Atentat/ Eksploziv banesës së ish-punonjësit të SHISH-it

0
134

Anxhela Tato

 

 

Policia, dyshime për ngatërrim shënjestre, në pallatin ku ndodhi ngjarja jetojnë disa deputetë

 Dëshmia e Ilir Dakos: Nuk kam konflikte me askënd, në 2006-ën dola në pension

 

 

ekspliozivi banesaSulmohet nga jashtë me eksploziv artizanal banesa e ish-efektivit të Shërbimit Informativ Ushtarak dhe Shërbimit Informativ Shtetëror, Ilir Dako. Xhamat e dritares, të thyera nga shpërthimi, kanë rënë mbi motrën e Dakos, e cila ka marrë plagë të lehta dhe pas ndihmës së parë mjekësore është plotësisht jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 02:40 pas mesnate, duke u gdhirë dita e hënë, në rrugën “Ymer Kurti”, në zonën e Tiranës së Re, përballë gjimnazit “Petro Nini Luarasi”. Në pallatin e ish-agjentit sekret, i cili prej vitit 2006 është në pension, banojnë edhe deputetë dhe ish-deputetë, siç janë Fidel Ylli, Sulejman Starova, Neritan Ceka dhe Paskal Milo, çfarë ka bërë që policia të përfshijë në hetime edhe pistën e një gabimi në objektiv, duke hetuar edhe kërcënime të mundshme ndaj këtyre. Madje, një kat më poshtë banesës së Dakos, banon me qira një prej zëvendësministrave të Bujqësisë, ballkoni i të cilit është dëmtuar gjithashtu nga shpërthimi. Në pallatin ku ndodhi shpërthimi, deri 2 javë më parë kanë banuar rreth 30 muxhahedinë të rezistencës iraniane, të cilët kanë mbërritur në Shqipëri sipas një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por, sipas policisë, nuk ka prova që të ketë lidhje mes tyre dhe ngjarjes. Familjarët e Ilir Dakos, jashtë kamerave, shprehen të habitur me gjithë çfarë ka ndodhur. “Jetojmë këtu që prej 16 vjetësh dhe asnjëherë nuk kemi pasur probleme, në këtë pallat gjysma janë deputetë. E vetmja mundësi është që të kenë ngatërruar shënjestër”, – thonë familjarët që ende nuk e kanë mbledhur veten nga shpërthimi. Komshinjtë tregojnë që Dako prej 10 vitesh ishte i papunë, ndërsa nuk ka as ndonjë biznes.

 

Dëshmia

 Vetë Ilir Dako mohon që të ketë pasur probleme apo konflikte. Ai rrëfen se është e vërtetë që ka qenë punonjës në Ministrisë e Brendshme, por kjo shumë kohë më parë. Në një intervistë për median ai tregon se prej vitit 2006 ka dalë në pension dhe ka dyshime se ngjarja mund të jetë një ngatërrim shënjestre. Fatmirësisht, motra e tij ndodhet jashtë rrezikut për jetën, vetëm me disa dëmtime të lehta. “Kjo ngjarje nuk ka të bëj me mua, duhet të jetë patjetër ndonjë ngatërrim shënjestre. Unë kam punuar në Ministrinë e Brendshme në shërbim informativ të ushtrisë, por që prej vitit 2006 jam shkëputur vetë dhe kam dalë në pension. Nuk kam pasur ndonjëherë probleme apo kërcënime apo konflikte. Kur ka ndodhur shpërthimi në banesë ka qenë motra ime, e cila ka vetëm disa aludime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ajo ka dëgjuar zhurmë dhe ka dalë në ballkon, pasi ndodhej në dhomë duke fjetur gjumë. Nga shpërthimi është dëmtuar pak. Nuk e di se kush mund ta ketë bërë, pasi mendoj që nuk ka lidhje me mua. Nuk e di se për kë mund të ketë qenë”, – shprehet Ilir Dako.

 

 

 

Raporti mjekoligjor/ “Bosi” nuk është vrarë me tre plumba, por u masakrua me sende të forta

 Telnis Skuqi

Lazarati, fshati prej 5 mijë banorësh, me sipërfaqe administrative më të vogël në qarkun e Gjirokastrës, dje ka mbajtur zi. Morti mbizotëronte. Hajriu, babai i Shpend Bashës, ulej e ngrihej sa herë hynin dhe dilnin burrat e fshatit, ndërsagratë vajtonin mbi trupin e pajetë të 25-vjeçarit, që u vra dy ditë më parë në pikën më të lartë të qytetit të Gjirokastrës. “I shkreti Hajri, humbi djalin në moshën më të bukur. Gjithë ditën punonte me furgon për të siguruar të ardhurat e familjes dhe befas dëgjon se i biri paska qenë bosi i drogës. Ky është kulmi”, – thotë një banor i fshatit dhe sakaq ndez cigaren. Shtëpia ku ka jetuar prej 25 vitesh viktima, nuk ofron luks të tepruar të një “bosi”. Tavolina e bukës të ngjan si ato të paravitit 1990, ndërsa banesa ka standardin e një objekti të ndërtuar shpejt e shpejt. “Nuk dua ta besoj që një 25-vjeçar paska qenë “bosi i drogës” në Lazarat”, – thotë bashkëfshatari. Më tej, N. B. thotë se Shpendi prej 8 marsit nuk u kthye në shtëpi. “Prindërit e Shpendit nuk kanë lënë vend pa kërkuar. Ata iu drejtuan policisë lokale për ndihmë, por denoncimi i tyre u mor me sportivitet nga institucioni ligjzbatues”, – shprehet N. B., i cili është shumë i revoltuar më etiketimet që i bëri policia viktimës. “Policia në vend të kërkojë falje, që nuk ishte në gjendje të parandalonte krimin, akuzon viktimën”, – shton ai. N. B. tregon se Shpendi ishte përdorues i drogës, kishte konflikte të lehta me të tretët, por kurrë nuk ka pasur probleme me drejtësinë. “Të jetosh çdo ditë në Gjirokastër nga mëngjesi në mbrëmje pa frikën se dikush do të arrestojë dhe pas vdekjes Shpendi të etiketohet “bosi i drogës”, për mua është çmenduri dhe papërgjegjshmëri e policisë”, – thotë N. B., ndërsa shton se policia e vrau për së dyti viktimën. Sipas tij, viktima Shpend Basha nuk është qëlluar pas koke me pistoletë, por kafka e tij është copëtuar me sende të forta. “Kemi të bëjmë me një vrasje të keqorganizuar, jo për “prishje pazaresh”. Shpendi është masakruar barbarisht dhe më pas është qëlluar vetëm me një plumb pistolete, i cili ka hyrë në kraharor dhe ka dalë në veshka”, – thuhet në raportin mjekoligjor. Dora e djathtë, sipas raportit mjekoligjor, ishte thyer nga një goditje me sende të forta, ndërsa trupi është lënë në vendngjarje prej 24 orësh.

 

Arrestimi

Pranga Shemsie Kadrisë, Prokuroria apeloi vendimin e Gjykatës së Tiranës

Arrestohet në Doganën e Kakavijës, teksa udhëtonte drejt Greqisë, ish-presidentja e firmës piramidale “Gjallica”. Lajmi konfirmohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, sipas së cilës, Shemsie Kadria, është arrestuar në bazë të një urdhër arresti të Prokurorisë të lëshuar në 23 mars të vitit të kaluar, për akuzën e mashtrimit me shuma të mëdha. Vendimi i Shkallës së Parë i pafajësisë është apeluar nga Prokuroria dhe urdhri i arrestit vijon të jetë në fuqi. Kadria u lirua nga burgu në 7 mars të vitit 2007 falë amnistisë së Presidentit të Republikës, në atë kohë, Alfred Moisiu, ndërsa i kishin mbetur ende 3 vite e gjysmë burg. Në janar të vitit 2001, Gjykata e Tiranës e dënoi me 17 vjet burg ish-bosen e “Gjallicës”, ndërsa në muajin qershor 2001 Gjykata e Apelit la të njëjtin vendim. “Gjallica” ka pasur 69.808 kreditorë, ndërsa borxhi i kompanisë, sipas ekspertëve, ka qenë mbi 200 milionë dollarë.

 

 

Zjarr masiv tek kodrat e Liqenit

Një zjarr masiv ka përfshirë kodrat e Liqenit Artificial mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Flakët kanë përfshirë pemë dhe shkurre mes kodrave të liqenit dhe zonës së Saukut. Shkaqet e rënies së zjarrit nuk dihen, por dyshohet se mund të ketë qenë i qëllimshëm. Ndërkohë 2 zjarrëfikëse u nisën menjëherë në vendin e ngjarjes për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së flakëve.

 

Berat

Arrestohet shefi i Financës, falsifikoi dokumentet për një tender

 Është arrestuar shefi i Financës së një komune në Berat pasditen e djeshme, pasi dyshohet se ka falsifikuar një dokumentacion për një tender për blerje të lëndës drusore në Skrapar. Sipas policisë, i arrestuari Saimir Ahmeti, 41 vjeç, akuzohet për shpërdorim detyre “duke falsifikuar dokumentacionin e një procedurë tenderimi për blerje të lëndës drusore për nevoja të Komunës Çepan, Skrapar”. Ahmeti, 41 vjeç, është banues në fshatin Çepan të Skraparit, me detyrë shef Finance në Komunë. Operacioni i kapjes së tij u kodua “Tenderi” .

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency