Vendimi/ Në pritje të ekstradimit në Itali, gjykata lë në burg Ben Qimen

0
140

Tiranë

Kërkohet për trafik droge dhe drejtim të organizatave kriminale, u arrestua në Fier të dielën

 

 

ben_qimjaDo të qëndrojë në burg për 40 ditë derisa të vendoset nëse do të pranohet kërkesa e shtetit fqinj të Italisë për ekstradimin e tij apo jo. Ky ka qenë vendimi që gjyqtari Neritan Cena ka marrë dje për Arben Isufaj, i cili njihet ndryshe me emrin “Ben Qime”, i kërkuar nga drejtësia italiane për trafik droge dhe drejtim të organizatave kriminale. Seanca u zhvillua dje në Gjykatën e Tiranës, ndërsa u morr në shqyrtim kërkesa e Prokurorisë së Tiranës për lejimin e ekstradimit të Isufaj drejt Italisë për llogari të drejtësisë së këtij shteti. Mbrojtja ka hedhur poshtë kërkesën e përfaqësuesit të akuzës, me pretendimin se ndaj klientit të tij ka pasur gabime procedurale që në ndalimin e tij ditën e diel në Fier. Pasi ka dëgjuar pretendimet e të dy palëve, gjyqtari Cena la në burg Isufajn, ndërkohë që avokati deklaroi se do apelojë vendimin.

 

Seanca

 Gjykata e Tiranës ka vendosur të lërë në burg biznesmenin Arben Isufaj, i njohur ndryshe si Ben Qimja. Në një seancë të zhvilluar me dyer të mbyllura, pasi është konsideruar si sekret hetimor, gjykatësi Neritan Cena ka vendosur masën “Arrest me burg”, për qëllime ekstradimi për Arben Isufajn. Sipas burimeve nga gjykata, Ben Qimja do të qëndrojë në burg deri në ekstradim, edhe pas kërkesës së mbrojtjes për të mos u ekstraduar. Sipas palës mbrojtëse, gjatë arrestimit të tij janë kryer shkelje procedurale. Megjithatë, edhe pse në Shkallën e Parë kërkesat e tij nuk u morën parasysh, avokati tha se do i drejtohet Apelit për të drejtën e Isufajt për të mos u ekstraduar drejt Italisë.

 

Arrestimi

 Arben Isufaj është arrestuar më 9 mars nga Drejtoria e Forcave Speciale për llogari të drejtësisë italiane, pas një mandat arresti të lëshuar nga shteti fqinj, ku akuzohet për trafik ndërkombëtar droge dhe për pjesëmarrje në organizata kriminale. Isufaj ka qenë arrestuar edhe dy herë në Shqipëri, pasi i janë gjetur sasi të mëdha marijuanë. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit thanë ditën e arrestimit se ndaj Arben Isufajt, 45 vjeç, është lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar nga drejtësia italiane. Ndaj këtij shtetasi nga Interpol Roma është lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar, pasi Gjykata e Torinos, ka vendosur masën e “arrestit me burg” për Arben Isufajn në qershor të vitit 2010, ndërsa nuk ka asnjë informacion përse nuk është ekzekutuar më parë arresti për këtë person. Sipas policisë, Isufaj gjithashtu ka qenë nën akuzë nga Prokuroria e Fierit edhe për 3 vrasje, ndërsa gjykata e ka liruar për mungesë provash.

 

 

Urdhri i mbrojtjes

Gruaja e akuzon për dhunë e fyerje, burri: Jam xheloz, e bëj se e dua

Gjykata e Tiranës vazhdon çdo ditë të përballet me kërkesa për lëshim të urdhërit të mbrojtjes. Ka gra që vijnë dhe përballen me burrat apo ish-burrat e tyre dhe ka që arrijnë pajtimin për hatër të fëmijëve dhe për pasojë pushohet kërkesa. Një rast dhunë fizike dhe psikologjike është trajtuar dje nga gjykata, pasi pala paditëse me inicialet V. M/ iu drejtua Gjykatës: “Unë jam gruaja e tij me letra, por në atë shtëpi kam qenë thjesht shërbëtore. Ky është xheloz. Më fyen: kurvë, prostitutë. Dhunë psikologjike dhe fizike. Këto të dyja i kam patur të vazhdueshme. Unë jam larguar nga shtëpia më datë 4 shkurt të këtij viti, pikërisht për arsye xhelozie. Jam larguar edhe herë të tjera nga shtëpia. Edhe para 5 vjetësh kam denoncuar në polici, po pastaj e mbyllëm, me shpresë se do të rregullohej”. Ka reaguar dhe pranuar faktet bashkëshorti i paditur. Pasi u pyet, i shoqi u shpreh se “jam munduar për familjen time, duke punuar shumë. Jam xheloz se e dua. Jam munduar me mish e me shpirt të mbaj një familje, pavarësisht se nga xhelozia mund ta kem tepruar se V. M. e dua shumë”. Pasi dëgjoi dy palët, gjykata vendoi të lëshojë urdhrin e mbrojtjes dhe të detyrojë bashkëshortin dhunues të mos i afrohet gruas.

 

 

Vendimi

Dhunë ndaj gruas edhe në prani të policisë, dënohet 8 muaj burg

 Gjykata e Tiranës ka dënuar me 8 muaj burg të pandehurin Ylli Lloji për dhunë barbare ndaj të shoqes, madje edhe kur ka parë se po afrohej makina e policisë. Sipas vendimit të gjykatës, rezulton se në datën 20.9.2013 është arrestuar shtetasi Ylli Lloji. Ai është arrestuar pas kallëzimit të depozituar nga shtetasja Zhaneta Lloji. Ajo shpjegon se në datën 19.9.2013 rreth orës 22.00 ka qenë në banesën e saj. Ne këtë orar është kthyer në banesë bashkëshorti i saj Ylli Lloji. Ai i ka rënë me shkelm derës dhe, duke bërë dritë me aparatin telefonik pasi nuk kishin energji elektrike, i ka hedhur duart në fyt. Ajo ka bërtitur dhe ka mundur të shkëputet nga duart e tij. Këto të bërtitura i ka dëgjuar dhe djali i tyre Dionis. Zhaneta më pas është drejtuar në polici dhe ka depozituar kallëzim penal. Kur është kthyer në banesë përsëri Ylli Lloji ka filluar ta godasë me tulla. Ajo përsëri ka njoftuar policinë dhe sapo Ylli Lloji ka parë automjetin e policisë që po afrohej e ka kapur nga krahu me forcë dhe ka ushtruar dhune me shkelma dhe grushte. policia ka bërë arrestimin e tij dhe pas hetimit, dosja ka mbërritur për gjykim, ku pas shprehjes së pendimit, i pandehuri kërkoi të gjykohen në aplikim të gjykimit të shkurtuar. Në përfundim, ai përfitoi edhe uljen e një të tretës së dënimit, pas kërkesës së gjykatës për të dënuar me 1 vit burg.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency