Fullani vesh sërish petkat e Çufos

0

Ervin Kaduku

Loading...

 

 Guvernatori duhet të konsiderohet nga çdo shkollë e Shqipërisë si një shembull se si nuk duhet të bëhen fëmijët e sotëm në të ardhmen, si nuk duhet të veprojnë ata me lekët e shtetit. Petkat e Çufos i rrinë paksa si … të ngushta! 

 

 

derrkuciNdërkohë që shqiptarëve të rritur guvernatori Fullani nuk le rast pa u bërë thirrje që të harxhojnë para, këto ditë ka dalë në skenë për të këshilluar fëmijët që të ruajnë lekun sa më fort. Gjatë aktiviteteve për javën globale të parasë, Guvernatori Ardian Fullani shoqëroi një grup nxënësish për vizitë në mjediset e një banke tregtare.

Ndërkohë, në kuadër të Javës Globale të Parasë, 10-17 mars, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, si dhe Shoqatën Shqiptare të Bankave kanë planifikuar të zhvillojnë disa aktivitete edukuese për fëmijët e shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazistët.

Java Globale e Parasë është një festë mbarëbotërore e parasë, e cila ka për qëllim ndërgjegjësimin e brezit të ri për të qenë qytetarë të ardhshëm të përgjegjshëm dhe të aftë financiarisht. Gjatë javës 10 – 17 mars, partnerë të shumtë në mbarë globin, nën koordinimin e ChildandYouth Finance International, organizojnë aktivitete të larmishme për t’i përfshirë financiarisht fëmijët anembanë globit, duke u mësuar si të kujdesen për paratë, si të kursejnë, si t’i kuptojnë ndryshimet në sistemet ekonomike ku jetojnë, si të fitojnë të ardhura nëpërmjet sipërmarrjes dhe të vendosin bazat për të ardhmen e tyre.

Prej vitesh, Banka e Shqipërisë është e angazhuar në edukimin financiar të publikut nëpërmjet aktiviteteve të shumta, publikimit të broshurave edukative, si dhe modulit me zgjedhje të lirë “Financat personale në duart tuaja” dhe paketës mësimore “1, 2, 3 … derrkuci Çufo mëson të kursejë”.

Në këtë kuadër, guvernatori mori pjesë edhe në shfaqjen teatrore për fëmijë “Çufo dhe Tipi-Një aventurë me verdhushka”, premiera e së cilës u shfaq  më datë 10 mars 2014, në Teatrin e Kukullave. Gjatë ceremonisë së zhvilluar me këtë rast, Guvernatori Fullani theksoi rëndësinë e edukimit financiar të publikut dhe angazhimin serioz të Bankës së Shqipërisë në këtë drejtim.
Banka e Shqipërisë, e drejtuar nga ky person i stigmatizuar qartazi edhe nga një audit i posaçëm i Kontrollit të Lartë të Shtetit si shpërdorues i fondeve publike, ka hedhur prej kohësh në qarkullim “paketën e re mësimore ‘1,2,3… derrkuci Çufo mëson të kursejë’”, në çeljen e vitit shkollor 2013-2014. Paketa i dedikohet edukimit financiar të nxënësve që ndjekin klasën I, II dhe III, të shkollës 9-vjeçare. Ajo pritet të përdoret në orët e lira mësimore, në orët dedikuar projekteve shkollore apo si projekt ndërlëndor. Tematikat e trajtuara në të janë përzgjedhur në mënyrë që të përputhen me eksperiencën e përditshme të nxënësve me paranë dhe financat personale. Materialet e përfshira në paketë janë përgatitur nga Banka e Shqipërisë me bashkëpunimin e autorit të mirënjohur të librave për fëmijë, Gaqo Bushaka, i cili ka vendosur në dispozicion të bankës personazhet e veprës së tij “Çufo dhe bubi Kaçurrel”.

Libri “1, 2, 3… derrkuci Çufo mëson të kursejë”, përbëhet nga 7 përrallëza të shkurtra, të cilat përmes një gjuhe të thjeshtë trajtojnë tema të tilla si: ndryshimi mes nevojave dhe dëshirave; nga vjen paraja dhe për çfarë shërben ajo; administrimi i parave dhe kursimi etj.

Në të gjitha daljet e tij të fundit publike, Ardian Fullani nuk ka reshtur së kërkuari nga baballarët e “Çufove” shqiptarë që të mos kursejnë, por të konsumojnë, edhe pse nuk u ka treguar kurrë – nuk kish ç’t’u tregonte! – se ku t’i gjejnë paratë për të prishur. Kjo, sipas tij, pasi ekonomia ka nevojë për në shumë konsum që të ecë përpara dhe të shmangë krizën më mirë se sa deri tani.

Por ndërkohë që merret me… gica, Fullani, sipas Kontrollit të Shtetit, në shpenzimet për udhëtim e dieta brenda vendit nuk zbaton kërkesat e rregullores së Bankës së Shqipërisë duke bërë që KLSH t’i rekomandojë këtij “rekomanduesi të kursimeve” “të përcaktohet një kornizë e kujdesshme rregullatore në lidhje me nivelin e pagës së Guvernatorit, e cila duhet të ndjekë trendin e pagave të tregut bankar, por gjithmonë duhet të jetë në raporte të pranueshme krahasuar me pagën e Presidentit të Republikës, bazuar kjo në përvojat dhe praktikat më të mira të vendeve të ngjashme por pa harruar përshtatshmërinë me realitetin shqiptar.

Gjithashtu, të vendosen nivele të arsyeshme për shpërblimin e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, nivele shpërblimi të cilat duke marrë në konsideratë edhe nivelin e pagës bazë të tyre nuk duhet të tejkalojnë gjithsesi pagën e Guvernatorit, apo këto paga të jenë më pak sesa paga e anëtarëve të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.

Po kështu, është i njohur tashmë fakti se guvernatori “kursimtar” i ka caktuar vetes paga e shpërblime të majme, duke u kthyer në zyrtarin më të paguar të administratës publike shqiptare, me të ardhura vjetore disa herë më të larta se ato të presidentit të Republikës.

Thjesht, Fullani duhet të konsiderohet nga çdo shkollë e Shqipërisë si një shembull se si nuk duhet të bëhen fëmijët e sotëm në të ardhmen, si nuk duhet të veprojnë ata me lekët e shtetit. Askush më pak se ai nuk ka të drejtë të veshë rrobat e edukatorit financiar! Petkat e Çufos i rrinë paksa si … të ngushta!

 

 

 

 

 

 

Loading...