tashmë është shpallur në kërkim ndërkombëtar, me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe vendndodhja e tij mendohet se është Siria. Nga burime mësohet se Manellari është edhe dhuruesi i truallit, ku është ndërtuar xhamia në Unazën e Re, ku predikonte i vetëshpalluri imam, Genc Balla, tashmë i arrestuar, i njohur mes besimtarëve me emrin shejh Abdurrahim Balla. Në emër të këtij të fundit, në rrjetin Youtube, janë hedhur shumë video, ku ai është treguar i kujdesshëm të mos shfaqë fytyrën, por vetëm zërin. Sipas Prokurorisë, në disa nga këto video, Balla bën thirrje për xhihad në Siri, thënë ndryshe, për luftë të shenjtë në emër të Islamit. Genc Balla në këto mesazhe paraqet edhe foton e Osama Bin Ladenit, tashmë të ekzekutuar, duke e cilësuar si dëshmor të Islamit. Prokuroria ka sekuestruar shumë video të tilla, të cilat do të përdoren si provë ndaj imamit të vetëshpallur Genc Balla dhe bashkëpunëtorëve të tij, për thirrje kundër shtetit, racave dhe besimeve. Ndërkaq, një tjetër i arrestuar ditën e martë, Bujar Hysa, imami i vetëshpallur i xhamisë së Mëzezit, i njohur edhe me emrin Ebu Usama, është treguar i kujdesshëm, duke mos postuar video, por sipas hetimeve, ai ka botuar një libër të titulluar “Asgjësimi i teorisë së përzierjes së fesë islame me fetë e tjera”. Në këtë botim, që është gjetur dhe sekuestruar në xhaminë ku ai predikonte, u bëhet thirrje ekstremistëve t’u shpallin luftë personave të feve të tjera. 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency