Qiraja 1 euro dhe frenimet e biznesit

0
113

Ervin Kaduku

 

Sa “entuziast” është biznesi shqiptar për nismën e qeverisë për të dhënë me qira 1 euro objekte shtetërore në vend? Sektori që mund të përfitojë më shumë është fasoni, por sipërmarrësit janë skeptikë mbi efektet e saj për shkak të amortizimit të objekteve dhe afërsisë së tyre me qytetin

banesaDhënia e objekteve dhe trojeve shtetërore me 1 euro qira është një nga nismat e ndërmarra nga qeveria “Rama” për të nxitur investimet e brendshme dhe të huaja. Sipas kritereve të miratuara dhe të publikuara nga qeveria, çdo investitor mund ta përfitojë këtë qira minimale kundrejt disa kritereve që duhet të përmbushë: masa e investimit, që duhet të jetë mbi 10 milionë euro, numri i të punësuarve, lloji i biznesit, etj.

Por sipërmarrësit duken pak entuziastë për këtë nismë.

Për pjesën më të madhe të tyre, kjo është një nismë “e vjetër” e aplikuar më parë edhe nga qeveria “Berisha”, e cila dha shumë pak efekt në nxitjen dhe rritjen e investimeve në Shqipëri.

Hajredin Fratari, një sipërmarrës i vjetër në vend, njëherësh edhe kryetar i organizatës së biznesit Konfindustria Shqiptare, kujton përvojën e tij të disa viteve më parë, në kuadrin e “1 euro”. “Kjo është një nismë e provuar gjatë gjithë këtyre viteve. Unë vetë nisa një tratativë për të marrë një zonë industriale në Koplik, 625 mijë metra katrorë, disa vite më parë, që jepej me 1 euro me koncesion. Këtë investim do ta ndërmerrja edhe me disa investitorë italianë dhe së bashku vizituam disa zona industriale si në Elbasan, Lezhë, etj. Por investimi nuk u ndërmor, sepse ajo që investitorët kërkojnë nuk janë objekte shtetërore që në shumicën e rasteve janë në gjendje shumë të amortizuar”, thotë z. Fratari.

Sipas tij, nga kontaktet që Konfindustria Shqiptare ka me anëtarët e saj dhe me investitorë të huaj, kjo nismë nuk ngjall interes, pasi sipërmarrësit, sidomos ata të huaj, shohin nivelin e taksave dhe sigurinë në një vend.

Më optimist duket presidenti i një prej grupimeve më të mëdha të biznesit në vend, Biznes Albania, Luan Bregasi. Oferta për t’iu dhënë investitorëve të huaj hapësira, magazina të ndryshme, me 1 euro, ka krijuar interes tek anëtarët e shoqatës Biznes Albania, por sigurisht, interesi vazhdon dhe me kureshtjen për kushtet e tjera të të bërit biznes në Shqipëri.

Ai mendon se kjo është një nismë interesante, e menduar në kohën më të përshtatshme, për të thithur investime dhe investitorë të huaj.

“Në kushtet e futjes në fuqi të paketës së re fiskale, e cila, siç jemi të gjithë në dijeni, u shoqërua me disa masa, siç ishte rritja e tatimfitimit me 50% dhe disa masa të tjera që krijuan imazhin që në Shqipëri po rriten taksat dhe në këtë mënyrë është duke humbur disa aftësi konkurruese, në tregun rajonal dhe më gjerë, një nismë e tillë, erdhi pikërisht në kohën e duhur, për të bërë këtë zbutje të imazhit, jo të mirë, që u krijua në fillim të implementimit të paketës së re fiskale”, thotë z. Bregasi.

Sipas tij, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, së bashku me Ministrinë e Mbrojtjes, kanë mjaft ambiente në pronësi shtetërore, të cilat ose kanë qenë pre e grupeve të caktuara klienteliste, ose janë jashtë vëmendjes për t’i ruajtur dhe mirëmbajtur, nga ana e institucioneve shtetërore.

“Nisma për t’u dhënë kompanive të interesuara, me një euro, për investime të ndryshme, me dhjetëra kapanone bosh do të sillte jo vetëm teknologji të reja në Shqipëri, por dhe punësime të reja, kualifikime, të aftësive profesionale të punonjësve të rinj, etj.”, thotë kreu i Biznes Albania.

Sigurisht, kjo nismë e qeverisë së re përbën një ofertë për kompani dhe investitorë të huaj, por për shkak të impaktit negativ që ka dhënë kriza në Shqipëri dhe shtetet e tjera të rajonit, nuk do të mund të konsiderohet si zgjidhje e situatës së rëndë ekonomike që po kalon vendi.

 

Fasonistët, presim rritje të investimeve

Shumë të interesuar për këtë nismë të qeverisë duken sipërmarrësit e sektorit që punon me material porositës, fasoni. Bardhi Sejdarasi, drejtor ekzekutiv i Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve, thotë se kjo nismë është edhe një nga kërkesat e bëra nga biznesi i fasonit për qeverinë.

“Ne kërkojmë hapësira dhe ambiente të reja për të rritur investimet në sektor. Ka ardhur një moment kur ka shumë interes për investime të reja, qoftë nga vetë kompanitë vendase, qoftë nga investitorë të huaj, ndaj dhe nevoja për ambiente është rritur.

Por ne nuk kemi marrë një listë të detajuar të objekteve dhe hapësirave të vëna në dispozicion nga qeveria, çka do të na jepte një ide më të qartë mbi shanset që do të krijohen. Ajo çfarë na duhet është që këto objekte të jenë në qytete apo pranë tyre dhe të kenë infrastrukturë”, thotë z. Sejdarasi.

Të njëjtin fakt e konfirmon edhe përfaqësuesi tjetër i fasonistëve, Gjergji Gjika.

“Interes për sektorin ka, e para ne nuk dimë cilat janë këto objekte sepse ende nuk na është dhënë ndonjë listë me objektet. Nuk dihet në çfarë gjendje janë, sepse në atë gjendje që janë, ndoshta do të ishte më mirë që të prishen dhe ndërtohen nga e para, sesa të shfrytëzohen ashtu siç janë. Ministria e Ekonomisë thotë që është gati lista, por ende ne nuk e kemi marrë një të tillë. Ne jemi optimistë se kjo nismë do të sjellë rritje të investimeve dhe kjo është bërë më parë në vende të tjera. Është fakt se biznesi ka nevojë për hapësira me kosto të lirë”, thotë z. Gjika.

 

Po humbim konkurrueshmërinë

Sipërmarrësit janë të shqetësuar se rritja e taksave e ka ulur konkurrueshmërinë e Shqipërisë kundrejt vendeve të tjera të rajonit. Shqipëria ka sot ndër nivelet më të larta të tatimfitimit për bizneset kundrejt vendeve fqinje si Mali i Zi, Maqedonia, etj.

“Sot, ne kemi padyshim nivelin më të lartë të taksave në rajon dhe kjo pritet të ndikojë negativisht për thithjen e investimeve të huaja në vend”, thotë z. Hajredin Fratari.

Sipas tij, qeveria duhet të hartojë programe dhe plane investimesh konkrete dhe “joshëse” për investitorët e huaj, sidomos ata aziatikë, që janë shndërruar në potenciale të mëdha financiare në tregje të ndryshme të huaja.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency