Polici i lodhur i botës SHBA dhe kriza në Krime

0
133

Nga Miodrag Soric

 

Sanksionet e SHBA kundër rusëve të veçantë janë më shumë simbolike dhe veprime ushtarake nuk diskutohen. Megjithatë kjo nuk është një shenjë e dobësisë, por e politikës reale, mendon Miodrag Soric.

 

 

Ata nuk mund të bëhen më të ndryshëm: dy presidentët Barak Obama dhe Vladimir Putin. Kur flasin në telefon, nuk zgjaten shumë me kortezira, vijnë direkt tek çështja. Kështu edhe në rastin e Ukrainës. Obama po e ngre gjithnjë e më lart çmimin e politikës së jashtme për aneksimin e mundshëm të Krimesë nga Rusia. Ai kërcënon Putinin me izolimin e Rusisë, me armatosjen e shteteve balltike, të Polonisë dhe Hungarisë. Por çfarëdo që të thotë ai, për shumë njerëz në kryeqytetin e SHBA nuk është e mjaftueshme.

Uashingtoni nuk do të ishte Uashington, sikur atje të mos kishte politikanë, që do të përpiqeshin të fitonin pikë në politikën e brendshme nga kriza në Krime. Senatori John McCain e akuzon Obamën edhe një herë për dobësi, se presidenti nuk e kupton natyrën e vërtetë të ish punonjësit të KGB-së Putin. Me të njëjtin ton shprehet edhe ish-ministrja e Jashtme Condoleezza Rice. Duke patur parasysh tensionet në Europë ajo, si shumë të tjerë, kërkon një udhëheqje të fortë amerikane. Duartrokitje ata marrin nga lobi i fuqishëm i armatimeve. Tundja e shpatës së Kremlinit u vjen në një kohë të përshtatshme, Obama është duke e ulur buxhetin e Pentagonit. Ata kërkojnë tani më shumë para për mbrojtjen.

 

“Udhëheqje të fortë” – jo, faleminderit

Po të shohësh klasën politike në Uashingtonit, të krijohet përshtypja se lufta e ftohtë është kthyer papritmas. Por shumica e amerikanëve mendojnë krejt ndryshe nga ata në kryeqytet. Vetëm një pakicë sheh një rol të SHBA-së në Krime. Për “udhëheqjen e fortë”, ashtu siç e kuptonte dikur Presidenti Bush Junior, me intervenime dhe politikë të jashtme bardh e zi, nuk duan t’ia dinë. Nëse ka një temë të politikë së jashtme, për të cilën interesohen amerikanët, ajo është lindja e Afërt dhe e Mesme.

Të rivendosë paqen, të përfundojë ndërhyrjen amerikane në Irak dhe Afganistan, të jetë një lloj “anti-Bush”, kjo është “legacy”, trashëgimia politike e presidentit. Kështu e sheh ai veten. Dhe në përputhje me të vepron. Në çështjen e Krimesë ai kërkon kompromis me Putinin. Sanksionet e vendosura deri tani nga SHBA kundër politikanëve rusë dhe ushtarakëve janë më shumë të natyrës simbolike. Hapi ushtarak nuk është opsion. Obama është dhe mbetet i kujdesshëm. Ai do të vazhdojë me sanksione ekonomike, në qoftë se Rusia pushton Ukrainën lindore. Ai përdor taktikën, vendos nga dita në ditë.

Kjo nuk ka të bëjë aspak me dobësi. Kjo është politikë reale. Presidenti amerikan e njeh potencialin pengues të Kremlinit: Në konfliktin në Siri, në tërheqjen e ardhshme të trupave amerikane nga Afganistani, apo në bisedimet me Teheranin.

 

Rusia nuk është kërcënim

Shumë në perëndim të Ukrainës, në Poloni, në Gjeorgji, apo në shtetet Balltike nuk u pëlqen ta dëgjojnë këtë, por Obamës i duhet të ndjekë në radhë të parë interesa amerikane. Rusia nuk është kërcënim për SHBA apo NATO-n. Rivali i vertetë quhet Kina. Për shkak të biografisë së tij, por në radhë të parë për arsye ekonomike, presidenti amerikan e hedh më me dëshirë vështrimin në Azi se sa në Evropë.

Gjithsesi nga projektet e mëdha të jashtme politike, që Obama nisi në fillim të mandatit të tij, nuk është bërë asgjë. Fillimi i ri me botën arabe (fjalimi i Presidentit në Kairo), apo ai me Rusinë (fjala kyçe “reset button”) nuk ndodhi. Amerika e Obamës e ke mendjen te vetvetja. Krimea, për shumë ajo është larg.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency