Barcelona vetëm një hap larg, Blank frikësohet nga hakmarrja e gjermanëve

0
110

Katalanasit nuk kanë shumë punë për të bërë për t’u kualifikuar, pasi skuadra e Martinos duket se vetëm me pak përqendrim mund të triumfojë

 

Ndërsa PSG, pavarësisht nga fitorja e ndeshjes së parë, nuk është e qetë

 

 

MANCHESTER_CITY-BARCELONA_19.v1394454075 Sot luhen edhe dy ndeshjet e mbetura nga Liga e Kampioneve për këtë javë. Edhe dy sfidat e sotshme janë mjaft emocionuese dhe do të mbartin spektakël të veçantë. Kjo, pasi do të vihen përsëri përballë Mançester Siti me Barcelonën, por kësaj radhe sfida do të luhet në Katalunjë. Ndërsa në ana tjetër luajnë parisienët me Bajer Leverkusenin. Në të dyja sfidat e para u dallua mirë se kush ishin pretendentët. Barcelona arriti që të dominonte ndaj skuadrës së Pelegrinit duke i mposhtur me rezultatin 2 me 0. Skuadra spanjolle arriti që të dominonte si në lojë, por edhe në rezultat. Por sfidat e re nuk do të ketë të njëjtën kronologji. Kjo, pasi anglezët duhet të ketë vënë vend nga sfida e parë. Njohja e kundërshtarit duket se do ta bëjë më të lehtë përballjen dhe do t’i japë më shumë shanse Jaja Turesë me shokë që të bëjnë surprizën. Po të shtojmë këtu edhe cilesitë e kilianit Pelegrini që e njeh mirë skuadrën katalanase. Kjo, pasi tekniku është përballur shume herë me kundërshtarët në periudhën kur ka qenë në Spanjë. Në kohën kur ka drejtuar Vilarealin dhe më pas Real Madridin trajneri duhet të ketë nxjerrë mësime të nevojshme nga skuadra. Edhe pse formula nuk rezultoi me sukses në herën e parë mund të ketë rezultat në përballjen e dytë. Plus tjetër që mund të favorizoj Sitin është edhe forma e Barcelonës. Blaugranasit këtë javë u mposhtën nga skuadra e Valadolidit. Një tregues jo i mirë që ka trazuar disi gjërat te skuadra e Martinos. Ekipi nuk po del në lojë dhe ka shfaqur disa herë probleme ne repartin e mbrojtjes që duket edhe me kritiku për momentin. Mesfushori i Barcelonës, Havier Maskerano, beson se skuadra e tij e ka në duart e veta kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampioneve. “Ne kemi një epërsi dhe do të përpiqemi që ta shfrytëzojmë maksimalisht. Por, në të njëjtën kohë, nuk duhet të lejojmë që ta humbim përqendrimin dhe nuk do të luajmë për ta mbrojtur rezultatin. Nuk duhet t’u japim shans për kundërsulme apo t’u japim hapësirë. Duhet ta shfrytëzojmë avantazhin dhe ta mbajmë posedimin. Gjithçka varet nga ne për t’u kualifikuar në çerekfinale”, – ka thënë argjentinasi.

 

PSG-Bajer Leverkusen

Sfida tjetër e mbrëmjes është edhe ajo midis PSG-së dhe Bajer Leverkusenit. Skuadra franceze me Blankun duket se ka gjetur qetësinë. Tashmë duket se skuadra është kthyer në një grup solid dhe po arrin që të fitojë kudo. Janë shumë mirë në kampionat dhe po bëjnë shumë mirë edhe në arenën evropiane. Ibra me shokë arritën të mundnin gjermanët e Leverkusenit me rezultatin dominues 4 me 0. Një ndeshje për t’u harruar për Bajer Leverkusenin. Ekipi i aspirinave bën shumë mirë dhe në kampionat, por duket se nuk ka fuqinë e duhur për t’u rivalizuar bavarezët e Mynihut. Edhe ndaj PSG-së duket se përballja është e së njëjtës natyrë. Ndeshja e parë e tregoi më së miri se kush ishte skuadra dominuese. Por futbolli gjithmonë ka pasur si elementë surprizën dhe këtë mund të vënë në përdorim edhe Leverkusen. Sipas Blankut, ndeshja nuk do të jetë e lehtë. Kjo, pasi, sipas tij, ekipi kundërshtar do të hyjë në fushë me qëllimin për t’u hakmarrë për ndeshjen e parë. Ai ka paralajmëruar lojtarët e tij se Bajer Leverkusen do të kërkojë hakmarrje në ndeshjen kthyese të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve. “Të gjitha ndeshjet janë për t’u fituar dhe njësoj është edhe kjo ndeshje ndaj Leverkusenit. Ne nuk duhet të shqetësohemi shumë për të mërkurën, pos nëse kundërshtari do të kërkojë hakmarrje. Do të jemi të përgatitur dhe do ta respektojmë këtë skuadër. Duhet ta përsërisim paraqitjen që bëmë në ndeshjen e parë, 4-0. Ne duhet ta fitojmë ndeshjen e të mërkurës”, – ka deklaruar francezi.

 

 

Sançez afron Vidalin te Barcelona

Lojtari perfekt. Kështu është shprehur Sançez për bashkëkombasin e tij nëse ai do të transferohej te Barça. Sulmuesi është shprehur se ai do ta mirëpresë Arturo Vidalin nëse ai zgjedh të shkojë te katalanasit. Mesfushori kilian i Juventusit është lidhur me një kalim te Real Madridi këtë sezon, por Aleksis mendon se ai do t’i përshtatej mirë Barcelonës. “Arturo do të ishte i përkryer për Barcelonën. Ai është lojtari për të cilin ne kemi nevojë, ka kualitete të mëdha dhe do të isha jashtëzakonisht i lumtur nëse ai përfundon këtu në Spanjë”, – ka thënë Sançez për një nga mediat italiane.

 

 

Ançeloti: Tripleta, synimi i Realit

Ancelotti është i bindur që tripleta mbetet një synim i realizueshëm këtë sezon. Reali ende është në garë për ta fituar Ligën e Kampioneve, Kupën e Mbretit dhe qëndron tri pikë në krye të tabelës së La Ligas. “Ne jemi në pozitë të mirë në të gjitha garat. Ky ishte objektiv dhe ne po shkojmë drejt tij duke punuar. Jemi në një moment të rëndësishëm të sezonit. Ka një atmosferë të mirë në ekip dhe ne duhet të vazhdojmë kështu. E rëndësishme nuk është të mendojmë shumë për gjërat, pasi rreziku është të mendojmë së tepërmi. Duhet të mendojmë për çdo ndeshje, pasi secila mund të jetë më e rëndësishmja e sezonit. Jemi në krye, por sezoni është i gjatë dhe objektivi është të jemi atje në fund të sezonit. Kemi një avantazh të vogël, por ne nuk mendojmë për këtë. Ne vetëm shikojmë në ndeshjen e radhës dhe përpiqemi ta fitojmë atë”, – u shpreh tekniku galaktik.

 

Junajtid në garë për Moratën

Djajtë e Junajtidit i janë bashkuar betejës për të nënshkruar me sulmuesin e Real Madridit, Alvaro Morata. Burime nga “Daily Star” bëjnë të ditur se David Mojes është duke menduar të bëjë ofertë për lojtarin gjatë kësaj vere, derisa kërkon të përforcojë ekipin për sezonin e ardhshëm. Në garë për të janë edhe Arsenali dhe Juventusi. Të dyja skuadra të cilat janë seriozisht të interesuara për lojtarin. Real Madridi mendohet se do të kërkojë 25 milionë euro për Morata. Mbretërit janë të interesuar ta mbajnë 21-vjeçarin, por kanë zgjidhje të kufizuara pasi kontrata e tij skadon në verën e ardhshme.

 

 

Valter Maxarri qëndron te Interi

Drejtori sportiv i Interit, Piero Auzilio, është shprehur se tekniku Valter Maxarri do të vazhdojë të jetë trajner i zikaltërve përkundër sezonit zhgënjyes. “Ai punon 24 orë në ditë. Ndjek të gjitha lëvizjet e skuadrës. Tashmë mund të shihni një skuadër që është në rritje, me një lojë ndryshe dhe mbrojtje solide. Maxarri do të qëndrojë pa marrë parasysh se në cilin vend do ta përfundojmë sezonin”, – është shprehur Auzilio për “La Gazzetta dello Sport”. Interi është në vend të pestë në tabelë, me 44 pikë, 11 më pak se vendi që çon në Ligën e Kampioneve, Napoli dhe 28 pikë, prapa liderit Juventus.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency