Liga e Kampioneve/ Milani kërkon mrekullinë ndaj Atletikos, Pep gjen formulën ndaj Arsenalit

0
126

Ekipit milanist përballë Ateltikos i duhet një fitore, që duket tepër e vështirë, duke parë edhe formën e skuadrës së Simeones

 Pep Guardiola u shpreh se mënyra e vetme për të shmangur disfatën ndaj Arsenalit është mbajtja e topit

 

uefa Sot luhen edhe dy nga ndeshjet e dyta të fazës së 1/16 në Ligën e Kampioneve. Turneu prestigjioz evropian do të hapë siparin me dy sfida mjaft emocionuese. Përballë do të jenë bavarezët me “topçinjtë”, ndërsa në krahun tjetër do të jetë një klasike spanjolle italiane midis Atletikos dhe Milanit. Bavarezët kanë rezultatin në favor, por londinezët gjithmonë janë një surprizë e madhe dhe për pak arritën që t’i eliminonin gjermanët vjet. Ndërkaq, skuadra e Sedorfit është në një sfidë “për jetë a vdekje” përballë Atletikos së Madridit. Skuadra milaniste është e vetmja italiane e mbijetuar dhe duhet që të ruajë nderin. Mirëpo duket se në Madrid përballë dyshes Kosta-Vija nuk do të jetë aspak e lehtë. Ndeshjet e sotme përcaktojnë edhe dy skuadrat e para që kalojnë në fazën e 1/8-ave.

 

Guardiola: Nëse mbajmë topin, kalojmë në fazën tjetër

Pep Guardiola ka këmbëngulur se Bajerni i Mynihut duhet të kërkojë fitoren nëpërmjet zotërimit të topit në ndeshjen ndaj Arsenalit të martën në mbrëmje, edhe pse nuk e ka të nevojshme suksesin pas triumfit 2-0 në “Emirates Stadium” tri javë më parë. “Nëse do t’i lëmë Arsenalit zotërimin e topit, atëherë do të kemi shumë probleme”, – tha Guardiola. “Ata kanë shumë lojtarë cilësorë, si Kacorla, Ozil, Roziçki dhe Arteta. Do të ndihen shumë mirë në fushë nëse u dorëzojmë topin”, – shtoi tekniku i bavarezëve, i cili mendon se ekipi i tij është më i fortë kur sulmon. “Kur mendojmë vetëm për sulmin, jemi më të mirë. Nëse nisim të mendojmë për mbrojtjen, ka shumë mundësi të mos i kapim çerekfinalet. E njoh shumë mirë Arsenalin, pasi kam luajtur dy herë kundër tyre me Barcelonën. E them me siguri se në çerekfinale do të kalojë skuadra që do të zotërojë më shumë topin”, – deklaroi tekniku katalanas.

 

 

Venger: Ozili tregon veten ndaj Bajernit

Arsen Venger kërkon ta motivojë sa më shumë organizatorin Mesut Ozil në kuadër të ndeshjes së kthimit ndaj Bajernit të Mynihut, takim që do të zhvillohet ditën e martë në “Allianz Arena”. Londinezët do të mundohen të përmbysin rezultatin 2-0 të ndeshjes së parë, por do të marrin zemër nga fitorja 2-0 që arritën vitin e kaluar në Gjermani po ndaj bavarezëve. Venger tha se Ozil e përjetoi shumë keq humbjen e 11-metërshit gjatë ndeshjes së parë, kur rezultati ishte 0-0: “Mendoj se e vuajti shumë psikologjikisht. Ai ndjeu se kishte zhgënjyer shokët e skuadrës në një moment shumë të rëndësishëm të ndeshjes dhe kjo gjë ndikoi në lojën e tij”. Gjithsesi, trajneri i Arsenalit shtoi se Ozil e ka kaluar momentin e vështirë: “Tashmë e ka harruar penalltinë dhe ka një mundësi shumë të mirë të martën për të treguar aftësitë e tij”. Olivier Zhirud kërkon që bashkëlojtarët e tij të besojnë se mund ta përmbysin disavantazhin prej dy golash kundër bavarezëve në Ligën e Kampioneve. “Shpresojmë që fillimisht të mos pësojmë gol dhe pastaj të shënojmë shpejt. Kemi një mundësi të mirë, nëse besojmë në cilësinë tonë dhe angazhohemi me vendosmëri të njëjtë si ndaj Evertonit. Bajerni është një ekip shumë i mirë, prandaj do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por mendoj se kemi mundësi të vazhdojmë tutje”, – ka deklaruar francezi.

 

 

Milani drejt misionit të pamundur

Kundër skuadrës së Diego Pablo Simeones, nëse do të analizonim rezultatet e marra në transfertë nga ekipi i Klarens Sedorfit, të flasim për kualifikim, për momentin duket si një mision i pamundur. Në këtë sezon, “djalli” në 14 ndeshjet jashtë fushe në kampionat ka arritur të fitojë vetëm në tri raste, ndërsa në tri transfertat në Ligën e Kampioneve ka fituar vetëm një. Seria negative vijon me të njëjtat ritme edhe në vitin 2014, kur në timonin e ekipit është vendosur holandezi. Në gjashtë ndeshje jashtë shtëpisë Milani ka arritur të fitojë vetëm dy: kundër Kaljarit dhe Sampdorias. Në bankën e “të akuzuarve” është reparti sulmues, që në katër ndeshjet e fundit, në tri raste nuk ka arritur dot të gjejë rrugën e golit. Nëse analizojmë ndeshjet që kuqezinjtë kanë luajtur në vitin 2014, Milani vetëm në tri takime ka arritur të fitojë me dy gola diferencë: në ndeshjen e parë të vitit kundër Atalantës 3-0, ndaj Specias në Kupën e Italisë 3-1 dhe kundër Sampdorias me rezultatin 2-0. Pavarësisht nga rendimenti në rritje i lojës, alarmi është i fortë dhe i qartë. Kundër Atletikos, kuqezinjtë nuk duhet të fshihen më pas alibive të ndryshme: nuk do të mjaftonte një lojë e bukur dhe raste të shumta të pakonkretizuara dhe as fati kundër, duhet të fitojnë. Ndërsa Galiani, për të frymëzuar skuadrën, përmendi fitoren e madhe të Milanit në Mynih ndaj Bajernit, në vitin 2007, vit kur italianët fituan Ligën e Kampioneve për herë të fundit. “E kishim shumë të vështirë edhe atëherë. Kishim barazuar 2-2 në San Siro dhe fituam në Gjermani 2-0, kur askush nuk e priste. Do të shkojmë në Madrid për të tentuar deri në fund. I kemi pothuajse të gjithë lojtarët në dispozicion dhe jemi në gjendje të mirë fizike”, – deklaroi Galiani. Tifozët e Milanit i kanë shpresat tek Kaka dhe Baloteli: “Baloteli ka pak dhimbje në shpatull, por është normale. Shpresojmë që Kaka’ të kthehet ai që njohim ne në një mbrëmje të madhe si kjo që na pret”.

 

 

Ançeloti në kërkim të Verratit

Trajneri i Realit të Madridit, Karlo Ançeloti, ka ringjallur interesimin për të nënshkruar me Marko Verratin nga Paris Sent Zhermen. Ançeloti e vlerëson Verratin si lojtarin e ri më të mirë italian dhe kishte punuar me të në Paris sezonin e kaluar. “Tuttomercatoweb” shkruan se Reali kishte filluar ta ndërtonte rrugën për ta sjellë Verratin në Madrid qysh verën e kaluar dhe është inkurajuar nga lajmet se PSG-së është duke tentuar të rinovojë marrëveshjen aktuale me lojtarin. Verrati deri tani ka qenë ngurrues të mendojë për negociata, duke i hapur derën kështu Realit të bëjë një ofertë për të.

 

 

 

Besnik Hasi, trajneri i ri i Anderlehtit

RSC Anderleht ka shkarkuar trajnerin John van den Brom pas humbjes së nëntë sezonale dhe e ka zëvendësuar me ndihmësin i tij, Besnik Hasi. Humbja e të shtunës 1-0 nga Oud-Heverlee Leuven, e ka lënë kampionin e Belgjikës në vendin e tretë në tabelë me 12 pikë prapa liderit Standard Liege dhe kjo i ka kushtuar me punë strategut holandez. “Në këtë moment, fatkeqësisht, nuk ka opsion tjetër pos që ta falënderojmë Van den Bromin për angazhimet e tij në dy sezonet e fundit. Shkarkimi i tij është një shpërndarje e përgjegjësisë nga bordi, trajneri dhe lojtarët”, deklaroi kreu i Anderlehtit, Roger Vanden Stock. 42-vjeçari Hasi e ka prezantuar si lojtar Anderlehtin gjatë viteve 2000-2006. Ish-mesfushori shqiptar që kur e mbylli karrierën në vitin 2008 ka qenë në postin e ndihmëstrajnerit te klubi belg. “Besnik Hasi e njeh klubin në tërësi. Ne si bord jemi të bindur se ai ka cilësitë për ta zgjuar këtë skuadër”, – ka deklaruar menaxheri gjeneral, Herman Van Holsbeek.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency